Hyrje | Reportazh | Kadare: Ndryshimi i gjuhës shqipe, jo në dorë të diletantëve

Kadare: Ndryshimi i gjuhës shqipe, jo në dorë të diletantëve

Gjeniu i letrave shqipe komenton nga Gjermania për sfidat e shqiptarëve

Shkrimtari më i madh që kanë nxjerrë trevat shqiptare nuk ka qëndruar indiferent ndaj debatit që është hapur për standardin e gjuhës shqipe. Ismail Kadare thotë se nuk është kundër asnjë ndryshimi cilësor por kjo duhet të bëhet nga profesionistë dhe jo të lihet në dorë të diletantëve. Kadare mori pjesë në një takim me bashkëkombës në Këln të Gjermanisë ku u bë një prezantim i zgjeruar i veprës së tij. Ndër të tjera Kadare foli dhe për Kosovën dhe figurën e Nënë Terezës.
Pretenduesi për çmimin Nobel, shkrimtari i shquar me famë botërore, Ismail Kadare, ditë më parë, përkatësisht më 12 dhjetor, përmes Asociacionit Shqiptar për Kulturë dhe Integrim bashkëbisedoi me bashkatdhetarë të shumtë në Köln të Gjermanisë, me ç'rast u prezantua dhe kompleti i veprave të tij, përgatitur dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”.Në takimin i cili ishte i hapur për të gjithë të interesuarit dhe i cili u mbajt në ambientet e hotelit “Le Meridien”, një fjalë hyrëse për shkrimtarin Kadare dhe veprën e tij, në emër të organizatorit e paraqiti Luan Lapi, i cili fillimisht dha dhe një historik të shkurtër për qytetin i cili po nderohej veçmas nga prania e kësaj pene të shquar botërore

VEPRA E KADARESË - NJË THESAR I ÇMUAR I KULTURËS SHQIPTARE


(Fjala e Luan Lapit )

I nderuar zoti Kadare,
të nderuar bashkatdhetarë,

Jo për romantizëm kombëtarist, por thjesht si kuriozitet historik do të doja të them dy fjalë për qytetin e Këln-it para se të flas për serinë që po prezantojmë sot.Këln-i me mbi një milion banorë është qyteti më i madh në Nordrhein-Westtfalen dhe qyteti i tretë për kah sipërfaqja në Gjermani. Me historinë mbi 2000 vjeçare dhe me trashëgiminë kulturore dhe arkitektonike të tij, pak metra më tej është katedralja e Këln-it, e njohur në botë si Këlner Dom, qyteti i Këln-it është i njohur në botë për aktivitete me rëndësi botërore të natyrës letrare, filozofike, shkencore, politike, etj. I një rëndësie të tillë është edhe aktiviteti që organizon këto ditë kolegji ndërkombëtar Morphomata, i ftuar i të cilit është edhe mysafiri ynë. Në kohën romake Këln-i quhej fillimisht Oppidum Ubiorum, pastaj Colonia Claudia Ara Agrippinensium. Aggripa, dhëndër i Augustit, ishte një gjeneral romak me origjinë ilire. Në shekullin e XVI në Këln u botua vepra e Marin Barletit mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut.


