Hyrje | Me Teper | Historia | Bajram Çeliku: Pararoja e vdekjes

Bajram Çeliku: Pararoja e vdekjes

Bajram Çeliku: Pararoja e vdekjes

PARAROJA E VDEKJES

(LUFTA E KLENOECIT: RRËFYES EMIN ÇELIKU)

NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI

Ashtu si çdo vend në trojet Etnike Shqiptare, po ashtu edhe Kërçova, ka një të kaluar të lavdishme historike. Nga historianë të ndryshëm, përshkruhen disa prej tyre, por mbesin edhe shumë ngjarje të tjera, që nuk janë shkruar, ose janë shkruar ashtu siç u kanë konvenuar pushtuesve të ndryshëm, që patën shkelur në Trojet tona Etnike Shqiptare. Edhe Kërçova nëpër shekuj, ka kaluar një rrugë të tillë, e shumë të vështirë, duke rënë herë  nën pushtimin romak, herë nën turq, serb, bullgarë, italian ... Sipas rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, babait tim Ramë Çeliku dhe disa të tjerëve nga fshati Cërvicë, territori i sotëm i Kërçovës, nuk e ka pas këtë pamje gjeografike që e shohim ditëve të sotshme... Ato rrëfenin se pjesa e ulët (fusha e sotshme), dikur ka qenë e mbuluar me ujë, pra me pamje të një liqeni tektonik (natyral).  Kjo pamje ka zgjatur deri me ardhjen e pushtuesve turq, për të cilët ka qenë vështirë të kalohet nëpër liqen me ushtrinë e tyre, dhe për të vazhduar fushatën pushtuese kundër ushtrisë së Skenderbeut, me qëllim që të pushtojnë Trojet Shqiptare. Për të sulmuar trojet e Arbërit, është dashur që të shkojnë rreth këtij liqeni, qoftë nga jugu ose veriu. Më në fund kanë gjetur zgjidhje, duke shkatërruar një kodër në afërsi të qytetit Makedonski Brod, prej ku është zbrazur ky liqen e duke formuar lumin e sotëm të quajtur Treska, i cili në afërsi të Shkupit i bashkangjitet lumit Vardar. Përderisa, territori i Kërçovës së sotme, pjesa e ulët ka qenë nën ujë, tregonte gjyshi im, Emin Çeliku.  Banorët e lashtë kanë jetuar nëpër viset e larta malore, dhe më së shumti janë marrë me bagëti dhe bujqësi. I vetmi vend i banuar aso kohe që ka qenë i rrethuar nga të katër anët me ujë ka qenë Kodra e Çukës, në Cërvicën e sotshme. Ky fshat i cili mund të llogaritet si vendbanim më i vjetër në territorin e Kërçovës së sotshme, është vendosur në kodrën e Kallan Goçit, dhe sipas disa hulumtimeve arkeologjike, në kohë të Ish Jugosllavisë, është marrë një dru e disa gjëra të tjera dhe në institut, është konstatuar se janë 4000, vjet më parë. Banorët e këtij vendbanimi, sipas rrëfimit të gjyshit, sigurisht kanë kaluar nga konfeksioni katolik në kohë të romakëve, e më vonë edhe në atë ortodoks në kohë të sundimit Bizantin, konkret  në kohë të sundimit të Justinës. Pas tërheqjes së ujit nga pjesët e ulëta të Kërçovës krijohet tokë punuese, ku shumë familje nga vendbanime të ndryshme malore, zbresin pak më poshtë, duke punuar tokën të cilën ua shpërndante pushtuesi turk, me kusht që të deklarohen se e pranojnë fenë islame. Kështu një pjesë e madhe e popullatës së Kërçovës, lëshon besimin ortodoks dhe pranon fenë islame, për arsye të ekzistencës me familjen e vet.

E gjithë kjo që u tha më lartë le t’u mbetet historianëve tanë dhe arkeologëve, që të vlerësojnë saktësinë e tyre, e unë në këtë shkrim, do të kaloj në një rrëfim nga gjyshi im Emin Çeliku, për një ngjarje historike, lidhur me një betejë që është zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Botërore në fshatin Klenoec të anës së Kopaçkës, e njohur si PARAROJA E VDEKJES – ku edhe vetë gjyshi kishte qenë pjesëmarrës në këtë betejë të përgjakshme.

