Hyrje | Opinion | NDUE DEDAJ: FANTAZMA E HAMZA KASTRIOTIT NË PARLAMENT

NDUE DEDAJ: FANTAZMA E HAMZA KASTRIOTIT NË PARLAMENT

NDUE DEDAJ: FANTAZMA E HAMZA KASTRIOTIT NË PARLAMENT

FANTAZMA E HAMZA KASTRIOTIT NË PARLAMENT

NGA NDUE DEDAJ

Është Viti i Skënderbeut dhe në vend që të “rikthehet” Heroi Kombëtar me të gjithë madhështinë e tij, politika po kthen tradhtarët bashkëkohës, si Hamza Kastrioti, që këto ditë është bërë protagonist i duelit politik Rama - Basha. Kryeministri e akuzoi opozitën të enjtën, më 28 qershor, në Parlament si tradhtare e interesave kombëtare, duke aluduar se ajo kishte lobuar në Bruksel e kancelaritë e tjera politike e diplomatike perëndimore kundër hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Çfarë mund të debatojmë ne me këtë opozitë, që punon ditë natë kundër vendit të vet?” u shpreh zoti Kryeministër, duke e quajtur opozitën një tufë efendilerësh dhe nxjerrë nga llumi i historisë Esad Pashën për të bërë krahasimin e tij të çalë. “Është njësoj si të debatosh pse keni rënë në prehrin e Esad Pashë Toptanit?” - iu drejtua ai deputetëve opozitarë. Më shqip nuk ka, barra e dështimit të madh shkarkohet mbi opozitën. E njëjta gjuhë dhe në kundërpërgjigjën shefit të kësaj të fundit, zotit Basha, madje duke shkuar dhe më larg në histori, te Hamza Kastrioti e duke i rreshtuar varg shëmbëlltyrat tradhtare përgjatë pesëqind vjetëve. “Tradhtari i Shqipërisë është ai që solli drogën, krimin dhe korrupsionin, që zgjodhi aleancën me krimin para hapjes së negociatave”, tha Basha për Ramën, duke shtuar se prandaj ai është Hamaza Kastriot, Haxhi Qamil e Esat Pashë, artikulim sërish përmes një krahasimi të çalë.

Sigurisht që as ata vetë nuk i besojnë ato që kanë thënë, por ky është silazh politik për konsum publik, shqiptarët janë mësuar me këtë gjuhë. Është e kotë që prindërit dhe mësuesit të përpiqën t’ua shpjegojnë fëmijëve se çfarë janë në të vërtetë tradhtarët e kombit. Se logjika e do se në qoftë se kemi në një anë Hamza Kastriotin, të kemi në anën tjetër Gjergj Kastriotin - Skënderbeun. Po cili nga këta është Gjergj Kastrioti ngadhnjimtar e cili i nipi tradhëtar? Edhe pse dy liderët politikë të pozitës dhe opozitës janë të njëvlefshëm (vetëm rotacioni i pushtetit i ndan), është në detyrimin e kryetarit të qeverisë që ta këtë gjuhën më të matur, të mos i hakërrehet opozitës për atë që nuk u arrit, por në radhë të parë vetes, sepse ka pesë vite në krye të pushtetit, në mandatin e dytë qeverisës. Kryeministri ka rastin për t’i kërkuar falje opozitës dhe gjithë shqiptarëve që nuk u arrit një tregues i rëndësishëm i integrimit të vendit në bashkësinë europiane, pavarësisht se nuk mund të jetë e tija e gjithë përgjegjësia. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se, meqë gjuha u zgjidh, opozita të mos përdorë një tjetër “monedhë” në ligjërimin politik e publik, lidhur me këtë çeshtje apo të tjera. Gjuha agresive e forcave politike në Shqipëri është kalcifikuar në të njëjtën terminologji të skaduar, ku etiketimeve të rëndomta të zhargonit të përditshëm të tipit “kriminel”, “i korruptuar”, “hadut”, “bashkëpunëtorë me bandat e trafiqeve të drogës” e të tjerë u është shtuar kohët e fundit dhe kjo damka e tradhtarit, dhe jo vetëm për çeshtjen e negociatave. Tradhëtarë i ka quajtur pozita aktuale nënshkruesit e marrëveshjes së detit me Greqinë, në vitin 2009, Sali Berishën e ish - ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, të njëjtin diskurs po përdor edhe opozita ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, në pritje të nënshkrimit të marrëveshjes së re me Greqinë po për detin etj. Merret me mend se dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një retorikë të pastër politike, pasi po të kishte me të vërtetë tradhtarë, dihet ndëshkimi që jep për ta drejtësia dhe historia.

Por jemi në Ballkan dhe askund më shumë se në këtë rajon ngatërresat, konfliktet dhe luftërat ballkanike nuk kanë prodhuar tradhtarë të qenë e të paqenë. Një sindromë politike-ndëretnike që vazhdon dhe sot e kësaj dite ndër ballkanasit. Pala greke akuzohet se po tradhton interesat e vendit duke bërë marrëveshje me Maqedoninë për çeshtjen e emrit, aq sa ministrit jë Jashtëm Kotzias i janë bërë kohë më parë kërcënime të hapura. Me të njëjtën akuzë përballet Kryeministri Zaev për të njëjtën marrëveshje me shtetin fqinj, që nuk pranon ta nënshkruajë as Presidenti i vendit të tij. Ashtu siç ende është e freskët akuza e “Vetëvendosjes” ndaj udhëheqjes së Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes së kufijve (demarkacionit) më Malin e Zi. Psikologjia e tradhtisë është e vjetër në Europë, por në Ballkan, edhe pse është mplakur, ajo nuk ka vdekur. Pa u shtyrë në shembuj të tjerë, siç kemi pasur rast të shkruajmë dhe më parë, muranat e Ballkanit ende nuk kanë rënë. Nëse ato nuk janë më murana gjaku, për segmente të caktuara politike ato janë gjithsesi “murana” të politikës së mosbesimit e mosmirëkuptimit që nuk e ka tejkaluar vetveten.

Në rastin tonë, për të bërë tradhëti ndaj vendit tënd nuk është e nevojshme, ta kërkojmë atë vetëm në kontekstin e jashtëm, në pazaret apo flirtimet me të tjerët kundër interesave të vendit, por në mënyrën se si qeveriset ky vend në këto 28 vite kinse demokraci. Nuk ka tradhti më të madhe se sa të shkatëtrrosh votën e shqiptarëve, duke e vjedhur e manipuluar atë si s’ka më zi - se të betonizosh bregdetin, qytetet dhe lumenjtë turistikë si Valbona apo Vjosa, paçka se ndryshe nga bunkerët e Enver Hoxhës për nga forma e përmbajtja - se të ngresh në sistem korrupsionin dhe vendit t’i grabitet çdo pasuri nga pushtetarët dhe gjykatësit - se të ndryshohet ekologjia dhe habitati bujqësor - blegtoral prej lulëzimit të hashashit në çdo shpat mali - se nga keqqeverisja jote të bësh të ikin sot e nesër shqiptarët, duke u përgjysmuar popullsia e vendit etj.

Tradhtia nuk është më një nocion historik, por bashkëkohor, në këndvështrimin sa dëm i sjell Atdheut me mënyrën se si t’i e administron pushtetin që të të kanë dhënë qytetarët me anë të votës së tyre sovrane. Pastaj çdokush mund ta gjejë për vetë, apo për tjetrin, se cili “kostum” i rri për shtat, i... Gjergjit apo i Hamzait, sepse Kastriotë janë të gjithë.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7