Hyrje | Opinion | Entela Binjaku: Si na gjeti ky 25 nëntor?!

Entela Binjaku: Si na gjeti ky 25 nëntor?!

Entela Binjaku: Si na gjeti ky 25 nëntor?!

Si na gjeti ky 25 nëntor?!

Nga Entela Binjaku

Prej disa vitesh Shqipëria i është bashkuar fushatës 16 ditore  kundër dhunës me bazë gjinore. Megjithëse gjatë kësaj kohe në çdo 25 nëntor që shënon dhe fillimin e fushatës,  aktorët kryesorë politikë zotohen për dhënien fund të kësaj dukurie, apo për ardhjen në ndihmë të integrimit të të mbijetuarave, sërish shifrat tradhtojnë çdo zotim. Konkretisht, vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2017,  u bënë mbi 3400 denoncime për dhunë në familje dhe u regjistruan 1940 kërkesa për urdhër mbrojtje. Për fat të keq, 12 qytetarë , 8 prej të cilave gra, bashkëshorte, nëna, humbën jetën. Rastet e grave të dëmtuara nga dhuna në familje dhe kërkesat për urdhër mbrojtje nga ana e tyre janë shtuar nga viti në vit duke treguar se përjekjet që qëndrojnë pas zotimeve, janë të pamjaftueshme. Në këto përpjekje nuk gjenden vetëm institucionet politike, por përfshihen edhe aktorë të edukimit siç janë shkollat. Por edhe pse në shkolla gjatë këtyre ditëve organizohen aktivitete ndërgjegjësuese, duke edukuar fëmijët për të mos pranuar dhunën në shtëpi, sërish kur ata fëmijë kthehen në familje, mjaft prej tyre jetojnë situata konflikti, ose dhune, psikologjike, emocionale, ekonomike apo fizike. Më shumë sesa një mësues në shkollë, atyre ju nevojitet një shembull i mirë në shtëpi.

Edhe pse në media gjatë këtyre ditëve përcillen mesazhe që flasin për shoqërinë pa dhunë, sërish programet mediatike që shkojnë në shërbim të dashurisë për njeriun, optimizimin për jetën, solidaritetin me njeriun në vështirësi, janë të pamjaftueshme dhe mbizotërohen nga një aktualitet që hyn dhunshëm në shtëpitë e qytetarëve. Dhuna verbale e shoqëruar me pamje si dhe ngjarjet e aktualitetit kanë bërë që njerëzit të mësohen me to, a thua se janë të vetmet që ekzistojnë në këtë shoqëri.

