Hyrje | Opinion | Entela Binjaku: 'Ditët e Evropës' në Shkup

Entela Binjaku: 'Ditët e Evropës' në Shkup

Entela Binjaku: 'Ditët e Evropës' në Shkup

Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare (ISPN) organizon në Shkup “Ditët e Evropës” 2018

Nga Entela Binjaku - M.A. në Institucionet dhe Menaxhimi i Projekteve të Bashkimit Evropian

Në shumë shtete të Evropës kjo javë ka në qendër  integrimin evropian dhe në nderim të konceptit përbashkues që ky organizëm i madh përfaqëson, këto ditë njihen edhe si “Ditët e Evropës”.  Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe Politikë me qendër në Shkup të Republikës së Maqedonisë organizoi për të katërtin vit “Javën Evropiane - Ditët e Evropës”.  Në kuadër të saj  ISPN organizoi një seri aktivitetesh që kanë në qendër aspektet shumë dimensionale të integrimit.  Dita e parë e kësaj jave nisi me ndarjen e  shpërblimeve dhe mirënjohjeve për  studentët pjesëmarrës në konkursin e  eseve i njoftuar javë më parë me temë mbi Unionin Evropian. Në ditën e parë që përkonte me hapjen e një serie aktivitetesh  morën pjesë: Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, zëvendës kryeministri për çështje europiane z. Bujar Osmani dhe Prof. Dr. Ylber Sela – Drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare. Në ditën e dytë Java Evropiane vijoi me një ligjëratë  nga ambasadorja kroate Danijela Barisic mbi përvojat dhe sfidat e Kroacisë në Unionin Evropian dhe NATO. Kjo ligjëratë u mbajt në Qendrën për Informim të BE-së në Shkup.  Një ndër ditët e kësaj jave ju kushtua konferencës Ndërkombëtare Shkencore me titull “Ballkani Perendimor dhe vlerat euroatlantike - rast studimi Maqedonia“. Kjo konferencë u mbajt  ditën e hënë në  mjediset e Sekretariatit për Çështjet e Evropës (SEA).  Konferencën e hapi drejtuesi i ISPN prof.dr. Ylber Sela i cili e vlerësoi si një temë me rëndësi për shkak se sivjet pritet të hapen negociatat deri në çelje të Samitit të KE dhe të NATO-s. Në këtë konferencë mori pjesë ministri  i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i cili foli në emër të kabinetit qeverisës mbi strategjitë rajonale me synimin e arritjeve të larta në përputhje me strategjitë e Evropës Juglindore deri në vitin 2020. Ai foli për konceptet e një ekonomie të mbështetur në dije,  përkushtim, angazhim dhe u përqëndrua në mbështetjen  që qeveria po ndërmerr vecanërisht në drejtim të Ndërmarrjeve të Vogla të Mesme (SME).

Aktualisht Bullgaria është shteti që kryeson presidencën e Këshillit të Evropës. Në këtë konferencë ishte e pranishme zv.ambasadorja e Republikës së Bullgarisë në Maqedoni Daniella Budinova e cila foli për vlerat e përbashkëta që ndan kjo presidencë. Nën moton “Të bashkuar jemi më të fortë” ajo foli për angazhimin bullgar për një presidencë të mirë. Znj.Budinova tha “ne besojmë se ambiciet tona duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë”. Sa i takon zgjerimit të bashkësisë evropiane zv.ambasadorja Budinova e  cilësoi edhe një herë parimin e mbështetur mbi meritën që paraqitet edhe në raport progreset.

Në këtë konferencë mori fjalën edhe ambasadorja e Republikës së Austrisë në Maqedoni znj. Renate Kobler e cila theksoi se në korrik do të nisë presidenca austriake.  Kjo është hera e tretë që Austria merr kryesimin e kësaj presidence pas vitit 1998 dhe 2006. Ambasadorja e vendit qe pritet të marrë presidencën e Këshillit te Evropës u shpreh se Austria do të japë kontributin e saj për një presidencë të mirë. Më tej ajo përmendi edhe  kategoritë në të cilat kontribuon integrimi siç janë siguria, stabiliteti, konkurueshmëria, duke cituar edhe sloganin e përzgjedhur nga Austria për këtë presidencë: “ Për një Evropë që të mbron!”.

