Hyrje | Me Teper | Kosova | Baki Ymeri : Kosova e Gjergj Butanit dhe ribotimi ne Bukuresht

Baki Ymeri : Kosova e Gjergj Butanit dhe ribotimi ne Bukuresht

Fryma atdhetare e bijve të pavdekshëm të Rilindjes sonë ndërlidhet me kushtrimin për atdhetari dhe qytetërim, për unitet, prosperitet dhe veprim energjik; për aftësi, përgjegjshmëri dhe ekuilibër. Është zëri i viktimave të Dardanisë ai na fton ta shpiem nga drita në dritë, dritën e shenjtë të atdhedashurisë shqiptare. Kështu, falë përkrahjes së Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, këto ditë e pa dritën e botimit numri i parë i revistës Kosova. Botimi i saj në vigjilje të Ditës së Flamurit është një eveniment i rëndësishëm për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e konsolidimit të pavarësisë së Saj. Ka ardhur koha kur si pasojë e raportit racist të Dick Martit, propagandave serbe të metropolës u besojnë vetëm ata që përpëliten në kotarin e injorancës diplomatike dhe  analfabetizmit politik. Numri i parë i revistës respektive është i formatit standard, A4, me 62 faqe kolor dhe mbi 50 fotografi në brendi të revistës. Në faqen e parë të numrit të parë, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksia e revistës Kosova u uron bashkatdhetarëve tanë Festat e Dimrit: Ditën e Flamurit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, faqe e dinamizuar me fotografinë e hotelit Continental ku më 5 nëntor 1912 u mbajt mbledhja historike për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në faqet tjera pason lënda në gjuhën shqipe dhe atë rumune, me subjekte historike, kulturore dhe letrare.

Në kuadrin e artikullit bazë theksohet se komuniteti shqiptar i Rumanisë, në vazhdën e traditave të shqiptarëve të mërguar në këtë vend qysh para 400 vjetësh (1595), duke patur parasysh veprën e rilindësve tanë, si dhe konceptet evropiane të afirmimit të identitetit, të kulturës dhe të historisë së çdo etnie, vendosi ta botojë serinë e re të revistës “Kosova” që dilte në Konstancë më 1932/33, nën udhëheqjen e bashkatdhetarit tonë me origjinë korçare, Gjergj Bubani. “Kosova” ishte revista e parë e diasporës shqiptare kushtuar Kosovës, qysh para 80 vjetësh. Revista del sipas nevojës së qartë të kontinuitetit, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Ideator i botimit të serisë së re është dr. Xhelku Maksuti - Nikolla Naço i ditëve të sotme, lideri shpirtëror i shqiptarëve të Rumanisë. Me këtë rast,  publiku rumun dhe ai shqiptar kanë mundësinë ta njohin karakterin e vërtetë të subjektit Kosovë, nga pikëpamje historike, kulturore dhe shkencore. Kosova është e regjistruar në Bibliotekën Nacionale të Rumanisë, ndërsa kryeredaktor i saj është autori i këtij shkrimi. Qëllimi i saj është afirmimi i subjekteve që kanë të bëjnë me Kosovën dhe vlerat universale të saj, me komente artikujsh lidhur me Kosovën në shtypin rumun, me botim artikujsh dhe poezishë kushtuar Kosovës gjatë botimit të saj në periudhën e Mbretërisë, me informacion mbi Kosovën në gjuhën rumune, me artikuj mbi rumunët e Luginës së Timokut të diskriminuar nga administrata raciste e Beogradit, etj.

Përndryshe, revista e Gjergj Bubanit ka qenë e mirënjohur si vlerë dhe dinjitet, jo vetëm nga ana komunitetit shqiptar, por edhe nga pala rumune. Kosova në Bukuresht dhe Bukureshti në Kosovë. Fati i botës varet nga Kosova. Kosova është shkëndija që e kall energjinë, një subjekt që ka qenë prezent në të përditshmet “Evenimentul Zilei”, “Romania libera” dhe “Interesul public”, tre nga gazetat ku kanë defiluar artikuj me admirim për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Shpresojmë se puna jonë do të ketë efekt të suksesshëm me rezultate transparente në gjirin e mërgatës shqiptare në këtë vend dhe tejmatanë kufijve të Rumanisë. Kosova e Gjergj Bubanit dilte në formatin A3, dhe shtypej në Tipografinë Albania të Konstancës. Numri i parë i serisë së re të Kosovës e pa dritën e botimit në Internet më 2009, duke qenë e prezantuar në gjuhën rumune edhe në shtypin elektronik të Transilvanisë, ndërsa, paralelisht me suplimentin Kosova letrare, ky është numri i parë që e pa dritën e botimit në letër, në këtë vend të bekuar nga veprat e shenjta të rilindësve tanë.