Shtëpia botuese “Onufri” ka publikuar për shqiptarët, pra edhe për ne shqiptarët jashtë, një seri prej 20 vëllimesh të Ismail Kadaresë. Në këto 20 vëllime, botuar me një nivel tepër të lartë teknik, me nivel botëror do të thosha, përfshihet gjithë vepra e Kadaresë. Letër cilësore, lidhje të fortë, kopertina të bukura dhe luksoze, asnjë shtëpi botuese deri më tani nuk kishte hedhur në tregun shqiptar të librit një seri veprash me parametra të tillë teknik. Secili vëllim, me përjashtim të vëllimit 5 dhe 6 që përmbajnë vetëm nga një roman, “Dimrin e vetmisë së madhe” përkatësisht “Koncert në fund të stinës”, përmban më së paku 2 e shumë shpesh edhe 4-5 vepra të autorit, ndonjë herë edhe më shumë. Është hera e katërt që botohen seri të veprave të Kadaresë. Në vitin 1981, pak kohë para shpërthimit të demonstratave studentore në Kosovë në Prishtinë u botua kompleti i parë i Kadaresë me 10 vëllime. Redaktori i këtij kompleti, me sa di unë, kishte qenë dr. Ibrahim Rugova, i cili më vonë u bë udhëheqësi i lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës dhe Presidenti i parë i Kosovës, pas çlirimit të saj. Seria e dytë e veprave të Kadaresë,e parashikuar në 12 vëllime, u botua në fund të viteve `80, duke filluar nga viti 1988 në Tiranë. Në fillim të viteve `90 në Paris nga shtëpia botuese “Fayard” filloi botimi i serisë së tretë të veprave të Kadaresë, këtë herë në dy gjuhë, në frëngjisht dhe në gjuhën shqipe. “Fayard” botonte në dy gjuhë për herë të parë një autor të saj, gjë që nuk përbën një nder vetëm për shkrimtarin Kadare, por një nder për letërsinë dhe kulturën shqiptare, një nder të madh padyshim për gjuhën shqipe. Seria e katërt e veprave të Kadaresë është kjo që po paraqesim sot, e botuar nga “Onufri“ në Tiranë. Këto libra janë të shpjeguar si asnjëherë tjetër me një mekanizëm të fuqishëm, prej mbi 100 studimesh, parathëniesh, sprovash të shkruara prej autorëve tanë dhe të huaj, midis të cilëve ka edhe emra të mëdhenj të letërsisë botërore si Xhon Apdajk e deri te Zhylien Grak. Shkrimet shoqëruese janë një bibliotekë më vete, tek të cilat në lexuesit gjejmë një vizion të gjerë për letërsinë shqipe, autorët e saj si dhe raportet e letërsisë dhe kulturës sonë me letrat dhe kulturën botërore.

Dobia e lexuesit është e papërshkrueshme në këtë rast. Niset me vëllimin e parë, pra botimet e para të autorit, me të cilin hapet ky korpus dhe vazhdon e vazhdon deri te krijimet më të reja të tij. Në komplet janë përfshirë të gjitha librat e Kadaresë që janë botuar që nga viti 1958 e deri në mesin e vitit 2009, madje në të janë të përfshira edhe disa tregime, novela, poezi që nuk kanë qenë të botuara asnjëherë më parë. Po ashtu në komplet është i përfshirë edhe romani "Aksidenti", i cili deri në momentin kur ka dalë në tregun e librit shqiptar, kompleti në 20 vëllime nuk ka qenë i botuar. Përmbajta e librave krahas vlerave të rralla kulturore artistike jep përgjigje në ç´do pyetje që mund të na kalojë nëpër mend . Për lexuesit ky komplet është një thesar tepër i çmueshëm. Këto libra do t`i lexojmë jo vetëm ne, por edhe pasardhësit tanë. Është bekim për një letërsi që ka një autor të tillë. Elementi dhe dobia kryesore ne veprat është gjuha shqipe. Asnjë problem madhor i kombit tonë nuk ka qenë i ndarë nga libri shqip, thotë autori me një rast. Historikisht dihet fakti që shqiptarit i ishte ndaluar për periudha të gjata shekullore shkrimi i gjuhës. Këtë e kanë bërë osmanët 5 shekuj me radhë dhe këtë gjë të keqe pastaj e vazhduan serbët më vonë, deri te tragjedia e fundit në Kosovë, libri shqip të rrezikonte dhe ishte i rrezikuar. Shumë shqiptarë ende nuk e dinë se në familjen gjuhësore të kontinentit, gjuha shqipe, si ndër gjuhët themelore të Europës, ka hyrë në Europë më parë se vetë Shqipëria. Pra këtu kemi një privilegj shumë të rrallë. Shqiptarët, Kombi, kultura, tradita, historia, zhvillimi dhe ngërçet, te mirat dhe dramat e pësuara. Çdo pyetje që na kalon në kokë janë të pasqyruara në gradën më të lartë letrare-artistike në këtë komplet.Një vend të rëndësishëm zënë sprovat, shkrime të ndryshme, intervistat e shumta kushtuar çështjes madhore në arenën kombëtare dhe veçanërisht ndërkombëtare për Kosovën. Letrat e shumta drejtuar udhëheqësve botërorë lidhur me dramën e fundshekullit që pllakosi Kosovën martire.

