Hyrje | Opinion | Tolin Kona: Përballja e dy mbretërve të fuqishëm

Tolin Kona: Përballja e dy mbretërve të fuqishëm

Tolin Kona: Përballja e dy mbretërve të fuqishëm

Momente në Historinë Ilire

Përballja e dy mbretërve të fuqishëm, Bardhylit të Ilirisë dhe Filipit të II të Maqedonisë

Nga Tolin Kona - Mësues historie

Historia Ilire është e mbushur me shumë ngjarje dhe konflikte ushtarake të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në ndryshimet politike, shoqërore jo vetëm për shtetin e vjetër ilir por edhe për mbarë rajonin ballkanik.

Me një hapësirë territoriale nga lumi Savë në veri e deri në Gjirin e Ambrakisë në jug, nga rrjedha e lumenjve Moravë e Vardar në lindje e deri në brigjet e detit Adriatik dhe Jon në perëndim, Ilirët për nga pozita gjeografike kanë zënë një vend të konsiderueshëm në Ballkanin perëndimor. Pikërisht brenda kësaj hapësire ata krijuan një nga qytetërimet më të lashta të Mesdheut, një qytetërim i mbështetur në fise të shumta me tipare të përbashkëta etno kulturore, që nga liburnët në veri e deri tek thesprotët në jug. Por tiparet e përbashkëta etnokulturore nuk u njehsuan asnjëherë në unitet politiko-shtetëror tek ilirët, ose më saktë ende nuk ka dalë ndonjë burim nga historia ilire që të na e  dëshmojë këtë. Shteti Ilir gjatë ekzistencës së tij nuk përfshiu dot asnjëherë në përbërjen e tij  të gjitha fiset ilire. Shumë nga këto fise krijuan organizma vetëqeverisëse si federatat,ose mbretëri të vogla.Por fiste të vecanta ilire me ritjen e fuqisë ushtarake përfshinë në përbërje të tyre hapësira të gjera territoriale dhe shumë fise të tjera,duke krijuar kështu  mbretëritë e para të mirëfillta ilire.

Një nga këto fise ishin Enkelejtë, të cilët në fillimin e shek IV p. e. sonë krijuan një nga mbretëritë më të hershme ilire e cila njihet ne histori si Mbretëria e Parë Ilire.Kjo mbretëri e kishte qendrën e saj pikërisht në tokat e këtij fisi, rreth liqenit të Ohrit dhe Prespës, dhe për nga vetë pozita  gjeografike, ajo  në mënyrë të pashmangshme do të përfshihej në përplasje ushtarake. E kufizuar me Maqedoninë në Lindje, me Dardaninë  në verilindje, me Epirin  në jug, mbretëria eIlire ndodhej vazhdimisht në një politikë të jashtme të acaruar me Maqedoninë, për çështjen e Lynkestias, një krahinë ilire ndërmjet këtyre dy shteteve.e cila prej kohësh i bënte qëndresë pushtimit maqedon. Nëpërmjet kësaj politike të jashtme këto dy shtete formuan edhe supremacinë tyre e cila kalonte herë në anën e Ilirëve  dhe herë në anën e Maqedonasve. Faktorë për formimin e kësaj supremacie ishin rezultatet e përplasjeve ushtarake ndërmjet tyre.

Më konkretisht le të ndalemi në ngjarjet e asaj kohe për të nxjerë në pah këto faktorë.

Viti 359 p. e. sonë. Diku në lindje të liqenit Lyhnid ( Ohri), në një nga fushat e Maqedonisë antike.

Të dy ushtritë, ajo maqedonase dhe ajo ilire, i afrohen njëra-tjetrës. Dielli  ka hedhur rrezet e tij dhe fusha shndrit nga armët  e luftëtarëve. Nga njëra anë në krye të Maqedonasve qëndron Mbreti i ri Filipi II. Nga ana tjetër i hipur mbi kalë qëndron mbreti i Ilirëve Bardhyli.

