Hyrje | Me Teper | Shoqeria | Enada At' Nikolla feston 5-vjetorin e martesës në Dardhë.

Enada At' Nikolla feston 5-vjetorin e martesës në Dardhë.

Enada At' Nikolla feston 5-vjetorin e martesës në Dardhë.

Ajo është nga ato tipat e femrave që pëlqen të quhet "kinge". Ka filluar të merret me modë që adoleshente dhe këtë e bën edhe tani. Pasioni për të bukurën është rritur bashkë me të, duke marrë format dhe përmasat e një shijeje të rafinuar dhe me stil.

Në këtë kohë, stilistja Enada At' Nikolla e quan veten të pasur dhe të realizuar. Ish-modelja 15-vjeçare e "Sami Frashërit" sot feston 5-vjetorin e martesës të saj, të cilin e ka kurorëzuar me një vajzë 3 vjeçe e gjysmë. Festa, e cila mund të quhet një martesë e dytë për stilisten, është në Dardhë të Korçës. Në një intervistë për Sh2-shin, At' Nikolla rrëfen emocionet më të bukura të jetës së saj, se në fakt vetëm të tilla ka pasur. Fillimet e një dashurie me shikim të parë, që lindi mbi pasarelën e modës, muajin madhështor të martesës që ka zgjatur 30 ditë dhe lindjen e një fryti dashurie, që quhet Kendra.

Enada, një festë për përvjetor martese.. Pak e rrallë.. Dimë që njohja me bashkëshortin tuaj, me të cilin keni edhe një vajzë, ka lindur në pasarelën e modës, na tregoni si ka ndodhur?
Po, është e vërtetë. Jemi njohur në një sfilatë në Marikaj të Tiranës, në 1995-ën. Ai ishte i ftuar, unë isha modele. Ishte në shoqërinë e miqve të tij biznesmenë, pasi edhe ai këtë profesion ka. Aty nisi gjithçka. Siç e kanë djemtë me njëri-tjetrin, hajde gjeje, kush më rri fiks dhe Gimi tha; më rri fiks, kjo (për mua). Pastaj, sigurisht, ndodhën ngacmimet gjatë mbrëmjes.

Po nga ana juaj pati reagime?
Po, dhe unë nuk e mohoj që kur sfiloja, e ndjeva figurën e atij. Ishte biond, kishte veshur xhaketë jeshile. Ishte ndryshe nga të tjerët dhe më pëlqeu. Më vonë filloi të vinte te shkolla. Atëherë të gjithë e dinin që unë isha tek "Sami Frashëri". Si gjithë të tjerët që vinin te shkolla me makinë, edhe Gimi kështu veproi. Jemi takuar disa herë radhaz në 2-3 sfilata. Unë e ndjeja që më pëlqente, po nuk isha e sigurt nëse ishte ai që më pëlqente tamam. Pastaj në sfilatën e katërt të zhvilluar tek Muzeu Historik, blen një nga kostumet që kisha veshur unë atë natë dhe ma dhuron 2 ditë më vonë. Gjithë kohës më ka gjuajtur dhe gjithë kohës më ka pëlqyer mënyra e tij e të gjuajturit. Jo të gjithë kanë pasur qejf që ta kenë të dashurën apo më pas të fejuarën, gruan e jetës së vet, modele. Tendencën e kanë për të ndaluar, pavarësisht se kush je. Kanë qejf ta kenë, por nuk e lënë. Ndërsa në rastin tonë nuk ka ndodhur. Është karikuar dëshira e mirë për të qenë ashtu dhe me shumë dëshirë është lejuar. Im shoq e ka dashur këtë punë që unë bëj. Unë e kam dashur më shumë atë dhe për këtë gjë. Sepse kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Unë nuk e ndaj dot. Në qoftë se një njeri, me të cilin unë dua të kaloj gjatë, nuk e do këtë, i bie që ai nuk do një pjesë të rëndësishme timen. Kështu nuk do funksiononte.

E quani dashurinë tuaj nga ato me shikim të parë?
Mund ta quajmë, një pjesë e mirë nuk e besojnë, por në fakt është.

Sa kohë keni ndenjur të dashuruar?
Shumë kohë kemi ndenjur. Por e kemi pasur jetën shumë intensive, nuk na numërohen dot vitet. Kemi jetuar shumë. Vetëm gjëra të veçanta kam bërë, asgjë normale. Kemi qenë një grup shumë interesant, na njihnin të gjithë, quheshin "çunat e Austrisë". Lëviznin 15 veta në grup. Quheshin kështu, se ishin djem që vinin nga Austria dhe kishin të dashurat e tyre në Shqipëri. Kemi qenë të rinj të gjithë, shkonim ku na gjente darka, mëngjesi, nuk merrej vesh.

Cila ka qenë e veçanta apo surpriza më e bukur që i keni bërë njëri-tjetrit gjatë kësaj kohe?
E gjitha ajo periudhë më duket e çmendur. Kur isha e dashuruar kam ikur në Karaibe, jo të gjithëve mund t'u jepej mundësia për këtë. Nuk ndaj dot asnjë moment.

