Hyrje | Opinion | Albert Frashëri: Miti i Skënderbeut në universin kulturor të kombit të tij

Albert Frashëri: Miti i Skënderbeut në universin kulturor të kombit të tij

Albert Frashëri: Miti i Skënderbeut në universin kulturor të kombit të tij

Përkthyer nga originali:

Alberto Frasher, “Il mito di Scanderbeg nell’universo culturale della sua nazione.”, rivista “Dialoghi Mediterranei”, n.22, novembre 2016, Palermo, ISSN: 2384 - 9010.

(Përkthyer nga autori Albert Frashëri dhe botuar në Tiranë)

Miti i Skënderbeut në universin kulturor të kombit të tij

Nga Albert Frashëri

Në 7 gusht 2016 shkrimtari italian Pierfranco Bruni, kandidat i çmimit Nobel, botoi një përsiatje shumë interesante mbi figurën legjendare të heroit kombëtar  të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.  Në këtë shkrim autori interpreton randësinë e mesazheve që vepra e heroit shqiptar ka për realitetin europian të ditëve tona. Artikulli i Brunit ashtë më shumë se një përsiatje sepse analizon veprën e Skënderbeut nga pikëpamja e mesazheve ma të randësishme për kohën tonë. “Por nuk mjafton vetëm historia për të rishikuar një personazh dhe një kontekst qytetërimi. Duhet me domosdo një interpretim real i proçeseve historike.” (P. Bruni, 2016).

Në të vërtetë interpretimi i faktit historik nuk mund të bëhet jashtë realitetit kulturor, sepse, sikundër shkruan P. Bruni, “Skënderbeu ashtë një personazh kompleks. Pa dyshim  vepra e tij, siç dihet, ishte një luftë për pavarësinë e një populli, por nuk ishte vetëm kjo. Mbi të gjitha ajo ishte lufta për mbrojtjen e rranjëve të lashta që kombi shqiptar rivendikon edhe në ditët tona, por gjithashtu nuk ishte vetëm kjo. Në mënyrë të veçantë ajo ishte lufta e një bote kundër një tjetre, pra ishte një ndeshje midis dy kulturave, dy qytetërimeve, dy besimeve fetare.

Ndoshta për herë të parë në historinë europiane një prijës politik dhe ushtarak pati idenë për të bashkuar të gjitha kombet e krishtera për të përballuar një rrezik që vinte nga larg, nga një botë e ndryshme nga pikëpamja kulturore. Si asnjëherë para tij, arësyen e veprimit të përbashkët heroi shqiptar e kërkoi në vetëdijen për mbrojtjen e pellgut kulturor të kërcënuar nga imponimi i dhunshëm i një kulture të huaj. Ky vizion i heroit shqiptar paraprin mendimin perëndimor për një identitet kulturor europian, për të cilin Krishtërimi ashtë një nga pamjet themelore.

Pa ndërhyrë në mendimin e Brunit, do përpiqem të shoh veprën e Skënderbeut dhe kuptimin e mirëfilltë të saj në realitetin kulturor të kombit të tij, në mënyrë që të kuptojmë origjinalitetin e natyrshëm në parabolën e këtij heroi të lavdishëm. Miti i këtij njeriu të jashtëzakonshëm nuk ashtë një rrufe në qiell të kthiellët, por shprehje e historisë dhe e universit kulturor të kombit të tij: Skënderbeu me luftrat e tij nga një anë dhe fati tragjik i shqiptarëve para dhe pas tij, nga ana tjetër.