Bardhyli i Ilirisë

Konsiderohet legjendar sepse historia e tij është e tillë. I ardhur në krye të fronit Ilir në vitin 393 p. e. sonë, pas një kryengritjeje kundër mbretit të atëhershëm Syrra, Bardhyli e tregoi menjëherë zotësinë e tij si shtetar të zotin dhe strateg. Duke qenë një njeri me prejardhje nga shtresat e thjeshta të popullit, ish qymyrxhi, mesa duket ai ka patur edhe ndikim të madh tek masat e gjera popullore, segmente të së cilës përmbysën mbretin Syrra. Burimet e tregojnë si njeri të drejtë sepse ua ndante ushtarëve plaçkën e luftës në mënyrë të barabartë dhe të paanshme. Për këtë ushtarët e donin. Përkujdesja për ushtarët dhe trajtimi me respekt i tyre, ka qenë një tipar i pranishëm tek shumë nga strategët e mëdhenj të antikitetit si: Aleksandri i Madh, Jul Cezari etj. Ky tipar kapatur ndikim te madh në rezultatet e përplasjeve ushtarake të cilat kanë qenë të shumta në antikitet. Edhe në rastin e Bardhylit ky tipar ka ndikuar ndjeshëm.

Kështu, në sfondin e këtyre karakteristikave, në vitin 393, pak kohë pasi është arritur një marëveshje paqeje mes ilirisë dhe maqedonisë, mbreti ilir Syrra përmbyset nga froni. Mesa duket për shtresa të caktuara të shoqërise ilire, kushtet e kësaj marëveshje paqeje do të kenë qenë të pavaforshme për shtetin ilir,si dhe për krahinën ilire të lynkestias.Sipas studiuesve,këto segmente të shoqërise ilire duhet të kenë qenë shtresa e re qytetare që po lindte në Iliri. Gjithsesi mbreti Syrra përmbyset nga froni dhe në vend të tij vjen Bardhyli. Situata diplomatike mes Ilirisë dhe Maqedonisë, ndryshon tërësisht.Në po këtë vit ushtria Ilire futet në maqedoni dhe pushton një pjesë të madhe të tokave të saj. Mbreti Maqedonas Amynta II (babai I Filipit II), nuk mundi ti bëjë dot ballë sulmit ilir dhe u largua nga vendi. Pak kohë më vonë ai kthehet në maqedoni për të qeverisur atë pjesë të territorit të papushtuar maqedonas, duke iu paguar edhe një tribut vjetor ilirëve.

Mbretëria ilire nën drejtimin  e Bardhylit shfaqet si një fuqi e rajonit. Tani ushtria ilire na shfaqet me një përbërje profesioniste, e përbërë nga kalorësia dhe këmbësoria.

Duke zgjeruar ndikimin ilir në drejtim të Epirit në jug, Bardhyli ndërhyn në luftën për fron në Molosi duke përkrahur pretendentin për fronin mbretëror Molos, Alketën. Në vitin 385 p. e. sonë ushtria ilire futet në tokat molose, ku mbas një beteje të ashpër me ushtrinë molose, kjo e fundit tërhiqet në shpartallim të plotë.

Në vitin 369 p. e. sonë Maqedonia gjatë mbretërimit të Aleksandërit II, përpiqet të dalë nga varësia ilire, por pa rezultat. Një nga përpjekjet më kulminante të maqedonasve për t`u shkëputur nga kjo varësi ishte ajo e vitit 360 p. e. sonë, ku gjatë betejës me ilirët në momentin më kulminant të saj, mbreti maqedonas Perdika III mbeti i vrarë, duke shoqëruar kështu edhe humbjen e betejës nga maqedonasit.

Shohim që për një periudhë të gjatë, 34  vjeçare mbretëria ilire ka një rritje të supremacisë së saj. Mbreti Bardhyl bashkë me qeverisjen e gjatë të tij, ka një rol kyç në ndërtimin e një shteti të fuqishëm, me aparat administrativ të qendërzuar, me ushtri të disiplinuar të përbërë nga kalorësia dhe këmbësoria. Të gjitha këto ndikuan ndjeshëm në suksesin e mbretërisë ilire në politikën  e jashtme përgjatë kësaj kohe.

