Hyrje | Opinion | Binjaku: Dita ndërkombëtare e Romëve dhe edukimi

Binjaku: Dita ndërkombëtare e Romëve dhe edukimi

Binjaku: Dita ndërkombëtare e Romëve dhe edukimi

Dita ndërkombëtare e Romëve dhe edukimi…

Nga Entela Binjaku

Në kalendarin e aktiviteteve ndërkombëtare  8 Prilli njihet si “Dita e Romëve”.

Kjo datë simbolizon njehsimin e përpjekjeve që bëjnë shoqëritë në mbarë botën për drejtësi,  qëndrime larg stigmës dhe  kundër  diskriminimit ndaj popullsisë rome.   Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga aktivitetet që theksojnë  rëndësinë e kësaj date.  Si rezultat i angazhimeve që lindën me anëtarësimin e Shqipërisë në Konventat Ndërkombëtare,  për shkak të monitorimit nga Këshilli i Evropës  të respektimit të tyre  si kritere që janë kusht për anëtarësim në BE,  dhe pjesëmarrjes së vendit  që prej vitit 2008  në “Dekadën e Përfshirjes së Romëve”, presupozohet që minoriteti rom  në vendin tonë  të marrë kujdes dhe vëmendje, jo thjesht në këtë datë por  në mënyrë të vazhdueshme. Aktivitetet  që paraprijnë 8 Prillin  si dhe ato që  zhvillohen gjatë saj,  bashkojnë në një pamje të vetme  mozaikun e përpjekjeve të qeverisjes vendore,  qëndrore dhe sektorit  të organizatave jofitimprurëse  ku diversiteti festohet dhe shkëmbimet janë burim  gëzimi.  Sipas censusit  të fundit të përgjithshëm të popullsisë  të kryer në vitin  011  në Shqipëri banojnë 8 301 Romë, ose 0,3% e popullsisë të vendit. Sipas  një burimi tjetër që lidhet me organizatat rome apo ato që punojnë me këtë komunitet  numri i tyre varion deri në 120 mijë banorë (open.data.al/). Romët përbëjnë një pakicë etnike kulturore që jeton prej shekujsh në Shqipëri, me gjuhë dhe kulturë të veçantë të cilët kanë bashkëjetuar me shumicën duke ruajtur specifikat e tyre kulturore.

Në këtë ditë flamuri, himni, gjuha dhe traditat rome vendosen në qendër të vëmendjes së opinionit. Tabloja e jetës së romëve në vendin tonë ka ngjyra të tjera, larg atyre të gëzueshme specifike për këtë pakicë.  Në vendin tonë popullsia rome është më e varfëra dhe kjo në kushtet  ku sipas Banka Botërore më shumë se gjysma (45.5 per qind) e popullsisë shqiptare  jeton në kufirin e varfërisë me 5 dollarë në ditë. Kjo tablo është e ndryshme edhe nga ajo që jetonin romët  para viteve ‘90 duke mbetur njëkohësisht lineare në varfërinë e saj përgjatë këtyre dy dekadave të fundit. Nëse para viteve ‘90  punësimi, strehimi dhe arsimimi i romëve ishin  cështje të zgjidhura, pas këtij kufiri vitesh popullsia rome në shumicën e saj është e pastrehë,  mjaft fëmijë romë braktisin shkollën dhe punojnë,  një pjesë punojnë e tyre janë tashmë  rritur në tregun e zi duke mbledhur mbeturinat,  në shitje rrobash të përdorura, një pjesë  lypin në rrugë, lajnë  xhamat e makinave në semafor,  punojnë në sektorët e vështirë të ngarkim-shkarkimit apo thithin pluhurin e rrugëve që vazhdojnë t’i fshijnë me fshesë shqope etj. Shumë prej fëmijëve të këtij komuniteti martohen pa mbushur moshën 18 vjec duke përfaqësuar numrin më të lartë të martesave mes minorenëve në vend duke bartur edhe problematika që lidhen me lindshmërinë, sëmundshmërinë, braktisjen e shkollës etj.,  të tjerë bien pre e trafikimit apo shfrytëzimit ekonomik dhe seksual dhe shoqëria nuk ka mundësinë t’i ndihmojë.