Si çdo herë, rrëfimet e gjyshit lidhur me trimëritë e burrave shqiptarë nga rrethi i Kërçovës, më nxisnin kureshtjen për t’i dëgjuar me vëmendje. Këtë rast e shfrytëzova, një mbrëmje vjeshte kur në shtëpinë tonë, në dhomën e miqve, siç e kishte pagëzuar gjyshi, erdhën disa shokë të gjyshit nga fshati Zajaz. E prita me padurim këtë rast, sepse e dija se gjyshi do të tregojë ndonjë nga ato rrëfimet e veta që shpesh  i rrëfente kur kishte mysafirë. Pasi i përshëndeta ato, u ula në prehër të gjyshit, e më pas ato e lutën që t’ u tregojë, nga ato rrëfimet e tija. Mua më rrahu zemra më shpejtë sepse edhe unë mezi pritësha që gjyshi t’ia marri rrëfimit të tij historik. Pasi u mendua pak, u tha atyre se: rrëfime të tilla i ka në shumicë, por sonte do t’u tregoj një nga përjetimet e mija, gjatë Luftës së Dytë Botërore...

Këtë rrëfim e kamë pagëzuar me titull, - PARAROJA E VDEKJES – ia nisi gjyshi rrëfimit. Mefaili i Vogël kishte mësuar se, forca ushtarake partizane nga mali Karaorman, kishin zbritur në fshatin Klenoec, në afërsi të fshatit Izvor, dhe kishte lëshuar kushtrimin që burrat e aftë për pushkë, nga të gjitha fshatrat shqiptare, të mblidhen, nën komandën e tij dhe sa më shpejtë të sulmohet dhe asgjësohet aradha partizane e koncentruar në fshatin Klenoec  të Kopaçkës. U trokit edhe në portën tonë, rrëfente gjyshi, doli babai im  Bali, duke u ofruar mirëseardhje. Ato i thanë se nuk kanë shumë kohë, vetëm se janë të dërguar nga Komandanti i Ballit Kombëtar, Mefaili i Vogël që ai të më përgatisë mirë mua për luftë, dhe se me urdhër të tij së bashku me Fazli Biserin nga fshati Cërvicë, do të ecin para forcave të Ballit Kombëtarë si PARAROJE E VDEKJES . Babë Bali, tregonte gjyshi reagon që në vend meje, vetë ai ta kryej këtë detyrë atdhetare, duke u thënë atyre se më ka një djalë për mallë, dhe se përveç meje nuk kishte tjetër djal. Babai im, tregonte gjyshi besonte se Mefaili i Vogël do ta pranonte këtë lutje, sepse ai me Mefailin e Vogël ishin djem tezje, pra nënat i kishin motra. Lutja e babë Balit, tregonte gjyshi nuk u pranua nga Mefaili i Vogël, me arsyetim se për këtë detyrë Mefailit i nevojiteshin djem trima e të shkathët, e të tillë ishin vetëm Emini i ri dhe Fazli Biseri, një djalë i shkathët e trim, njeni nga vrapuesit më të shpejtë në rrethin e Kërçovës.

