Hyrje | Reportazh | Sejdi Berisha: Kreshtat që e ruajnë krenarinë

Sejdi Berisha: Kreshtat që e ruajnë krenarinë

Sejdi Berisha: Kreshtat që e ruajnë krenarinë

R i sh k r i m

NGA FSHATI TURISTIK BOGË NË RUGOVË

KRESHTAT QË E DUAN DHE E RUAJNË KRENARINË, HISTORINË, MADHËSHTINË DHE QËNDRESËN

(Nëse keni kohë e durim, lexojeni deri në fund, ose,... mos e lexoni fare!)

Nga Sejdi BERISHA

Sado që shkruan për bukuritë e natyrës dhe për madhështitë që ka vendi ynë, e në këtë rast, trembëdhjetë fshatrat e Rugovës afër Pejës, dot nuk mund të mos shkruash bile ndonjë fjalë apo ndonjë varg për rëndësinë, për pozitën dhe pamjet mahnitëse që ka kjo pjesë e vendit, e cila historikisht, ka mahnitur dhe mahnitë edhe sot njerëz të mendjes, udhëpërshkrues dhe historianë, por ka mahnitur edhe ushtritë e shumë të pushtuesve, që i kanë lakmuar këto bukuri e këto kreshta, të cilat assesi nuk e kanë duruar as këmbën as thundrën e pushtuesit. Këto bukuri dhe pasuri të rralla jo vetëm natyrore, e karakterizojnë edhe madhështinë dhe qëndresën e veçantë të banorëve të kësaj ane, që tani një numër i madh ka hyrë në kujtimet dhe historinë e kombit si atdhetarë dhe luftëtarë të dalluar, por edhe shumë të tjerë edhe si intelektualë të rrallë dhe shkencëtarë e akademikë që kanë përjetësuar, begatuar dhe zhvilluar vlerat shpirtërore, kulturore, historike dhe filozofike të kësaj ane por edhe të kombit përgjithësisht.

___________

Andaj, s’ka se si të mos ndalesh për pak çaste në madhështitë dhe begatitë e bukuritë që ka Rugova, që kanë bjeshkët e kësaj ane, shpatijet dhe kullosat, në të cilat, dorën në zemër, tani më pak dëgjohet blegërima e qengjave dhe e deleve, por më shumë zhurma e makinave dhe numri i madh i turistëve, të cilët nuk hezitojnë që këtu të kalojnë ditë pushimi nga e tërë Kosova. Posa “rrëshqasim” nga qyteti dhe i “përvishemi” Grykës së Rugovës, duke depërtuar nëpër asfaltin e gjarpëruar që shtrihet përgjatë grykës dhe shkëmbinjve e majave mahnitëse të kësaj pjese të Bjeshkëve të Nemuna, menjëherë të kaplon një ndjenjë e cila mendimin ta “përzien”, respektivisht, në të njëjtën kohë ta begaton me motivin e kësaj ane, me historinë, me madhështinë, dhe pastaj, të detyrojnë të zgjerosh mendimin apo të meditosh për Lumbardhin që me ushtimën e tij dhe me ujin e kthjellët si loti, i cili depërton nëpër “zemër” të grykës dhe të kreshtave përrallore e për t’a zbukuruar pastaj qytetin e Pejës duke kaluar për midis tij dhe për të vazhduar rrugën e mëtejmë e për t’u bashkuar me madhështinë tjetër të tokës dhe natyrës së atdheut, me Drinin e Bardhë.

Dhe, ngjitesh e rrugëton lartë e më lartë, kurse, përveç bukurive, tash të ledhaton dhe të freskon edhe flladi dhe ajri që i kanë begati të vetën, pishat dhe drunjtë e shumtë që janë histori në vete e diçka edhe më shumë. Çdo metër që kalojmë, sikur na detyron që të bëhemi gjithnjë e më kureshtar për madhështitë e kësaj ane, e këtë rast, edhe më shumë i mahnitë ata të cilët këtu kthejnë për herë të parë apo për herë të dytë. Ata, këtu në këto anë, nuk pushojnë vetëm duke qëndruar dhe duke shëtitur nëpër shpatina, male e shkrepa, por në vete krijojnë edhe një lloj kënaqësie e cila ua provokon mendjen edhe për meditime, e veçmas atyre që e kanë në qejf penën, poezinë, shkrimin, pikturën, fotografinë mbase edhe këngën, kitarën e kështu me radhë.

 

Banorët e Rugovës-beden i mbrojtjes dhe i ruajtjes së lirisë...

