Hyrje | Reportazh | Kukësi:Qyteti veriperëndimor ku lindin njerëz që nuk i tremben vdekjes, por që kanë shumë optimizëm për jetën.

Kukësi:Qyteti veriperëndimor ku lindin njerëz që nuk i tremben vdekjes, por që kanë shumë optimizëm për jetën.

REPORTAZH

 

Qyteti veriperëndimor ku lindin njerëz që nuk i tremben vdekjes, por që kanë shumë optimizëm për jetën. 

 

 

 

Kukësi, qyteti  me dy histori dhe me fytyrën e së ardhmes

 

 

 

Albert Zholi

Helena Halilaj

 

Kur nis e shfleton historinë e kombit shqiptar të vjen keq që Luma, krahina me shumë emër e lavdi, zë pak vend në rrjeshtat e pseudohistorianëve të djeshëm …

Luma e Zaskocit, Islam Spahisë, Hoxhë Mehmetit e Sul Elezit u bë varr i hordhive Otomane e Serbe dhe mbeti gjallë rrëzë Gjalicës e buzë Drinave, e patundur nën peshën e kohërave…

Krajl as Pashë s’i la rehat

N’këto malësi me ba konak… 

Ah, Lumëkuqja ime, prush më djeg e mall më kall’ sa herë emrin tënd ndër dej’ e përcjell, sa herë shekujt flasin për ty. Fjalët përkulen nën përflakjen e të njëjtit flamur…valë-valë kohët tua të lavdishme  derdhen me krenari në shtrojën e të njëjtit vend…

 Një natë dhe një ditë në Kukës 

Kur nata shpejtonte të mblidhte gjurmët e fundit qyteti zgjohet nën mbulesën e vesës pranverore. Duket sikur Gjalica s’donte t’a hiqte për asnjë çast plisin e bardhë. E ndërsa qyteti shtat-madh zgjohet i pari, qytetarët e tij e marrin si përkëdhelje mëngjezore lindjen e diellit…Ata mbushin rrugët fluturimthi, hapat e tyre i përpin qarkullimi kaotik në destinacione të ndryshme ku të gjithë merrnin jetë nga jetët e njëri-tjetrit. Trotuaret me mozaik të larmishëm shtrihen gjërë e gjatë nën këmbët e kalimtarëve që e duan aq shumë vendin e tyre. Herët në agim janë ata, pastruesit e qytetit dhe policët rrugorë që lajmërojnë lindjen e një dite të re. I bukur në madhështi, Kukësi, me rrugicat plot dritë e lule, me udhët e pafundme ku gumëzhijnë zërat e ëmbël fëminorë  që vërshojnë kopshteve e shkollave  si dhe të rinjtë  e të rejat në fakultetin e ri për të nxënë dije e kulturë, duket magjepës. Nën thellësitë e kaltërsive të liqenit të Fierzës fle qyteti i vjetër…Aty ku u kryqëzuan fatet e histories… qyteti i besës së Avdylit, sofra ku u shtruan këmbëkryq Azemi e Shota, Hasan Prishtina e Avni Rustemi…e vitet rrodhën…qyteti mbledh kujtimet për të rinisur lulëzimin në pllajën buzë liqenit në vitin 1962 e që do pagëzohej Kukësi i Ri. Kukësi I ri mbante të mbërthyera fort marëdhënien me vëllezrit Kosovarë gjë e cila u evidentua për vite të tëra.  

 Shkollimi i kuksianëve

Shkollimi i kuksianëve ka qenë një ëndërr e kah’hershme që nga Kolosjani i shkollës së parë shqipe më 1911 që rrezatoi dije për brezat deri tek te rinjtë e sotëm që aspirojnë universitetet më të mira të vendit e gjetkë. Në auditoret e fakultetit të ri shumë degësh, premtim i mbajtur i qeverisë Berisha takojmë pedagogun e ekonomi biznesit njëherësh dhe Kryetarin e Bashkisë së Kukësit z.Hasan Halilaj me të cilin biseduam për mbarëvajtjen e fakultetit, të ardhmen e studentëve mbështetur në preokupimin max të tyre. Ai shprehet tejet optimist për mbarvajtjen facultative të studentëve dhe aspiratat e tyre drejt zhvillimit të mëtejshëm të këtij fakulteti të sapohapur në qytetin verior.

Optimizmi i shpërthyer në fytyrat e të gjithë qytetarëve dhe kuadrove të fakultetit reflektohet edhe tek rektori Mexhit Hajdari i cili tregon për tre degët e mësim dhënies që jepen për auditorin aktualisht si ekonomi biznesi, gjuhë angleze dhe infermieri duke pretenduar për më tej në thithjen e talenteve të reja dhe nga Kosova, Mali Zi, Presheva e Maqedonia.