Një numër i madh i romëve  nuk përftojnë sigurime shëndetësore dhe  për shkak të punëve që kryejnë dhe kushteve në të cilat jetojnë,  një pjesë e tyre vuajnë aftësinë e kufizuar ose nga sëmundje të rënda për të cilat kërkohen kushte më të mira jetese dhe banimi, ushqimi etj. Gjëndja e vështirë ekonomike e kësaj pakice është shoqëruar edhe me stigmën e cila ka bërë që romët të ndjehen të përjashtuar nga mundësia për të përmirësuar gjendjen e tyre. Qasja e pabarabartë e romëve në tregun e punës flet qartësisht për këtë. Megjithatë hapa përpara janë bërë dhe kjo kryesisht falë edukimit. Dihet që shkolla është institucioni kryesor për edukimin e shoqërisë. Falë aktiviteteve  ekstrakurrikulare dhe klasave të ndërtuara me fëmijë nga pakica rome dhe shumica janë bërë hapa përpara për  integrimin e tyre. Vetë klima miqësore e shkollës bën që prindërit romë t’i drejtohen shkollës dhe të bashkëpunojnë me mësuesit.  Një ndër shkollat e vendit në të cilën edukohen mjaft fëmijë nga ky komunitet është shkolla "100-Vjetori i Pavarësisë" Zhupan në qytetin e Fierit. Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle znj. Mirela Pashollari “Numri i  nxënësve romë që frekuentojnë shkollën është 84 ose 1/3 e nxënësvë të shkollës.  Fëmijët romë janë mjaft të integruar, ata ndjehen të përkrahur nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit”. Në këtë shkollë mësojnë …nxënës që vijnë nga familjet rome të vendosura në këtë zonë në mënyrë tradicionale tashmë”.

Paraditen e  8 prillit ne mjediset e kësaj shkolle  u zhvillua nje veprimtari social-kulturor me rastin " Dites Nderkombetare te Romeve". Veprimtaria u realizua nen kujdesin e mesueses Enkeleda Shkembi, mësuese përgjegjëse për veprimtarite në kuader të shkollës- qendër komunitare.

Nxënësit e kësaj shkolle interpretuan krijime të tyre, lexuan ese të krijuara posacërisht për integrimin dhe gëzimin e të drejtave, interpretuan himnin rom në gjuhën shqipe, kërcyen valle tradicionale rome, paraqiten një historik të shkurtër të kësaj pakice duke  ndarë  sebashku emocione dhe mesazhe qe tregojnë  mbeshtjetjen e fëmijëve tek njeri-tjetri pavaresisht se ciles kulture i perkasin.

Nxënësit nga pakica rome kishin  bërë vizatime dhe shkruar mesazhe me dashuri për njeri-tjetrin, shprehnin lirshëm dëshirat e tyre për të studiuar në të ardhmen  mjekësi, pohonin pëlqimin për lëndët e gjuhës shqipe dhe shkencave natyrore duke bashkuar dëshirat për një shoqëri më të mirë ku të gjithë kanë të drejta dhe  nuk ka diskriminim.

8 Prilli është dita kur romët i drejtojnë thirrje shtetit dhe shoqërisë për më shumë të drejta ekonomike, për më shumë mundësi punësimi dhe arsimimi, për strehim e për përkujdesje shëndetësore. Përmirësimi i gjendjes social-ekonomike të tyre kërkon një punë këmbëngulëse në drejtim të respektimit të të drejtave të kësaj pakice.

Kjo nis dhe mund të realizohet  përmes edukimit, këtij korpusi të rëndësishëm tw veprimeve shoqërore që transmetojnë e  prodhojnë kulturë dhe orientojnë procesin e të mësuarit. Shkolla është në gjendje të kryejë edukimin formal përmes këtij procesi të përditshëm që ka për objektiv një shoqëri shqiptare demokratike. Media, raportet ndërpersonale, sjelljet shoqërore në rrugë etj., realizojnë edukimin informal, por kjo tablo edukimit të shoqërisë me vlerat e integrimit, larg stigmës dhe diskriminimit, ku cdo pjestar gëzon mundësi të barabarta pavarësisht se i përket  një pakice kulturore apo shumicës, vjen e plotësohet  edhe përmes edukimit joformal.  Ky realizohet përmes veprimeve  edukuese dhe udhëzimeve që vijnë nga qeliza funksionale jashtë sistemit arsimor, që veprojnë si përgjigje ndaj kërkesave që ka shoqëria dhe individi  për ta bërë të mësuarin një proces të përhershëm e bashkëkohor.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7