Një komb i traditave të lashta

Krishtërimi në Shqipëri ashtë i lashtë sa dhe njoftimet e para të Apostujve. Ishte vetë Shën Pali që përhapte Ungjillin  gjatë udhëtimeve dhe qëndrimeve të tija në krahinat ilire:

“Kështu nga rrethinat e Jeruzalemit deri në Iliri kam përfunduar predikimin e ungjillit të Krishtit” (Letrat drejtuar Romakëve: 15, 19)

Që nga viti 58 pas lindjes së Krishtit qyteti i Durrësit kishte komunitetin e tij të të krishterëve dhe një ipeshkëv, Shën Çezarin, bir i Durrësit ku edhe kish lindur. Pas Shën Çezarit, një tjetër bashkëqytetar i tij, Astìo, u bë ipeshkëv i qytetit dhe shenjtor pas vdekjes. Astìo u arrestua dhe kryqëzua me urdhër të prefektit roman të Ilirisë, Agricolao, në vitin 100 pas Krishtit. Në shek. IV, thuajse i gjithe vëndi kishte përqafuar krishtërimin duke formuar edhe 50 qëndra dioqeziane të përhapura në të gjithë vendin.

Giorgio Otranto , historian i krishtërimit të lashtë, shkruan:

Ishte i madh contributi që ilirët i dhanë zhvillimeve imperiale gjatë krizës së randë politiko-istitucionale të shek. III: disa gjenerale të çquar ilirë u bënë perandorë, nga Claudio i mbiquajtur Gotico (268-270), te Caro, Carino, Numeriano (282-285) te Diokleciani (285-304), reformatori i madh që e ndau territorin e Ilirisë në dy provinca. Në shekujt e mëtejshëm Krishtërimi njohu një lulëzim të veçantë në Iliri. Në trote ilire u formuan dioqeza të shumta dhe u zhvillua një debat teologjik intensiv që ndikoi në mënyrë të ndjeshme zhvillimin e Krishtërimit.  (Otranto, 1992: 38)

Indro Montanelli, në librin e tij “Historia e Romës”, i magjepsur nga figura e Teutës së Shkodrës, e përshkruan si mbretëreshën më të çquar të botës antike. (Montanelli, 1958: 47)

Johann von Hahn (1811-1869), filolog dhe specialist i randësishëm i historisë së Shqipërisë, gjuhës dhe kulturës së saj, shkruan:

«Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve, paraardhës të grekëve dhe romakëve. Gjuha e tyre, e ruajtur thuajse e paprekur, ashtë sot gjuha e shqiptarëve.»

(Nga vepra e Edwin Jacques, 1995: 35-36)

Përfundimet e historianit Hahn janë pranuar gjërësisht nga shkollat anglosaksone, gjermane, austriake, suedeze, etj. Fjala vjen, gjermani Theodore Mommsen (1817-1903), historian e filolog i çquar dhe nobelist në letërsi, arrin në të njëjtat përfundime si dhe Hahn. Mendoj që studimet mbi historinë dhe kulturën e një vendi janë më se të pranueshme kur arrijnë nga specialistë të vendeve jo fqinje.

Pas një qëndrimi të gjatë në Shqipëri (1938-1939) Montanelli shkruan:

Shqiptarët janë vëllezër të veçantë; ata janë njerëz me pak fjalë, të njerëzishëm, të ndershëm, të besës dhe shumë mirëpritës.

(Albania, una e mille, Torino, Paravia, 1939)

Perandorët ilirë që vinin nga krahina të ndryshme të Ilirisë ishin udhëheqës dhe reformatorë me personalitet të çquar. Një prej tyre ishte Kostantini i Madh, me originë nga Dardanìa (Iliria). Me Editin e Milanos (313 p.K.) Kostantini i njohu Krishtërimit lirinë e kultit dhe paganizmi ruajti të drejtën e ekzistencës së lirë. Kështu Krishtërimi gradualisht afirmohet si fè zyrtare e shtetit. Me reformën e Dioklecianit Iliria u bë toka kufitare ndermjet perandorisë bizantine dhe asaj romake. Nuk ka gjurmë të sllavëve në Ballkan deri në shek. VII. Iliria veriore i referohet Kishës së Romës, ndërsa krahinat jugore Kishës Bizantine. Ndarja e dy kishave në 1054 i gjeti shqiptarët të gjithë të krishterë, por disa katolikë e të tjerë ortodoksë. Në prani të dy besimeve fetare të ndryshme, ishte gjuha faktori që mbante gjallë vetëdijen e identitetit të një kombi të lashtë.