Dhuna me bazë gjinore nuk mund të trajtohet e veçuar nga shoqëria e varfër në të cilën ndodh. Varfëria nënkupton privim nga shumë mundësi që do të mund të kishin ndryshuar cilësinë e të jetuarit duke rritur prirjen e individëëve për më shumë kënaqësi nga jeta. Por në një shoqëri të varfëri nuk mund të anashkalohen edhe modelet e trashëguara që përplasen me modelet e sjelljes që kërkon një kohë e re. Të tilla përplasje degradojnë shpesh në dhunë ose krijojnë një atmosferë mungese komunikimi të vazhdueshme. Përtej tyre, shoqëria ka nevojë të mësoje edhe mbi teoritë që shpjegojnë motivet se pse një njeri sillet në një mënyrë të caktuar. Teori të tilla, që për opinionin shqiptar do të duhej të përcilleshin nga specialistët e shërbimeve psiko-sociale,  kanë qenë të shumta. Ndër to më të spikaturat janë ato që mbështeteshin mbi doktrinat e personalitetit, që e shpjegojnë  sjelljen mbi bazën e impulseve të brendshme, mbi mënyrën sesi këto energji individuale të gjendura në nivelin e të pandërgjegjshmes, lëvizin dhe orientohen. Por edhe pse ky shpjegim ka kënaqur shumë mbështetës të kësaj logjike, sërish nuk ka mbetur i pakundërshtuar apo i pasfiduar nga të tjerë. Përshembull Bandura është një studiues që flet për “sistemin e të mësuarit të sjelljeve shoqërore”. Ai flet për mënyrat e reja  të sjelljes  që mund të ndërtohen përmes vëzhgimit të sjelljes së të tjerëve apo përmes përvojës së drejtëpërdrejtë me ta. Të shumta janë kërkimet që janë kryer për të gjetur ndonjë shpjegim nëse sjellja mësohet falë reagimit që lidhet me pasojat, apo efektet e kësaj sjelljeje janë të mësuara që më parë. Shumë nga këto kërkime mbështeten mbi çfarë deklarojnë verbalisht subjektet në studim, të cilëve ju kërkohet të shprehin me fjalë përvojat e jetuara dhe të përshkruajnë reagimet që përjetojnë. Në vendin tonë këto kërkime mungojnë ose nëse janë të kryera diku, nuk shihen as të botuara. Në rastet kur dikush ndalohet për dhunë të ushtruar, sesi ka arritur deri aty,  opinioni nuk arrin të mësojë, por mbetet me disa shpjegime që flasin kryesisht për rrethanat e çastit. Por sjellja e  dhunshme ka një shpjegim. Në rast se një individ denoncohet për dhunë, apo ndëshkohet sërish studiuesit mendojnë se edhe pse sjellja e tij mund të marrë një formë të duhur përmes ndëshkimit të pasojave, sërish kjo nuk mjafton. Në këtë proces të mësimit të sjelljes sipas modeleve, një vend me rëndësi zë procesi i vëmendjes. Një individ e ka të vështirë të mësojë duke vëzhguar të tjerët,  në rast se nuk është i vëmendshëm ndaj atij procesi. Prandaj dhe një nga përbërësit më të rëndësishëm në të mësuarit përmes shembujve, lidhet me vëmendjen. Po në të njëjten shkallë të rëndësisë qëndron procesi i të kujtuarit. Është e vështirë të ndikohet sjellja e një individi thjesht përmes një modeli apo shëmbulli, edhe kur është i vëmendshëm, në rast se nuk ndihmohet nga kujtesa. Në rast se modeli i mësuar apo prej të cilit vëzhgohet sjellja,  nuk shihet në praktikë, të paktën në mënyrë simbolike,  ky model duhet të mbetet në kujtesë. Pikërisht ky proces i ndikimit nga një model i krijon premisat për një sjellje të përhershme. Por një element me rëndësi në sjelljen shoqërore është riprodhimi motorik. Pra edhe nëse një individ gëzon aftësitë e mira të vëzhgimit, të vëmendjes dhe të kujtesës, ai sëpaku do të kishte mësuar një sjellje sociale të mirë në rast se do ishte në gjendje edhe ta riprodhonte në mënyrë motorike. Këto janë cfarë teoritë sugjerojnë. Duke u kthyer në shoqërinë tonë, cilat janë modelet e mira që i japin formë sjelljes sonë shoqërore? A mjaftojnë këto modele nëse nuk ndihmohen nga hallka të tjera? A jemi ne të bindur se tashmë kemi një shoqëri që është e përqëndruar në drejtim të përvetësimit të modeleve të mira apo është ende në nevoja të të mbijetuarit në kushtet e varfërisë? A kemi ne mundësi si shoqëri që tanimë të kthejmë vemendjen tonë drejt aspekteve psiko-emocionale tonat apo do të mbetemi sërish kohakatër dhe mosbesues ndaj rëndësisë që ka ana jonë psikologjike dhe emocionale?

A kemi ne mundesi të pretendojmë një vëmendje të mirë apo një kujtesë të mirë të të rinjve nëse shohim se ata lexojnë më pak, se teknologjia i ka bërë më të shpërqëndruar dhe më të vetmuar njëkohësisht? Sa e mundur është që modeli që shkolla jep, në shtëpi të vihet në praktikë, nese fëmija nuk e sheh këtë model tek prindërit, një pjesë të lodhur tashmë prej varfërisë, papunësisë së këtyre viteve apo një pjesë që në përpjekje të përditshme, kanë humbur besimin tek e ardhmja dhe shumë nga komunikimi me njeri-tjetrin?

Sa mundësi kemi ne si shoqëri që të krijojmë tek opinioni bindjen se dashuria për familjen, respekti për gjininë dhe sjellja qytetare janë vlerat tek të cilat duhet të besojmë?

Por pa dhënë përgjigje gjithë këtyre pyetjeve, është e vështirë të pretendojmë një realitet pa dhunë dhe një 25 nëntor tjetër do të na presë po njëlloj.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7