Hyrje | Me Teper | Historia | MARSHI I BARABBAJT DHE ETËRIT E VËRTETË TË KOMBIT

MARSHI I BARABBAJT DHE ETËRIT E VËRTETË TË KOMBIT

Më pëlqen ta nis këtë shkrim me një ilustrim të shkurtër të ndoshta një prej ngjarjeve më kyçe në Bibël. Pikërisht me vendimin e kryqëzimit të Jezusit, që gjen vend në një poezi të Nolit për vrasjen e vlerave dhe së mirës “Marshi i Barabbajt”.

Të gjithë dimë se pas shëtitjes në tokë dhe përhapjes së mësimeve të shenjta, Jezusi u shigjetua ashpër nga mbajtësit e pushtetit në Jerusalem të emëruar nga Perandori i Romës. Konkretisht nga prefekti i Judesë, Pons Pilati. Bibla dëften se Pilati tentoi të mos ndëshkonte Jezusin dhe duke qenë Pashkë (ku sipas zakonit lirohej një i burgosur), ftoi turmën të zgjidhte mes Jezusit dhe vrasësit Barabba. E më tej historia dihet botërisht se Jezusi u kryqëzua pas gishtit të turmës drejtuar kundër tij.

Si klerik, Noli, duke marrë këtë ngjarje të Biblës, na ka dhuruar poezinë e tij “Marshi i Barabbajt” në Albumin e tij të parë ku pa mëshirë e me neveri të gjallë denoncon përpjekjet e elitës politike të kohës dhe marshin e tyre të furishëm në shkatërrimin e çdo vlere, e çdo themeli të shëndoshë të popullit tonë dhe gjithashtu diktatin e vellon e skëterrës që sipas tij mbuloi Shqipërinë në vitet e qeverisjes së Zogut I.

Ajo ku do të doja të ndalesha, ishte pikërisht vrasja e vlerave të kombit që ndodh sot në kurriz të etërve dhe kontribuuesve më të mëdhenj të trevave shqiptare, që me punën e tyre intelektuale shpëtuan Shqipërinë nga tentakulat frymëmbytëse të pushtimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane.

Kemi dëgjuar mjaft nga liderë të kohës debat mbi etërit… Është e bërë mjaft e modës fatkeqësisht në politikëbërjen tonë që t’i lëmë veçmas argumentet kuptimplota se ndoshta s’na dalin hesapet mirë e s’na volitet t’i përdorim. Dhe në anën tjetër të kthejmë vëmendjen “nga të shumtit” duke u ngjirur në përbaltjet ndaj njëri-tjetrit. E në gjithë këtë moçalishte llafesh të kota dëgjohet shpesh e të gric veshin fjala at, etër… Janë dhe këta pjesë e “të shumtëve” po në dallim nga të tjerët thonë janë të kuq, flakë…

Mirëpo, krahas këtyre etërve kaq të dashur për udhëheqësit e kohës, m’u kujtuan disa të tjerë. Disa të tjerë që dikur kanë dhënë shumë nga vetja e tyre e kanë bërë çmos që ky vend të shpëtojë njëherë e mirë nga thundra e pamëshirshme e fqinjëve të lig. Keq e si mos më keq duket se këta, ditët e sotme, nuk i qas njeri. Rëndom nëpër libra shkollorë letrarë e historikë flitet për ta, po ja duket sikur plotësojnë atë vend në to që thjesht duhet të zënë… Duken të lënë mënjanë, si të dëbuar nga shoqëria si në kohën e ostrakizmës në epokën e Athinës së lashtë të Klisthenit që gjuanin me gurë për personat e padëshirueshëm në polisin e Athinës. Duhet që të kundrosh mirë në anët e rrugëve të Tiranës që të të bien në sy se mesa duket marshi i Barabbajt, pra marshi i vrasjes së vlerave, u ka ulur kokën e i ka lënë nën hijet e pemëve kryeqytetase.

Së pari, meqë e nisëm shkrimin me të, është Fan Noli. Vështirë të të vijë ndër mend se ku i kanë rezervuar vend këtij kolosi të letërsisë, publicistikës, historisë, muzikës, teologjisë dhe përkthimit. I kanë taksur një bust të vogël pa pikë vlere aty pranë lulishtes së Kuvendit. Do thoshte kushdo si kryeministër i gjashtëmbëdhjetë i vendit i shkon pranë institucionit kryesor kushtetues. Po halli është që gjendet pranë asaj pedonales ku qelbet era tym qoftesh, salsiçesh e derdhet lumë birre. Nolit të madh, jo i njohur si ndonjë pijedashës e mezexhi, s’besoj se do t’i pëlqente të qelbej në erë qoftesh… Se për më tepër nuk do t’i pëlqente as të kishte një institucion të madh kulturor si Teatri Kombëtar, ku vihen në skenë përkthimet e tij, pranë qoftereve aty ngjitur. Kontraste të forta këto të një qyteti kaotik si Tirana.