Mirëpo mbas 34 vjetësh mbretërimi, teksa qëndron i hipur në kalë në krye të ushtrisë së tij, në moshë të thyer ¹,  ai ka përballë Filipin II, i cili do të lërë gjurmë të mëdha në historinë botërore.

Filipi i dytë i Maqedonisë

Duke qenë një nga djemtë e Mbretit maqedonas Amynta II, Filipi që në moshë të vogël ishte dëshmitar i ngjarjeve të dhimbshme për vendin e tij. Në kohën kur një pjesë e madhe e Maqedonisë ishte e pushtuar nga Iliria, dhe Maqedonia luftonte për të ruajtur ekzistencën e saj, ai dërgohet peng në Iliri dhe më pas në Tebë, një  nga qytet - shtetet të  Greqisë antike.

Pikërisht këtu fillon edhe shkollimi i tij si një strateg i madh ushtarak. Në këtë periudhë Teba ishte kthyer në një nga qytet - shtetet më të fuqishme të Greqisë antike. Këtë supremaci ajo e kishte arritur nëpërmjet ushtrisë së saj të disiplinuar, e përbërë nga falanga dhe nga ushtarët e stërvitur, e komanduar nga dy nga gjeneralët më në zë të antikitetit Epaminonda dhe Pelopida. Duke jetuar për tre vjet në shtëpinë e këtij të fundit, Filipi II mësoi shumë nga arti i luftës. Gjithashtu mosha e tij e re, e shikonte me admirim përgatitjen ushtarake, stërvitjet e shumta dhe organizimin e ushtrisë tebane, e cila, në ato kohëra, në një nga betejat kishte  thyer edhe ushtrinë spartane, duke rrëzuar njëherazi edhe mitin e pathyeshmërisë së saj në tokë.

Kështu gjatë kohës që qëndroi në Tebë, Filipi krijoi një përvojë të madhe në organizimin e ushtrisë. Këtë mënyrë organizimi ai do ta instalonte edhe në ushtrinë maqedonase. Në momentin kur vëllai i tij Perdika III, mbreti i Maqedonisë, kishte probleme të brendshme me pushtetin, në vitin 361 Filipi II kthehet në Maqedoni për ta ndihmuar. Me këtë, ai do të ketë përjetuar edhe vdekjen e të vëllait në betejën me ilirët në vitin 360 p. e. sonë. Mbas kësaj ngjarjeje Filipi merr në dorë frenat e pushtetit.

Filipi II ndryshonte në shumë drejtime nga mbretërit e mëparshëm të Maqedonisë. Nëse për sundimtarët e mëparshëm synimi kryesor i tyre ishte mbijetesa e Maqedonisë, e rrethuar nga shtete agresive, për Filipin II synimi kryesor ishte zgjerimi i territoreve të saj. Këtë ai do ta arrinte me dy mjete për të cilat dukej se kishte zotësi të lindur; me anë të fushatave ushtarake, dhe me anë të diplomacisë.

Me të ardhur në krye të fronit maqedonas ai filloi me ngut organizimin  e ushtrisë sipas modelit Teban, me disa modifikime të cilat e përmirësonin më tej atë. Për ushtarët  caktoi mënyrat e stërvitjes, e cila ishte e rëndë dhe e gjatë. Në pjesën më të madhe të rasteve ai merrte pjesë edhe vetë në stërvitje. Tashmë, disiplina dhe stërvitja ishin shtyllat kryesore për ushtrinë maqedonase. Ajo përbëhej prej falangës heshtëgjatë, e cila zinte pjesën qendrore të formacionit, kalorësia e cila qëndronte në të dy anët e falangës, dhe shigjetarët që qëndronin mbrapa duke mbështetur falangën. Këtë makineri lufte, Filipi II, falë vullnetit dhe këmbënguljes, e përgatiti brenda një kohe të shkurtër. Ky ngut i madh diktohej nga rrethanat e kohës. Ndërkohë që brenda mbretërisë dukej sikur anarkia dhe lufta për pushtet, ishin hedhur mbas krahëve, Filipi kishte nevojë të ngutshme të siguronte kufijtë e mbretërisë së tij, ndërkohë që një pjesë e madhe e tokave maqedonase gjendeshin nën sundimin ilir, gjë që e mbante Maqedoninë në gjendje lufte të pandërprerë me mbretërinë Ilire dhe mbretin Bardhyl.

