Hyrje | Me Teper | Kosova | ISMAIL DUMOSHI - FIGUARË POLIEDRIKE E LËVIZJËS ÇLIRIMTARE

ISMAIL DUMOSHI - FIGUARË POLIEDRIKE E LËVIZJËS ÇLIRIMTARE

Ethem Çeku

Begzad Baliu

 

Ditë më për në Prishtinë u bë përurimi i një monografie për atdhetarin  Ismail Dumoshi (1939-1988). Projektet e tilla sigurisht nxisin jo vetëm interesimin e lexuesve po edhe të studiuesve të trashëgimisë së Lëvizjes Kombëtare. Lëvizja Kombëtare e gjysmës së dytë të shekullit XX ka trashëguar disa momente dhe disa ngjarje të rëndësishme të bëmave të saj, si dhe disa personalitete po kaq të veçanta, pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e re bashkëkohore e çështjes shqiptare. 

Ismail  Dumoshi është njëri prej personaliteteve të shquara dhe po kaq të veçanta të historisë më të re të Kosovës, bëmat e të cilit dje dhe biografia e të cilit sot, e kanë nderuar historinë e Kosovës. Lëvizka kombëtare ka njohur personalitete të shumta dhe të ndryshme, prej atyre që kanë sakrifikuar jetën, deri te ata që kanë sakrifikuar jetën e tyre bashkë me familjen, prej atyre që e kanë bërë një jetë të tërë burgjeve të ish-Jugosllavisë, deri te ata që kenë bërë jetën nga lufta e Kosovës në Luftën e Luginës së Preshevës dhe më në fund në Luftën Çlirimtare të Maqedonisë. Emrat e tyre janë shquar shpesh në tekstet e karakterit historik, politik dhe publicistik, sepse emrat e tyre kanë qenë të pashmangshëm në këto qaste kujtimi e nderimi.

Emri i patriotit të shquar Ismail Dumosh del jashtë këtyre përmasave, prandaj kujtimi për të është kujtim për atdhetarin që Lëvizjen kombëtare  e shihte jo si një akt njëdimensional po si një angazhim shumëplanësh. Angazhimi për çështjen kombëtare sipas konceptit të Ismail Dumsohit fillonte me sjelljen individuale, familjare dhe kolegjiale të secilit prej nesh. Sigurisht kjo është arsyeja pse që në rininë e tij të hershme Dumoshi pati krijuar imazhin model të familjarit, të kolegut, të fqinjit, të intelektualit, të udhëheqësit dhe sigurisht edhe të bardit të Lëvizjes ilegale që më parë se sa ilegalisht vepronte legalisht në gjithë hapësirën shqiptare, për të mos thënë vepronte legalisht për misionin ilegal të brezit të tij.

Në biografinë e tij jetësore do të kujtohet përpjekja energjike me të cilën ai u cilësua si drejtues institucionesh arsimore dhe ekonomike të Kosovës. Do të kujtohet angazhimi i madh dhe plotë elan i tij si drejtues i qendrës shkollore “Nikolla Teslla” në Kastriot, në të cilën do të kujtohet për kthimin e saj nga një institucion shkollor për nevoja të dorës së dytë të qytetarëve të vendit, në institucion për ngritjen cilësore të punonjësve të krahut dhe punonjësve të gjigantëve ekonomik që po ndërtoheshin në Kosovë, e të cilët kërkonin sado pak një diplomë formale të shqiptarëve gjatë të privuar nga arsimimi i tyre elementar. Kjo sigurisht është arsyeja pse Ismail Dumoshi sot mund të konsiderohet mësuesi i popullit të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe ai do të bëhet, mbështetësi më i madh i Gjigantit elektro-ekonomik të Kosovës, ku ai do të realizoj një mision mbamendës në sistemin arsimor të Kosovës. Fjala është për diplomimin për një kohë shumë të shkurtër të disa mijëra punëtorëve të krahut, të zejtarëve dhe të mekanikëve të thjeshtë, për të zënë vend punë në këto fabrika.   