Nga ana tjetër, themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemalin, nëse ju ka rënë në sy, e kanë lënë aty në anë të bulevardit rrëzë pemëve që rrethojnë vilën e ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehut. Ngjan sikur i kanë bërë nder se e kanë mbrojtur nga zhegu përvëlues i verës që vlon në bulevard. Megjithatë për këtë është folur dhe mund ta keni dëgjuar. Por se me ç’logjikë të shëndoshë e kanë vënë aty Ismail Qemalin hajde merre vesh. A thua e kanë lënë aty që të mendojë se si nuk e ndërtoi dhe ai në kohën që qe kryeministër një vilë të mirë si ajo e pasardhësit të tij komunist…

Nder duket se i kanë bërë dhe Faik Konicës. Enciklopedistit, themeluesit të esesë shqipe dhe një prej njohësve më të mirë të gjuhës shqipe e rrënjëve të saj, lëvruesit më të ndritur të prozës së shkurtër poetike, i kanë rezervuar vetëm një bust në liqenin artificial pranë eshtrave të tij. Nuk e kanë parë të arsyeshme që këtë korife të letrave shqipe dhe ambasadorin e parë të Shqipërisë në Uashington, Ministër Fuqiplotë, t’i ndërtonin një shtatore të dukshme në qytetin tonë. Dhe atij i kanë rezervuar freskinë dhe privatësinë veç në këto kodra të liqenit, ku të mos e bezdisë askush…

Edhe pse janë marrë nisma të mira si p.sh. fotografia e babait të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, në zyrat e administratës, nuk besoj se mjafton. Mendoj se Ismail Qemalit, Nolit e Konicës i duhet rezervuar një vend i konsiderueshëm e pa më të voglin dyshim një vend të dukshëm mu në qendër të Tiranës, si tri emblema të arta të shqiptarizmës krah Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit. Duhet njëherë e mirë të vendosim theksin fuqishëm në vlerat reale e më të mira që historia na ka dhënë dhe jo të mitizojmë figura qesharake, paçavure që s’kanë kurrfarë lidhje me artin, kulturën dhe shqiptarizmën. Dhe jam i bindur se ky “triumvirat i kulturës dhe shtetndërtimit” do t’i bënte më së miri karshillëk ngadhënjimtar asaj statujës së ndërtuar në fund të bulevardit “Zogu I”. Marshi i Barabbajt vazhdon dhe nuk di të ndalet… Po kjo duhet të marrë fund.

Do të ishte mirë që kryetari i tanishëm i qeverisë Edi Rama, t’i rikujtohej artikulli i botuar në RD në 1990, kundër dekretit për mbrojtjen e bustit të Enverit, ku shkroi se i kish bërë përshtypje që edhe pse harxhuan tonelata bronzi për diktatorin dhe disa pseudo personalitete, nuk pati dëshirë dhe zjarr për të shkrirë pak bronz për kokën e Nolit, që i hodhën thjesht gips.

Megjithatë, shpesh rutina dhe interesat e përditshme na rrëmbejnë dhe s’para na lejojnë të kthejmë kokën nga prapa për të nderuar siç i takon figurat e shkuara të tretura në dhe. Po e mbyll me një anekdotë të Nolit thënë nga ai në një konferencë mbajtur në 1962 për “Vatrën”. “Një prift një herë shkoi me popullin për të varrosur, për të shpënë të vdekurin në varre. Udhës, pranë një pylli, prifti u tha të qëndrojnë pak aty. Arsyeja pse qëndroi nuk u muar vesh dhe njerëzia u çudit si e la të vdekurin atje. Kur e panë pastaj që u kthye nga kisha me një dyfek u tha të presin e të heshtin dhe ia krisi. E ja këtë punë kisha u tha njerëzve. Po aman o uratë, i thanë ata, po e le të vdekurin këtu në mes që të vrash një ljepur… Budallenj, u tha ay, i vdekuri pret ndërsa ljepuri nukë pret!”.


gazeta-shqip

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7