Hyrje | Me Teper | Historia | Lutfi Alia: Portreti i Kastriotit në 'Uffizi', Firence (1)

Lutfi Alia: Portreti i Kastriotit në 'Uffizi', Firence (1)

Lutfi Alia: Portreti i Kastriotit në 'Uffizi', Firence (1)

PORTRETI I GJERGJ KASTRIOTIT, NË GALERINË “UFFIZI” – FIRENCE (1)

Nga Lutfi ALIA

Në vitin 1901, në një shkrim në revistën “Albania”, mentori Faik Konica shtroi një pyetje: “A ekziston një portret autentik i Skenderbeut?” [1]  Nxitjen për këtë artikull, Konica e mori pasi lexoi veprën e Frederick Kenner  Vjetari i koleksioneve të Shtëpisë Perandorake. Viena: vellimi XIX, viti 1898, i cili shkruan se në koleksionin e Arkidukës Ferdinand II i Austrisë dhe konti i Tirolit, janë dy kopje të portretit të Gjergj Kastriotit, njëri i pikturuar me profil nga e majta dhe tjetri me profil nga e djathta. [2]

Frederick Kenner mendonte se njeri nga këto portrete është vepër e piktorit italian Gentille Bellini (1429 – 1507), i realizuar para vitit 1466, madje thekson, se ishte realizuar në vitin 1463, me kërkesën e autoriteteve të Venedikut, kur Gjergj Kastrioti vizitoi Venecian me rastin ceremonisë të shpalljes Qytetar Nderi. Në vazhdim Kenner shkruan: “Ndërsa portreti i parë ka humbur, i dyti është kopje dhe në regjistrin e Muzeut Perandorak shënohet se ky portret ishte riprodhim i portretit origjinal të mëparshëm. Portreti me profil nga e djathta, është pikërisht ai, që ndodhet në Firence, andaj Ai e quajti “Portreti Fiorentin”. [2]

Faik Konica pajtohej me Kenner për ekzistencën e dy portreteve, duke shtuar se para këtij informacioni, nuk dinte, që të kishte arritur deri në ditët tona një portret autentik i Heroit, i pikturuar kur Ai ishte gjallë. [1]

Më 10 gusht 1960, Fan S. Noli, në kumtesën e mbajtur në seminarin e Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston, nuk e përmend Konicën, madje mendon ndryshe nga Ai duke theksuar: “I vetmi portret i Skenderbeut që njohim, është ai që gjendet në Muzeun e Firences në Itali. Ka të ngjarë të jetë portret autentik dhe duhet të jetë bërë para vitit 1466, kur Skenderbeu vizitoi tregëtarët e pasur Mediçi të Firences, që financuan kryqëzatën e tij. Sipas kësaj pikture, Skenderbeu nuk duhet të ketë qenë më pak se 65 vjeç, në mos më i moshuar[3]

Fan Noli thotë, se prortreti që ndodhet në Galeria Uffizi të Firences, duhet të jetë realizuar para vitit 1466, por autori “zyrtar” i këtij portreti konsiderohet Cristofano Dell’Altissimo (Kristofano Altissimo), i cili ishte lindur në vitin 1530, pra 62 vjet pas vdekjes të Gjergj Kastriotit. Ndofta Noli donte të thoshte, por nuk e tha, se portreti në Firence, është kopie e një portreti tjetër, i realizuar para vitit 1466.

Lidhur me moshën rreth 65 vjeç të pamjes në portretin e Firences, Noli i bën llogaritë bazuar në mendimin e tij insistues, se Gjergj Kastrioti ishte lindur në vitin 1400 dhe jo ne vitin 1405 si referohet nga autorë të shumtë.

Ndërsa historia e portretit të Firences është e njohur, shumë studiues shtrojnë pyetjen: Si përfunduan dy portretet e Gjergj Kastriotit në koleksionin e Arqidukës Ferdinand II i Austrisë?

Këtë enigëm e sqaron studiuesi i artit Franco Minonzio, në studimin “Muzeu i Xhiovio dhe galeria e burrave të shquar”, i cili thekson: “Nell’ottobre del 1579, Ferdinando II, arciduca d’Austria, ottenne che fosse concesso a pittori da lui inviati di eseguire copie dei ritratti del Museo, destinati ad essere accolti nel castello di Ambras – Në tetor 1579, Ferdinandi II, arqiduka i Austrisë, kërkoi të lejohen piktorët e dërguar prej tij, të realizojnë kopje të portreteve të Muzeut, të destinuara për t’i vendosur në kështjellën e Ambras”. [4]

Interesimi i arqidukës Ferdinandi II për portretet e Gjergj Kastriotit nuk është rastësi, pasi në vitin 1578, duka i Urbinos Mario Sforca, ia shiti përkrenaren dhe dy shpatat e Gjergj Kastriotit, që aktualisht ndodhen në muzeun Schatzkammer në Vienë. Për këtë dhuratë të çmuar, arqiduka Ferdinandi II me një letër të 15 maj 1579, falende-ron dukën Sforca për perkrenaren dhe dy shpatat e Skënderbeut, që i kishte dërguar.

