Hyrje | Opinion | Gjon Keka: Të gjitha kombet donin një Gjergj Kastriot

Gjon Keka: Të gjitha kombet donin një Gjergj Kastriot

Gjon Keka: Të gjitha kombet donin një Gjergj Kastriot

Të gjitha kombet donin të kishin në atë kohë një Gjergj Kastriot për vendin e tyre

Nga Gjon Keka

Jo pak herë është shkruar për heroizmin e madh të arbërorëve, për trimërinë dhe talentin e tyre në artin ushtarak. Kështu, shumë studiues e kronistë kanë përshkruar se “shqiptarët besohet të jenë ushtarët më të mirë të vendit të tyre dhe në botë”.

Për ta përforcuar këtë që u tha për heroizmin arbëror, po nënvizoj një historian të njohur europian, i cili ka shkruar kështu në lidhje me këtë: “Këta shqiptarë krenarë do të ishin akoma heronj, vetëm nëse ata do t’i printe një Skënderbe...”.

Sidoqoftë, ishte Gjergj Kastrioti ai që e udhëhoqi me urtësi dhe strategji vendin; me ushtrinë e tij të paktë ai mori pozicione të fuqishme, “duke e nxjerrë vendin në avantazh”përballë ushtarëve të shumtë të sulltanit. Ai nuk i lejoi sulltanët të arrinin progres në trojet arbërore, por as edhe më gjerë, as t’i fusnin hundët thellë në Europë dhe mes kombeve të saj. Skënderbeu u bë vetë mburojë dhe i mbrojti vlerat jo vetëm të kombit të tij të lashtë, por edhe të gjithë familjeve të kombeve europiane. Bëmat e tij janë tepër të njohura, pasi me trimërinë e tij ai e riktheu kurorën e atit të vet, e shpëtoi atdheun e tij dhe e udhëhoqi atë në dritën e zhvillimit, duke e bërë Arbërinë kombin më të admiruar në botë. Të gjitha kombet donin të kishin në atë kohë një Skënderbe për vendin e tyre, por ja që ky trim i madh, i urtë dhe vizionar kishte lindur në tokën e lashtë të Aleksandrit, Konstantinit dhe Pirros, aty ku ky vend gjithmonë ka qenë i njohur në mbarë botën për heroizëm. Nën udhëheqjen e të madhit Gjergj Kastrioti, Arbëria u bë një nga vendet më të njohura, më të respektuara, më të fuqishme e më madhështore në kontinentin e lashtë të Europës. Kështu, ai Gjergj i vogël që u mor peng dhe që u rrit në duart e perandorisë osmane u bë një Gjergj i madh për vendin e tij dhe mbarë Europën. Duhet cilësuar se nga rrënjët e kombit arbëror gjithnjë kanë dalë filiza shpëtimtare, vizionarë të urtë që nuk e kanë lënë kombin e tyre të nëpërkëmbet, që të shkatërrohet dhe të bëhet plaçkë lufte në barbarinë armike. Pra, ky Gjergj u rrit me ëndrrën e fshehur për t’u kthyer në vendin e tij, pasi ai ishte pasardhësi i denjë i një fisi të madh dhe të lashtë të kombit tonë, për t’u bërë kështu mbrojtës i atdheut të tij dhe shpëtimtar i saj. Si Davidi përballë Goliatit,ai qëndroi i pamposhtur dhe triumfoi përballë një perandorie të kohës, e cila ishte më e egra në periudhën e mesjetës dhe më pas. Por me talentin, trimërinë dhe strategjinë e tij ai e mundi Goliatin e mesjetës, e mundi të keqen, e dëboi errësirën nga Arbëria, e mposhti në mënyrë triumfale bishën e egër osmane.