 Kryetari i bashkisë Hasan Halilaj

Kryetari i bashkisë Hasan Halilaj është i  kudogjendur pranë qytetarëve në nevojë së bashku me stafin drejtues të bashkisë së qytetit në zgjidhjen e halleve dhe preokupacioneve të përditshme. Zëri i Tij lidh në një idetë dhe ndryshimin progresiv të qytetit që rritet dhe zbukurohet çdo ditë në këmbët e Gjalicës. Lëmë pas qytetin e Kukësit e vazhdojmë rrugëtimin e mbushur gjithë emocion drejt rrugës së madhe, rrugës së kombit…buzë saj shtrihen fshatërat me bukuritë dhe ndërtimet e reja që tregojnë qartë dëshirën e banorëve të Kukësit dhe rrethinave për të jetuar aty. Sadisfaksioni është i papërshkrueshëm kur hidhemi mbi urën madhështore mbi lumin Luma e syri ynë tanimë ndesh në dy realitete të kundërta, në të djathtë oxhaku “ muze” që s’vjell më tym, vepër e sistemit komunist, e ndërkohë magjishmëm përshkojmë kilometrat drejt Morinës mby qylimin e shtruar autoband me katër korsi që përtyp vrullshëm brigjet…e që në të ardhmen e shpejtë do t’a bëjë qytetin verior të Kukësit më atraktiv… Kjo vepër gjigande padiskutim që është më e madhja e bërë ndonjëherë në gjithë ekzistencën e kombit shqipëtar  e që tashmë misioni i bashkimit të kombit shpirtëror dhe fizik ëhtë bërë një realitet i prekshëm…dhe kënga rapsodike derdhet furishëm anëekënd trojeve të ëmbëla arbnore:

 Kan’ shkrue shekujt n’gurë të trollit

Veç bashkimi është forca e kombit…  

 Projektet dhe planimetritë bashkohore

Një vend të veçantë zënë projektet dhe planimetritë bashkohore të zhvillimit të Kukësit duke dashur t’i japin atij konturet e një qyteti modern. Projektet konsistojnë në infrastrukturën e përmisimit të furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë, në asfaltimin dhe sistemimin e rrugëve të brendëshme si dhe prioritet i veçantë i është dhënë gjelëbrimit dhe turizmit malor.

Pamje filmike dhe shpjegmi i projekteve: 

 Pas viteve 90-të një hov cilësor ka marrë biznesi në shkëmbimin e mallrave të artikujve industrial, ushqimorë dhe kozmetikë me Kosovën dhe shtetet fqinje. Gjithandej vërehen linja prodhimi e përpunimi të materialeve ndërtimore, prodhimi e paketimi i pijeve alkolike, dyfishimi i tregëtisë së patates e bimëve medicinale, produkteve e nënprodukteve bujqësore e blektorale gjë që ka ndikuar drejtpërdjetë në rritjen dhe mirëqënien e banorëve kuksianë.  

Përmendorja

 Në sheshin para bashkisë ju flet brezave përmendorja e paqes që simbolizon mirënjohjen dhe bujarinë e pashëmbullt në historinë e qytetërimit botëror ndaj qytetarëve të Kukësit dhe ruan në memorjen e vet gjenocidin barbar sllavo-bizantin të vitit 99-të.

79 ditë dhimbje e lot, pritje e përcjellje, ankth e shpresë në kryeqytetin tashmë të botës.

Endërrat kosovare kacavireshin deri në majën e Pikëllimës e Pashtrikut për të hedhur shikimin larg, larg …atje në malet e Drenicës heroike, atje ku vallja shqip kishte nisur…atje ku jehoi kumbueshëm për liri zëri i Shotës, Azemit, Tahir Mehës e Adem Jasharit… Prisnin, prisnin padurimisht ikjen e reve të helmatisura me mllef cinik…derisa 13 qeshori i dha krahë lirisë së shumëpritur të fluturojë në qiellin plot diell të Kosovës martire.   

   Radio Kukësi

 Brinjë pallatit të kulturës ndodhet godina e radio Kukësit e cila për nga gjatësia e valëve transmetuese pasonte valët e radio Tiranës. Ajo luajti një rol shumë të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të frymës patriotike të shqiptarizmës në mbarë trevat shqiptare e diasporë nëpërmjet këngës dhe fjalës si ushqim shpirtëror që s’njohu kufij.

