Hyrje | Reportazh | Ndue Dedaj: Në tokën e Kastriotëve

Ndue Dedaj: Në tokën e Kastriotëve

Ndue Dedaj: Në tokën e Kastriotëve

NË SHQEFËN TË MATIT, NË TOKËN E KASTRIOTËVE…

NGA NDUE DEDAJ

Kastriotët dhe Dukagjinët janë mbase më pranë se askund tjetër, sa u përket trojeve të tyre, në dy fshatra matjanë thuajse ngjitur, Shqefën e Dukagjin, që kanë në mes si një “urë” Urëxallën me pak shtëpi. Është data pesë korrik dhe ndërsa politika e madhe zihet në Parlament për çeshtjen e nxehtë të Teatrit Kombëtar, sipas dilemës hamletjane: “Të rrosh, a të mos rrosh?” (të shembet a të mos shembet?), ne ngjitemi të përpjetave të Derjanit, për në fshatin Shqefën, ku ka disa dëshmi gojëdhanore që lidhën me Gjergj Kastriotin - Skënderbeun. Deri këtu ka mbërritur asfalti, sigurisht jo gjithkund i një cilësie të mirë, pastaj rruga është më kalldrëm, si në kohën e kooperativave bujqësore, deri në lartësitë e Macukullit, nën hijën e rëndë të malit të Dejës, si një sovran i këtyre bjeshkëve që lidhën me Lurën. Në të djathtë, nëpër pllaja e gryka, shtrihen vende të tjera me histori, si Lisi i një dioqeze të vjetër sufragane dhe Shën Trinia e “Formulës së Pëgëzimit”, kalaja e Stelushit - e Skënderbeut etj. Është një peizazh tërheqës, blegtoral, por, si kudo tjerër, i braktisur. Lagjet e fshatit mbajnë emra të fisnikërisë së hershme: Kastriot, Bushat, Frangaj, Suçaj etj.

Në Shqefën/ Shtjefën kanë mbetur pak njerëz, por ata e ndiejnë historinë e tyre. Isufi, njëri nga banorët, bën me dorë andej nga rrëza e malit sipër fshatit, te Bunari, ku thuhet se është “Varri i Vojsavës”, nënës së Skënderbeut. Hamit Gjata, 66 vjeç, në oborrin e shtëpinë së tij, me nga një gotë raki përpara, siç e do zakoni, tregon se ai varr nuk ka qenë i zakonshëm. “Kanë pas shkue vazhdimisht nanat tona atje për t’u falur, se ishte “varr i mirë” dhe u bante mirë atyre”. Përndryshe, gra të virtytshme myslimane faleshin te varri i princeshës katolike! “Varreza e Marke” (Markajve), ku thonë se gjendet dhe varri i “Nanës Mbretneshë” (e quajnë ndonjëherë dhe kështu Vojësavën) është e vjetër dhe vendasit kërkojnë që aty të gërmojnë arkeologët, pasi besojnë se fshihen të dhëna me interes. Jemi në qendër të fshatit, në lagjen “Kastriot”. Asnjë nga familjet nuk e mban llagapin Kastrioti, por aty pranë është “Varri i Gjokë Kastrotit”. E kemi nga të vjetrit, thonë. Deri te këta njerëz kanë mbijetuar gojëdhanat për Skënderbeun. “Guri i Gjatë sipas tyre ka “fytyrën” e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut”. E vështrojmë dhe ne gurin monumental të fshatit dhe duam të besojmë atë që shqefanakët besojnë. Poshtë Gurit të Gjatë ështe një shpellë e madhe, ku futesh në njërën anë e del në tjetrën. Atë nuk e lidhin me ndonjë gojëdhënë skenderbegiane, por thonë se aty mund të kenë banuar njerëzit e lashtë. Në kohët e vona kooperativa strehonte aty tufat e bagëtive, se shpellat janë të freskëta në verë e të nxehta në dimër. Isufi tregon: “Erdhi njëherë Skënderbeu këtu dhe pa tufat e dhive të shëndetshme dhe msheret e djathit të mëdha sa sofra, me të cilat hangri bukë ushtria e tij e atëherë ai uroi: “Ua shtoftë Zoti blegtorinë”! Jetoni, njëri nga djemtë e Hamitit, na tregon një gojëdhënë që e kemi lexuar diku se në Urëxallë ishin Sazexhinjtë e Skënderbeut, njerëzit që i bënin muzikën kryetrimit. Djali tjetër i Hamitit quhet Agustin, si për të dëshmuar jo vetëm rrënjët katolike të këtyre njërëzve, por dhe kumbaritë e martesat e sotme me familjet e besimit katolik, siç do ta shohim dhe në vijim të këtij reportazhi. Hamiti tregon hartën e vjetër kishtare të zonës: “Këtu në Shqefën ka qenë kisha, por tash ka mbetur vetëm emri “Kishë”. Është dhe “Qafë Kisha” në mes Shlliut e Macukullit, kisha e Burgajetit etj. Të gjitha këto kisha të vjetra malesh “shihnin” nga kisha e madhe në Qafën e Shënkollit, që ka qenë ma në za se të tjerat”. Vetë emri Shqefën thuhet se fsheh një dioqezë e vjetër, atë të Stefanakës…

Dukagjini, një (ku)vend në histori

Në këtë vend ka njërin nga “ngulimet” e saj vetë historia shqiptare e mesjetës. Takohen në një tërthore Kastriotët dhe Dukagjinët. Po në këto anë është dhe vendlindja e Mbretit Zog, Burgajeti, vetëm dy-tre kodra më poshtë. Të jenë nga e njëjta “votër” matjane, edhe Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, edhe Ahmet Zogu? Dy fshatra si dy ballkone të Malit të Dejës, nga ku qyteti i Burrelit duket në pëllëmbë të dorës. Sapo të shkelësh në këto anë, njerëzit të prijnë për në Qafën e Shënkollit, ku lisat e vjetër janë të vetmit dëshmitarë të një historie  që hesht nën gërmadha dhe ca gurë gri të pasosur. “Ka qenë kisha ma e madhe në veri të Shqipnisë, ndoshta dhe në Ballkan. Këtu asht mbajt Kuvendi i Dukagjinit i vitit 1602. Kanë marrë pjesë mbi 1000 burra…” Ne kemi lexuar për këtë, duam ta besojmë dhe gjasët janë, por ka dhe një tjetër tezë, se ai Kuvend është mbajtur në Orosh të Mirditës. Gjithsesi, punë historianësh këto.

