Hyrje | Opinion | Ndue Dedaj: 100 vitet e Musine Kokalarit

Ndue Dedaj: 100 vitet e Musine Kokalarit

Ndue Dedaj: 100 vitet e Musine Kokalarit

NJËQIND VITET E MUSINESË

NGA NDUE DEDAJ

Musine Kokalari. Një emër që pati shndritur në qiellin letrar të Shqipërisë, në gjysmën e parë viteve ’40 të shekullit të kaluar, për t’u përhumbur më pas për pesëdhjete vite nëpër terrin dhe kalvarin e diktaturës. Me 10 shkurt kremtohet 100-vjetori i lindjes së saj, por si në rastin e figurave të tjera të ndaluara, flitet shumë për to, jepen tituj nderi e bëhen vlerësime zyrtare, por ajo çka është më themelorja, vepra e tyre prapë nuk mbërrin sa e si duhet te lexuesi, dhe pse nuk është më e ndaluar. Kjo është një temë më vete sidomos në rastin e kësaj figure të letërsisë, e cila mbush shtyllat e gazetave të ditës, por ende nuk është bërë pjesë e antologjive letrare të nxënësve dhe studentëve. Vepra e saj është botuar në dy vëllime para disa vitesh, natyrisht me dashamirësi e përkushtim, por jo e plotë dhe sipas kritereve shkencore, në një kohë që Kokalari ka qenë vlerësuar qysh herët nga penat më të njohura të kohës, si Sotir Kolea, Aleksandër Xhuvani, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, studiues të njohur arbëreshë etj.

Musine Kokalari u ndalua si autore bashkë me librat e saj: “Siç më thotë nenua plakë”, “Sa u tunt jeta”, “Rresh vatrës” etj. Ndodhi si kudo me disidentët e Lindjes, që u linçuan, ndaluan e dënuan. Një vepër letrare, kulturore, politike e jetësore e ndërprerë prej mosbindjes politike -bolshevike. Mbulohet më heshtje një krijesë e lindur për të shkruar e kumtuar, një intelektuale e rendit të parë, një femër e emancipuar, e shkolluar në institutin “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë dhe e lauruar në Romë për letërsi. Shkrimtarja e parë shqiptare. E mirëpritur në qarqet letrare të kohës me rrëfimet e saj gjirokastrite e pëmes tyre dhe me ritualet, folkun dhe etnografinë e qytetit të gurtë, por dhe me studimin e diplomës kushtuar Naim Frashërit etj. Asgjë nuk do ta ndalte atë zonjë në rrugëtimin e saj letrar, nëse nuk do ta bënte kurban politika e “re”, bashkë me dy vëllezërit e saj nacionalistë, që i mori me vete si ortek viti 1944. Vetëm një vit më parë, më 1943, Musineja bashkë me disa intelektualë të tjerë kishte krijuar në Tiranë një grupim social-demokrat dhe kishte botuar gazetën “Zëri i Lirisë”. Partizanët mund ta kishin gazetën e tyre “Kushtrimi i Lirisë”, por jo dhe politikania socialdemokrate gazetën e saj po kushtuar lirisë, sepse ajo mendonte ndryshe nga komunistët, edhe pse atdheun e donte si ata. Koha po tregonte se ishim çliruar nga pushtuesi i huaj, por jo nga vetvetja e kapërthyer nga ideologjia leniniste dhe etja e verbër për pushtet.

Dosja e Musine Kokalarit është nga më tronditëset e regjimit të kaluar. Nuk deshi t’ia dinte “pushteti popullor” se ajo ishte ndër të paktat gra elitare të vendit, nuk e shpëtoi nga prangat as të qenët “fis” me kreun e qeverisë së kohës, në mos ky fakt ia ka bërë më të pamëshirshëm ferrin. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet më 20 vite burg, që do t’i vuante në qelitë e Burrelit. Në vitin 1961 nën një mijë palë sy e veshë dërgohet e internuar në Rrëshen, me spiunët e burgjeve nga pas. Dihet se si u soll regjimi me këtë kategori intelektuale, ku secili i internuar ishte e shtrënguar të kalonte para sportelit të Degës së Brendshme dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Aq më tepër që Musineja ishte një e internuar “VIP”. Komiteti i Partisë dhe sigurimi i shtetit ishin vigjilentë ndaj çdo lëvizjeje të saj, kontrollonin gjer ç’libra lexonte dhe ç’filma shihte, sidomos në vitet e para të internimit. Megjithatë ajo dhe ashtu gjeti mënyrën për të shkëmbyer mendime me shkrimtarin e ri Bilal Xhaferi për ndonjë prozë të tijën, i cili e konsideronte Musinenë “mjaft të mprehtë për çështjet letrare”.