Pra në vitin 1579, në koleksionin e Ferdinandi II, në kështjellën Ambras, ishin perkrenaria, dy shpatat dhe dy portretet e Gjergj Kastriotit. [4]

Duke iu përmbajtur këtyre opinioneve, mund të themi se ishin dy riprodhime të portretit të Gjergj Kastriotit të ekspozuara në Muzeun e Paolo Xhiovios, njeri vepër e Kristofano Altissimo në vitet 1552 – 1556, që ndodhet në Gallerinë Uffizi në Firence dhe dy portrete të një piktori austriak (anonim), të riprodhuara në vitet 1579 – 1580, me kërkesën e arqidukës Ferdinand II dhe të ekspozuara në kështjellën e Ambras në Austri.

Kuptohet se këto dy piktorë, njeri italian dhe tjetri austriak, kanë riprodhuar në kohë të ndryshme portretin e Gjergj Kastriotit, që ndodhej në koleksionin e famshëm të Paolo Xhiovio në Borgoviko të Komos.

Pra Kenner kishte të drejtë, në koleksionin e Ferdinandit II të Austrisë, ishin dy portrete të Gjergj Kastriotit.

Kenner, Noli, Minonzio, Fossi, Venturi, Müntz, Frasheri, Dhamo, Hudhri e shumë autorë të tjerë theksojnë: Porterti i Gjergj Kastriotit në Firence është kopje, riprodhim i portretit origjinal të mëparshëm, por asnjeri nuk thotë kush ishte autori, çka e bën më enigmatik dhe më intrigues identifikimin e autorit të parë, ndërkohë që “zyrtarisht” njihet ende si punim i Kristofano Altissimo. [2, 3, 5, 6, 13, 14, 16, 19, 20]

Kristofano Altissimo dhe portreti i Skenderbeut.

Kristofano Altisimo (Cristofano dell’Altissimo), ishte lindur në vitin 1530 në Firence. Mbiemërin Altissimo e kishte marrë nga gjyshi nga nëna, i njohur asokohe si poet. Në një prokurë të vitit 1562 rezulton i shkruar: "Cristophorus olim filius Papij Damiani de Altissimis - Kristofori i biri i Papa Damjani Altissimo”. [5, 6, 10, 11]

Kristofano ishte nxënës i Agnolo Bronzino (Anjolo Broncino), në atelien e të cilit u formua si piktor portretist.

Broncino ishte mik dhe autori i portretit të Grandukës Kozimo I Mediçi dhe autor i afreskeve të shumta, që zbukurojnë Palazzo Vecchio (Pallati i Vjeter), rezidencën e dinastisë Mediçi.

Nё historinë e artit të rilindjes italiane, Kristofano njihet si riprodhues i portreteve tё autorёve tё tjerё, ndërsa veprat origjinale të tij janë të pakta, madje për disa prej tyre dyshohet të jenë punime origjinale. [5, 10, 11]

Kritiku McConib [7] e konsideron Kristofanin piktor i kategorisë së tretë, Santi di Tito [8](bashkëkohës i tij), e quan piktor i kategorisë së katërt, ndërsa Venturi (1933) e quan portretist, që prodhonte për bukën e gojës. [9]

Megjithë kritikat dhe mosvlerësimet për Kristofano Altissimo si piktor, vertetohet se Ai ka realizuar mbi 480 riprodhime portretesh nga koleksioni i Paolo Xhiovio, madje 293 punime të tij, mes tyre dhe porteti i Gjergj Kastriotit, ende ruhen në të famëshmen Galleria Degli Uffizi të Firences. [5, 6, 10]

Studiuesja Silvia Meloni Trkulja [10, 11] duke iu referuar veprës të Giorgio Vasari [12], thekson se Kristofano pikturonte pёr llogari tё Dukës të Toskanës Kozimo I Mediçi, i apasionuar për artin dhe pikturat.