FATI YNË QË KEMI NJË KADARE

Në komplet është edhe versioni i parë i romanit "Dimri i madh" me titullin "Dimri i vetmisë së madhe".

Në vëllimin e 20 botohet edhe një bisedë me "Hyllin e dritës" ku Kadare ndër të tjera flet për Gjergj Fishtën dhe gjuhën e unjisuar shqipe apo gjuhën standarde. Nën titullin "E vërteta që del nga qilarët", një dialog i Kadaresë me autorin francez të librit "Libri i zi i komunizmit", Stephane Courtois, shkrimtari shqiptar flet ndër të tjera edhe mbi marrëdhëniet e tij me Dritëro Agollin, për të cilin Kadare flet me simpati. Po në këtë vëllim është përfshirë edhe skenari "Sorkadhet e trembura", i cili bën fjalë për persekutimin e grave ruse në Shqipëri. Sipas këtij skenari së shpejti do të xhirohet një film ruso-shqiptar-francez. Çdo vëllim ka mesatarisht 500 faqe, gjithë kompleti rreth 10.000 faqe tekst. Secili roman, novele a vëllim poezish (vëllimi i shtatë) paraprihet nga një vështrim kritik-letrar, jo rrallë edhe nga dy të tilla, nga intelektuale të shquar shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, arbëreshët e Italisë dhe shkrimtarë e kritikë letrare të huaj.Ky është kompleti më i mirë i Kadaresë që është botuar ndonjëherë. Pra, siç u tha më parë, janë botuar tre komplete më parë, që janë redaktuar nga të tjerët, ndërkohë që seria e tanishme e veprave është përgatitur e redaktuar nga vetë autori i tyre. Seritë e mëhershme nuk mund të kishin gjithë këto vëllime, sepse atëherë Kadare nuk i kishte shkruar apo botuar gjysmën e veprave te tij. Kompleti i dytë të tij që u botua në vitin 1988 në Tiranë kishte dymbëdhjetë vëllime, pra jo të gjitha veprat e Kadaresë, për arsyen e thjeshtë se një pjesë e madhe e tyre janë botuar në njëzetë vitet e fundit. Kompleti i tretë, po ashtu prej 12 vëllimesh, është botuar në frëngjisht dhe në shqip në Paris nga mesi i viteve '90 e deri në vitin 2004, pra në të mungojnë një varg veprash të tij si p.sh. romani i fundit, i botuar në gjuhën gjermane në marsin e kaluar “Darka e gabuar”.
Kjo seri veprash e botuar nga "Onufri" do të shërbejë në të ardhmen si seri, prej të cilës do të bëhen përkthimet. Në fund duhet shtuar edhe kaq: botimi është luksoz, me lidhje të fortë dhe me mbështjellës.

PËR FUND


Pyetja se kush është I.Kadare e ka përgjigjen rrufe.
Kadare është shumë i madh e gjigant sa edhe krahu i shtrirë që tregon horizontin e një mali nuk e rrumbullakon dot .Kadare është letrar i madh pasi në radhë të parë ai është një kombdashës i rrallë. Atdheu dhe kombi është ushqyesi themelor i një letërsie të pashembullt. Kombi ynë shqiptar, në këtë rast, ka një fat mbi fate. Ky mbifat e ka emrin Kadare

BASHKIMI ËSHTË SHUMË I NATYRSHËM, POR DO KOHË

( nga bashkëbisedimi i Kadaresë me të pranishmit)

Shkrimtari i përmasave botërore Ismail Kadare, ishte shumë i hapur në bashkëbisedë me bashkatdhetarët. Ai fillimisht foli për veprimtarinë e tij krijuese në kushtet e diktaturës, e cila nuk ishte aspak e lehtë dhe përballej me shumë sfida. Por, nuk u hesht. Ai u ndal edhe në disa nga veprat, sidomos me “Dimri i madh” perceptimin e tij dhe ndërhyrjen e partisë, pastaj retushimet e mëvonshme e kështu me radhe. Sipas tij, i rëndësishëm ishte fakti që, romani u botua përkundër censurës.