Kthimi i Skënderbeut në atdhe përbën kthimin e shpresës për Arbërinë, si dhe realizimin e projektit të kamotshëm të tij për shpëtimin e atdheut dhe rikthimin e plotë të vendit në duart e një trashëgimtari të ligjshëm mbretëror të Arbërisë. Kështu, më 10 nëntor ai u largua në pyjet e maleve të Drinit, ku mblodhi 300 arbërorë trima për të nisur udhën drejt Krujës e për ta marrë atë në duar të tij, si dhe më pas pjesë të tjera arbërore. Këtu u konkretizuan ideja e shpëtimit dhe e ndërtimit të shtetit të Arbërit nën lidershipin e Gjergj Kastriotit. Këtë ide dhe qëllim-projekt Skënderbeu e kishte që nga vegjëlia, por e mbante fshehur në mendje e në zemrën e tij. Me këtë pjesë të vogël të ushtrisë së tij ai “qëndroi për shtatë ditë nëpër Shqipëri”,vetëm 10 milje larg nga kryeqyteti i saj, nga Kruja. Ai u njoh në çdo qytet dhe fshat dhe të gjithë brohorisnin me gëzim për rikthimin e tij, duke iu bashkuan të rinj e të vjetër. Madje, ata ia puthnin atij duart; ata sollën kupën e nderit për të, iu gëzuan rikthimit të tij me lule nëpër rrugën e shpëtimit të atdheut. Skënderbeu kishte vështirësi të mëdha për ta ndalur lajmin e afrimit të tij, para se ai të arrinte vetë në Krujë, sepse populli kishin filluar ta përhapte lajmin e gëzuar anekënd Arbërisë. Në këtë betejë Gjergj Kastrioti me bashkatdhetarët e tij arbërorë, të cilëve ua kishte komunikuar më parë planin e tij të madh të shpëtimit, filluan betejën kundër të keqes, ku së pari e dekurajuan plotësisht ushtrinë turke e më pas, në mënyrë të shpejtë, kryen edhe shpartallimin universal të saj. Jo rastësisht, planin e tij të madh të shpëtimit apo çlirimit të atdheut ia kishte lënë dimrit; për faktin se pikërisht kjo ishte koha e çmuar që ai zgjodhi dhe shfrytëzoi, ngaqë dimrit lufta është shumë më e vështirë dhe me shumë pengesa. Aq më tepër, kjo periudhë paraqiste avantazh për të, sepse vetë ai ishte një strateg i madh dhe vizionar.

Skënderbeu e udhëhoqi vendin në kohët më të vështira, ia riktheu popullit shpresën, e ringjalli ndjenjën e lartë kombëtare te ky populli, e nxiti atë për të jetuar krenar dhe i lirë në shtetin që ai ndërtoi së bashku me të e që po ky shtet shkëlqeu edhe përtej kufijve. Në këtë kontekst, duhet nënvizuar fuqishëm se hapi i parë që ai bëri ishte që të gjithë prijësit të betoheshin për flamurin e tij; dhe këtë e bënë të gjithë arbërorët e tij besnikë. Kështu filloi epoka e lirisë dhe e fitoreve të njëpasnjëshme me në krye të madhin Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kthimi i tij përbënte edhe ndryshimin e politikës vizionare për vendin. Me strategjinë e tij luftarake ai e shkatërroi në themel ushtrinë turke, mposhti sulltanët dhe rimori menjëherë së paku 230 qytete arbërore që i kishte pushtuar barbarisht perandoria osmane.

Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte i qetë dhe i palëkundur deri në shkatërrimin e përgjithshëm të perandorisë osmane. Kjo gjë shihej te guximi i tij, te siguria që ai kishte në vetvete dhe te ndjekësit; ai nuk e njihte frikën, atë e shoqëronte zelli i madh. Shqetësimi i madh për atdheun rëndonte në mendjen e tij të talentuar, porse njihej edhe si njeri i rezistencës së madhe, i cili futi besimin e madh te ndjekësit e tij. Me anë të këtij besimi ai ngriti shpresën e suksesit dhe të fitoreve të mëdha përballë së keqes. Ishte Skënderbeu ai që e ndezi përsëri entuziazmin dhe shpresën e vjetër për atdheun dhe lirinë e tij në Arbëri.