 Blerimi dhe artizanati

Ndalesa e rradhës është tek kopështi  mahnitës plot lule gjithçfarë ngjyrash, një oaz gjelbrues si vetë qyteti i Kukësit ku qytetari pasionant Mehmet Lezaj thyen vitet e pleqërisë nën freskinë e luleve, rritur nga duart e tij dhe shpreh gadishmërinë për të dhënë ndihmesë në shtimin e sipërfaqeve të gjelbruara që bashkëqytetarët Kuksianë të kenë sa më shumë ambjente çlodhëse.  Artizanes së Lumës që natë e ditë qëndiste qylimat dhe sixhadet më bukur se gjithë pranverat bashkë, traditë e hershme që preku kufijtë e botës dhe u përdor si një tregti eksporti që mbarte vlera etnografike e kulturore të patjetërsueshme dhe sot i duhen thurur dhe kënduar këngë si dikur pasi tradita e vjetër vazhdon akoma si tashëgimni e që modernitetet e kohës nuk e tundin përfaqësimin e saj ndërshekullor.

Njerëzit e letrave

Fjala letrare në qytetin e Kukësit nisi të përfaqësohej denjësisht shumë vite më herët si letërsi e kufizuar për shkaqrt që tashmë dihen për të zbritur deri në ditët e sotme me purje të shumta veprash zgjidhur nga vargojtë e sigurimit të partisë-shtet. Poezitë e Agim Spahiut,Bajazit Cahanit,Izet Durakut, Rexhep Shahut, Granit Zelës, dhe të paharruarës Sabajete Peposhit etj, shkrimet historike të prof.dr Shefqet Hoxhës, Azis Bulicës, Isa Halilajt, Besim Cengut, Fejzulla Gjabrit, Petrit Palushit etj, si dhe të poetit martir Havzi Nela i kryqëzuar në vtin 1988 në mesin e qytetit të Kukësit nga ish diktatura komuniste, mbeten një kontribut i vyer në thesarin e çmuar të letërsisë shqiptare.

Informacioni elektronik

Të rinjtë e qytetit të Kukësit tashmë marrin informacion të bollshëm e të rëndësishëm falë zyrës American Corner tek e cila gjejnë mjaft libra dhe foto të gjigandëve të artit botëror. Përgjegjësi i  kësaj zyre flet për autorët dhe kinematografinë amerikane ku vihet re frekuentimi gjithnjë e në rritje i studentëve duke shfrytëzuar gjithashtu shërbimin falas të internetit që dëshmon qartë se të rinjtë kuksiane e duan të renë.

TV i Kukësit

  Tv i Kukësit u ngrit si domosdoshmëri e kohës me iniciativën e z.Lutfi Meçka duke hapur kështu një dritare të re në të cilën do të pasqyroheshin evenimentet më të rëndësishme të trevave verilindore të Hasit, Tropojës, Prizrenit e gjetkë.

Kjo godinë e vogël dykatëshe u bë qendra më e fuqishme agjitativo-vizive që përçoi në sytë e botës moderne shëmbëlltyrën më ç’njerëzore të gjenocidit Millosheviçjan  kundër vëllezërve tanë Kosovarë. Dhe sot sdudiot moderne dhe programacionet e larmishme transmetojnë çdo momement informacion për qytetetarët Kuksianë dhe më tej.

 Tradita muzikore

  Krahas muzikës folklorike tradicionale të trashëguar, rreth viteve 70-të startoi veprimtarinë artistike estrada profesioniste e rrethit Kukës me pionerët e parë të këngës popullore kuksiane interpretuar nga solistët popullorë Maliq Cena, Hane Baftjari, Hekuran çurçiali, instrumentisti Sheqer Ademi si dhe artisti i merituar lodraxhiu Xhemali Toçilla. Muzikantët Hamdi Gjana e Binak Elezi, këngëtarët e talentuar të tre dekadave të fundit Nuhi Elezi, Kudusi Muçmata, Flutura Palushi etj si dhe aktorët e humorit Sokol Spahiu, Abdulla Bilali, Mus Halili, Gëzim Bilali, Qazim Velia etj. Kujtojmë  me admirim te madh korifeun e valles së rëndë lumjane Ymer Shehun, grupin e fatosave Bicaj, koreografin prej disa vitesh në pallatin e kulturës Kukës Ali Kingjin si dhe regjizorin e përkushtuar Bilbil Herenin. Rapsodët e Lumës Rexhep, Sulejman dhe Haxhi Kovaçi, Ferid Dida, Nexhmi Voka, Ymer dhe Milazim Halilaj që mbajtën gjallë kulturën folklorike epiko-lirike lumjane.

