Hyrje | Opinion | Elvi Sidheri: Partia, Shqipëria, e majta dhe e djathta

Elvi Sidheri: Partia, Shqipëria, e majta dhe e djathta

Elvi Sidheri: Partia, Shqipëria, e majta dhe e djathta

Partia, Shqipëria, e majta dhe e djathta

Nga Elvi Sidheri

T’i hysh një analize të stërholluar e shteronjëse lidhur me rrënjosjen, prirjet, shpërndarjen territoriale, mendore dhe kulturore të bindjeve politike në Shqipëri, do të ishte një sipërmarrje Sizifore që mënjanë paralelizimit të pamundur me Frojdin, Niçen apo librat e shenjtë, ka pasoja rrënuese për shëndetin intelektual të shkruesit përkatës.

Ndaj dhe, ndonëse ky mbetet njëri nga shtigjet ku mëton të na shpjerë ky shkrim, ai prapëseprapë nuk do të përbëjë korsinë kryesore ku do të rrugëtojmë në rreshtat vijues.

Shqipërinë faktikisht shpesh e personifikojmë (akoma sot) me Partinë, gjë kjo që më ngazëllueshëm e patëm bërë për dhjetëvjeçarë të tërë nën monizëm, ku për Partinë betoheshim (“vetoneshim”, siç i thonë ndër zonat më historikisht të majta të shtetit shqiptar), për Ideal të Partisë bënim bé e rrufe dhe Partinë e kishim nënë para mëmës që na kish lindur, me qumështin pluhur (të vërtetë nuk kishte edhe po të donim) të Partisë mësoheshim qysh në shtrat të maternitetit dhe me Partinë në gojë rropateshim arave, fabrikave e kantiereve gjer në perëndim të ditëve tona në realitetin socialist.

Ja pra, Partinë fort e donim, duke arritur në mishërimin e sindromës krejt shqiptaro-moniste të Partisë që gjeneronte dhe vetë idenë e shtetit ku gjallonim, e ngrehinës kombëtare shtetërore ku ngërtheheshin ndjenjat tona kombëtare të përzjera gjithnjë e më tepër me konceptin e Partishmërisë që i mbivjendosej atij të kombësisë shqiptare në shtetin e shqiptarëve me gjuhë zyrtare shqipen.

Dukej praktikisht, ndoshta thjesht në pamje të jashtme, se nga trinomi Shqipëri-Shqiptarë-(gjuhë)Shqipe, qemë shndërruar në gjallues sipas trinisë së shenjtë të Njeriut të Ri monist Parti-Shtet i Partisë (së Punës)-gjuhë e folur sipas parimeve të Partisë.

Ishte një involucion (e kundërta e evolucionit, prandaj jemi popull “sui generis” neve përherë) ekzistencial i “homo albanensis real-soc” që nuk reshti së gjenduri gjer në buzë të viteve 90 të shekullit të shkuar, në agun e ndryshimeve demokratike në Shqipëri.

Aty pandehëm se ca gjëra nisën të ndryshojnë.

Kujtuam se erërat demokratike që frynin fuqishëm drejt maleve shqiptare nga vendet e tjera të Lindjes që po çliroheshin nga zgjedha komuniste sovjetike, do ta ndalnin edhe involucionin anti-identitar shqiptar dhe se Partishmëria e kudondodhur shqiptare, do t’i dorëzohej librave të historisë për t’u studiuar në shkolla si fazë haluçinante e së kaluarës sonë, si një njollëz e vockël përgjatë shekujve e mijëvjeçarëve të gjallimit tonë në këto troje.

Por, do pranuar se ideja e identifikimit të shqiptarit me një ide rrënuese apo thelb koncepti abstrakt për identitetin dhe rrënjësoren tonë kombëtare, nuk pati nisur në 1944-ën, duke përbërë kështu një karakteristikë të lashtë të shqiptarit, që veç ishte ditur të zgjohej në nënvetëdijen e këtij populli dhe përdorur mjeshtërisht nga regjimi monist.

Më parë qemë vetë-identifikuar, tjetërsuar dhe tëhuajsuar nga thelbësorja jonë, duke u bërë njësh me pushtues dhe antivlerat e tyre kulturore pafund, që nga turko-osmanët e gjer te jugosllavo-ruso-kinezët stalinisto-titisto-maoistë.

Është në lëkurën tonë pra, që ta humbim fillin e identitetit tonë në këtë mënyrë.

Asgjë e habitshme.

Por, ka një tis të hollë ndryshimi, ndonëse të gjithë shqiptarë jemi në fund të fundit, mes mënyrës sesi e majta e përjeton partinë dhe partishmërinë, dhe versionin e djathtë të kësaj përvoje jetësore ndër shqiptarë.

Binomi Parti-Popull është e qartë që pavarësisht evolucionit kulturor, shoqëror e mendësor (për fat ka ndodhur kjo dukuri pas 90-ës, ndonëse involucioni sidoqoftë na ndjek si popull gjithmonë nga pas si ta kishim hije të pandashme), ka vijuar të mbetet më i ngurtë majtas.

