Hyrje | Me Teper | Historia | Frank Shkreli: Ded Gjon Luli në shërbin të bashkimit

Frank Shkreli: Ded Gjon Luli në shërbin të bashkimit

Frank Shkreli: Ded Gjon Luli në shërbin të bashkimit

DED GJON LULI NË SHËRBIM TË BASHKIMIT KOMBËTAR

(NË KUJTIM TË 100-VJETORIT TË VRASJES)

Nga Frank Shkreli

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve. Ishin këto pengesa të vjetëra e të reja, sipas orekseve të rastit  të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin ndoshta më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar.   Megjithëse këto pengesa, për shqiptarët ishin tepër të mëdha gjatë gjithë historisë së tyre, dëshira dhe ndërgjegjëja e tyre për bashkim kombëtar nuk u shua kurrë.  Por pa marrë parasyshë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia e shqiptarëve ka plot  raste bashkimesh krahinore dhe fisnore shpirtërore të shqiptarëve, madje janë shënuar edhe përpjekje për organizime panshqiptare, që ndër më të famshmet,  ishin Lidhja Shqiptare e Skënderbeut në Lezhë dhe Lidhja e Prizrenit --  përpjekje këto të udhëhequra  nga figura më të shquara të kombit shqiptar, dhe  të cilët me veprat e tyre patriotike  u dalluan për veprimtarinë  dhe luftën e tyre drejtë bashkimit shpirtëror dhe  kombëtar të shqiptarëve.  Njëri prej këtyre figurave është edhe Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe.   Me 24 shtator 2015  u mbushën 100-vjetë nga vrasja tradhëtisht e tij, kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

https://www.youtube.com/watch?v=ZwWOPluuBaU

Deda ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë  në trojet shqiptare, ç'prej kohës së Gjergj Kastriotit -- Skënderbeut.  Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve -- mbi të gjitha -- për nga karakteri mbarëkombëtar i saj, gjë që si e tillë më në fund tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.  Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me në krye Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkojnë për tu takuar me Malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpilojnë Memorandumin i cili përmbënte kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin.

Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë,   një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim në mbarë trojet e veta.  Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit, siç sugjeron edhe kënga popullore, ishte se Shqipëria donte vedin me sundue.

Ded Gjo Luli, shkrue ka letër,

t'parit Shkodres o ia ka çue,

Se Shqipnia nuk don tjetër,

veç don vedin m'e sundue...

Si rrjedhim, kërkesat e Malësorëve të shfaqura në Memorandum, i bënë kryengritësit e maleve t’i paraqiteshin botës së atëhërshme si përfaqsues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar.   Lufta për liri e Malësorëve,  ishte simbol i vëllazërimit të kombit  shqiptar dhe tregoi se Shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri dhe dritë dhe bashkim kombëtar.   Prijsi i Malësisë së Madhe dhe malësorët e tij nuk kishin filluar kryengritjen dhe luftën kundër pushtuesve për përfitime personale, ideologjike ose krahinore, por ishte një nismë e tyre për liri, jo vetëm për krahinën e Malësisë së Madhe, por ishte një luftë për mbijetesën e kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Si e tillë, pra lufta e tyre kishte qëllime mbarëkombëtare.  Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve mbarë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 100-vjetor të vdekjes së tij, një mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i fateve afat shkurta dhe afat gjata të trojeve etnike shqiptare dhe bashkimit të tyre.

Frymëzimi dhe e kryengritjet e Ded Gjo Luli dhe të luftës së Malësorëve ndez[n flake gjithë trojet etnike shqiptare për liri dhe vetqeverisje. Si rrjedhojë, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore  e pushtimit turk.  Për një popull i cili dëshironte bashkim kombëtar të trojeve të tija etnike, ndër më homogjenet në Europë, pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër administrativ i imponuar nga otomanët.   Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi pastaj edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare  në Kosovë  dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare, duke  çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912.   Dedë Gjo' Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializmin e institucioneve të saj.  Si i tillë,  ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike në një shtet të pavarur, të quajtur Shqipëri.  Vepra e tij dhe e malësorëve të tij, mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi për të jetuar në liri duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve.