Në vitet 1552 – 1556, Kozimo I Mediçi, e kishte dёrguar Kristofanin nё Komo, pёr tё kopjuar 280 portrete tё koleksionit në muzeun e Paolo Xhiovio. [10, 11, 12]

Në vitet 1557 – 1570, Kristofani realizoi dhe 290 portrete të tjera, çka vërtetohet me faturat e pagesave javore për punimet që kishte përfunduar dhe dërguar në Firence.[11]  Për këtë punë impenjative, Kozimo I Mediçi e paguante rregullisht Kristofanin, çka vertetohet me faturat e ruajtura në Arkivin e Shtetit në Firence. Në çdo faturë pagese, është i shkruar emri i Kristofanit dhe i personazhit të pikturuar. Nga verifikimi i faturave të viteve 1570 - 1586, nuk rezulton emëri i Gjergj Kastriotit, çka dëshmon se portertin e kryetrimit tonë, Kristofani e kishte realizuar më herët. Këtë konkluzion e bazoj me faktet se deri në vitin 1565 portreti i Gjergj Kastriotit ndodhej në Palazzo Vecchio, më pas e transferuan në Palazzo Pitti, ndërsa në vitin 1568, Duka i Toskanes Kozimo I Mediçi, urdhëroi ta vendosin në sallën Mappamondo të muzeut Palazzo Vecchio[3, 4, 5, 9, 10, 11, 13]

Nga këto të dhëna, rezulton se historia e portretit të shekullit XV të Gjergj Kastriotit, e ka zanafillën në muzeun e Paolo Xhiovio, në Komo, ku ndodhej i ekspozuar origjinali i Xhentile Bellini, i realizuar ne vitet 1462 - 1463. Ne vitet 1552 - 1556 Kristofano Altissimo e riprodhoi kete portret, pra pikerisht ate qe ndodhet ne Gallerine Uffici ne Firence, ndersa në vitet 1579 – 1580, piktori austriak (anonim), e riprodhoi portretin e Xhentile Bellini ne muzeun e Xhiovio, madje beri dy kopje, që ia dergoi Arqidukës Ferdinandi II i Austrisë.

Paolo Giovo (Paolo Xhiovio) dhe Kastriotët.

Paolo Xhiovio (Komo 21. 04. 1483Firenze 12. 12. 1552), ipeshkëv i Noçera, ishte historian, diplomat, mjek, biograf dhe muzeolog italian. Xhiovio ishte i diplomuar në mjekësi dhe filozofi në Universitetet e Padovës dhe të Pavia. Ai ishte intelektual me influencë, i lidhur me Papën Klementi VII, me kardinalin Alessandro Farnese, me Kozimo I Mediçi, me mbretin Karli V dhe me shumë personalitet të tjerë të kohës. Këto lidhje dhe raporte miqësie ndikuan, që Xhiovio ta jetoi politikën e kohës, në nivelet e larta. [10, 11, 13, 15, 16, 17]

Paolo Xhiovo u bë i famshëm si historian, me dy vëllimet “Historiae” dhe me muzeun në vilën legjendare të Borgoviko në Komo, ku krijoi koleksionin privat me 484 portrete, vepra tё piktorёve më tё shquar tё rilindjes italiane. Në këtë koleksion, 134 portete ishin personazhe të shquar si komandantë ushtarakë, mes tyre ishte dhe porteti i Gjergj Kastriotit. Autorët e veprave më cilësore në muzeun e Xhiovio, ishin Da Vinçi, Mikelanxhelo, Ticiano, Rafaelo, Massei, Broncino, Xhiorxhione, Guerçino, vëllezërit Bellini, vëllezërit Zuki, Allori etj. Në veçanti, Xhiovio kishte preferencë për portretet e Ticiano Veçelio, i prezantuar në muze, me numërin më të madh të punimeve origjinale, mes tyre dhe porteti i Gjergj Kastriotit, çka dëshmon për vlerat artistike të Ticiano, që si theksonte Xhiovo, “ato duhen lexuar si metafora dhe si histori”. [10, 12]

Paolo Xhiovio ishte mik i albanezëve, në veçanti admironte Gjergj Kastriotin, të cilit i dedikoi 108 faqe, në veprën “Commentario de Turchi, con gli fatti et la vita di Scanderbeg”, i botuar në vitin 1539, që është ndër biografitë e para për Gjergj Kastriotin, Zotin e Albanisë dhe mbrojtësi i krishtërimit, si e quan Xhiovio. [13, 14, 15] Nga respekti dhe nderimi që kishte për Gjergj Kastriotin dhe për albanezët, Paolo Xhiovio aderoi me nismën e Papa Klementi VII dhe të mbretit Karli V, për organizmin e kryqezatës antiturke, madje ishte ndër propagan-duesit më aktivë, që ndikoi në grumbullimin dhe organizimin e reparteve me stratiotë albanezë, të komanduar nga princi Kostantin Arianit Komneni. [6, 13, 15, 19, 21]