Por përtej regjimit ka pasur dhe një qëndrim qytetar. Musineja dhe Rrësheni, qyteti ku ajo qëndroi në internim për 18 vite (shto dhe 4 vite të tjera jo e internuar), kishin një gjuhë të fshehtë mes tyre, sado memece në dukje. Njerëzit e qytetit, që asokohe nuk ishin vetëm mirditorë, nuk e shqetësonin në punë, rrugë, dyqan, kinema, bibliotekë, kinema, ashtu si ajo nuk i “provokonte” me agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Ajo agjitonte sa mundej vetëm për kulturimin dhe emancipimin e atyre që e rrethonin. Ishte në të vërtetë personaliteti i saj rrezatues që e kishte fashitur nga sytë e tyre pamjen e saj “armike”, aq sa të mos e urrenin e stigmatizonin. Por ishte dhe natyra e fisme mirditore kundrejt të ardhurve. Kishte tek e fundit një marrëveshje të pashkruar, të heshtur, të dyanshme: ajo si e internuar nuk mund të shkonte në shtëpitë e tyre e as ata në shtëpinë e saj, pos rasteve sporadike për punë komunale. Musineja rronte e vetme, në një banesë përdhese në moçalishte, bashkë me dy-tri familje të tjera gjithashtu të përsekutuara. Për të hyrë në atë shtëpi të mjerë duhej të vije dy-tre tulla dhe ndonjë dërrasë që të mos binte këmba në llucë. Aty ishte shtrati i saj dhe një raft rrobash, pak libra dhe një dorë revistash në gjuhë të huaj që vazhdonin t’i vinin nga jashtë. Punonte në ndërtimin e pallateve të reja, përziente llaç për ustallarët gollobordas, lartësonte qytetin, që nuk i jepte dot një strehë normale për të futur kokën. Por nuk ishte e vetmja Musineja që ngrinte tulla mbi krahë nëpër skela, kishte dhe gra mirditore të përsekutuara që bënin të njëjtën punë si ajo.

Kjo ishte paraditja e mundimshme sizifiane e saj, kurse pasditja ishte “mondane”. Ajo vishej me shije të hollë, si zonjat që kishte lënë pas në perëndim ku kishte studiuar, shkonte në kinema, bibliotekë, librari dhe sidomos nuk harronte kurrë atë xhiron e saj të famshme, nga qyteti deri në periferi tek Ura e Fanit, sa shpesh identifikohej me atë xhiro. Jeta nuk i afronte asgjë bujare, megjithatë ajo kishte arritur të mbijetonte, të ishte një personazh sui generis në sytë e qytetit. Njerëzit e zakonshëm nuk ia dinin biografinë, nuk dinin sidomos se kishte qenë shkrimtare, por as ajo nuk e tregonte këtë anë. Në një shënim të sajin të vitit 1972 jetën e vet në Rrëshen Musineja e quan “një kapitull tragjik më vete”, plot vuajtje e shëmtime nga regjimi. Kurse për mirditorët ajo ishte një grua e deklasuar që e “kishte zënë rreziku” me qeverinë, po jo me ata. Është gjithsesi ky qytet që e rindërton biografinë e disidentes antikomuniste, si dhe ditari i saj, deri tani i panjohur. Rrësheni, me praninë dhe mungesën, me dëgjesën dhe me heshtjen e tij, është dëshmitari i vdekjes së Musinesë, si dhe i jetës së saj për njëzet e dy vjet. Fundja kur ajo e kreu internimin dhe nuk u lejua të vente për të banuar në Tiranë, zgjodhi Rrëshenin për të jetuar.