Përplasje ushtarake e pashmangshme

Dhe pikërisht pasi siguroi me anë të diplomacisë, kufijtë lindorë dhe jugorë të Maqedonisë, ku një nga kundërshtarët ishte edhe Athina, Filipi në vitin 359. p. e. sonë kthehet me të gjithë forcën ushtarake drejt perëndimit për të rimarr në zotërim tokat që gjendeshin nën sundimin Ilir.

Nëse me tre mbretër të mëparshëm maqedonas Bardhyli kishte triumfuar , në rastin e Filipit, përplasja ushtarake nuk u vlerësua si opsioni i vetëm për mbretin Ilir. Me sa duket ai e njihte mirë kundërshtarin e tij, dhe forcën ushtarake që ai po sillte. Gjithashtu mosha e madhe e Bardhylit e bënte atë ta peshonte gjatë një përplasje tjetër ushtarake. Në ato momente mbretëria ilire ndodhej në pozita jo të këqija, dhe Bardhyli nuk donte të rrezikonte të humbiste tokat që kishte fituar deri në atë kohë. Kështu me t`i ardhur lajmi për mësymjen e ushtrisë maqedonase, ai dërgoi lajmëtarë tek Filipi II duke i propozuar paqe, me kusht që të mbanin ato territore që kishin fituar deri në atë kohë. Filipi u shpreh se do të pranonte paqen nëse do t`i ktheheshin të gjitha qytetet maqedonase që kishin pushtuar ilirët. Në këtë pikë asnjë nuk ra dakord, kështu që përplasja ushtarake u bë e pashmangshme.

Beteja që hyri në histori

Vendin ku ndodhi kjo përplasje, autorët antikë nuk na e thonë. Por sipas shumë studiuesve  bashkëkohorë, dhe për nga vetë pozita gjeopolitike, me siguri ajo duhet të ketë ndodhur në lindje të liqenit të Ohrit (Lyhnidi antik), pra në thellësi të territoreve të Maqedonisë antike. Megjithatë, për nga rëndësia që pati, për nga taktikat që u përdorën dhe për nga figurat që morën pjesë në të, kjo betejë është një nga më interesantet për historinë ilire. Burimi kryesor për këtë betejë na vjen nga autori antik Diodori, në bazë të të cilit ne do të bëjmë edhe përshkrimin e saj.

Falanga maqedonase

Ushtria maqedonase përbëhej nga 10.000 këmbësorë, që formonin falangën, dhe 600 kalorës që ishin aristokracia maqedonase. Këta të fundit për herë të parë iu ishin nënshtruar stërvitjeve ushtarake,që kishte sjellë Filipi në Maqedoni. Kjo ishte ushtria  e rregullt e Filipit, që d. t. th nëse do të dështonte, prapatoka maqedonase nuk do të kishte trupa mbrojtëse. Nga ana tjetër, sipas Diodorit  ushtria ilire përbëhej nga 10.000 këmbësorë të zgjedhur dhe afro 500 kalorës. Fjala “të zgjedhur ”, tregon që Bardhyli mund të grumbullonte më shumë trupa këmbësore, por me siguri ato do të kenë qenë të shpërndara si garnizone nëpër qytetet e pushtuara. Numri më i vogël i kalorësve të Bardhylit tregon që aristokracia ilire ose ishte më e pakët në numër, gjë që zvogëlonte rrezikun e tendencave separatiste në mbretërinë e Bardhylit, ose ndoshta një pjesë e saj mund  ta ketë braktisur Bardhylin në ato çaste. Sidoqoftë Diodori thekson se Bardhyli, i frymëzuar nga fitoret e tij të mëparshme , kishte besim në forcën e tij ushtarake. Kjo do të thotë që ai nuk e ka përfillur epërsinë e lehtë numerike të ushtrisë së Filipit.