Ashtu siç e nënvizon edhe Marin Barleti në veprën e tij mbi Gjergj Kastriotin, “liria ishte në gojën e të gjithëve, emri i lirisë bëri jehonë kudo”.Ai ushqeu në zemrën e tij dëshirën për t’u kthyer në atdhe dhe për të luftuar kundër pushtuesit osman, i cili i kishte okupuar dhe shkretuar atdheun e tij. Skënderbeu shkëlqeu me talentin e tij luftarak dhe këtë më së miri ai e tregoi në mbrojtje të vendit të tij. Ai ishte i rrethuar me kurorën e lavdisë, ishte modeli i gjeneralëve të vjetër, të urtë dhe të shkathët, ashtu si Aleksandri i Madh. Sapo u rikthye në Krujë, e shpalli veten armik i përbetuar i turqve, jo më pjesë e Oborrit, siç e kishte pasur që nga pengmarrja. Kështu ai filloi ofensivën e tij duke i goditur ata nga të gjitha rastet, si dhe duke korrur fitore të mëdha. Madje, e gjithë bota mbarë ishte mrekulluar se si një vend i vogël si Shqipëria bëri të mundur që të dështojnë planet e turqve barbarë. Me trimëri dhe në sajë të virtyteve që kishte, Gjergj Kastrioti arriti t’i dëbojë turqit jo vetëm nga Arbëria, por bëri të mundur që të mos i lejojë ata të futen në brendësi të kontinentin europian për ta shkretuar atë.

Është ky arbëror i talentuar, strateg, trim dhe lider vizionar që nuk i lejoi turqit të kenë progres, për aq kohë sa ai ishte gjallë dhe udhëhoqi shtetin e Arbërit. Ky arbëror trim ishte i pamposhtur, burrë i urtë e vizionar, tregojnë kronistët europianë, të cilët shkruajnë se, “sapo ai (sulltan Mehmeti II) nisi me qeverinë e tij, ai i ofroi paqe Skënderbeut, me kusht që ai të mbajë vendin e tij, por ai duhet të paguajë tribut (lloj haraçit) vjetor për të. Tani, kur Skënderbeu ia preu shkurt këtë propozim të tij me përbuzje, sulltani dërgoi dy ushtritë e tij kundër Epirit”. Sidoqoftë, dihet më së miri se ai dhe bashkëkohësi i tij, Huniadi i Hungarisë, ishin terrori i turqve.

Skënderbeu luftoi si një mbret i mençur për ta çliruar atdheun e tij, si një strateg e guximtar i madh pa asnjë ngurrim apo frikë kundër sulltanit, dhe për këtë u nderua nga e gjithë bota e krishterë. Ndaj, jo rastësisht, u bë “Nderi i madh për Krishterimin”në Europë dhe më gjerë. Me veprat e tij, Gjergj Kastrioti tregoi se ishte një nga më të denjët e kombit arbëror; për nga natyra kishte shpirtin luftarak, me virtyte të mbinatyrshme ai u bë referencë e model, ai mahniti tërë botën me guximin, vizionin, lidershipin dhe strategjinë e tij të qartë. Gjergj Kastrioti dhe historia e pavarësisë së Shqipërisë në shekullin XV kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e popujve të Europës, duke gëzuar respektin e famën te të gjithë.