Përndryshe, “Kosova” e Gjergj Bubanit kishte karakter të dukshëm revendikativ lidhur me trojet shqiptare të mbetura nën kthetrat e hegjemonisë sllavo/bizantine. Kështu, nën moton: Le t’a dijë bota mbarë/ Se shqiptari ësht’ i zoti/ Të luftojë si më parë/ Të luftojë si qëmoti/ Për Kosovë e Çamëri/ Rrofsh e qofsh, moj Shqipëri! (nr.3, 13 qershor 1932). “Kosova” e asokohshme, në numrin e parë të saj përcakton katër kërkesa kryesore për çështjen shqiptare: 1. Të drejtën e vetëdisponimit për viset tona të robëruara (Kosovë e Çamëri), 2. Një Maqedoni autonome, kantonale, me të gjitha format poltike të Zvicrës, ku maqedono-shqiptarët, maqedono-rumunët, maqedono-bullgarët, maqedono-turqit, maqedono-grekët të kenë kantonet e tyre të lira. 3. Konsolidimin e pavarësisë sonë, radikalizmin e reformave shoqërore dhe kristalizimin e lirive kushtetuese. 4. Afrimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë ndërmjet të tre blloqeve që përbëjnë kombin tonë, dmth. Ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë së lirë, shqiptarëve të Shqipërisë së robëruar dhe shqiptarëve të kolonive. Ky ishte, në të vërtetë, programi i revistës së një drejtori që më vonë do të përjetojë persektutimet komuniste të qeverisë shqiptare si pasojë e rekomandimeve diplomatike të Beogradit, në kohën kur Enver Hoxha e la Kosovën në kthetrat e “perandorisë” jugosllave (1946).

           

Dr. Përparim Demi defilon në faqet e Kosovës së sotme me poezinë “Kosova ime”, ku parakalojnë emra të njohur si Ded’ Gjon Luli, Azem Galica, Bajram Curri, Isa Buletini, Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Sami Frashëri, Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, gjë që dëshmon se shqiptarët e Rumanisë janë udhëhequr dhe udhëhiqen nga ndjenja kombëtare të sinqerta, se janë marrë më tepër se kushdo tjetër me çështjen e mërgimit shqiptar, se kanë qenë dhe janë idealistë, se Rumania në periudhën e Rilindjes ka qenë foleja e shqiptarizmës. Konsiderata të sinqerta ndaj “Kosovës” së sotme i shprehin edhe dashamirët tanë, gjithandej në botë. „Ju në Bukuresht, jatakun e rilindësve tanë jeni duke e mbajtur me zjarr të pashuar. Ai zjarr i dikurshëm që i ngrohi zemrat dhe shpirtin tonë po vazhdon edhe sot të na ngrohë. Kam besim se veprimtaria  Juaj e ka bekimin e të gjithë shqiptarëve që janë të mbrujtur me gjak të pastër  shqiptari. Ju në Rumani, edhe të tjerët si Ju nëpër vende të tjera të botës, jeni ata që e mbani të gjallë e të pashuar zjarrin gjithëkombëtar. Bekoi o Zot këta shpirta duke u dhënë shëndet dhe forcë! (Hysen Këqiku, Kosovë). Përgëzime të sinqerta pas botimit të “Kosovës” në erdhën edhe nga Emil Lafe, Begzat Baliu, Albina Idrizi, Eduard Dilo, Nexhat Rexha, Miradije Ramiqi, Dalip Greca, Kozeta Zylo, Mediar Leka etj.

 

BOX

 

Është meritë të mburresh me dashamirët e Kosovës, si Tiberius Puiu, Florian Bichiri, Nicolae Prelipceanu  që i bombardojnë propagandat serbe në shtypin e Bukureshtit dhe faqet e revistës “Kosova”. Pasojnë artikuj tjerë dhe portretet e disa personaliteteve të rëndësishme shqiptare, si, Gjergj Kastrioti, Konstantin Kristoforidhi, Elena Gjika, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Xhelku Maksuti, Luan Topçiu etj. Kadareja vjen në faqet e Kosovës me artikullin „Shqiptarët kanë mirënjohje të thellë për Amerikën” me fragmente të shkëputura nga publicistika rumune, si: “Ballkanasit u janë besnikë klaneve e jo principeve”, si dhe me fragmente nga intervista e tij për shtypin bukureshtar para 7 vitesh: “Çështja e Kosovës është shumë e thjeshtë. E di se këtu në Rumani kanë qenë zëra kundër bombardimeve. Këtë mund ta kuptoj. Edhe unë jam kundër bombardimeve. Krejt bota protestonte kundër amerikanëve, askush nuk fliste për masakrat në Kosovë. Isha i dëshpruar pa masë. Për mua një masakër është më i tmerrshëm se sa një bombardim. Historia e botës na thot se kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë për masakra ndërsa për bombardime ka ekzistuar nevoja, shih luftën kundër hitlerizmit. Këto dy gjëra nuk mund të konsiderohen si të barabarta. Kur e shpërthen një fëmijë, kur e vret me gjakftohtësi, nuk është e njëjta gjë me vdekjen e një fëmije në bombardime. Kështu që isha i vendosur: nëqoftëse nuk ndërpriten masakrat, Serbia duhet të bombardohet pa kurrfarë mëshire. E njëjta gjë vlen edhe për terrorizmin. Nuk ekziston kurrfarë justifikimi për terrorizëm. Romantizmi i kamikazeve është krejtësisht idiotik. Kam qenë për intervenim kur janë shkelur të drejtat e njeriut. Është konflikti i Antigonës: drejtësi shtetërore apo drejtësi hyjnore? Antigona ka bërë diçka kundër shtetit ngase ashtu ia diktonte ndërgjegja.”

Baki Ymeri 

                       

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7