Hyrje | Opinion | Gani Mehmetaj: Shtegtime historike - Martesa e Kastriotit

Gani Mehmetaj: Shtegtime historike - Martesa e Kastriotit

Gani Mehmetaj: Shtegtime historike - Martesa e Kastriotit

Shtegtime historike

Martesa e Gjergj Kastriotit e Donika Arianitit - martesë e shekullit

Nga Gani Mehmetaj

Ç'dasëm bëri Arianiti,

Atë natë kalaja ndriti,

Kënga dhe vallja buçiti,

Çelën llamba,ndezën pisha,

Plot tryeza me të gjitha,

Mish dashi, Labërie,

Verë Parge, Çamërie".

Pesëqind kalorës të Gjergj Kastriotit shkuan nga Kruja në Kaninë ta merrnin nusen, Donika Arianitin, vajzën e Gjergj Arianitit. Tri ditë e tri net u bë dasma në kështjellë. Dhëndri e nusja bënë ceremonitë oborrtare, sipas traditës së aristokracisë arbërore e evropiane. Ishte dasma më e lavdishme e shekullit dhe dasma më e famshme e 550 vjetëve jo vetëm në Shqipëri.

Gjergj Arianiti, një princ tjetër famëmadh arbëror, shquhej për luftën heroike kundër Perandorisë osmane. Martesa e Gjergj Kastriotit e Donika Arianitit, simbolizonte bashkimin e princave arbëror, bashkimin e jugut me veriut, bashkimin e dy feve të arbërorëve: katolicizmit e ortodoksinë.

Sipas kronikave të kohës ceremonia u bë me 1451 nga Peshkopi i Kaninës Feniks, në prani të princave shqiptarë dhe të ambasadorëve të Napulit, Venedikut e Raguzës. Kështjellën e Kaninës, njërën ndër kështjellat më interesante për vizitorë, vlonjatët mund ta bëjnë qendër të shtegtimit patriotik, pikë të vizitave të turistëve shqiptarë e të huaj. Pse u vonuan, nuk e kuptoj.

Arbëreshët me shtegtimin e fund prillit e ringjallën kujtimin për dasmën më të njohur, duke na e sjellë nga Kalabria Gjergj Kastriotin me përkrenare e Donika Kastriotin me velin e nusërisë. Ishte një improvizim që ngjallë emocione, ta ngacmonte kujtesën e fjetur, ta ri zgjon historinë. Kujtesa historike me këngët e me gojëdhënat e bënë  kështjellën e tërë krahinën zonë turistike. Pse të mos e bëjnë traditë kurorëzimin e martesave në Kështjellën e Kaninës jo vetëm nga krahina e Vlorës e Labërisë, por edhe nga e tërë Shqipëria e territoret shqiptare.

Sivjet është 550 vjetori i heroit tonë më të madh, është  koha kur kombëtaren e të dobishmen mund t'i bëjmë bashkë, ta popullarizojmë historinë tonë, të ftojmë vizitorët që të ngjitën shpatit e rrugicave të Kaninës, të shtruara rishtas me zhavorr, ndërsa pritet të shtrohet me asfalt. Kështjella e Kaninës nuk është larg nga qendra e qytetit të Vlorës.

Sipas kronikës së kohës pesëqind kalorësit shkuan me nusen e dhëndrin në Manastirin e Ardenicës, ku u kurorëzua mbreti e mbretëresha e ardhshme. Pra, qendër tjetër shtegtimi (pelegrinazhi) kombëtar mund të bëhej Manastir i Ardenicës. Në kujtim të kurorëzimit të famshëm, pse të mos kurorëzohen të rinjtë edhe sot në kishën, ku u martuan Gjergj Kastrioti e Donika Arianiti? I pari i arbërorëve katolikë e ortodoksë u martua sipas riteve ortodokse, duke respektuar gruan e mbretëreshën e ardhshme, sepse Donika i takonte ritit bizantinë. Fare pak vihet në pah që manastiri i Ardenicës shquhet për këtë fakt historik, ku morën pjesë princat shqiptarë, ambasadorët e Napulit, Venedikut e Raguzës.

Kisha atë ditë fundprilli të shtegtimit të arbëreshëve ishte e mbyllur. Na thanë se rri e mbyllur edhe ditëve tjera. Sikur ta kishin shtetet e tjera, do ta rinovonin, duke ia rikthyer shkëlqimin e lavdinë, do ta vënin në të gjitha hartat botërore të turizmit elitarë.

Gjergj Kastrioti e Donika Kastrioti u kurorëzua edhe në Kishën e Vaut të Dejës, sipas ritit katolik, ku po ashtu sot në shenj kujtimi historik, do të kurorëzoheshin të rinjtë besimtarë e jo besimtarë.  Mirëpo komunistë e shkatërruan me dinamit në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës.  Njëzetë e pesë vjet pas rënies së diktaturës, shqiptarët vajtimtarë kishin mundësi ta rindërtonin Kishën e Vaut të Dejës, kishin mundësi të  rindërtonin e rinovonin edhe së paku 25 kisha historike e jo të vajtojnë grarishte sot e kësaj dite, ndërsa Turqia angazhoi organizatën kulturocide TIKA, ndërtoi 250 xhami në zonat historike, duke e rrënuar trashëgiminë kombëtare shqiptare më keq se çdo hordhi barbare gjatë dy mijë vjetëve të fundit.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7