Gjithashtu, në këtë 100-vjetor të vrasjes së Ded Gjon Lulit, ne e ndjejmë veten kryelartë si malësorë, mbasi herojtë dhe dëshmorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe - kësaj kalaje të patundur arbërore ndër shekuj, ku nderi e burrënia përkundën në të njëjtin djep -- si vëllëzër e motërat tona, të një gjaku, të një kombi, ata dhanë kontributin e madh duke ndezur flake kryengritje mbarë kombëtare, që më në fund çuan në shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar me 28 Nëntor, 1912, duke u bërë kështu dallëndyshet që paralajmëruan pavarsinë e shqiptarëve.  Ata, me heroizmin dhe sakrificën e tyre -- si gjyshët dhe stërgjyshët e shqiptarëve ndër shekuj -- i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë si dhe vet-sundimit të Kombit Shqiptar - besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe armiqëve të afërt dhe të largët të kombit shqiptar ndër shekuj.  Ded Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

Në këtë 100-vjetor të vrasjes në tradhëti të Ded Gjon Lulit, duhet të kujtojmë, se ai dhe kryengritsit e tij malësorë i erdhën në ndihmë tokës arbërore, ndoshta në periudhën më kritike të historisë së saj.  Në një kohë kur dukej sikur shpresave shekullore të shqiptarëve për liri por edhe identitetit arbëror të shqiptarëve po u vinte fundi dhe kur tokat shqiptare ishin venë në ankandë – dhe kur armiqtë e shqiptarëve me influencë nepër kancelaritë e Europës, përpiqeshin të bindin botën se nuk kishte komb shqiptar.  Kryengritjet e malësorëve të udhëhequr nga Ded Gjon Luli, i treguan Europës se, po këtu ka një komb shqiptar, se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur. Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe për here të pare ndër shekuj, ata e ringjallën atë, duke ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.

Si i tillë, Ded Gjon Luli  është i të gjithë Shqiptarëve, anë e mbanë trojeve etnike  në Shkodër, Tiranë, Gjirokastër,  në Shkup e Manastir, në Prishtinë e Prizren, në Ulqin e në Tivar.  Trimëria dhe vendosmëria e herojve të kombit si Ded Gjo Luli,  ndaj avancimit të kauzës për liri e pavarësi mbarëkombëtare mbrenda kufijve etnikë të shqiptarëve, janë arritje të cilat në mënyrën e tyre unike, kanë kontribuar dhe duhet të vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kontribojnë në formimin e ndërgjegjës dhe të zhvillimit kombëtar edhe sot.

Në këtë 100-vjetor të vdekjes së Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akorduan atij rilindasit e kombit dhe baballarët e pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.    Mungesa e respektit për Ded Gjo Lulin si person dhe e veprës së tij atdhetare do të konsiderohej si një mungesë vlerash kombëtare e brezit të sotëm të klasës politike shqiptare për të cilat luftoi dhe vdiq 100-vjetë më parë Ded Gjo Luli.  Vlerat e tyre ishin të qenët besnik Atdheut, drejtësisë dhe lirisë së Kombit Shqiptar -- besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë sfidave me të cilat përballen sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. Ded Gjon Lulit nuk i është njohur gjithmonë kontributi i tij i vërtetë në historinë mbarë kombëtare të shqiptarëve.  Fan Noli, pasi ka shkruar  me një rast se ndonëse Ded Gjon Luli e kishte tërhequr  atë shumë,  “për trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Noli shprehet se, “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli.  “Rregjimi komunist me heshtjen e tij e dënoji për së vdekuri heroin e luftrave për Flamur dhe Pavarësi,  Dedë Gjo Lulin. Fatkeqsisht është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit. Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Luli, do ta çpikte një të tillë.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7