Në  konferencë i pranishëm ishte dhe prof. Dr. Radovan Vukadinovic nga Keshilli i Atlantikut Verior.  Ai tha se edhe herë të tjera ka qenë i ftuar por nuk ka mundur të jetë i pranishëm dhe në fjalën e tij ai foli rreth NATO-s dhe vlerave të saj. “NATO-,  tha ai,  u ndërtua mbi këto parime: paqe, siguri dhe forcë. Sipas tij të gjitha shtetet duhet të  jenë pjesë e NATO-s. Ai foli edhe për raste të veçanta si përshembull Portugalia e cila në kohën kur u pranua në NATO nuk ishte një demokraci i konsoliduar por situata me ishujt Azore e përshpejtoi këtë përfshirje. “Një Evropë më e mirë,-  tha ai,-  nuk mund të jetë pa një NATO më të mirë”.  Zv.Ministri i Mbrojtjes, Dr.Bekim Maksuti i pranishëm në panel tha në fjalën e tij se problemet e kësaj kohe do të mund të zgjidhen nëpërmjet këtyre organizimeve të mëdha siç janë NATO dhe BE. Sipas tij Evropa nuk mund te jetë e lirë pa integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I ftuar në këtë konferencë ishte dhe z. Arjan Starova nga Shqipëria  i cili foli për vlerat e NATO-s si vlera euro-atlantike. Ai nisi fjalën e tij nisur nga kontributi që NATO jep në bashkësinë evropiane. “Të gjitha këto parime qëndrojnë në themel të demokracive  evropiane,  ndaj vlerat e NATOS janë vlera europiane” u shpreh Starova. Ai foli për rëndësinë që ka edukimi i të rinjve me vlerat e NATO-s pasi ata janë që do të na udhëheqin nesër dhe disa prej dukurive negative të ditëve të sotme mund të ndikojnë negativisht tek të rinjtë sa i takon edukimit mbi NATO-n.

I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe zoti Dusan Janic nga “Forumi për Marrëdhëniet Etnike” në Serbi. Në fjalën e tij ai u shpreh se nuk ishte ekspert i çështejve të Maqedonisë por puna e tij në vitin 2001 në Suedi pranë përfaqësuesit të Maqedonisë i dha mjaft njohje mbi këtë temë. Ai gjeti disa pika të përbashkëta mes Serbisë dhe Maqedonisë sa i takon integrimit evropian. Sipas tij “të dyja shtetet tona janë mjaft të vonuara, kanë nivele të larta të korrupsionit, kanë segmente të partive të korruptuara, ndikimi rus, turk në Ballkan është i fortë, ndërkohë që Serbia ka edhe çështjen e negociatave me Kosovën. Ai pohoi se në Maqedoni situata është mjaft më e thjeshtë për shkak se ky shtet ka ngritur institucione që do ta përfundojnë punën e nisur, por në Serbi situata është më e paqartë. Sipas tij Serbija është ose në mes të diçkaje, ose në mes të asgjëje. “Nga ana tjetër  lind pyetja:  Kosova a është në drejtim të NATO-s apo në drejtim të kujt? Sipas tij integrimi në Maqedoni dhe Serbi është shumë i ngadaltë dhe nuk po mbaron. Ai tha se në këtë periudhën e fundit prej 1 vit e gjysmë ka çështje në raport-progreset qe flasin për situata dramatike si përshembull kapitulli IV –që është rendi i ligjit. Serbia tha ai është një nga 9 shtetet që financon terrorizmin. Nuk është e lehtë!  Shumë njerëz besojnë se kjo do të marrë një zgjidhje, madje në korrikun e kaluar presidenti Vucic mori nismën për dialog të brendshëm për Kosovën dhe pati shumë intelektualë që menduan se kishte ardhur koha për një marrëveshje historike, por kur ai u përpoq të mbyllte këtë dialog, ishte e vështirë të mbyllte opinionin publik rreth saj”, u shpreh ai. Sipas tij në Serbi Kosova nuk është kauzë, por është pretekst dhe kjo për dy çështje: 1. Për shkak të përdorimit politik nga forcat e interesuara për të marrë pushtetin 2. Koalicioni qeverisës nuk arriti dot të ndërtojë një opinion mbështetës në drejtim të mbi marrëdhënieve me Brukselin.  “Atëherë,  tha ai.-  lind pyetja: Cila është e ardhmja jonë? A është Evropa apo është status-quoja”? Sipas z. Janic “opinioni publik në Serbi nuk është gati për një rrugë drejt BE-së”.

