Hyrje | Opinion | Frank Shkreli: Shqipëria si Rusia?

Frank Shkreli: Shqipëria si Rusia?

Frank Shkreli: Shqipëria si Rusia?

SHQIPËRIA SI RUSIA?

Nga Frank Shkreli

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit në Rusi, rezulton se 57% e rusëve mendojnë se ish-diktatori sovjetik, Jozef Stalini ishte një “udhëheqës i mençur”.  Qendra e pavarur e sondazheve, Levada thekson se kjo përqindje në favor të Stalinit – në krahasim me të kaluarën -- paraqet një mbështetje në rritje e sipër dhe në nivelin më të lartë deri tani në radhët e rusëve për ish-diktatorin sovjetik.  Thuhet se vetëm në 10-vitet e fundit, mbështetja për Stalinin ka shënuar një rritje prej 10%.  Njëkohësisht, sipas sondazhit të botuar me dje, pyetjes nëse ishin dakort me mendimin se Stalini ishte një “tiran brutal”, 62% thanë se po Stalini ishte i tillë, ndërkohë që 23 për qind u shprehën se nuk ishin dakort me këtë pikëpamje.

I pyetur për reagimin e tij ndaj rezultatit të këtij sondazhi dhe si mund të shpjegohet mbështetja në rritje e sipër për Stalinin në radhët e rusëve, Z. Jan Rachinsky, njëri prej themeluesve të Grupit Memoriali për të drejtat e viktimave të komunizimit -- i cili gjatë viteve ka dokumentuar spastrimet dhe krimet e komunizmit në Rusi – tha se kjo në të vërtetë pasqyron kontradiktat e politikës qeveritare të Kremlinit mbi Stalinin dhe trashëgiminë e tij.  Ai citohet të ketë thenë se, “Nga një anë, autoritetet qeveritare (ruse) kujtojnë viktimat e shtypjeve dhe krimet e komunizmit, por nga ana tjetër i ndërtojnë monumente Stalinit”, u shpreh ai për median.  Një tjetër aktivist dhe ish-kryetar i këtij grupi të respektuar, Arseny Roginsky, i cili ka ndërruar jetë dhjetorin që kaloi, citohet nga Evropa e Lirë, të ketë akuzuar autoritetet qeveritare ruse, se po përpiqeshin të shtynin dhe të izolonin kujtesën e krimeve të Stalinit, deri në, “periferitë më të largëta të ndërgjegjes.”  Është e vërtetë se vitet e fundit – sipas historianëve dhe kritikëve të Presidentit Putin – udhëheqsi aktual i Rusisë, ka ndërmarrë një fushatë për një rishikim të rolit dhe të trashëgimisë së Stalinit, me qëllim që të minimizohet roli i tij në krimet në masë, si “gabime” që janë bërë nga një udhëheqës i madh, sipas tij.

Le t’i kethehemi gjendjes aktuale në Rusi dhe në botë.  Pothuaj të gjithë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme, janë dakort se marrëdhëniet sot midis Kremlinit dhe Perëndimit, janë në nivelein më të ulët ç’prej Luftës së Ftoftë.  Kjo situatë e tensionuar, sipas tyre, rezulton si rrjedhim i okupimit rus të Krimesë së Ukrainës, mbështetjes së Kremlinit për separatistët rusë në pjesën lindore të Ukrainës, rolit rus në konfliktin e Sirisë dhe helmatisjes së një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe, muajin që kaloi.

Në të vërtetë, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, aktualisht, janë aq të këqia, sa që këshilltari veteran i Presidentit Putin, Vladislav Surkov në një artikull botuar para dy tre ditësh në revistën “Global Affairs”, shprehet se Rusia ka hequr nga shpresat e saja prej shekujsh që të integrohet në Perëndim, ndërkohë që po përgatitet për një periudhë të re izolimi gjeopolitik, duke i dhënë kështu fund, “përpjekjeve të pafrutshme (prej katër shekujsh) për t’u bërë pjesë e qytetërimit perëndimor”.   Ai shkruan se mosmarrveshjet e vitit 2014 në lidhje Ukrainën shënuan fillimin e një periudhe të re, në të cilën Rusia do të “përballet me një izolim gjeopolitik prej 100, 200 ose 300 vjetësh?”, është shprehur këshilltari i Kremlinit.  Vladimir Putini pasi qe zgjedhur president i Rusisë për here të parë në vitin 2000 pat treguar shlnja angazhimi me Perëndimin, por shumë shpejt humbi durimin dhe filloi kritikat dhe mosmarrveshjet me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, duke i akuzuar ato si armiqësore ndaj Rusisë.