Iliria dhe më pas trojet shqiptare kanë shënuar kufirin mes Perëndimit dhe Lindjes, ndërmjet katoliçizmit dhe kishës bizantine. Fillimi i pushtimeve otomane e gjeti Shqipërinë me një komb katolikësh e ortodoksësh pa konflikte të natyrës fetare. Në vendet e tjera të Ballkanit feja identifikohej me konceptin e kombit dhe kjo shkaktonte konflikte të vazhdueshme me pakicat kombëtare. Përkundrazi, shqiptarët gjithmonë kanë shikuar te gjuha arsyen e të qënurit bashkë, si një komb i vetëm, pavarësisht nga besimi fetar. Kjo, me kohë u shndërrua në një parim universal për botën shqiptare dhe përcaktoi tolerancën fetare, si kusht të patjetërsueshëm e të natyrshëm për ekzistencën e kombit. Ky modus vivendi erdhi në mënyrë spontane sepse vetë toleranca ishte një tipar në genin e këtij kombi të lashtë. Gjuha dhe jo besimet fetare, si diskriminant i kombeve të ndryshme, e bëjnë ma të emancipuar  shpirtin dhe mendimin e qytetarit.  Thoshte Maria Venturi, një italiane e mbetur në Shqipëri pas luftës së dytë botënore: “Në Shqipëri kuptova që kur njerëzit besojnë vërtet te Perëndia, ata nuk shohin nëse je katolik apo ortodoks, çifut apo mysliman. Çdo njeri lutet në mënyrën e tij dhe të gjithë respektojnë njëri tjetrin.

Katolikët e Shkodrës gjatë muajit të Ramazanit, në pranì të bashkëqytetarëve myslimanë, nuk pijnë ujë dhe as hanë për të respektuar agjërimin e tyre, d.m.th. ndalimin e plotë të ushqimit dhe ujit gjatë ditës. Kjo tolerancë reciproke, konsoliduar në shekuj, e ka shndërruar diferencën fetare në një pasuri, pikërisht sepse në ketë këndvështrim ka shpëtuar ekzistencën e kombit. Ata i jetojnë diferencat e besimeve fetare pa paragjykime dhe pa fanatizëm. Vetëm gjatë shekullit XX Vatikani ka shpallur më se 40 shqiptarë si martirë të fesë dhe të lirisë.

Misionari italian Àt Severino Consolaro në 2005, pas shumë vitesh qëndrimi në Shqipëri, shkruan:

«Në Shqipërinë e sotme varfëria e vërtetë nuk ashtë uria; unë shoh një komb të qetë, jo të pasur dhe as shumë të varfër, por me dinjitet të veçantë. Herë herë krijohet përshtypja që ata të kenë humbur kujtesën historike të potencialeve njerëzore të çquara që kanë, edhe pse në shekuj këto troje kanë qenë shembuj të guximit, të heroizmit dhe të shenjtorëve. Në këtë Vend të mrekullueshëm nuk ekzistojnë diferenca. Shën Antoni ka bashkuar në një komunitet të vetëm: katolikë, ortodoksë, myslimanë e bektashinj, të gjithë së bashku.»

(Consolaro, 2005:4)

E jashtëzakonshme kjo dëshmi e misionarit Consolaro!

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Skënderbeu ishte një nga bijtë e princit Gjon Kastrioti nga Mati, një krahinë kjo e randësishme për pozitën gjeografike, për kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Gjoni u mund nga turqit. Bijtë e tij u morën peng nga sulltani dhe u dërguan në shkollat ushtarake në Turqi duke i konvertuar në fenë islame.  Me një karrierë të jashtëzakonëshme Gjergji arriti shpejt gradën e gjeneralit dhe e mbiquajtën Skënderbe. Pavarësisht nga betejat e shkëlqyera dhe kurdoherë fituese, në heshtje ai nuk u tjetërsua në mentalitetin e oborrit perandorak dhe as në fenë islame. Ky besim fetar i ishte imponuar nga sulltani që kishte djegur e shkatërruar vendin e tij. Kjo arësye dhe ambienti kulturor i papajtueshëm me traditat dhe historinë e familjes së tij duhet të kenë krijuar te Gjergji nostalgjinë për identitetin e origjinës.

