Hyrje | Opinion | Meksi: Nuk e meritojmë të qeverisemi nga mëkatarët

Meksi: Nuk e meritojmë të qeverisemi nga mëkatarët

Ish-kryeministri flet mbi hapjen e dosjeve dhe pjesëmarrjen e ish-spiunëve në politikë

"Janë zhdukur dosjet e ish-spiunëve, por ekzistojnë thuajse tërësisht regjistrat me emrat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe pseudonimet e tyre". Kështu është shprehur gjatë një interviste për gazetën "Shqip", ish-kryeministri Aleksandër Meksi. Edhe pse kanë kaluar disa vite që nga koha kur ai ishte Kryeministër, Meksi thekson se e ka memorien e fortë duke u shprehur se "Unë për fatin e keq të shumë prej atyre e di mirë se cilët janë. Qoftë postet që kanë pasur në strukturat e dhunës, qoftë shërbimet që u kanë kryer këtyre strukturave të dhunës. Shoh shumë prej atyre që dalin dhe japin intervista, mundohen të "kthjellojnë" publikun, i mëshojnë shkatërrimit të dosjeve etj., nuk ka turp dhe mjerim më të madh". Ish-shefi i qeverisë së viteve ‘92-‘97 vazhdon të pozicionohet pro hapjes së dosjeve të Shërbimit Sekret në kohën e diktaturës, duke theksuar se Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë të qeverisen nga mëkatarët dhe menaxherët e tyre. "Me dru të shtrembër nuk mund të bëhet një ndërtesë e qëndrueshme dhe e rregullt", shprehet Meksi gjatë intervistës së tij.

Zoti Meksi, në arenën politike është rikthyer sërish debati për hapjen e dosjeve, pas dy tentativash, njëri në vitin 1995 kur ju keni qenë Kryeministër dhe tjetri në vitin 1998. Si e shikoni këtë debat aktualisht?

Debati është një fenomen më se normal në politikën e shqiptarëve, sepse çdo gjë që duhet bërë duhet të banalizohet duke bërë sherr rreth problemit. Kjo fillon që nga mënyra e shtrimit të problemit, ndërkohë që dihet që ligjet kanë disa struktura të hartimit, që janë partitë dhe Parlamenti, por dhe që ligjet kanë kërkesa dhe modele që duhet të kihen parasysh. Ashtu si asnjëherë nuk thuhen të vërtetat, edhe vetë pyetja juaj thotë që janë bërë disa tentativa. Problemi është ngritur gjatë këtyre 17 vjetëve në mënyrë konstante dhe në mënyrë thuajse të përgjithshme dhe unë kam qenë një ndër ata që kam folur. Së pari, që në vitin ‘92-‘93, qeveria demokratike është munduar dhe ka arritur që të mënjanojë ata për të cilët ka pasur të dhëna nga postet vendimmarrëse në shtetin demokratik. Kjo është e faktuar, sepse dihen njerëzit të cilët janë hequr nga puna apo detyra. Me vitin 1997, ai ligj u reduktua, nga një ligj që prekte të tërë strukturat e hartimit dhe zbatimit të dhunës komuniste, të terrorit komunist, të diktaturës së proletariatit, sepse ata rierdhën në pushtet, duke u reduktuar vetëm në hallkën e fundit të kësaj strukture, ata të cilët në shumicën e rasteve ishin rekrutuar me dhunë, dhe që nuk i takonin shtresës apo klasës së regjimit komunist. Ridalja e problemit në skenë gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur synimin për të mënjanuar nga drejtimi njerëz të cilët janë bartës të një mentalitetit negativ, të mentalitetit komunist dhe të dhunës ndaj kundërshtarëve, i kanë shërbyer dhunës deri dje dhe janë të rrezikshëm për të ndërtuar një shoqëri të re. Sepse me dru të shtrembër nuk mund të bëhet një ndërtesë e qëndrueshme dhe e rregullt. Kjo është tragjedia e shqiptarëve, në këtë çorbë flasin më shumë ata të cilët mënjanohen nga ligje të tilla sipas modelit çek, gjerman, rumun, apo bullgar, pra që janë mëkatarë, që me sa duket ose kryejnë një detyrë që kanë kryer edhe dje, ose duan të shpëtojnë lëkurën e tyre.

Problemi kësaj radhe është ndërlikuar me mënyrën urgjente sesi po kërkohet, që lë të mendohet se po bëhet për arsye politike. Që të thuash se Partia Demokratike po e bën ligjin për të larë hesape brenda saj, është absurde. Partia Demokratike nuk po e bën ligjin për të larë hesapet me të vetët. Ajo i ka mjetet për një urdhër të brendshëm që i mënjanon të gjithë ata persona që duhen likuiduar, nuk ka nevojë për ligj. Pra të kuptojmë që nuk është për këtë gjë, pastaj të tjerët nuk janë në pushtet me përjashtim të Parlamentit.