Në fjalën e saj znj. Ljubica Pendarovska nga Qendra “Marshall” në Maqedoni u shpreh se kur “ke mbjellë një lule, ke mbjellë një jetë” dhe rruga e Maqedonisë është Evropa dhe asnjë alternativë tjetër nuk shtrohet përveç kësaj. Sipas saj ky është një proces që vijon por ajo që nevojitet është një qasje e ndershme ndaj këtij procesi. Sipas znj. Pendarovska  raportet e fundit të BE flasin për një ndërgjegjësim të politikanëve të Maqedonisë mbi rëndësinë e reformave por njëherëzi ju kujton atyre se ka ende punë për tu bërë.  Në mbrëmjen e së hënës aktivitetet në kuadër të Ditëve të Evropës  u vijua me një ceremoni vlerësimesh me mirënjohje për disa nga figurat që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të kulturës, shkencës dhe politikës. Me rastin e  Ditës së Evropës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut në të cilin ndodhemi në këtë edicion të katërt të Javës Evropiane që po organizohet në Shkupin e vjetër,  Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare  në bashkëpunim me Komunën e Çairit akordoi mirënjohjen për 7 personalitete. I pranishëm në këtë takim në marrje të vlerësimit Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi u shpreh i gëzuar dhe i nderuar për këtë respekt dhe shprehu angazhimin e tij në të mirë të zhvillimit të kulturës dhe të vendit. Të tjera vlerësime ju akorduan  Institutit Shqiptar në Zvicër, z. Albert Ramaj; Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, z. Dorian Koci; Drejtores së Qëndres Informative për Kulturë znj. Sermine Purrini; Drejtorit te ITSHKSH- se z.Skender Asani si dhe dy studiesve Prof. Nuri Bexhetit dhe Prof. Izer Maksutit. Kjo mbrëmje nisi me një duet për flaut dhe violinë ku dy instrumentistë interpretuan pjesën e njohur këngën kushtuar Hajredin Pashës.

Dita e pestë e aktiviteteve në kuadër të “Ditëve të  Europës”, ju kushtua një promovimi libri.  Në Qendrën Informative të BE-së në Shkup u promovua libri i Dr. Arben Fetoshit “Media dhe Integrimi Europian”. Në recensionet e tyre për këtë botim folën profesorët Demush Bajrami dhe Qashif Bakiu të cilët theksuan vlerat e tij shkencore, duke e cilësuar atë një vepër të munguar dhe tejet të rëndësishme për mediet dhe komunikimin. Ndërkaq, Prof. Dr. Ylber Sela, drejtor i ISPN, duke vlerësuar librin dhe punën e autorit, tha se në procesin e Integrimit Europian mediat kanë rol të pazëvendësueshëm, si në aspektin e informimit ashtu edhe në atë të krijimit të opinionit publik. Në këtë promovim folën edhe publicisti Emin Azemi, Agron Hoti nga Ministria e Integrimit Europian në Prishtinë dhe Arben Veselaj në cilësinë e botuesit nga Shtëpia Botuese “Orfeu”. Këto ditë të plota aktivitetesh të larmishme përfundojnë në  datën 9 maj që përkujtohet dhe nderohet si Dita e Evropës.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7