Trima nga të katër anët e Kërçovës, në krye me Mefailin e Vogël, ishin mbledhur në afërsi të qytetit e të bashkuar u nisëm në drejtim të fshatit Klenoec të Kopaçkës, rrëfente gjyshi. Unë dhe Fazli Biseri ecnim disa qindra metra përpara Brigadës. Nga Mefaili i Vogël ishim caktuar si ,,Pararoja e vdekjes”, me qëllim që kur të na hetonin partizanët dhe të gjuanin në ne, Forcat e Ballit Kombëtarë, të para lajmëroheshin se atje diku ndodheshin forcat e përqëndruara partizane. Porsa hymë në afërsi të fshatit Izvor, na hetuan partizanët dhe qitën me armë zjarri mbi ne tregonte gjyshi. Nuk kishim kohë as të shkrepim një fishek me pushkë në to, e as të ikim. U shtrimë për tokë dhe me duar lakuriq filluam të gropojmë tokën ranore, me qëllim që të fusim kokën sa më thellë e të shpëtojmë nga plumbat që u derdhën mbi ne si rrebesh shiu. Thashë me vete se, jeta  ime qenka shkruar nga Zoti, tregonte gjyshi, të mbarojë këtu në mes të maleve të Kopaçkës. Por, kur do Zoti me të ndihmuar, ta shpëton jetën edhe atëherë kur shpresat janë fare të vogla. Trimat e Ballit Kombëtarë, në krye me Mefailin e Vogël, afroheshin duke u shpërndarë anash, dhe filloi një luftë e ashpër. Partizanët të përqendruar në kep të fshatit Klenoec, e kishin më lehtë sepse kishin një pasqyrë të mirë prej nga vinin forcat e Ballit Kombëtarë, por trimat shqiptarë u shpërndanë duke i rrethuar partizanët. Partizanët qitnin rafal me armë zjarri në drejtim të trimave të Ballit Kombëtarë, e ne me Fazli Biserin  ndodheshim në mes të dy zjarreve dhe filluam të qesim pushkë edhe ne në drejtim të partizanëve. Lufta sa që vinte bëhej edhe më e ashpër, e forcat e Ballit Kombëtarë përparonin pak nga pak, duke u munduar që të bëjnë rrethimin e forcave partizane. Së shpejti pas shpinës së partizanëve u dëgjuan disa rafalë armësh automatike, sa që zëri i tyre ulërinte sikur zëri i bishave të egra të pyllit. Nuk shkoi shumë kohë dhe armët pushuan, ndërsa forcat e Ballit Kombëtarë iu ofruan vendit ku qenë përqendruar partizanët. Edhe unë dhe shoku im Fazli Biseri, tregonte gjyshi arritëm te vendi i ngjarjes, dhe çka me pa ...? Të gjithë partizanët ishin të vrarë...! Pyesnim njëri - tjetrin...!  Kush i vrau ...? Si u vranë... ? Më vonë mësuam  se një çetë e Ballit Kombëtarë nga Malësia e Tetovës, nja 80 djem  të fuqishëm e trima, të armatosur me armë automatike, u kishin dalë pas shpine partizanëve duke i vrarë  deri në ushtarin e fundit partizan. Këto trima nga Malësia e Tetovës tregonte gjyshi, në marrëveshje të mëparme me Mefailin e Vogël, duke e ditur mirë pozicionin e partizanëve, kishin zbritur maleve nga Malësia e Tetovës, dhe pas shpine në fshatin Klenoec kishin bë asgjësimin e forcave partizane të përqendruara në këtë fshat. Këtu shihet qartë, tregonte gjyshi se në mes të komandantëve të Ballit Kombëtarë nga qytete të ndryshëm ka pasur një bashkëpunim, dhe veprime të përbashkëta luftarake. Bashkëpunim i shqiptarëve për të mbrojtur Trojet Etnike Shqiptare, që është vërejtur edhe në kohë të Turqisë, kur Dervish Emin Çeliku (Xhambazi), nga Cërvica e Kërçovës, iu bë krahu i djathtë Dervish Carës nga Tetova, në luftë kundër ushtrisë së Hajredin Pashës dhe Llatasit. Borxh kombëtar lufte, qëtani gjatë Luftës së Dytë Botërore, Forcat e Ballit Kombëtarë nga Malësia e Tetovës, i shkuan në ndihmë Komandantit të Ballit Kombëtar nga Kërçova, Mefailit të Vogël. Edhe forcat e Ballit Kombëtarë në udhëheqje nga Mefaili i Vogël i kishin shkuar në ndihmë Xhemë Hasë Gostivarit, tregonte gjyshi. Këto bashkëpunime u duhen gjithmonë shqiptarëve, thoshte gjyshi . Sepse, vetëm të bashkuar mund t’ i mposhtim armiqtë tonë historik, që duan të na i grabisin Trojet tona Etnike Shqiptare.

Fjalë këto me të cilat gjyshi e përfundoi rrëfimin e tij, e mysafirët që i patëm asaj nate, e përgëzuan  gjyshin  për këtë rrëfim heroik. E,  unë e përqafova dhe e putha në të dy faqet duke e falënderuar për këtë rrëfim historik: fyt për fyti me armik...

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7