Kujtimi për Ismail Dumoshin është i ndërlidhur në mënyrë të veçantë për angazhimin intelektual të tij, jo vetëm në fushë të shkencave politike e ekonomike, po edhe në fushë të dijes dhe qytetërimit shqiptar. Në një kohë kur shumë intelektualë të shkencave teknike dhe të mjekësisë merreshin me profesionet e tyre të ngushta, Ismail Dumoshi zgjeronte horizontin e dijes së tij edhe me angazhime, lexime e diskutime me miq e kolegë të dijeve të tjera. Ai bisedonte në rrethe të ngushta profesionale në fushë të inxhinierisë dhe për arritjet e saj në hapësirën shqiptare, duke u angazhuar në mënyrë të veçantë për të diskutuar problemet gjuhësore me të cilat ndesheshin përkthyesit e saj nga sllavishtja; ai diskutonte për probleme të historisë së gjuhës shqipe dhe sidomos për probleme të nxënies së standardit të saj; ai komunikonte me personalitete akademike në Prishtinë (Rexhep Qosja etj.) dhe në Tiranë (Eqrem Çabej etj.,), si të ishte një albanolog i lindur; ai merrte pjesë në diskutimet kulturore dhe fliste për dobësitë e teksteve shkollore duke u nisur nga leksiku profesional me të cilin diskutoheshin temat e caktuara, deri te përmasa e përfshirjes së kulturës, letërsisë shqipe dhe historisë së shqiptarëve në kontekst të përfshirjes së gjuhës, letërsisë dhe kulturës e historisë së popujve të tjerë kryesisht sllavë në këto tekste; ai merrte pjesë dhe diskutonte me përgjegjësi për sistemin politik dhe ekonomik të vetëqeverisjes jugosllave sepse ishte një njohës i mirë i strukturës së tij dhe i synimeve të tij në politikën demagogjike serbe; ai ishte njohës i thellë i Lëvizjes ilegale në ish-Jugosllavi dhe njëri prej bartësve të heshtur të saj, prandaj gjatë angazhimeve të tij ai mori shumë iniciativa politike, ekonomike dhe kulturore në rrafshin e funksionimit të sistemit socialist jugosllav, por në të vërtetë ato ishin synime thelbësisht të formuluara në grupet ilegale të brezit të tij.

Me emrin dhe punën e Ismail Dumoshit ndërlidhen në mënyrë të veçantë  Demonstratat e vitit 1968. Prej dokumenteve politike të aktiviteteve të vitit 1968, madje para dhe pas tyre, dhe prej dokumenteve të gjykatave dhe gjykimeve të vitit 1968-1975, nuk është vështirë të shihet se Ismail Dumoshi ishte boshti kryesor i të gjitha aktiviteteve, kur legale e kur ilegale, pa të cilin nuk mund të shkruhet kjo periudhë e rëndësishme e historisë kombëtare të shekullit XX. Diskutimet e tij në foltoret e institucioneve politike, ekonomike dhe arsimore të kohës për gjendjen dhe pozitën e popullit shqiptar brenda sistemit jugosllav, komentet e tij në traktet e Lëvizjes ilegale të kohës, shkonin përtej kërkimeve modeste dhe individuale e institucionale të shqiptarëve të Kosovës, prandaj sistemi i ridimensionuar jugosllav në Kosovë do të kujdeset që krahas ngritjes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, të merret edhe me dënimet drakonike të bartësve të Lëvizjeve më përparimtare të brezit të ri (si Ismail Dumosh) që dukej hapur se i kishte marrë fatet e popullit në duart e veta.

Me emrin dhe bëmat e tij, kujtojmë bartësit dhe pjesëtarët e Lëvizjes ilegale në Kosovë lidhen shume iniciativa konkrete, shumë angazhime, shumë bëma për shumë vjet të mbetura enigmë nga Demonstratat e vitit 1968, te Demonstratat e Pranverës së vitit 1981, te Lëvizjet e mëdha të vitit 1989-1990, për të ardhur deri te Lufta e armatosur e UÇK-së, tek të cilat shtrihej frymëzimi djaloshar, mbështetja burrërore dhe dora e sigurt dhe e vendosur e misionit të tij atdhetar, pavarësisht se ai u nda nga jeta më 1988.

Për të gjitha këto dhe shumë aspekte të jetës dhe veprës së Ismail Dumoshit, kujtimi për te dhe brezin e tij mbetet i denjë për respekt. Ai për shumë gjenerata do të bëhet shembull i angazhimit të shumanshëm dhe shumdimensional në jetën intelektuale, shkencore dhe kulturore të popullit shqiptar. Jeta dhe veprat e tij do të mund të bëheshin shembull modeli edhe në kohën tonë.

Prishtinë, janar 2012


 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7