Mundja është sporti  i veçantë

 Mundja është sporti më tradicional në rrethin e Kukësit trashëguar në breza. Ekipi i Përparimit ka promovuar talente të reja në këtë sport burrëror në gjithë historinë e tij duke u vlerësuar me tituj e medalje në rang kombëtar e ndërkombëtar. Kujtojmë këtu mundësat me origjinë kuksiane Asip Omuri e Neshat Aledini, të cilët përveç titujve të shumtë si kampionë kombëtarë dhanë një kontibut të pazëvendësueshëm si tranjerë në ekipet e Tiranës dhe Dinamos. Vlerësimi e mirënjohje e veçantë në ngritjen e ekipit të Përparimit të Kukësit i përket mjeshtërit të talentuar të mundjes z.Hajredin Hoxha, i cili me përkushtim e pasion të madh si tranjer, ekipin e zemrës në mundjen e lirë e shpalli disa herë kampion kombëtar, duke i dhënë në harkun e disa dekadave kampionë  të shumtë si Nuhi Murseli, Destan Jakupi, Pjetër Marku, Lutfi, Meçka, Ibrahim Kovaçi, etj  në mundjen e lirë dhe në atë klasike Agim Mazreku, Njazi Selmani, Selim Spahija, Haxhi Beluli etj deri tek mundësi Sehit Prizreni i medaluar me çmime të ndryshme ballkanike, europiane e botërore. Gjithashtu në Kukës ka shumë terrene të tjera sportive si fusha: futbolli, basketbolli, volejbolli ku të rinjtë e qytetit janë mjaft aktivë dhe sidomos të interesuar për ndërtimin e një stadium rë ri me përmasa bashkohore.  

Lokalet me specialitete vendase

Lokalet e baret në këtë qytet janë të shumta e me pamje mjaft tërheqëse që lënë gjurmë në mëndjet e vizitorëve dhe të vetë qytetarëve për shërbimet dhe ambjentet e qeta e çlodhëse. Ato shquhen për gatimet tradicionale dhe moderne në varësi të kërkesave të klientëve si dasma e gëzime të tjera familjare.

 Pije tradicionale

Teknologjia e prodhimit të bozës është një specialiteti i hershëm që serviret gjithandej në lokalet dhe mjediset familjare kuksiane dhe ruan freskinë e traditës në cilësinë e mrekullueshme të kësaj pije, e për më tej flet specialist i mirënjohur Kujtim Pacara shpjegon: E ndërsa rrugëton në qytetin e mikpritjes një drekë tradicionale kuksiane është një arsye më tepër për t’u ndjerë i priviligjuar nën shoqërinë e miqve pranë një gote  rakie a verë vendi në sofrën e madhe e gjithmonë plot të këtij qyteti bujar.  

Gruaja kuksiane

Është folur gjithmonë për gruan, për hiret dhe butësinë e saj, për vlerat dhe nënshtrimet në një shoqëri patriarkale që e ka të vështirë të dalë nga këllëfi i frymëmarrjes burrërore. Alketa Cenaj është një rast emancipues e domëthënës i cucës lumjane. Si zv/kryetare e bashkisë ajo dikton pozicionin dhe sfidat e femrës duke shkelur mbi pirgjet e tabuve të deritanishme e për të kontribuar sukseësshëm në evolimin e mentalitetit kuksian në kushtet e reja që server koha…

Flet zv/kryetarja e bashkisë Alketa Cenaj:

Që në bankat e shkollës, në sytë e fëmijëve dhe të rinjëve e ardhmja është e kthjellët.  Janë gjimnazistët që flasin  për dëshirat dhe aspiratat e tyre në shërbim të qytetit të lindjes.

 Përcjellja

Përkrah ëndërrave të qytetarëve të Kukësit qëndron kryetari i bashkisë z.Hasan Halilaj që përcjell  gjithnjë optimizëm e shpresë tek bashkëqytetarët e tij, për një të ardhme më të begatë ngjyer në pjalmin e demokracisë. Në faqen zyrtare të bashkisë vërejmë një interesim të madh të qytetarëve që jetojnë në Kukës si dhe të emigrantëve apo dashamirësve që sugjerojnë ide të reja për ndryshimin e mëtejshëm të qytetit të shtrenjtë dhe si këmbim marrin projektet tashmë vënë në zbatim, pamjet e një realiteti ndryshe dhe gjithçka ndodh në qytetin e bukur e plot dritë të Kukësit.

Qyteti ngryset e zgjohet në vizionin e Tij…

Ai e do të ardhmen përtej të sotmes që zambaku i bardhë të shtojë petalet dita-ditës…

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

4.50
Powered by www.merbraha.com v4.7