Kokalari ishte një zonjë që dinte ta gjente vendin, të shmangte incidentet e mundshme politike. Kishte për zemër sidomos fëmijët, por sillej me ta me takt, pa u shkrirë mes tyre si ndonjë masovike e organizatave të masave. Këshillonte të rinjtë për leximin e librave a shikimin e filmave dhe kaq. Ama, siç kishte gra që i nisnin fëmijët tyre vjedhurazi t’i çonin Musinesë në shtëpi një dorë gështenja, kishte dhe ndonjë grua militante partie që i thoshte vajzës së vet të vogël të mos shihte filma në kinema me atë “shtrigën”. Gjithsesi, për aq vite në Rrëshen, asnjë akuzë, gjyq, demaskim, dënim a ridënim, asnjë dëshmitar kundër saj. Asnjë përplasje publike me banorët apo funksionarët lokalë. As në radhën e qumështit, ku të gjithë shtyheshin që me natë. Asgjë e kësaj natyre. Kjo nuk do të thotë se spiunët, “pseudonimet”, nuk raportonin rregullisht rutinën e jetës së saj dhe të krejt qytetit. Musineja, mes të tjerësh, kishte shkruar vargun “Rrëshen, që u rrite në krahët e mi…” pa e ditur se një ditë ata njerëz do të shkruanin poezi dhe për atë vetë. Askush nuk mund ta lehtësonte, burgu më i madh i saj ishte vetmia. 24 orë vetmi. Vetmia e një gruaje të bukur plot ndjesi njerëzore dhe synime krijuese. Të gjithë i iknin asaj. Vetëm Aleks Buda e pati takuar njëherë në Rrëshen rastësisht. Ndërsa kur Enver Hoxha vizitoi Mirditën më 1968, Musinenë bashkë me të internuarit e tjerë sigurimi i dëgdisi për një javë në Shpal, njëzet kilometra larg nga qyteti, si të ishin me kolerë.

Nuk ka një foto të Musinesë për 40 vite. Kanë mbetur vetëm ato fotot e para. “Fotografia” e munguar e viteve ’60-80 e saj është veçse në kujtesën e rrëshenasve. Rrësheni qe bujtina e saj e trishtë. Ka patur dhe ndonjë legjendë urbane absurde, sikur ajo qe varrosur me tela me gjemba në duar!!! Para tre vitesh kemi intervistuar ndër të tjera dhe varrëmihësit e saj, që rrojnë dhe sot (thëniet e të cilëve i kemi publikuar në shtyp) dhe askush nuk e pohon diçka të tillë monstruoze. Atë e kanë varrosur komshinjtë e saj, biografikeqas si ajo, për më tepër kur nuk e kishte më statusin e të internuares. Për t’i vënë kapak kësaj “historie” mjafton dëshmia e Platon Kokalarit, djali i xhaxhait të Musinesë, njeriu që është kujdesur për të në spital dhe ka trashëguar pas vdekjes dorëshkrimet dhe sendet e saj, i cili ka deklaruar: “Çfarë është thënë për varrimin me tela me gjemba në duar të Musinesë, është e gjitha sajesë”. (“Shekulli”, 24 mars 2008). Djalli është vetë i zi, pse duhet të ngjyroset dhe me bojë të zezë.

Në 100-vjetorin e lindjes së divës së letrave të para 75 viteve, një rrugë e re në Rrëshen mori emrin “Musine Kokalari”. Bashkia Mirditë bëri nderimin e parë për këtë figurë, por jo të fundit. Tash mirdiorët kanë një rrugë ku do të “takohen” përditë me gruan e pathyeshme, shkrimtaren dhe intelektualen, që ata kurrë nuk deshën ta kishin mes tyre në kushtet e privimit, por krejt ndryshe, përmes atij “Zërit të Lirisë” që ajo pati publikuar në kohën e Luftës...

“PANORAMA”, 10 shkurt 2017

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7