 

Dhe, njeriut derisa i përftojnë në mendje të gjitha këto që i theksova, saora veten e sheh në fshatin Kuqishtë, i cili fshat, përveç konfiguracionit dhe pamjes madhështore që ka, ka edhe begatinë e vetë historike, qoftë në aspektin e rrjedhave shoqërore, por edhe qoftë nga aspekti i historisë së banorëve të kësaj ane, të cilët, ata, por edhe të gjithë banorët e Rugovës, kanë qenë një beden i fortë për ta ruajtur lirinë edhe të rrafshit të Dukagjinit dhe më gjerë. Deri këtu, rruga është e “qëndisur” me asfalt, që dukshëm ka ndikuar në “rimëkëmbjen” e jetës por edhe të zhvillimit të jetës këtu. Kanë ngritur kokë shumë vendbanime me qëllime të zhvillimit të hotelerisë dhe të turizmit, por edhe të edhe të vlerave tjera, siç është skitaria dhe format e ndryshme të sporteve të bjeshkatarisë. Këtë e dëshmojnë shtëpitë e reja në këtë fshat por edhe në vendbanimin e quajtur “Te Guri i Kuq”.

Bukuri të rralla dhe mahnitëse që tregojnë madhështinë e ruajnë kufirin...

Por, ne, në të arritur në Kuqishtë, vazhdojmë rrugën në të djathtë për në fshatin Bogë, i cili fshat pothuaj se tani ka marrë pamjen e një qendre turistike me shumë kamp-shtëpiza, me objekte hoteliere e turistike, edhe pse të ndërtuara jo edhe aq shumë duke e respektuar planin urbanistik, apo perspektiven e ndërtimit të tillë me plan urbanistik i cili duhet të jetësohet me siguri në një të ardhme të afërt. Deri atje, nga fshati Kuqishtë janë mbi shtatë kilometra rrugë, e cila ka kohë që është një prej problemeve dhe pengesave për të arritur deri atje, e veçmas stinës së dimrit. Mirëpo, kësaj radhe më gëzoi e dhëna, se kjo rrugë kishte filluar të merr vlerën dhe peshën e vetë. Kishte filluar së pari të zgjerohet dhe atë me standarde bashkëkohore dhe pastaj në një të afërme të shkurtër edhe të shtrohet me asfalt shumë të pritur.

Përgjatë rrugës, respektivisht përbri rrugës hasim edhe ndërtime të reja, të cilat me vrull janë duke u kryer, dhe kështu shumë hotele mbase edhe qendra turistike, shumë shpejtë do të janë pjesë përbërëse e begatisë së kësaj ane. Dhe, ja. Arritëm në fshatin Bogë. Në të hyrë të këtij vendbanimi, kthejmë në të djathtë dhe akomodohemi në vendbanimin “Rugova-Relax”, ku në të dalë nga makina hasim pronarin e kësaj bukurie, z. Ahmet Nimani, i cili na pret me një ngrohtësi dhe afërsi të rrallë shpirtërore.

Një prej objekteve hoteliere turistike në Bogë

Posa akomodohemi, për të saten herë e shikoj dhe e “studioj” këtë vend, i cili, me tetë kamp-shtëpiza dhe më tërë infrastrukturën e rregulluar krijon një pamje jo vetëm turistike, por edhe krenarie, se ky vend ka marrë rrugë të mbarë drejtë shndërrimit në një qendër turistike e cila do t’i ngjajë e ndoshta edhe do t’ia kalojë shumë qendrave turistike në Evropë.

Është kjo një kënaqësi imja për perspektiven e vendit tim, të atdheut tim, dhe kthehem e shikoj familjen time me të cilën kisha ardhur t’i kaloj disa ditë, disa çaste kënaqësie, të cilat me siguri se nuk më do të më “lënë rehat” pa ma detyruar shkrimin e ndonjë vargu apo të ndonjë shkrimi tjetër, siç është rasti tani me këtë reportazh. E shikoj bashkëshorten time Mevlyden, e cila i ngjanë një historie të paparë, sepse, i ka rritur dhe i ka kultivuar fëmijët tanë, që tani janë krenaria jo vetëm jona. Pastaj, shikoj vajzën time, Vjollcën me tre fëmijët e saj dhe bashkëshortin, që më duken si një fortesë apo një kështjellë që gjeneron vetëm përjetësi dhe n jerëzi. Aty, është bashkëshorti i Vjollcës, Arbri, është mbesa njëmbëdhjetë vjeçe, Gresa, pastaj edhe mbesa tjetër më e vogël, Ela dhe nipi trevjeçar lazdrak e plot gjallëri e inteligjencë, Dreni. Sa shumë ma madhështojnë jetën edhe këtu në këtë pjesë të bjeshkëve të Kosovës, të Atdheut.

Dhe, ec e ndalma dikush fuqinë dhe dëshirën për të marrë frymë lirshëm dhe me krenari...

Ndërkaq, djali im, Bajrami me bashkëshorten e vetë, Albanën, të cilët, që të dytë janë ekonomistë të diplomuar, kur i shikoj si tinëz, rrita e tyre më bën mal mbi mal, dhe ec e ndalma dikush fuqinë dhe dëshirën për të marrë frymë lirshëm dhe me krenari. Bajrami, Lami, siç e quajmë ne të gjithë, e i cili mbanë emrin e gjyshit të vetë e të babait tim, që është histori e dashuri në vete në familjen tonë, gjithmonë rri si i “mbyllur” i tërhequr por mjaft i përzemërt dhe krenar. I mbyllur, më ka përngjarë mua. Sa keq. Sepse, ndoshta nuk e di, koha ma ka imponuar një natyrë të tillë, e tash edhe atij, pse?! Pothuaj se edhe bashkëshortja e tij, Albana, edhe ajo e ka një “mbyllje” të ngjashme, por është si drugëza, siç thotë populli. Është e thellë në mendime dhe në arsyen e mendjes, e të gjitha këto mua më bëjnë krenar.

