Hyrje | Opinion | Mehmetali Rexhepi: Krishti shqiptar

Mehmetali Rexhepi: Krishti shqiptar

Mehmetali Rexhepi: Krishti shqiptar

Krishti shqiptar

Homazh për Adem Demaçin (1936-2018)

Nga Mehmetali Rexhepi

Pas një rrugëtimi e përkushtimi jetësor, të paepur për çështjen mbi çështje, atdheun e tij të pushtuar e të ndarë, për kombin e përbuzur e të shkallmuar, djaloshi Adem Demaçi kapërceu sferën e të pamundshmes, duke u përballë me policinë serbe-jugosllave, qëndrimin e pashembullt në gjykatat e Federatës Jugosllave... Ngjalli shpresën, pothuajse të vdekur, për kërkimin dhe fitimin e lirisë, me paraqitjet e Tija në burg, dhe siç e pohonte Ai, në "burgun e quajtur Kosovë".

Jetoi dhe veproi për kombin, për idenë madhore të kombit, të cilën e vuri mbi gjithçka... Kështu, me vizionin e Tij, me mënyrën e qasjes së drejtpërdrejtë dukurive shoqërore, politike, pa ekuivokë, pa ndërskamca, me një çiltërsi të paparë, të rreptë, gjithnjë ndërtuese, asnjëherë rrënuese, Baca Adem u bë një simbol i papërsëritshëm në përmasa kombëtare dhe botërore. I veçanti i durueshëm, gjithnjë u identifikua me kombin, të cilit ia fali rininë, pa kërkuar kompensime e pozita përfituese për vete, pa mburrje, por me një modesti të madhërishme i qasej halleve të popullit tij, si dhe fqinjëve. Të varfra janë fjalët për t`ia kapur e përmbledhur bëmat figurës emblematike, shkrimtarit e veprimtarit, frymëzuesit të brezave me guxim, parime e shpirtin e sakrificës të Adem Demaçit, të këtij Krishti shqiptar; të cilin klane të caktuara, të komprometuara e të korruptuara nuk ngurruan që mbi diellin e Tij të hidhnin baltën e përgojimeve... Shpirt-deti i Adem Demaçit përpiu çdo gjë që hidhej mbi të.

Pikërisht sot, më 26 korrik të këtij viti, në ora 17,40, pushoi zemra e Njeriut të sprovave të mëdha, të një figure që dikur nuk kemi guxuar t`ia shqiptonim emrin, por e kemi ëndërruar... Këtu, në shtëpinë e vet, në Prishtinë, u shua qenia fizike e quajtur Adem Demaçi ose Adem Dema, por tash e tutje vijon rrugëtimin model vepra e shumë-anshme atdhetare, letrare, politike, etike, estetike, diplomatike, filozofike dhe gjithsesi historike e Adem Demaçit. Kjo veprimtari e gjerë dhe unikale për llojin, mënyrën, rrethanat e ndërlikuara të saj, e përmbushi epokën e kapërcimeve të robërisë; epokë të cilën ditën ta shënonin veçse idealistë të përmasës së Adem Demaçit.

Përshtypjet e para të kritikave e qortimeve të Adem Demaçit, për gabimet e qëllimta a të paqëllimta për akëcilët politikanë, drejtues qeveritarë ose të  tjerë, sidomos kur duhej të merreshin vendime  me peshë për fatin e Kosovës, nuk gëlltiteshin lehtë për psikologjinë e ngushtë e të vetëmjaftueshme  të akëcilit politikanë të pasinqertë. Do të bindemi se për shumëçka koha i dha të drejtë vizioneve të aty për atyshme dhe  të përtejshme, profetike të Adem Demaçit. Andaj, deshëm a nuk deshëm, në kapërcej të dy shekujve, vulën e identitetit shqiptar ia dha pikërisht veprimtaria atdhetare dhe revolucionare e modeli të Adem Demaçit. Një identitet me filozofinë e tij, të luftës me mjete paqësore, me gjithë luhatjet e mundshme, do të përtrollitet tek trungu shqiptar dhe degët e prera të tij me kufij.

Çfarë kishte për të thënë, qoftë për mjedisin e tij kombëtar, qoftë për faktorin ndërkombëtar, Adem Demaçi e tha drejtpërsëdrejti, pa hezitime, troç. Një stil i tillë dhe një filozofi sikurse kjo, ndoshta për shumë kohë do t`i mungojë mendësisë shqiptare  me sedër hatëresh!

Në  qiellin e hapësirës shqiptare prore do të shkëlqejë si yll udhërrëfyes: Adem Demaçi!

Baca Adem:  shpirt-gjerësia Juaj, besoj se do të  na i fal mëkatet, ne vdekatarëve të gjallë!

Pushoftë i qetë trupi dhe mendja Juaj e papeshuar! Krenaria për Ty e ka mposhtur pikëllimin!

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7