Në vitin 1443 gjatë betejës kundër mbretit hungarez, Huniadi, ai e la fushën e betejës i mbështetur nga 300 ushtarakë shqiptarë të armatës së tij.  Ky ishte kthimi i Gjergj Kastriotit ne vendlindjen dhe fenë e krishtrerë të kombit të tij. Kjo ishte feja e femijërisë, e adoleshencës dhe e të parëve të tij. Islamizmi nuk ishte bota fetare e princit shqiptar, por një nga pasojat e syrgjynimit të detyruar të tij në oborrin perandorak të Turqisë.

Me rikthimin në atdhe Skënderbeu e gjeti vendin pikërisht siç e kishte lënë: një komb i krishterë, pjesërisht katolikë e pjesa tjeter ortodoksë, pa konflikte të natyrës fetare mes tyre. Heroi u impenjua mish e shpirt për të bashkuar principatat shqiptare në luftën kundër dyndjes otomane që kërcënonte vendin e tij dhe Europën e krishterë. Skënderbeu shihte te Krishtërimi arësyen themelore të një identiteti të përbashkët të kombit të tij e të të gjithë Europës që, e bashkuar, duhej të përballonte dyndjet otomane. Nga viti 1443 deri ne 1468 ai i shkaktoi humbje të pallogaritëshme armatave turke pa një minimum mbështetje konkrete  nga vendet europiane dhe as nga Vatikani.

Papa Callisto III  e pagëzoi Gjergj Kastriotin si Atlet të Krishtit dhe Mbrojtës të Fesë. Europa e krishterë e ngriti Skënderbeun në piedestalin e lavdisë si një mit dhe bashkëkohësit e quajtën “një figurë heroike më të madhe se vetë jeta”. Pierfranco Bruni në botimin e tij të gushtit 2016 shpreh admirim për figurën e heroit shqiptar dhe mendon që Europa ka nevojë aktuale për të thelluar kuptimin e veprës së këtij heroi të madh. Por, mendoj, që në një hapësirë kohore prej gjashtë shekujsh nga lindja e Skënderbeut analiza e veprës së tij nuk ashtë e mundur duke anashkaluar universin filozofik e kulturor të kombit dhe të epokës së tij. Giorgio Otranto shkruan:

«Europa në atë gjëndje tragjike nuk diti të jetë në lartësinë e traditave të saja ma të mira dhe, megjithë ndihmat e premtuara sidomos nga Alfonsi i Aragonës dhe nga papa Pio II, e braktisi Gjergj Kastriot Skënderbeun të luftojë i vetëm kundër fuqisë së armatave otomane. Vepra e dyfishtë për të bashkuar vendin politikisht e ta lidie atë në mënyrë të qëndrueshme me sistemin e shteteve europiane ishte nje projek i ndritur dhe modern, një lloj intuizioni largpamës, do të thoja dramatikisht modern, për të cilin Europa ende sot i detyrohet Skënderbeut dhe Shqipërisë.»

(Otranto, 1992:44).

Ashtë e trishtueshme, por për hir të së vërtetës duhet të citoj historianin italian Antonello Biagini për të kuptuar realisht indiferencën e fqinjëve apo edhe qëndrime të një natyre tjetër:

Ylli i Skënderbeut filloi të shkëlqejë me aq intensitet sa të shqetësojë fqinjët e fuqishëm: Venetiku dhe disa feudalë të Lidhjes së Lezhës. Senati venetikas druan, me të drejtë, se mos formimi i një Shteti unitar në trojet shqiptare të mund të rrezikojë zotërimet veneciane të disa qyteteve bregdetare shqiptare. Venetiku vuri një shpërblim për kokën e Skënderbeut . . . . dhe filloi një politikë përçarëse ndaj krerëve të Lidhjes shqiptare.”  (Biagini, 2005: 18)