Dhe në fakt, trimëria e të dy  ushtrive do të jetë karakteristika kryesore e kësaj beteje. Me të dalë në fushë të hapur, të dy ushtritë u vërsulën me britma të mëdha kundër njëra-tjetrës. Pa humbur kohë Filipi vuri në zbatim taktikat e reja ushtarake; ndërsa vetë vihet në krye të falangës në qendër, kalorësia ndahet në dy pjesë dhe sulmon nga krahët ushtrinë ilire. Me këtë, ndoshta mbreti maqedonas ka shpresuar t`i japë fund shpejt betejës. Dhe në fakt falanga maqedonase ishte më shkatërruese se ajo tebane. Në ndryshim nga kjo e fundit ajo maqedonase ndahej në shumë kuadrate, të cilët godisnin në mënyrë shkatërrimtare në shumë pika njëherësh ushtrinë kundërshtare, në mënyrë që të prishnin formacionin e saj. Ndoshta për Bardhylin kjo metodë luftimi ka qenë e njohur, sepse Ilirët nuk u zunë në befasi përballë saj. Me të shpejtë, ushtria ilire formon një kuadrat të madh. Diodori nuk na e tregon se si u ndanë formacionet e kalorësisë dhe këmbësorisë ilire në këtë kuadrat, por me siguri Bardhyli e ka ndarë kalorësinë e tij në dy pjesë për të mbrojtur krahët e kuadratit. Vetë mbreti ilir do të ketë qëndruar brenda këtij kuadrati, i hipur mbi kalë, për të drejtuar betejën. Kështu kuadrati Ilir, shmangte copëtimin e formacionit nga falanga e fuqishme maqedonase.

Formacion luftarak i ilirëve

Këto pozicione luftimi, u ruajtën nga të dy ushtritë përgjatë gjithë betejës, e cila qe e gjatë dhe e ashpër, duke u shoqëruar me shumë të vrarë dhe të plagosur. Episode të veçuara në këtë betejë nuk na jepen, por me siguri që ka patur. Gjithashtu nuk na jepen të dhëna për ndonjë përplasje midis Bardhylit dhe Filipit, po të kishte një të tillë Diodori nuk do e linte pa e përmendur. Me siguri Filipin do e ketë befasuar taktika bllokuese që Bardhyli i bëri falangës së tij. Tashmë ai nuk kishte më aq siguri për fitoren, sa në fillim, ku përpara nisjes së fushatës i kishte inkurajuar ushtarët e tij për t`u hedhur në luftë kundër Ilirëve. Dhe në fakt, Diodori thekson se “   krye  fitorja  nuk anonte  as  nga njëra anë as nga tjetra , dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dyja  ushtritë luftuan me trimëri të rrallë “ ². Nga ana e tij Bardhyli do ta ketë gozhduar në vend të palëvizur kuadratin Ilir pa marrë parasysh humbjet njerëzore që sillte kjo përballje  trup me trup, me shpresën e dobësimit të falangës maqedonase, dhe për të shpërthyer mësymjen sa të vinte çasti i volitshëm. Për të, në ato momente rëndësi ka patur fitorja e betejës, qoftë kjo edhe me një çmim të lartë. Ndoshta Filipi e ka ndier këtë rrezik, prandaj gjatë betejës e shohim vazhdimisht në qendër të formacionit të falangës, për të mbajtur radhët e shtrënguara dhe për të inkurajuar ushtarët e tij. Kështu të dyja ushtritë e kanë “ grirë “ njëra - tjetrën gradualisht. Në finalizimin e kësaj beteje kanë ndikuar dy faktorë të rëndësishëm: guximi i liderit dhe strategjia.

