Hyrje | Opinion | Xhylije Ibrahimi: Pushteti nuk është privilegj i burrave

Xhylije Ibrahimi: Pushteti nuk është privilegj i burrave

Xhylije Ibrahimi: Pushteti nuk është privilegj i burrave

Pushteti nuk është privilegj i burrave

Nga Xhylije Ibrahimi

Sa herë vjen koha e zgjedhjeve, sikur tani që jemi në prag të tyre, burrat e “mëdhenj” të politikës fillojnë e sillen sikur fëmijë të “vegjël” përpara grave, sepse janë të vetëdijshëm se pa to, nuk mund ta fitojnë garën për pushtet, që ata e duan aq shumë “për  t`i shërbyer popullit”.  E gratë, që harrojnë se si janë injoruar për kaq vite deri më tani, afrohen pa hamendje dhe vazhdojnë t`iu besojnë po atyre që pushtetin e fituar bashkërisht, e kanë mbajtur për vete, si privilegj të meshkujve.

As përfaqësimi 2:1 nuk është tregues i ndonjë respekti gjinor të këtyre “liderëve të mëdhenj” , por formulë e imponuar nga të huajt, qoftë kjo edhe si eksperiment në Kosovë, siç është bërë zakon të thuhet shpeshherë nga vendorët, kur matematika nuk u del sipas hesapit të tyre. Sikur kjo të ishte vullnet i vendorëve, pse atëherë nuk praktikohet edhe në qeverisje. Këtu, raporti gjinor shkon 9:1 ose edhe më keq.

Faji për këtë nuk është vetëm i burrave. Këtë duhet pranuar. Janë edhe do gra që nuk duan konkurrencë brenda gjinisë, sado që garën e tyre e bazojnë dhe e fitojnë në këtë terren politik. Xhelozi femërore.

Edhe tani, disa liderë politikë, burra ose gra, e kanë filluar fushatën për zgjedhjet lokale, me premtimin se do t`i japin përparësi punësimit të femrave.

Unë që i kam provuar vetë, nuk u besoj më.  Nuk kanë lënë gur e dru pa lëvizur për të më eliminuar nga një konkurs publik, për të punësuar një familjar të tyre, me më pak shkollë dhe me aspak përvojë. Sikur konkurrenti të kishte qenë grua, do të pajtohesha, por ishte burrë. Kështu i mbrojnë këta të drejtat e femrave, të cilat tani sërish i thërrasin rreth vete për t`ua lypur votat.

Nuk është qëllimi im të flas për një zhgënjim personal, por e përmenda si rast konkret, për të mos folur në stilin “më kanë treguar të tjerët”, për të zhveshur moralin e dyfishtë të këtyre liderëve. Raste të tilla, ka plot dhe dëgjon çdo ditë. Njerëzit janë të dëshpëruar me këta liderë “evropianë”, që pushtetin e popullit e shfrytëzojnë për të punësuar familjarë, miq e farefis në institucionet publike, sikur ato të ishin prona të baballarëve të tyre.

Duhet pranuar një gjë. Faji është edhe yni që u besojmë përrallave më shumë se sa asaj që shohim me sytë tanë.

Dhe, përrallëtarët kanë nisur sërish lojën e tyre, për të na vënë në gjumë, derisa të realizojnë qëllimet e tyre për një mandat tjetër.  Realiteti do të na zhgënjejë përsëri.  Më tepër neve grave, që pajtohemi me formulën se një grua nuk vlen sa një burrë, por duhet 2:1. Kjo është formulë ofenduese, nga do që e shikon. Unë jam e bindur se shumë burra të skenës politike në Kosovë, nuk vlejnë as një grua.

Por, burrat e kanë mësuar tashmë këtë lojë. Ata, sërish do t`ua lypin grave. Edhe në këtë tetor. Njëjtë do të jetë edhe në të ardhmen, derisa  gratë t`iu besojnë burrave të tillë në politikë.

(Autorja është master e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë)

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7