Po ashtu, vlerësimet maksimale të Vatikanit për fitoret e Skënderbeut nuk patën një ekuivalent logjik e aq të nevojshëm në realitetin e ngjarjeve. Madje, “Selia e Shenjtë e sheh në mënyre pozitive luftën kundër “Turkut të pafè”, por do të donte të implikonte Skënderbeun në luftën kundër Kishës Ortodokse, që nuk ai natyrisht e pranoi.”  (Biagini, 2005: 19)

Në të gjitha gjuhët kryesore janë shkruar e botuar vepra kushtuar figurës së këtij njeriu largpamës: poema nga Europa në Amerikë, kuadro e portrete që pavdekësojnë betejat fitimtare të tij, disa opera muzikore e filma. Sipas autorit italian Antonello Biagini, “Një e vlerësim i përafruar na jep mbi 300 tituj librash, në gjuhë të ndryshme, kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit.” (Biagini, 2005: 17)

Arsyen e lavdisë së Skënderbeut mund te shohim edhe në veprën e historianit ma të hershëm D. Bargini:

«Sikur Skënderbeu të mos i kishte frenuar me luftëtarët e tij heroikë dyndjet e hordhive aziatike, barbare e fanatike, Europa do të ishte bërë prè e Tartarëve, Spanja e Maurëve, Europa Qëndrore e Unëve dhe Visigotëve.»  (Bargini, 1913: 20).

Ideja e ndritur dhe moderne, për të cilën fliste më lart studjuesi G.Otranto, dhe ai intuicion largpamës i heroit shqiptar duhen kuptuar në tërësinë e tyre. Ishte një ide e pjekur nga një përvojë e gjatë luftrash ndërmjet dy kulturave, ndërmejt dy këndvështrimeve të ndryshme dhe nga ndjenja fetare aq të largëta prej njëra tjetrës.

Ideja që identitetet e popujve europianë mund të kenë pamje themelore të përbashkëta ashtë shumë origjinale. Skënderbeu arriti t’i bashkojë principatat shqiptare, katolikë e ortodoksë, në luftën kundër atij që shqiptarëve donte tu impononte me forcën e armëve një tjetër fe dhe një tjetër kulturë aq të largët nga ato europiane. Në thelb intuicioni Gjergj Kastriotit, projekti për një të ardhme të tillë burojnë nga përvojat e kombit të tij: katolikë e ortodoksë në një univers kulturor të përbashkët, si në një familje të vetme.

Karl Popper në shekullin e kaluar e quante logjike dhe realiste idenë e një identiteti kulturor europian, duke qënë i vetëdijshëm për diferencat kulturore e historike ndërmjet popujve europianë. Ai vendoste në themel të identitetit kulturor europian kater karakteristika: racionalizmi grek, feja e krishterë, shpirti kritik dhe prania paqësore e ideve nga më të ndryshmet. (Pera, 2002: 100-104)

Do të ishte interesante të pyesnim si ashtë e mundur prania paqësore e racionalizmit grek dhe teologjisë. Mendoj që ky fakt e ka nderuar historinë europiane në saje të shpirtit kritik dhe bashkekzistencës së ideve nga ma të ndryshmet, me të cilat popujt e mesdheut janë ambjentuar që në kohët e lashta. Duhet theksuar që pikërisht racionalizmi grek ka qënë forca dhe mendja e qytetërimit europian në evolucionin e tij. Ky tipar identitar me siguri ka ndihmuar krijimin e një lloj emancipimi mendor të popujve mesdhetarë. Natyrisht në historinë e Krishtërimit nuk ka qënë e lehtë paqja midis racionalizmit grek dhe teologjisë. Diferencat në problemin e njohjes midis teologjisë dhe mendimit shkencor kanë njohur një evolucion edhe konfliktual, por fatmirësisht raporti i dy pikëpamjeve të ndryshme të tyre dalëngadalë ka gjetur një ekulibër relativ.