Gjatë veprimtarive fetare, letrare dhe humanistike, Paolo Xhiovio njohu dhe krijoi raporte miqësie me shumë albanezë të Italisë, në veçanti me pjestarët e familjes të Kastriotëve, si i përshkruan në veprën: “Dialogo sugli uomini e le donne illustri del nostro tempo”, ku rrëfen me admirim për Anxhela Vrana Kastriotin, dama shoqë-ruese e mbretereshës së Napolit Xhiovanna III Aragona, shkruan për krenarinë e të bukurës Jovana (Xhiovana) Kastrioti, ashtu si shkruan për karizmën dhe trimeritë e fisnikëve Alfonso dhe Ferrante Kastrioti etj[14, 15]

Në kohën kur Paolo Xhovio mbulonte poste me rëndësi pranë Papa Klementi VII, njohu Alfons dhe Ferrante Kastriotin, të cilët i prezanton në libër si shëmbuj, për t’i krahasuar me portretin e Skëndërbeut, që kishte në muzeun e tij. Xhovio shkruan:“Kam parë se princat e familjes të Gjergj Kastriotit, që janë transferuar në Pulje, kanë të njëjtin tip bukurie, si shihej qartë, kur i ballafaqova me portretin, që kam në muze dhe në mënyrë të veçantë tek Ferrando stërnipi i tij, Markezi i Sant Anxhelos, i cili vdiq në ditët e Pavisë, i vrarë nga dora e mbretit,

kur komandonte pararojën e ushtrisë”.  [14, 15, 16]

Nga kjo dëshmi e Paolo Xhiovio, behet e qarte, se në koleksionin e tij kishte portretin e Gjergj Kastriotit, por nuk thotë cili ishte autori i portretit, apo i portreteve të Gjergj, qe kishte në muzeun e tij.

Portreti i Gjergj Kastriotit, në Galleria Uffizi – Firence.

Portreti i Gjergj Kastriotit është i ekspozuar në korridorin monumental të Galleria degli Uffizi, me etiketën:

Tavola 1.2. Il ritratto di GEORGIUS SCANDER:BEK, Olio su tela; 60 x 45 cm. Numero dell’inventario 16 (C.P.p 215, Nr 249). La cornice in legno di noce, verniciatura d’oro. Galleria Degli Uffizi. Attribuito a Cristofano dell'Altissimo (1525-1605).

Tabllo 1. 2. Portreti i GJERGJ SKENDERBEUT. Vaj mbi telajo. Me përmasa 60 x 45 cm. Numëri i inventarit 16 (C.P.p 215, Numër 249). Korniza me dru arre e gdhendur dhe me ngjyrë e praruar. Galleria e Uffici. Vepër e dedikuar Koristofano dell’Altissimo (1525 – 1605)

Për shumë vite ky portret konsiderohej me autor anonim, më pas iu dedikua Kristofano Altissimo. [2, 3, 17, 18]

Portreti i Gjergj Kastriotit fillimisht ndodhej në Palazzo Vecchio, që ishte rezidenca e fisnikëve Medici, më pas e transferuan në Palazzo Pitti, ndërsa në vitin 1568, Duka i Toskanës Kozimo I Mediçi, urdhëroi ta vendosin në sallën Mappamondo të muzeut Palazzo Vecchio (Pallati i vjetër). [4, 5]

Në vitin 1587, për mungesë hapsire ekspozimi në Villa Mediçi, Granduka i Toskanës, Ferdinandi I Medici, urdhëroi transferimin e portretit në korridoret monumentale të Galleria degli Uffizi, ku ndodhet aktualisht, i ekspozuar dhe i katologuar si vepër e piktorit fiorentin Cristofano di Papi Dell’Altissimo.

Gjatë punimeve restauruese, që u kryen mbi këtë portret në periudhën maj 1993 – dhjetor 1994, specialistia Barbara Schleicher, konstatoi, se një autor anonim i shekullit XVIII, kishte ndërhyrë mbi pikturë, duke shtuar në pjesën e sipërme mbishkrimin me germa kapitale, me ngjyrë të bardhë:

GEORGIVS VS SCANDER:BEK

Gjatë pastrimit të sipërfaqes të portretit, në pjesën e sipërme të sfondit, Schleicher zbuloi një mbishkrim tjetër më të hershëm, me germa të arta, me permasa më të vogla:

GEORGIVS · CASTRIOTVS SCANDERBECVS

Gjergj Kastrioti Skenderbeu

google_ad_client = "ca-pub-1126227037357795"; google_ad_slot = "8712875773"; google_ad_width = 970; google_ad_height = 90;

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7