Realisht, siç shkruante një kronist, “ishte heroi shqiptar Gjergj Kastrioti, i quajtur si Skanderbeg, i cili i mundi turqit disa herë, dhe se jeta e tij u rrethua me aureolën e madhështisë. Ai ishte trim, i talentuar, ndërsa veprat e tij ishin të admirueshme nga të gjithë”. Prandaj trimi i zgjuar i Epirit, Gjergj Kastrioti, qëndroi përballë osmanëve gjer në fund dhe gjithnjë korri veç fitore. Gjithashtu, duhet përmendur se kishte edhe raste kur venedikasit bëheshin xhelozë për fuqinë e tij. Ndërsa mbretërit, princat dhe e tërë Europa i kishin admiruar bëmat e trimit të Epirit, por nuk kishin lëvizur për ta shpëtuar Epirin dhe për ta ndihmuar atë. Asgjë më shumë nuk ka qenë në zemër të Papa Eugenit sesa dëbimi i turqve nga ana e “Skënderbeut të famshëm”, ku sulltani pësoi disfatë të madhe. Kështu, në vitin 1443 ftoheshin të gjithë të krishterët e Europës që të merrnin armët kundër osmanëve; po ashtu edhe në vitin 1444, thirrjet për t’iu bashkuar betejës kundër të keqes ishin të vazhdueshme, gjersa ajo të dëbohej andej nga kishte ardhur. Për aq kohë sa Huniadi dhe Skënderbeu jetuan, turqit nuk mundën të përparonin në Europë. Vetëm personalitete të tilla mbikohore, si Gjergj Kastrioti, ky vizionar i Arbërisë, mund të korrnin fitore dhe ta udhëhiqnin me urtësi shtetin.

Duke parë se ishte e pamundur ta pushtonte shtetin e Gjergj Kastriotit, Sulltani arriti ta fusë farën e shkatërrimit nga përbrenda, duke kërkuar bisedime me Moisiun dhe Hamzanë. Ata i përdorën si veglat e tyre, duke iu dhënë atyre një shumë të paparashikueshme parash, vetëm e vetëm që ta merrnin Krujën dhe të gjitha vendet që zotëronte mbreti Gjergj Kastrioti. Me gjithë tendencat e tyre për ta kapur dhe pushtuar vendin nga brenda, kurrë nuk arritën t’i realizojnë, sepse Gjergj Kastrioti tanimë e njihte edhe këtë strategji të tyre demoniake, dhe se të gjitha të papriturave ai ishte i gatshëm t’u përgjigjej duke e mbrojtur dhe ruajtur vendin me të gjitha mjetet, si dhe me jetën e tij prej trimi të madh. Duke e ditur historikisht se kombi iliro-arbëror kishte rrënjë të thella, si dhe duke pasur parasysh ndikimin e shumë personaliteteve mbikohore që kanë lënë gjurmë, Gjergj Kastrioti ishte vazhdimësi e natyrshme e paraardhësve të guximshëm. Ai kështu u bë lavdia e kombit të tij. Kjo tregon më së miri se kombi arbëror kurrë nuk është shuar, por, edhe nëse është lodhur nga skllavëria dhe pushtimet, ai sërish është zgjuar dhe ka reflektuar nga rrënjët frymën e tij të bujarisë, trimërisë, vizionit dhe guximit të pashoq.

Një grup autorësh, në një nga veprat e tyre nënvizojnë: “Po, unë besoj te Kastrioti, ne takojmë një person të madh, siç ka pasur edhe më parë, si ai i Leonidas ose Themistokle. Unë shoh Pyrron dhe shikoj në të Alexandrin, dhe se këta kishin armikun e tyre më të fuqishëm sesa këta”,(por që triumfuan gjithmonë – shënimi im). Këta të gjithë lulëzuan, i dhanë formë kohës dhe jetës së tyre me anë të veprave madhështore dhe gjurmëve të pashlyera.

Edhe një herë dua të theksoj se Gjergj Kastrioti kishte kapur momentin e favorshëm, të cilin e kishte planifikuar qysh nga vegjëlia. Lavdia e betejave shihej gjithnjë në fitoret e tij të njëpasnjëshme përballë pushtuesit barbar turk. Sulltan Murati dërgoi ushtrinë e tij me rreth 320.000 ushtarë për t’u hakmarrë dhe për ta pushtuar tërësisht Arbërinë, por që në fillim ai mori goditjen e merituar, duke e detyruar që të tërhiqet me humbje të mëdha, sepse strategu i lindur arbëror, me flakën e marshimit të shpejtë nuk e la t’i realizohen planet hakmarrëse sulltanit barbar. Nuk e dinte sulltani, ky Goliat, se qëndronte përballë Davidit të kohës së tij! Nuk e dinte sulltani se kishte përballë, ashtu siç e kanë quajtur shpesh, “Dragoin e Shqipërisë”. Dragoi është simboli i të gjitha miteve pellazge apo iliro-arbërore, ndaj dhe jo rastësisht është cilësuar kështu Gjergj Kastrioti. Kjo tregon edhe rrënjën e prejardhjes së tij, si dhe vazhdimësinë e frymës që nga lashtësia, me të cilën e ka përcjellë kombin iliro-arbëror.