Këtu pushohet me një kënaqësi të veçantë

Të gjitha këto, disi m’u grumbulluan dhe ma krijuan “folenë” e kënaqësisë shpirtërore

Për t’u kënaqur këtu për disa ditë. Harrova të them, bashkëshorti i Vjollcës, Arbri e ka në qejf turizmin, sepse, me sukses e drejton Kompleksin hotelier dhe turistik “Koha e Re” në Pejë, që ka një kapacitet prej njëmijë e dyqind ulësesh me dy restorante, me verandë atraktive me treqind ulëse dhe me picerinë atraktive me njëqind ulëse.

Por ta lëmë këtë. Të nesërmen, zgjohemi dhe pasi e “improvizojmë” një grimë mëngjes, ngjitemi në Bogë, në qendër të fshatit. Aty ulemi për të pirë kafe në restorantin e Agron Rudit, i cili aty tani e sa vite ka një kapacitet prej shtatë kap-shtëpizave, e përballë tyre qëndron hoteli i të vëllait,

Hotelet dhe kamp-shtëpizat e shpejtojnë  zhvillimin e turizmit jo vetëm në Bogë

i Ylber Rudit, i cili pothuaj se është nismëtari i zhvillimit të turizmit në këtë anë. Ky profesor i kulturës fizike, edhe para luftës në Kosovë kishte ngritur një objekt të tillë, i cili nxiti dhe joshi edhe shumë të tjerë për të ndërtuar objekte turizmi por edhe terrene skijimi në këtë fshat.

Shpresa se ky fshat do ta “humbë” emrin e vetë dhe të shndërrohet në qendër kombëtare turistike dhe ngacmimi që ma bënte rrugëtimi i kombit tim...!

Kënaqemi me këtë pamje dhe zbresim rrugës për në Pejë, me shpresën se ky fshat, me kohë do ta “humbë” emrin e vetë për t’u shndërruar në qendër të njohur turistike me karakter kombëtar e pse jo edhe ndërkombëtar. Shpresoj se edhe kështu do të jetë.

Dhe, sërish syri të kënaqet me ato bukuri, me ato ndërtime, me diellin dhe rrezet e tij. Tash edhe energjia elektrike nuk është problem bile edhe as linjet telefonike të Vala-900 dhe të IPKO-s, kështu që mund të komunikohet me botën edhe përmes internetit.

Natën e dytë të qëndrimit në “Relax-Rugova”, dëfrimit iu bashkëngjit edhe biseda për shumë gjëra me rëndësi për zhvillimin e Kosovës, por më e rëndësishmja mu duk, mbase edhe ishte biseda që zhvilluam për zhdukjen e gjakmarrjes tek ne. Nuk mund të mos e theksoj: e zhvilluam

Një pjesë e fshatit Bogë

Terrenet për rrëshqitje me ski i joshin mysafirët nga mbarë Kosova

një bisedë të gjatë, të mundimshme dhe të dhembshme, por edhe shumë të qenësishme, sepse, zhdukja dhe luftimi  i kësaj ligatine tek populli ynë do angazhim, vetëdijesim, ndërgjegjësim dhe punë të pandërprerë. Pas kësaj, ika për të fjetur, por që nuk e bëra asnjë sy gjumë, sepse, interesant, më ngacmonte rrugëtimi i kombit tim dhe fati i tij. Gjithmonë më lë kështu “fjetur” e pagjumë...!

Ski-lifti një prej objekteve të infrastrukturës më thelbësore për zhvillimin e turizmit dimëror

Tash,... ikja nga fshati Bogë ishte i tjetër natyre dhe i tjetër disponimi. Shpirti nuk më zinte rehat duke m’i “prezantuar” madhështitë e këtij vendi, historinë, bukurinë, kulturën, dhembjet e lumturitë, që besoni, në fund, para se të nisemi për në Pejë, vetë i rrumbullakova në lumturi, në bashkim të mendjes dhe të veprimit, në punë të mbarë dhe vetëm të mbarë të njeriut... Dhe,...  kështu besoj do të jetë!

Interesant, duke u kthyer për në shtëpi, mbesa ime, Gresa, që ishim së bashku, përmes telefonit ma dërgoi një foto ku shkruante: “Home,... Sweet,... Home”! Kur e hapa telefonin dhe po e shikoj dhe lexoj këtë shkrim, mbesa ime vetëm më vidhte me sy dhe buzëqeshte. E ktheva shikimin kah ajo dhe i thash:

-Është kështu?! Të pëlqen...- ajo vetëm luajti kokën plotë ngrohtësi. Merrje me mend kur njeriu nuk ka shtëpi, apo edhe i mungon atdheu... Ika nga ky mendim, sepse, për pak sa m’u rrënua kënaqësia e pushimit... Kaq!

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7