Bindja e Skënderbeut për mundësinë e bashkëpunimit të popujve europianë në mbrojtje të identitetit kulturor, për të cilin Krishtërimi shihej si frymëzim shpirtënor dhe flamur udhëheqës, ishte një ide më se e pajtueshme me realitetin kulturor të Shqipërisë. Historia e shqiptarëve e ka konfirmuar në shekuj këtë virtyt.

Kodet mesjetare shqiptare dhe humanistët

Në periudhën nga shek. XV në shek. XVII Shqipëria krijoi dhe jetoi një lëvizje intensive kulturore me vepra të humanistëve të botës katolike shqiptare.

Ndër humanistët mund të citoj disa nga figurat e shquara si Marin Barleti (1450-1512), Gjon Buzuku (1499-1577) e Pjetër Budi (1566-1622), Frang Bardhi (1606-1643) e Pjetër Bogdani (1625-1689), që në botime të mëparëshme e kam quajtur Plejada 5B. Vepra e Barletit mbi historine e Skënderbeut njohu një numur të madh botimesh në të gjitha gjuhët kryesore duke filluar nga botimi i vitit 1512 në Venetik.

Vepra më e randësishme e humanistëve shqiptarë ishte përkthimi dhe botimi i liturgjisë në gjuhën amtare. Kjo ishte një vepër monumentale filluar nga Pal Engjëlli dhe plotesuar nga Buzuku me botimin në 1555 të Mesharit në shqip. Europa ishte nisur me ndrojtje me përkthimet e Biblës. Në Itali të parët ishin Malerni (Venetik, 1471) e Antonio Martini (1780). Por këto botime të Biblës u dënuan dhe u ndaluan nga papa Pio VII në 1820.

Në të vërtetë problemi kryesor ishte shprehja e liturgjisë në gjuhën amtare, pra përkthimi i saj. Botimi i parë si libër i “Mesharit Roman” u bë në 1474, por vetëm në latinisht. Vetëm reforma e viti 1965 bëri të mundur përdorimin e gjuhëve amtare kombëtare në liturgjinë e katolikëve europianë. Meshari i parë në italisht hyri në fuqi në 1970, ndërsa botimi i fundit i tij në latinisht ishte ai i vitit 1962 nga papa Giovanni XXIII. Por në vitin 2007 papa Benedetto XVI me dokumentin “Motu proprio Summorum Pontificum” u dha të drejtë priftërinjve të përdorin lirista Mesharin në latinisht të viti 1962 dhe, kete ata mund ta benino pa patur nevojte të autorizoheshin nga hierarkia dioqezane.

Kjo ka qënë gjendja edhe në vendet e tjera europiane. Në Francë në vitin 1951 Anne-Marie Malingrey botoi një manual mbi kryerjen e meshës në latinisht. Në hyrjen e manualit ajo shkruante: «Ky manual u drejtohet atyre që nuk dinë latinisht por që kanë dëshirë të kuptojnë lutjet e Kishës, pra t’i bashkohen asaj me zgjuarësi.» (Malingrey, 1951: 7). Natyrisht këto vende me tradita të pasura e të lashta kulturore kanë patur arsyet e tyre për të mos futur gjuhën amtare në liturgji.

Në Shqipërinë e shek. XV pushtuesit turq filluan konvertimet e  detyruara të shqiptarëve në fenë islame. Ndërkaq humanistët ia dolën të plotësojnë shqipërimin e liturgjisë. Pal Engjëlli (1417-1470) ishte një nga këshilltarët më të afërt të Skënderbeut dhe humanist me erudicion të madh. Një dokument i tij i datës 8 nëntor 1462 me 37 faqe ruhet në Bibliotekën e Mediçëve të Firences. Ky dokument përmban formulën e pagëzimit në shqip. Ka shumë të ngjarë që puna për shqipërimin e liturgjisë të ketë filluar shumë më herët nga ajo datë. Na e jep këtë bindje terminologjia shqipe e liturgjisë e më pas edhe ajo e Biblës, që bën përshtypje të thellë e të befason për origjinalitetin dhe pasurinë e saj. Do të doja të kujtoja që Shën Jeronimi (shek.IV), lindur në Stridone të Ilirisë, ka bërë përkthimin e parë të Biblës në latinisht. Por kjo do të ishte një tjetër çështje shumë interesante për ta thelluar.