Ky është një detyrim i PD që del herë pas here, po për arsye të paqarta dhe tragjedia e vërtetë është kjo që nuk ka këmbëngulje në hartimin e një ligji që do t‘i garantonte Shqipërisë një të ardhme siç është ligji kundër hartuesve, zbatuesve dhe veglave të dhunës komuniste, të cilët kanë treguar se nuk janë të denjë për të drejtuar, janë të rrezikshëm në këtë drejtim, janë të manipulueshëm dhe janë të shantazhueshëm sot. Pra të këmbëngulësh për t‘i mbajtur në pushtet, apo edhe të heshtësh për largimin e tyre do të thotë të ndërtosh një shtet të mbështetur te njerëzit e mëkatit dhe kjo është realisht një tragjedi për kombin e shqiptarëve dhe të dalësh kundër kësaj do të thotë që shqetësohesh që mëkatarët dhe menaxherët e tyre nuk do të kenë vend në shoqërinë shqiptare për një periudhë dhe në poste të tilla që mund të jenë të dëmshme, kjo është keqardhja në këtë çështje.

Çfarë do të fitojë vendi ynë nga hapja e dosjeve duke ndjekur shembuj nga vendet e tjera si: Gjermania, Çekia, Bullgaria etj?

Mënjanimi i njerëzve që kanë mëkatuar, që kanë treguar që janë të gatshëm për të ushtruar dhunë, që nuk kanë në mendjen e tyre rregulla për të drejtat e njeriut, për respektin për jetën e njerëzve, do të thotë që t‘i shmangësh këta individë nga pushteti, sepse janë të rrezikshëm. Dhe e dyta, nëse kanë qenë vegla, këta persona janë të shantazhueshëm nga ata që janë në pushtet. D.m.th u thuhet vetëm një fjali: Rri urtë se do ta tregoj dosjen! Prandaj këto dosje duhen hapur. Se çfarë quhet hapje dosjesh, në Shqipëri, ku banorë rezidentë jemi nja tre milionë, ka nja katër milionë variante, secili ka idenë e tij me këto dy fjalë që i kupton ndryshe nga tjetri. Për mendimin tim, kjo do të thotë që njerëz të tillë nuk duhet të jenë në një kategori postesh dhe i tillë ka qenë ligji i vitit 1995 që ne e kemi aplikuar qysh në fillim si një vendim të brendshëm, sepse në fund të fundit ata që emëroheshin vareshin prej nesh. Se çfarë kuptohet a duhet bërë ajo që ti duhet të shkosh të shohësh dosjen tënde apo jo, të publikohen listat e spiunëve dhe denoncuesve, unë kam thënë në një artikull të botuar në gazetën "Shqip" disa kohë më përpara, që ekziston rreziku i konflikteve, nuk e di a mund të quhet e rrezikshme, por sido që të jetë nuk kam asnjë kundërshtim që të publikohen të gjithë emrat.

Sigurisht jo të gjithë kanë kryer aktivitete dhe fatkeqësisht kjo nuk dokumentohet, sepse një pjesë e dosjeve janë djegur dhe nuk janë djegur nga qeveria demokratike. Qeveria demokratike ka futur disa ministra të brendshëm dhe drejtues të Sigurimit në burg gjatë viteve 1994, 1995 dhe 1996 pikërisht për dhunën që i kanë kryer këtij arkivi, i cili, sipas rregulloreve të Sigurimit të Shtetit kishte dhe dokumentacion në ruajtje të përhershme. Është kryer një studim dhe mund të gjendet nëpër arkiva, ku përcaktohet për çdo vit se kush ka qenë urdhërdhënësi nga ministrat dhe drejtorët e Sigurimit dhe sa dosje janë djegur. Pastaj gjithë Tirana që është në një moshë pak madhore, e di shumë mirë që në bodrumet e Ministrisë së Brendshme punonte ajo që quhej "brumatriçe", ku ktheheshin në brumë të gjitha letrat dhe gjithë dokumentacionet komprometuese për regjimin dhe pastaj zhdukeshin. Këtë e dimë të gjithë.

Pra, ju po thoni që disa nga dosjet janë zhdukur?

