Hyrje | Opinion | Elvi Sidheri: Një Pavarësi e Dhjetëfishtë

Elvi Sidheri: Një Pavarësi e Dhjetëfishtë

Elvi Sidheri: Një Pavarësi e Dhjetëfishtë

Një Pavarësi e Dhjetëfishtë

Nga Elvi Sidheri

Të flasësh, të rrekesh ta përshkruash ndjesinë që të përfshin kur afrohet shënimi i dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është diçka e lehtë, sa edhe njëkohësisht tejet e vështirë.

Thënë kjo, sepse ky nuk është kurrësesi një “Finish”, por akoma një pikënisje e çmuar për Kosovën dhe banorët e saj, për shqiptarët në përgjithësi, dhe këdo tjetër që Kosovën e konsideron si përbërës të pandashëm të fatit të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre jo vetëm në këtë shtet ende riosh, që po vijon të çajë vendosmërisht drejt së ardhmes, me hap ndonjëherë të luhatur, por gjithnjë të orientuar nga thelbi i virtytit të paepur të qenësisë së saj të pamohueshme.

Kosova është “Dashni”, një dashni e pakushtëzuar (si edhe Pavarësia e saj), një dashni që ndihet dhe përjetohet ngaherë dyanshëm, nga shtetësia e këtij trualli të përvuajtur e të djegur për liri, sa edhe nga banorët e saj, por edhe nga kushdo tjetër që udha e ka sjellë në Kosovë qoftë edhe njëherë të vetme.

Më tej do të pasojë pashmangshëm “goditja e rrufesë së dashnisë me shikim të parë”, mes vizitorit (të huaj mirëfilltas, apo shqiptar të shtetit Amë-vëlla, apo nga çdo rajon tjetër i banuar nga shqiptarë tjetërkund)... dhe Kosovës.

Sepse e tillë është Kosova sot, ashtu siç patjetërsueshëm ka qenë faktikisht gjithnjë; një tokë mikpritëse, një hapësirë mirëkuptimi e ngrohtësie që ka ditur të shpërfaqë më të mirën e dokeve shqiptare të këtyre anëve kreshnike, qysh në agun e kohëve, atëherë kur Dardani, Iliri e Epir qenë akoma në gjenezën e kombësisë iliro-shqiptare.

Kosova është një rast “sui generis” jo vetëm për nga pavarësueshmëria e saj themeltare, por edhe për nga rëndësia e saj në caqet e epikës, sa i përket trungut etnik, kulturor e historik shqiptar, sot, dje e mot.

Sepse pa Kosovë, përtej patetizmave folklorike, gjithësesi të gëluara në një terren shtypje e zgjedhe shumëshekullore, realisht nuk do të kishim pikësëpari Shqiptarësi.

E si rrjedhojë njësore, nuk do të kishim as Shqipëri.

E këtu e kam fjalën pikërisht për Shqipërinë e dalë nga rrënojat e zymta osmane, që u ngjiz, krijua e sendërtua me vizionin e një shteti të gjymtuar nga mangësia e përdhunë e trojeve të Kosovës së flijuar në altarin e mëmëdhetarisë më të epërme.

Shqipëria s’do të kish qenë kurrë fortesë, sado e lëkundur në mosfundosjen e saj të përhershme, nëse shajnia e Kosovës së munguar nuk do të kish bashkëshoqëruar në vazhdimëse tërë fazat e ekzistencës së turbullt, të shtetit tashmë 105 vjeçar shqiptar.

Kosova ngaherë zuri vendin e saj mistik, sa edhe krejt të vërtetë, në ndërgjegjen shpirtërore të Shqipërisë shtetërore post-1912, duke e fisnikëruar dhe jetësuar pandalur Shqipërinë Amë-vëlla e motër, drejt dhjetëvjeçarëve që paskëtaj u shndërruan në shekull të ekzistencës së saj, gjithnjë në rolin e një uni të pandashëm shqiptar që ngjallej e flakërohej nga përtej Morinës, me tërë fuqinë e çiltërt të shqiptarësisë së një Kosove të shtypur, por asnjëherë të epur.

Kosova ishte dhe mbeti, pjesë e pandashme e Anteut të përbashkët shqiptar, aty ku çdo njeri i këtij gjaku, arrin të gjejë burimin e forcës dhe kombësisë së tij thelbësore.

Sot Kosova është në agun e Dhjetëvjetorit të Mëvetësisë saj, dhe njëkohësisht më pak se një vit e ndan atë nga Njëzetvjetori i Çlirimit nga pushtuesi shekullor.

Në këtë agim mëvetësie e lirie, na takon të gjithëve, veçanërisht neve shqiptarëve të Amës-vëlla e motër Shqipëri, që t’i gëzohemi mëvetësisë së pakthyeshme dhe lirisë së vyer të shqiptarëve të përtej Morinës, këtij toponimi kufitar ndërshqiptar që kurrësesi nuk do zbërthyer në kuptimin e vet thelbësor si një kufi klasik, por më tepër si një kufi atipik, mes dy shtetesh sovrane, dhe dy pjesëve të barasvlefshme, sa edhe bashkëplotësuese të të njëjtit komb e gjak.

Forcimi i mëtejshëm i shtetësisë kosovare, krah tërë veçorive që ky term nënkupton, është një interes dhe nevojitet të jetë ndër synimet madhore të Shqipërisë dhe shtetasve të saj, sot e përherë.

Një Kosovë e mirëqenë, e mbrothët, e suksesshme, e integruar dhe e sigurt, domethënë edhe një Shqipëri me të gjitha këto karakteristika kaq të çmuara.

Shqipëria dhe Kosova janë të lidhura pazgjidhshmërisht jo vetëm nga gjaku, historia dhe origjina e gjithçka tjetër madhore e përbashkët, por edhe nga një e tashme dhe e ardhme që të shpie veç në një drejtim.

E ky drejtim ka të bëjë më shumë se gjithçka tjetër, me përforcimin e shtetësisë së Kosovës, përkundër rrethanave dhe zhvillimeve rajonale e më gjerë.

Forcimi e qendrueshmëria e shtetësisë së Kosovës, përkthehet (deformim imi profesional kjo fjalë) në një mirëqenie të banorëve të saj, shqiptarë në shumicë absolute (por edhe të gjithë kombësive të tjera besnike ndaj shtetësisë së Kosovës), dhe mirëqenia dhe e ardhmja e sigurt e shqiptarëve të Kosovës, gjithaq në vetvete përkthehet në mirëqenie të trungut shqiptar në përgjithësi, përfshirë domosdo edhe Shqipërinë në këtë qethull mirëqenie gjithëshqiptare.

Çdo veçori e zhvillimit dhe betonimit të shtetësisë së Kosovës, nga integrimi i saj në BE e NATO, te rritja ekonomike, mirëqenia individuale e banorëve të saj, ruajtja e kufijve, identiteti shtetëror, përparimi sportiv, kulturor e shoqëror i shqiptarëve të Kosovës, përbën një gur të çmuar më vete, në kurorën e shqiptarësisë.

Ky është kuptimi i epërm për nga vlera dhe gjithçka fisnike që ngërthen në vetvete, i Pavarësisë së Kosovës. Ndaj këto dhjetë vite Pavarësisë, përmbajnë një vlerë të Dhjetëfishtë lirie, qëndrese, kryeneçësie, krenarie, bujarie, besëdhënie, besëlidhje, tradite, trashëgimie dhe shqiptarësie.

Është koha të kremtojmë, të mos harrojmë, të gëzojmë, të punojmë, së bashku për Kosovën.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7