Martin Luteri në 1537 botoi në gjermanisht Biblën, një libër që vetëm pak njerëz ishin në gjëndje të lexonin. Ipeshkëvi katolik shqiptar Gjon Buzuku (1499-1577) nga Shkodra, përkundrazi, përktheu në shqip  Mesharin. Ishte viti 1555 dhe po zhvillohej Kuvëndi i Trentos (1545-1563) që donte t’i përgjigjej reformës luteriane të kishës e që në fakt nuk bëri asgjë për kthimin e liturgjisë në gjuhët amtare në Europë. Në vitet e para të ‘600 ipeshkëvi i Sapës, Pjetër Budi, urdhëroi priftërinjtë e dioqezës së tij të bënin lutjet vetëm në gjuhën shqipe. «Zoti  don të kuvendojë me besimtarët vetëm në gjuhën e nanës.»  Meshari i Buzukut në gjuhën shqipe e kishte bërë të mundur këtë ideal të humanistëve shqiptarë.

Lutja në gjuhën amtare e bën besimtarin të vetëdijshëm për marrëdhanien shpirtnore të tij me Perëndinë. Ideja që njeriu duhet të vetëdijësohet për veprimet e tij dhe për kuptimin e tyre, i përket pikëpamjeve iluministe për jetën dhe emancipimin e njeriut. Budi dhe Bogdani në shkrimet e tyre, edhe pse hierarkë të fesë, konsideronin paditurinë si shkak kryesor të varfërisë dhe mjerimit të Njeriut. Vepra e humanistëve për konvertimin e liturgjisë në gjuhën amtare ishte një mrekullli dhe një monumet i kulturës dhe historisë kombëtare. Kisha katolike u bë edhe shkollë e gjuhës shqipe. Lutjet në gjuhën e nënës në kishë, në familje dhe në meditimet personale e shpëtuan gjuhën kombëtare nga varfërimi dhe nga penetrimi i padëshiruar i gjuhës së pushtuesit.

Humanistët e botës shqiptare me veprat e tyre, të shkruara e të pashkruara, shprehën shumë të vërteta dhe ndjeshmëri sikundër i gjejmë në kodikët mesjetarë të principatave të ndryshme. Mund të kujtojmë kodikët e Shkodrës të gjetur në Venetik e te ribotuara edhe ne Tiranë në 2010. Sipas studjuesit Oliver Jens Schmitt këta kodikë janë shkruar në trojet shqipfolëse dhe botuar në Venetik nga refugjatët shqiptarë pas vdekjes së Skënderbeut. Njihen gjithashtu kodikët e qyteteve të Durrësit, Tivarit,  etj. Ashtë i famshëm edhe statuti i Drishtit i vitit 1464, i rishkruar edhe në latinisht në 1468. Sipas studjuesit prof.Lutfi Alia, “Statuti i qytetit të Drishtit përfaqeson një dokument unikal në botë, pasi ka përzjerje të materialeve, ku krahas të drejtës publike, përmban dhe të drejtën kishtare.  (“Kodi i të drejtës zakonore shqiptare”, portali Zemra Shqiptare, 2012). Natyrisht Kanuni i Lekë Dukagjinit, një kryeveper e të drejtës zakonore, ruan një vend të veçantë në historinë e kulturës kombëtare.

Ka parime shumë interesante në ata kodikë. Le të sjellim ndonjë shembull:

Kur njeriu me penë takon njeriun me pushkë, ky i fundit ashtë nji rob i vdekun.

Mos e duj anmikun, por baj kujdes për nderin e tij.

Shtëpia e shqyptarit ashtë e Zotit dhe e mikut.

Në rastin e parë shoh bindjen për forcën e dijes. Primati i Njeriut buron jo nga forca fizike, por nga arsyeja e tij. Në të dytin ashtë e qartë ideja për te respektuar mendimin e tjetrit edhe kur nuk jemi në

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7