E quan veten njeri me fat Enada?
Përgjithësisht jam njeri me fat. Unë i kam të gjitha gjërat që duhet të ketë një njeri për të qenë i lumtur dhe që ta keni zili.

Ke hasur xhelozi nga femrat e tjera, apo mikeshat tuaja?
S'e di, ndonjëherë po. I kam mikesha të mira në fakt. Më shumë e ndjej tek njerëzit që nuk kanë mundur me mua të kenë një komunikim, se atëherë çdo gjë sheshohet edhe nuk lihet mundësia e të pasurit xhelozi. Ne lëvizim brenda një ekipi shoqëror, që janë njerëz të realizuar.

Çfarë ju mërzit më shumë?
Unë mërzitem kur dua të them ndonjë gjë dhe nuk e di pse ndalohet, nga një rrethanë e caktuar. Mërzitem kur nuk më jepet mundësia e të shprehurit të një mendimi.

Po për të qarë çfarë ju bën?
Qaj ndonjëherë. Më shumë nga inati. Nuk e fus veten tek ato tipat qaramane, por qaj nga dashuria. Më ndodh që, kur qaj, kënaqem se do të jetë ndonjë arsye shumë e fortë dhe një gjë që më është mbledhur shumë e që më bën të lotoj.

Pas kaq vitesh njohjeje dhe martesë, e ndjen vetën ende të dashuruar?
Në këtë periudhë që jam po ridashurohem. Në dashuri njeriu ka ngritje dhe ulje. Tani jam në ridimensionim. Kohët e fundit po më kujtohen shumë gjëra dhe më vijnë shumë momente nga fillimet e dashurisë sonë.

I keni stiluar ndonjë veshje bashkëshortit tuaj?
Unë kryesisht stiloj për femra. Kur ai blen diçka unë e jap mendimin tim me qejf, por unë e kam zgjedhur atë për tipin që ai ka dhe për tërë mënyrën e tij të të jetuarit dhe nuk do më pëlqente ta ndryshoja.

Fustanet e martesës suaj i keni dizenjuar vetë apo i keni blerë?
Vetë, po kam veshur 5 fustane dhe të gjithë i kam bërë me dorën time. Unë nuk jam martuar vetëm me një ceremoni. Kam bërë disa dasma. Jam martuar edhe në Selanik, edhe këtu. Jam martuar përgjatë një muaji. Shkova në Greqi, se disa njerëz i kisha atje. Së bashku me shoqërinë atje kemi kaluar disa ditë shumë të bukura, martesa ime atje është realizuar buzë detit. Ndërsa në ditën e beqarisë kam kaluar me limuzinë me ekipin e shoqeve, që rrinim në ato kohë. Dhe për koincidencë, këtë javë (sot) bëjmë 5-vjetorin. Do jem në Dardhë të Korçës, atje kemi menduar ta festojmë. Po e pres me qejf atë që do ndodhë atje.

Sa të pasur e ndjen veten Enada?
Shumë të pasur. Jam edhe nga ana monetare, edhe nga ana shpirtërore, i kam të dyja. Kam një lidhje shumë të mirë të dy pasurive që ju përmenda, prandaj nuk përhumbem. Sigurisht që të pasurit e lekëve më ndihmon të kem çdo gjë tjetër që më pëlqen dhe që më pasuron shpirtin. Nuk i ndaj dot, se unë gjithmonë kështu kam jetuar, si princeshë. Unë për vete e kam ditur që gjërat e mia do t'i kem gjithmonë shumë të mira. Jam natyrë shumë optimiste.

Kanë ndryshuar shijet e njerëzve me kalimin e viteve, për sa i përket të veshurit, apo ka ngelur pas në kohë?
Gjithmonë femrave u pëlqen të vishen, por kohët e fundit ajo që unë vë re është se është përmirësuar gustoja, zgjedhja. Këtë e kam ndjerë me kalimin e viteve, përsosja e gustos dhe përzgjedhja maksimale për një gjë të veshur.

Keni një vajzë 3 vjeçe. Si është Enada nënë?
Po, Kendra, 3 vjeçe e gjysmë. Ndihem shumë mirë dhe shumë e lumtur për vogëlushen tonë.

Pse Kendra, ka ndonjë domethënie ky emër?
Tri ditë para se të lindja e kam ndarë mendjen se do kishte këtë emër. E ka një shpjegim. Do të thotë "mbretëreshë e rrethuar mes miqsh e shokësh". Një emër king. Të qenit kinge ka qenë për mua komplimenti më i bukur që më është bërë dhe që do të doja të ma bënin.

Ke ndërmend t'i "dhurosh" Kendrës një vëlla?
Po, po, së shpejti. Megjithëse ajo do motër. Edhe unë vetë do të doja ta bëja me motër, se më pëlqejnë dy motra bashkë.

Së shpejti po afrojnë pushimet, ku do t'i kaloni ato?
Aaaa, ende nuk e kemi vendosur. Kam dëshirë të shkoj në ndonjë nga fshatrat e Italisë.

Shekulli

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7