Janë zhdukur dosjet, por ekzistojnë thuajse tërësisht dhe mund të ketë edhe kopje të tjera të gjitha regjistrat me emrat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe pseudonimet e tyre, d.m.th. kush i ka rekrutuar, kur i ka rekrutuar dhe çfarë detyre kanë pasur. Ashtu siç ekzistojnë të gjithë regjistrat e shkollës së Sigurimit të Shtetit, pra atje ku "fabrikoheshin" torturatorët, hetuesit, rojet e burgjeve, ata që të fusnin në burg, dhunuesit, ashtu siç ekziston e tërë organika e Sigurimit të Shtetit, e Komitetit Qendror, e qeverisë, e deputetëve, e Gjykatës së Lartë, e gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjyqeve politike speciale dhe atyre që nuk duhen futur në këtë punë.

Ju u shprehët që një pjesë e mirë e dosjeve janë djegur, ndërkohë që ekzistojnë procesverbale me pseudonimet e spiunëve. Ku ndodhen ata aktualisht, ku ruhen këto dokumente?

Ekziston mjaftueshëm gjithçka për të mënjanuar shumicën dërmuese të tyre. Regjistrat janë në arkivat e Shërbimit Informativ. Regjistrat janë të gjitha atje. Kam thënë diku që me sa mbaj mend unë, nuk e kam humbur kujtesën akoma edhe sot, kur i është dorëzuar nga Ministra e Brendshme, Shërbimit Informativ mungonin në regjistra vetëm 542 emra dhe di që 30% e tyre lexoheshin në metoda të thjeshta leximi. Në institutet e specializuara mund të lexohen edhe një pjesë e këtyre emrave të fshirë. Por nga ata 30% nuk kishte ndonjë politikan, që të jemi të qetë. Pra ata regjistra janë dhe nëse ka pasur strukturë të saktë në punë, gjatë kohës komuniste kjo ka qenë struktura e Sigurimit të Shtetit dhe ata atë punë e kanë bërë me zell për nga ligësia dhe nga bindja në nevojën e dhunimit të kundërshtarit, si primitivë dhe si mbartës të një ideologjie të huaj për shqiptarët. Dhe si të tillë, ata regjistra janë të besueshëm dhe të saktë, plus që po të hetohet anash, ka raporte dhe pak njerëz shpëtojnë nga kjo listë. Pastaj janë gjallë operativët. Nëse ka një ligj, ai mund t‘i detyrojë që të tregojnë. Ose t‘u heqin të drejtën e betimit që kanë bërë, që nuk flasin për këto punë të liga, si çdo shoqëri sekrete, siç ishte edhe Sigurimi i Shtetit.

Ç‘mendoni për draftin e përgatitur nga deputeti Biberaj dhe për zërat brenda PD-së që kundërshtojnë projektin e Biberajt dhe kërkojnë një draft të ri?

Hapësira mund të jetë e ndryshme e ligjit. Ne kemi pas bërë një ligj, atëherë dhe le të merret për model dhe të korrigjohet. Është përgatitur një ligj nga deputeti Aleksandër Biberaj, i cili është ngarkuar publikisht nga kryetari Berisha për ta përmirësuar dhe unë e kam parë se është botuar. Në vija të përgjithshme jam dakord me atë dhe më duket i mirë dhe unë sado pak, marr vesh nga këto punë. Ato të tjerat pastaj, janë lojëra spurdhjakësh, jo unë jam dakord apo s‘jam dakord. Janë apo jo dakord t‘i zgjidhin në grupin e PD-së. Sherret rregullohen brenda shtëpisë dhe jo në publik. Kur rregullohen në publik, do të thotë se kërkon të sabotosh procesin e hartimit të ligjit. Dhe këtu, secili prej nesh që rri mënjanë dhe që është spektator në këtë çorbë që po gatuhet, në këtë pseudodebat, mendon se ku e kanë hilen këta persona që bëjnë të tilla sherre, kur mund t‘i zgjidhin brenda partisë së tyre. Pastaj ligjet janë të amendueshme dhe çdo deputet ka të drejtë të bëj një ligj dhe janë të gjithë të barabartë, sikur janë ligje të grupit të deputetëve, sikundër janë ligje të një individi të veçantë.

Në fakt, aktualisht, a ka ish-sigurimsa në politikën tonë? Dhe zhurma e spiunëve po bëhet konkretisht për të gjetur spiunët, apo po shkaktohet nga spiunët?

Zhurma nuk shkaktohet nga spiunët. Ata mund të përfitojnë për të bërë mjegull, për të dalë dhe për të dhënë intervista. Unë për fatin e keq të shumë prej atyre e di mirë se cilët janë. Qoftë postet që kanë pasur në strukturat e dhunës, qoftë shërbimet që i kanë kryer këtyre strukturave të dhunës. Shoh shumë prej atyre që dalin dhe japin intervista, mundohen të "kthjellojnë" publikun, i mëshojnë shkatërrimit të dosjeve etj., nuk ka turp dhe mjerim më të madh. Nuk ka pse të shprehem me emra. Nëse Parlamenti do të kërkojë emra, dhe publiku duhet t‘i dijë le t‘i hedhë në internet dhe t‘i shohin të gjithë.