Nëse fokusi kryesor i betejës ishin bërthamat qendrore të formacionit, kuadrati dhe falanga, në krahët e tyre zhvillohej një tjetër përplasje e cila do të krijonte avantazhin e kësaj beteje, ajo e kalorësive. Thamë në fillim se numri i kalorësisë maqedonase ishte rreth 100 kalorës më shumë se ajo ilire. Nuk e dimë se sa ka ndikuar kjo epërsi numerike për fatin e betejës, por papritmas kalorësia maqedonase na shfaqet mbas shpinës se ushtrisë ilire. Diodori nuk na e thotë se në ç’rrethana mundi të kalojë kjo kalorësi në këtë pozicion. Pa dyshim që njëri nga krahët e kalorësisë së Bardhylit është thyer, kështu që kalorësia maqedonase ka mundur të kryejë edhe rrethimin e kuadratit.

Nuk duket se kjo ka sjellë në mënyrë të menjëhershme disfatën e ushtrisë me përvojë të ilirëve. Në këto rrethana Bardhyli do e ketë vendosur kuadratin në pozita mbrojtëse, duke përgatitur një tërheqje të mundshme, me sa më pak humbje për ushtrinë e tij. Nga ana e tij Filipi, duke parë  avantazhin në favor të tij,  ka përgatitur goditjen përfundimtare për ushtrinë ilire. Nëse avantazhi u krijua nga kalorësia,  finalizimi u krye nga këmbësoria.

Kalorësia që kishte rrethuar kuadratin ilir, forcon goditjen nga krahët dhe nga shpina  e këtij kuadrati. Kjo ka bërë që formacioni ilir të përforcohet në këto drejtime. Nga ana tjetër Filipi  grumbulloi në qendër të falangës ushtarët më të zgjedhur, duke forcuar goditjen në pjesën ballore të kuadratit ilir, duke udhëhequr vetë falangën. Diodori thekson se “ kur kalorësia u sul  nga anët dhe nga shpina dhe kur Filipi me luftëtarët më të zgjedhur u ra nga balli me trimëri ilirëve  atëherë këta u thyen e ua dhanë këmbëve me të shpejtë “ ³.  Në këto momente, Bardhyli, duke e parë që ushtria e tij ishte tërësisht në “darën” maqedonase, duhet të ketë urdhëruar tërheqjen për të shmangur shfarosjen e ushtrisë së tij. Sigurisht që kjo tërheqje nuk është bërë në mënyre komode por me hap të shpejtë dhe në mënyrë emergjente. Nuk na jepen detaje nëse formacioni ilir është prishur gjatë tërheqjes. Maqedonasit i ndoqën për një kohë të gjatë ilirët, duke vrarë shumë prej tyre gjatë kësaj ndjekje, derisa Filipi me anë të borisë i thirri që të kthehen mbrapa. Kjo tregon që Filipi nguroi  ta ndiqte më tej ushtrinë ilire. Ai është mjaftuar me fitoren e betejës frontale aty për aty. Gjithashtu kjo tregon që ushtria ilire, edhe pse është mundur, ajo është tërhequr me disiplinë pa e prishur formacionin e saj mbrojtës.

Sidoqoftë, humbjet e ilirëve në këtë betejë qenë të mëdha. Sipas Diodorit ata lanë në këtë betejë 7000 të vrarë. Për ushtrinë maqedonase nuk jepen të dhëna për numrin e të vrarëve, por me siguri edhe ato kanë qenë të mëdha. Kjo shpjegon edhe faktin përse Filipi nuk e ndoqi nga pas ushtrinë ilire. Për të lënë gjurmë të kësaj ngjarjeje, Diodori tregon se Filipi ngriti në atë vend lapidar për ushtarët  e tij të rënë.

Me këtë fitore Filipi rimori territoret maqedonase të pushtuara nga ilirët,si dhe vuri nën kontroll krahinën e Lynkestias. Gjithashtu fitorja mbi Bardhylin ka ngritur prestigjin maqedonas në arenën ndërkombëtare, duke treguar njëherazi efektshmërinë e ushtrisë së re të ndërtuar nga Filipi,  dhe zotësinë e tij si strateg. Kështu rrugët historike të këtyre dy mbretërve u takuan në këtë përplasje të armatosur. Një përplasje, e cila pasoi fundin e rrugës së Bardhylit dhe fillimin e rrugës së Filipit II të Maqedonisë. Për Bardhylin një fund dinjitoz, ndërsa për Filipin një fitore e cila ishte shtysë për më tej. Prandaj edhe beteja midis tyre ka lënë gjurmë me vlera historike.