Po, bashkëbisedimi më pastaj rrodhi më shumë nga çështje politike dhe fate shqiptarësh në këto kohëra, ku, rëndom, dominoi Kosova.Skender Haliti, njëri nga të pranishmit që u interesua dhe për “Dimri i madh“, me pas e pyeti Kadarenë edhe për kontestimin e standardit të gjuhës të arritur në vitin 1972. “Nuk janë vetëm shqiptarët që kanë probleme me gjuhën”, tha Kadare. “Edhe gjermanët para disa vitesh bën një reformim të drejtshkrimit të gjuhës së tyre. Dhe gjithë kjo nuk kaloi pa fërkime, anipse ndryshimet ishin minimale”. Rusia, tha pastaj Kadare, i ka bërë po ashtu një reformim rrënjësor gjuhës së saj, etj, etj. “Me një fjalë, u shpreh Kadare, nuk jam kundër ndonjë ndryshimi, por këtë gjë nuk duhet ta bëjnë diletantët, ata që janë pa kulturë të mirëfilltë filologjike, ata që kanë mastera e tituj shkencor false”. Në disa interesime tjera që kishin të bënin me bashkimin kombëtar, Kadare tha se mendimi që ka të bëjë me bashkimin është gjëja më e natyrshme që mund të ekzistojë. Megjithatë, tha ai, ky proces do kohë dhe nuk mund të shkojë aq shpejt sa do të dëshironim ne.

Ai tha gjithashtu se në këtë drejtim një rol të madh do të duhej të luante inteligjencia shqiptare, e cila jo çdo herë e ka bërë këtë punë si duhet. Në këtë kontekst ai foli edhe për Skënderbeun dhe tezat e Schmitt-it, të cilat i vlerësoi si jo shkencore dhe jo serioze. Sa i përket rolit të shtetit komunist në lidhje me çlirimin e Kosovës, ai tha se ky shtet nuk është interesuar fare për shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze. “Në vitin 1972, -vazhdoi Kadare-, isha për herë të parë në Kosovë dhe së bashku me Azem Shkrelin e pata shëtitur gjithë Kosovën”. Në pyetjen e Shkrelit se a ka shpresë se do të ndryshojë diçka, Kadare tha se atëbotë ai kishte qenë më optimist se sa duhej. Kurse Azemi ndërkaq ishte shprehur skeptik se do të ndryshojë diçka në të mirë të Kosovës. “Shumë vite më vonë, vazhdoi Kadare, i pata thënë Azemit se t’i kishe pasur të drejtë, kurse unë jo”. Rënia e komunizmit ishte kushti themelor për ndryshimin e gjendjes në Kosovë dhe më pas, çlirimin e saj, konkludoi Kadare. Në pyetjen se si duhet të vlerësohet figura e Nënë Terezës, Kadare tha se ajo është një figurë shumë e rëndësishme shqiptare. ”Shqipëria komuniste e refuzoi atë, -tha më tej Kadare-, kurse ndonjëri në Tiranë u përpoq të falsifikojë origjinën e saj, për të cilën ajo ishte shprehur publikisht se është shqiptare. Po ashtu edhe ish presidenti Clinton ka dëshmuar se ajo i kishte thënë atij që të bënte diçka për popullin e saj”. Gjatë bashkëbisedimit nuk u harrua as lufta e vitit 1999 dhe ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare në çlirimin e Kosovës.

“Bombardimi i Serbisë dhe vendimi për një gjë të tillë, nuk ka qenë aq i thjeshtë siç përpiqen ndonjëherë ta paraqesin shqiptarët”, u shpreh Kadare, i cili kritikoi ata zëra shqiptarësh që shprehen se kinse janë të zhgënjyer nga SHBA-ja. “Pa Amerikën nuk do të kishte liri për Kosovën”, u shpreh qartë ai.Takimi me Kadarenë, ku ishin prezentë shqiptarë nga vise të ndryshme të dominuar natyrisht nga Kosova, të cilët jetojnë dhe punojnë në qytetin e Köln-it dhe rrethinat e tij, ishte i përzemërt dhe një takim aq i dëshiruar.Në mesin pjesëmarrësve ishte edhe familja e Azem Shkrelit, gruaja dhe djali i tij, të cilët u shprehën falënderues për veprën, prezencën por edhe miqësinë dhe kujtimin e paharruar për Azem Shkrelin.
Pas bashkëbisedimit, Kadare nënshkroi librat e atyre që blenë kompletin e tij, botuar nga "Onufri".

observer

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7