Sidoqoftë, Kruja tanimë nuk ishte vetëm kryeqyteti i shtetit të Arbërit, por edhe kryeqendra e rezistencës në Europë; aty u mbrojt atdheu, aty u mbrojt shteti i Arbërit, aty u mbrojtën vlerat, kultura burimore arbërore europiane dhe civilizimi i tërë kombeve europiane. Pikërisht aty u vulos fati i arbërorëve dhe i familjes europiane; po aty Europa ka avokatin e saj të madh, që nuk lejoi të kontaminohet i tërë kontinenti me ideologjinë e perandorisë osmane.

Edhe pse po kjo Europë – që Skënderbeu e mbrojti deri në ditët e fundit të jetës së tij – i admiroi veprat e tij të mëdha dhe ia çmoi sakrificën, nuk bëri asnjë hap për ta ndihmuar dhe mbështetur atë në përpjekjet e gjakosura për liri, në ruajtjen e vlerave, të identitetit etj., për ta dëbuar përgjithmonë pushtuesin barbar osman nga kontinenti i përbashkët i kësaj familje. Edhe pse ndihma dhe mbështetja e duhur nuk iu ofrua, kur ai kishte më së shumti nevojë, ishte i vetmi që e ruajti parimin e tij dhe nuk u dorëzua asnjëherë. Kështu Skënderbeu u bë edhe më i fuqishëm, një avokat i patundur i themeleve dhe kulturës europiane, i atdheut dhe vlerave të tij, si dhe fytyra e vetme guximtare e Europës përballë perandorisë turke dhe sulltanit.

Skënderbeu ishte i vetmi mbret në Europë që, për nder të dashurisë ndaj atdheut të tij nuk e mohoi shërbimin e Kryqit në kohët më të vështira, si për shtetin e Arbërit ashtu edhe për tërë familjen europiane. Pra, natyrshëm ai u bë imazhi kalorësiak triumfues në betejën me të keqen nga ku doli fitimtar, sepse atë betejë ai e bëri deri ditët e fundit të jetës së tij, duke mbrojtur shtetin e tij dhe tërë civilizimin europian. Gjithashtu, duhet nënvizuar se në 400 beteja të vogla dhe të mëdha Gjergj Kastrioti gjithnjë doli triumfues.

Për fat të mirë, një lajm i tmerrshëm për fatin e Shqipërisë nuk u materializua, sepse ajo kishte heroizmin si mburojë në Krujën e pamposhtur me në krye Gjergj Kastriotin. Ai ndoqi taktikat e tij të vjetra, të cilat e dërmuan ushtrinë turke me humbje të plotë të luftës së tyre. Kjo tregon edhe një herë se Gjergj Kastrioti përballë perandorisë osmane ishte si Davidi përballë Goliatit. Skënderbeu ishte gjeniu i Arbërisë, guximtari dhe vizionari më i madh i kohës kur jetoi. Këtë e thonë edhe vetë armiqtë e tij, të cilët, duke mos arritur që ta pushtojnë Arbërinë dhe ta mposhtin Gjergjin, përhapën fjalët e sulltanit: “Një luan i ngjashëm si Skënderbeu, kurrë më nuk do të shfaqet mbi tokë!”. Turqit i tmerronte Skënderbeu, emri i këtij heroi ishte rritur dhe kishte marrë jehonë anekënd botës; po nga ky emër kishin frikë edhe armiqtë e tij dhe të Arbënisë. Ashtu si djalli frikësohet nga emri qiellor i shpëtimtarit Jezus Krisht, kështu armiqtë turq frikësoheshin nga ai. Siç edhe dihet, djalli është një frymë shumë e fuqishme; ashtu ishte edhe perandoria barbare osmane. Prandaj Gjergj Kastrioti kishte një shpirt të pashtershëm, ishte njeri me durim të hekurt dhe një trim e lider i papërsëritshëm. Por edhe në ditët e sotme toka arbërore ka njerëz që nuk po i qëndrojnë besnikë gjakut të Kastriotit, ndaj dhe shpesh bien në humnerë dhe humbasin.