Dhe në fakt kjo betejë la më shumë se sa gjurmë në histori. Ajo ishte një pikë kthese e madhe jo vetëm për Dominimin ilir mbi Maqedoninë, por edhe për situatën gjeopolitike në të gjithë rajonin ballkanik. Tashmë kishte lindur një fuqi e re ushtarake, e cila shumë shpejt do të vërë nën kontroll jo vetëm treva ilire por edhe Greqinë antike. Ndoshta deri na atë kohë, por edhe më vonë, askush nuk i kishte bërë ballë si Bardhyli makinës ushtarake maqedonase që kishte ndërtuar Filipi. Një qëndresë të tillë e shikojmë vetëm në betejën e keroneas, ku Filipi vetëm pas një beteje të ashpër kundër një koalicioni të fuqishëm mes Athinës dhe Tebës, mundi të dilte fitimtar,ndaj tyre.

Megjithatë duket se mbreti, ilir nuk i është nënshtruar dominimit maqedonas. Me interes janë informacionet që na vijnë nga autori antik Kurt Rufi, i cili tregon se Bardhyli mbas kësaj beteje u ngrit disa herë në luftë kundër Filipit II derisa iu mbaruan të gjitha forcat ushtarake që kishte!

Më pas emri i tij nuk përmendet më në burimet historike.

Në fakt supremacia e Maqedonisë do t`i kalojë kufijtë e rajonit. Ajo do të shtrihet deri në lindjen e largët. Nën drejtimin e Aleksandërit të Madh, djalit të Filipit II, Maqedonia do të shkatërrojë edhe perandorinë më të madhe të asaj kohe,atë perse.

Ky ishte një rrugëtim i shkurtër në ngjarjet historike që përshkruajnë shtetin ilir në shek IV p. e. sonë. Kjo periudhë përket me formimin e bërthamave shtetërore tek ilirët, si dhe me përpjekjet e mbretërive ilire për konsolidimin e tyre dhe për formimin e supremacisë  në rajonin ballkanik. Rrethanat historike i vunë këto mbretëri në përballje me fuqi të botës antike, përballje të cilat u bënë si për qëllime mbijetese politike nga ana e ilirëve, por natyrshëm, edhe për mbrojtjen e interesave të tyre në arenën ndërkombëtare antike. Këto përplasje patën ndikim edhe në  evidentimin ilirëve si komb dhe si qytetërim më vete në gjirin e popujve të tjerë antikë të Mesdheut, djepi i lindjes së qytetërimeve më të lashta evropiane.

Citimet shkencore:

1 Sipas burimeve nga disa autorë antikë si: Kurt Rufi dhe Lukiani, në momentin kur u ndesh me Filipin II, Bardhyli ishte  rreth moshës  90 -vjeçare

2  “ Ilirët dhe Iliria nga autorët antikë ”.   Tiranë  1965,    Diodori.   XVI  4   f . 139

 “ Ilirët dhe Iliria nga autorët antikë”. Tiranë  1965,     Diodori.  Po aty.

Literatura e shfrytëzuar:

Instituti i Historisë dhe  Gjuhësisë. Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë: ” Ilirët dhe Iliria nga autorët antikë ”,Tiranë,1965

Islami, Selim. ” Historia e Ilireve ”,  “ Botimet  Toena ”,  “Albanian Heritage”, Tiranë, 2008

Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Historisë. ”Historia e Popullit   Shqiptar”,Vëllimi i Parë, Botimet  “ Toena”,Tiranë,2002

Dervishi,Shaban. ”Greqia e Lashtë”, Shtëpia Botuese  “ Albapress”,Tiranë,2001

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7