Mos është një procedurë e gabuar kjo ku të gjithë flasin për spiunët e komunizmit, por ndërkohë nuk thonë emrat e vërtetë të tyre përveç pseudonimeve. A e dëmton kjo imazhin e Kuvendit?

Kjo është një mënyrë shqiptare e trajtimit të çështjes. E rëndësishme është që të mos reduktohet kjo çështje. Në një nga shkrimet e mia "Dhuna komuniste apo dosjet", është fjala për të dënuar instrumentet dhe politikën e dhunës komuniste, të ndahemi nga terrori komunist, të ndahemi nga e kaluara komuniste, të dekomunistizohemi dhe këtë nuk mund ta bëjnë ish-komunistët. Kjo është më e rëndësishmja dhe kjo është edhe kërkesa e Këshillit të Evropës. Çështja e dosjeve është vetëm një hallkë e këtyre strukturave, që fillojnë me ata që hartojnë politikën, platforma është e Byrosë Politike, e Komitetit Qendror, e sekretarit të Komitetit Qendror, e qeverisë e Parlamentit, e oficerëve të Sigurimit dhe drejtuesve të tyre dhe pastaj e bashkëpunëtorëve sekretë të Sigurimit. Pra, të reduktosh vetëm te bashkëpunëtorët sekretë këto struktura do të thotë të mos jesh burrë, por të jesh burrecë, që t‘ia lësh fajin një kategorie në të cilën ti nuk bën pjesë që në shumicën dërmuese është e të përndjekurve ose e atyre që mendonin që në mënyrë vullnetare, por për interesat e tyre të bënin dëm në kurrizin e të tjerëve, duke thënë që nuk e dinim që bënim dëm, por e dinim që ndërtuam komunizmin, pra të rehabilitosh komunizmin dhe diktaturën e proletariatit.

Është folur shumë për hapjen e dosjeve vitet e fundit, por nuk është bërë asnjë veprim...

Çfarë quhet veprim? Unë po e përsëris që janë kontrolluar dhe janë larguar nga postet njerëz të tillë. Janë hequr nga strukturat e PD-së, nuk janë bërë deputetë, kanë bërë gjyqe ca individë dhe nuk e quani se janë bërë gjëra të tilla.

Aktualisht, a ka ish-sigurimsa të Shtetit në Kuvend?

Të ngrihet një komision siç e kërkon ligji. Ai komisioni që thotë Biberaj është shumë i rregullt. Jo kushdo qytetar i zakonshëm mund të ketë të drejtën që të kontrollojë dokumentet në arkiv. Duhet të jenë persona të cilët gjatë gjithë veprimtarisë së tyre e kanë pasur këtë të drejtë të kontrollit, pra nëpunës të lartë, për të mos thënë shumë të lartë, të shkojnë të kontrollojnë si ta vendosë ligji, vetëm duhen hequr nga puna, me ato kritere që e ka ligji apo vetëm duhen shpallur publikisht. Si ta duan le ta bëjnë, nuk kam asnjë vërejtje.

Si e gjykoni idenë se pse hapet kjo çështje kur në sferën politike diskutohet për reformën zgjedhore, apo edhe për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë?

Kjo çështje është hapur edhe para dy apo tre muajsh. U hap në mënyrë urgjente tani nga dikush që doli dhe tha që të bëhet kjo punë. Kushedi pse e tha nëse i duhej sot, apo nesër, dhe nuk i duhej dje. Madje një miku im me shaka tha: "Shyqyr që ‘Ky‘ dhe ‘Ajo‘ morën vesh që ka të persekutuar dhe ka spiunë dhe le të na bëjnë ligjin dhe të shpëtojë Shqipëria dhe këto kategori të marrin të drejtat e tyre".

Cila do të ishte formula përfundimtare që do ta çlironte politikën nga fenomeni i dosjeve?

Këta njerëz nuk duhet të jenë në politikë. As sigurimsat, as ata që hartonin dhe votonin për ligje të diktaturës së proletariatit, as ata që i shërbyen si bashkëpunëtorë sekretë, as denoncuesit (qoftë dhe në mbledhje partie) as dhe dëshmitarët e rremë. Nuk duhet të jenë deputetë, nuk duhet të jenë nëpunës të lartë, nuk duhet të jenë ministra, nuk duhet të jenë drejtorë të mëdhenj e të tjera.

G. Shqip

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7