Dhe nuk do t’i analizojmë sot shkaqet, sfondin, arsyet, trashëgiminë dhe përditshmërinë aktuale të këtij binomi në krahun e majtë.

Ç’ndodh me të djathtën ndërkohë?

Idenë dhe trashëgiminë politike të djathtë të ngjizur qysh nga hiri i perandorisë osmane, të pjekur gjatë përvojave të para të zellshme e europianiste të parlamenteve të viteve 20 të shekullit të shkuar, të vijuar gjatë mbretërisë Zogiste, të hapërdarë e çaktivizuar gjatë amullisë dhe vëllavrasjes së Luftës së Dytë Botërore, të luftuar, çrrënjosur, të brutalizuar mizorisht, të nëmur e anatemuar dhe të nxjerrë jashtë ligjit e sistemit gjatë monizmit, të ringjallur në prag të viteve 90, të gufuar, rrëzuar e ringritur aq shpesh në këto 27 vite demokraci.

E zakonshmja ndodh! Një mishmash i pandalshëm, kakofoni rrymash, frymërash, tendencash, tundimesh, lufte të brendshme e të jashtme, horizontesh të djathta që herë zgjerohen drejt gjithësisë plotësuese e vetëpërmbushëse të identitetit të djathtë, si dhe skutash që depërtojnë në ndërgjegjen dhe qenësinë e së djathtës shqiptare, duke ia bërë shosh shtatin asaj.

E djathta nuk pluskon në ujërat e cekta e të turbullta të Partisë-Popull, sepse populli i së djathtës noton në ujëra më të thella, por krejt të kthjellëta, porsi ujërat joniane të rivierës së jugut shqiptar.

Janë ujëra tejet të thella, shpeshherë fort të rrezikshme, në të cilat pa ditur not, askush nuk aventurohet dot, por të cilat të shpien ngaherë drejt një bote më të mirë, drejt brigjeve të begata ku gjithnjë na pret një e tashme dhe e ardhme më e mbrothët, ku mund të gjejmë dimensionin tonë real, ku mund të jetojmë të lirë dhe në liri të plotë.

Jo rastësisht patën qenë ujërat e thella të Adriatikut dhe Jonit ato që i shpunë qindra-mijëra shqiptarë drejt Perëndimit, në Itali e përtej, atëherë kur lëvizja anti-moniste rrëzoi regjimin totalitar stalinist duke vendosur miliona shqiptarë të aventuroheshin në ujërat e thella të demokracisë për të notuar drejt lirisë së mohuar për 45 vite me radhë.

Populli i së djathtës pra, është më i papërcaktueshëm, më shumëngjyrësh, më i larmishëm, më kokë më vete, më kryeneç, ai niset nga ideale të fisme, nga qytetaria e të parëve të vet, nga trashëgimia e vlerave të veta burimore, që skaliten në vetëdijen e kësaj pjese të popullsisë shqiptare, pa mundur të shlyhen kurrë, pavarësisht furtunave kohore apo politike të radhës.

Populli i së djathtës thjesht dhe qartë nuk e njeh binomin Parti-Popull, atë e bashkojnë vlerat e vyera të traditës së vet, mosbindja e paepur ndaj çfarëdo forme totalitarizmi dhe kokëulje të verbër ndaj “urdhërave nga lart” ngado që ato të vijnë.

Ky bashkim vlerash, tradite, dhe bindjesh të lira, kur arrin të kanalizohet në drejtimin dhe frymën e duhur, sjell pashmangshëm veç fitore, triumfe dhe sukses, që domosdoshmërisht përkthehet edhe në mirëqenie për vendin dhe krejt popullatën e vet, pavarësisht shijeve politike të gjithkujt.

Kjo bindje në mosbindjen burimore të çdo entiteti përbashkues të votuesve të djathtë, përbën vetë thelbin e qenësisë së strukturës përfaqësuese të anës së djathtë të popullit tonë.

Por, nëse mosbindja cinike prevalon kokëfortësisht ndaj bindjes së pabindur burimore në emër të vlerave të përbashkëta të ngrehinës së djathtë, atëherë zhbërja e gjithë emëruesve të përbashkët që përmbledhin nën një shtysë të vetme popullin e së djathtës, do të çojë pashmangshëm drejt rrënimit.

Egoizmi i shëndetshëm, është një element identifikues i pamungueshëm i karakterit të të djathtit, por egoizmi përjashtues e nënçmues në kurriz të ngrehinës përbashkuese të së djathtës, nuk puqet askund me parimet që shërbejnë si shtylla ku mbështetet ekzistenca e shëndetshme e së djathtës së jetësuar në formën e Partisë politike.

E djathta nuk jetësohet me denoncime alla Hrushoviane “post mortem” për Stalinin e radhës, as me përjetësi të përjetshme ala-moniste nëpër ofiqe të larta, e aq më pak me mendësi Parti-Popull (i verbër e shurdh), sipas pandehmës se dënglat mund të shiten përherë si flori.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7