Figura e Skënderbeut u rrit me ndjenjën e dashurisë ndaj popullit dhe atdheut të tij, ai e mori barrën e përgjegjësisë mbi krahë për ta shpëtuar dhe udhëhequr Arbërinë. Nga guximi i tij morën bekimin edhe pasardhësit, të cilët u bënë pishtarët e diturisë, rilindësit tanë të ditur. Vetëm me një popull të vogël, ai i ka rezistuar fuqisë turke për shumë vite, ndërsa për Europën u bë një vizionar i jashtëzakonshëm, sepse kishte idenë e bashkimit të saj. Për Shqipërinë, me të drejtën e ligjshme të një Heroi Kombëtar, me figurën e Skënderbeut, mund të krenohesh gjithmonë me fjalët “Unë jam Shqipëria” (“Lo sono l’Albania”).Ky është një fakt, pasi kurdoherë Shqipëria, kombi arbëror europian, nëpër botë do të identifikohet me emrin e tij të lavdishëm. Për trupat e tij ushtarake ai ishte gjithmonë i gatshëm, duke u kujdesur shumë për t’i mbajtur ato gjithmonë në gatishmëri e në lëvizje.

Gjergj Kastrioti ishte i palodhshëm, ai qe strategu dhe vizionari i Arbërisë dhe Europës. Me përgatitjen e tij të gjithanshme, ai e planifikonte me inteligjencë kohën dhe rastin më të volitshëm që duhej për të mbrojtur atdheun, si dhe kur duhej të sulmohej në befasi ushtria barbare turke në trojet arbërore. Jo rastësisht, Skënderbeu është quajtur edhe si një lloj “Engjëlli i Perëndisë së Ushtrive”.

Historia e luftërave që arbërorët patën gjatë shekullit XV dhe më parë kundër pushtuesit turk dhe sundimit të tij në Europë tregon për një luftë të drejtë, të ndershme, edhe pse jo të barabartë me forcat armike, luftë që bëhej në emër të mbrojtjes së lirisë dhe të trojeve arbërore, luftë që shfaqte apo rishfaqte heronjtë e vjetër të Arbërisë. Një i tillë është padyshim Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbreti i Shqipërisë dhe shtetari, strategu e vizionar i madh i kombit, i cili triumfoi kundër ideologjisë së perandorisë osmane që kishte për qëllim të ideologjizonte dhe t’i pushtonte tërësisht trojet arbërore. Bëmat e këtij Heroi Kombëtar ende edhe sot kujtohen, mësohen nëpër shkolla e universitete, mbahen gjallë nëpërmjet folklorit të pasur popullor, në legjenda, këngë e rrëfime. Jehona e trimërisë së tij ka mbërritur nëpër Europë, për t’u bërë subjekt i admirimit të trimërisë, mençurisë, artit ushtarak dhe liderit që e adhuron kombi i tij. Pikërisht, dashuria e madhe për atdheun ishte pasioni i tij më i madh e më i shenjtë, që e bëri atë të pamposhtur mes arbërorëve.

(Gjon Keka, Roli politik dhe ushtarak i shtetit të Arbërit - Qeverisja e urtë e Gjergj Kastriotit, Botart, 2015)

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7