Dikush ndoshta mund të pyes, po çfarë ka të bëjë kjo me Shqipërinë. E vërtetë se Shqipëria nuk është Rusia, por shihen disa paralelizma.  Edhe në Shqipëri, ashtu së në Rusi me mallin e rusëve për Stalinin, vitet e fundit është venë re një nostalgji e shprehur publikisht dhe e promovuar nga qarqe të caktuara për rolin dhe për trashëgiminë e diktatorit Enver Hoxha gjatë sundimit të regjimit të tij prej pothuaj gjysëm shekulli. Sikurë Shqipëria nuk ka halle të tjera që kërkojnë zgjighje te menjëhershme, kohët e fundit këtyre elementëve u janë hapur dyerë e dritare të televizioneve dhe gazetave shqiptare, ku këta apologjetë të regjimit enverist, madje arsyetojnë edhe ekzistencën e kampeve të përqendrimit – për gra, fëmij, pleqë e plaka -- dhe për armiqtë dhe kundërshtarët e regjimit komunist, me zëdhënës si historiani Pëllumb Xhufi.  Me miq si Profesor Xhufi, të përndjekurit e regjimit komunist nuk kanë nevojë për armiqë.  Një shembull tjetër i kësaj prirjeje për të paraqitur Enver Hoxhën dhe regjimin e tij në një dritë më pozitive ishte edhe intervista e fundit e Mustafa Nanos me një gazetë të Tiranës. Mos harroni tani, kemi të bëjmë me “ajkën” shqiptare, me opinion-bërsit dhe me historianët që shkruajnë dhe interpretojnë historinë kombëtare.  Këta po i thonë brezit të ri të shqiptarëve, të cilët fatbardhsisht nuk e kanë përjetuar atë regjim se, “kampi i Tepelenës nuk ishte aq i keq”, e kam këtë nga CIA, pretendon historiani, sikur CIA e dinte më mirë gjëndjen atje se sa ata që vuajtjen në atë kamp. Shko, pyeti ata se sa i mirë ishte kampi i Tepelenës, Z. Xhufi.

Ndërsa Mustafa Nano, shprehet për gazetën Mapo, “për zhdukjen e pronës private, me fjalë të tjera shpronësimin, për vendosjen e pronës shoqërore mbi mjetet e prodhimit, e të gjitha këto nuk të mbajnë larg asaj që ndërtoi Enver Hoxha nën shembullin e Stalinit.  Vetëm izolimi e bunkerizimi ishin shpikje të Enver Hoxhës. Të tjerat i kemi peshqesh nga Marksi e Engelsi. Literally.”  Por kjo, na këshillon Z. Nano nuk e bën Enver Hoxhën anti-evropian, sepse ai “vishej allafranga”, përkundrazi shton ai, “Regjimi i Enver Hoxhës ishte europian. Ishte antikapitalist, por jo antieuropian e antiperëndimor.  E gjithë struktura edukative e asaj kohe nuk prodhonte antieuropianë. Përkundrazi, në një formë a në një tjetër e inkurajonte simpatinë për Europën. Vetë krerët e regjimit visheshin alla frënga. Madje, bazuar te veshja e te paraqitja e jashtme, Enver Hoxha ishte udhëheqësi më alla frënga i gjithë Lindjes komuniste,” shprehet Mustafa Nano.  Nuk di, atë qeshë, a të qajë! Për më tepër, në manifestimet zyrtare, ku kanë marrë pjesë autoritetet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shfaqen edhe fotot e diktatorit, ndërsa autoritetet zyrtare heshtin.  Keni dëgjuar që ndonjë zyrtar të ketë denoncuar shfaqje të tilla?  Ndoshta këta mendojnë si Mustafa Nano, që Enver Hoxha të ketë qenë pro-perëndimor!

Ok, pasi jemi tek zyrtarët, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në një intervistë të kohëve të fundit me agjencinë e lajmeve Reuters është shprehur se, “Unë mendoj se është realiste që Shqipëria, dhe vendet e tjera të rajonit të bashkohen me BE-në në 10 vitet e ardhshme," ka thënë Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.  Shpresoj që deklarata e Ministrit të jashtëm të Shqipërisë të mos interpretohet si ajo më lartë e këshilltarit rus për një izolim të Rusisë prej 100, 200 ose 300 vjetësh. Por megjithkëtë, kjo deklaratë pasqyron një mungesë angazhimi serioz të Shqipërisë për antarësim në Bashkimin Evropian, që mund të çojë në një izolim gjeopolitik të saj dhe heret ose vonë, ta hedhë atë në prehër të Putinit dhe të Erdoganit.

Fatkeqësisht, përball kërcënimeve të Kryeministrit të Rama se në mungesë të përshpejtimit të proceseve të integrimit të vendit nga ana e BE-së, Shqipëria ka alternativa të tjera, përfshirë Rusinë, Turqinë, Kinën e të tjera -- mundësitë, ndonëse të vonuara për një integrim të shpejt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duken gjithnjë e më të zymta.

Nuk jam i sigurt nëse shfaqjet zyrtare dhe jo-zyrtare në Shqipëri për reabilitimin e Enver Hoxhës janë politika kontradiktore të pa koordinuara, apo janë përpjekje të bashkrenduara mirë për të minimizuar krimet e regjimit enverist deri në “periferitë më të largëta të ndërgjegjes,” ashtu siç po ndodhë në Rusi me krimet e Stalinit.   Koha do ta tregojë!

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7