Dukagjini është fshat që kufizohet me Selitën, Zall-Gjoçajn, Macukullin, Urëxallën, Derjanin, Prellin. Ka dhe një lagje “Dukagjin” në afërsi të Shqefnit. Janë vende të bekuara nga Zoti, parajsa vetë, do të thoshte Pjetër Budi. Në hijën e manit bisedojmë me Tahir Lozhin e Aqif Kolën. Ata na rrëfejnë gjithçka për vendin e tyre, që nga pozita gjeografike e topografia e zonës: Kodrën e Dedajve, ku kanë qenë dikur 7 shtëpitë themeluese të fshatit (të shtatë fiseve: Kola, Lozhi, Bushi, Dedaj, Stafa, Neli, Muça), Kodrën e Msuçit, si dhe dy kodrat që i përkasin Macukullit: Kodrën e Vatdodaj e Kodrën e Kolajve. Kjo e fundit të kujton Kurt Kolën, njërin nga “Mandelët” i burgjeve politike shqiptare të pas Luftës II Botërore. Lart në horizont, përkundruall Selitës, shihet Maja e Dëllinjës. Toponimia është porta e parë për të trokitur në të kaluarën katolike të këtyre banorëve. Por dhe llagapet e tyre. Tahiri na tregon zgjatimin e pemës së tij gjenealogjike: Tahir - Sahit - Mustafa - Abdi - Rahman - Likë - Hasan - Musa Marku. E nuk është vetëm “arkeologjia” e fisit, por dhe e sotmja e “përzier” sa i përket besimeve. Tahiri thotë se vetë është mysliman, kurse vajzën e ka martuar me një djalë katolik e nusën e djalit e ka marrë katolike. Thotë se e ka këtë tolerancë nga tradita familjare, por dhe kujtimi i Hoxhës së Madh të Macukullit, i cili shkonte shumë mirë me katolikët. “Unë shkoj në kishë, në qoftë se është duke u dhënë meshë, dëgjoj, thjeshtë nuk bëj kryq”, thoshte ai, duke shtuar se “një Zot kemi të gjithë”.

Natyra, me plot gojën, një mrekulli, po gjendja sociale e banorëve? “Janë aq shumë gjera që i mungojnë Dukagjinit sot. Shkolla ka mbetur në 24 nxënës, kur klasa e pestë në fillim të viteve ’80 kishte deri në 42 nxënës, kujton Aqifi. “Qysh nga 90-a, thotë Tahiri, u kemi kërkuar të gjithë atyre që kanë ardhur për vota vetëm një antenë telefoni, që të flasim lirisht me tanët kudo i kemi, por nuk na e kanë sjellë. Ua japim truallin për antenën nga toka jonë private pa kokërr leku, veç ta sjellin!” Një tjetër shton: “Asht ba me ua ndal rrugën politikanëve me hy këtu, të majtë e të djathtë, se na kanë lënë mbas dore”. E, pra, ka një kthim të njerëzve nga Tirana për t’i restauruar kullat e vjetra, për turizëm. Të tregojnë kodrat që dikur kanë qenë vreshtë. Të bën përshtypje dhe “kashnjeti” i tyre, masivi më gështenjë të vjetra, ndonjëra dhe monument natyre i pashpallur. Një visar i pazakontë turistik. Nuk ka fshat më të bukur se Dukagjini, peizazhi gati ekzotik, me mullarët, livadhet, pemët plot blertësi e fruta. Pamje si në kartolina. Plot kulla të vjetra tipike. Kulla ime trekatshe asht 250-vjeçare, thotë Tahiri. Banorët e kanë në gjak bujarinë dhe mikpritjen.

Veç mungesës së rrugëve rurale, një shqetësim i madh ndihet gjithandej në zonat malore të Matit, Peshkopisë, Mirditës etj. Përditë dëgjon se në këtë apo atë lumë do të ndërtohen: një, dy, tre, katër hidrocentrale. Banorëve nuk ua vë veshin askush nga njerëzit e shtetit, kurse mediat dhe shoqëria civile nuk ngjitën gjer këtu, përpos se në Valbonë ku protestohet herë pas here. Ata e dinë se nuk do të mbetën ujërat e maleve të tyre si në legjenda, të derdhën në det pa “bereqet”, por janë kundër shfrytëzimit “pikë për pikë” të ujit, siç thonë ata. E para, jo të gjithë përrenjtë e lumenjtë të shndërrohen në tubacione e beton dhe, e dyta, të mos shterren në verë ato mbi të cilët janë ngritur hidrocentralet - ky është problemi. Ka përqindje për këtë, sa duhet zënë uji në verë e sa duhet lënë jashtë digave, por nuk zbatohet…

Largohemi nga Dukagjini i Matit duke medituar për këtë emërvend nga më “prodhimtarët” në hapësirën mbarëshqiptare, nga Kruja në Pejë: Dukagjini i Ri në Thumanë, Dukagjini i Shkodrës, Fushë - Dukagjini i Kukësit, Rrafshi i Dukagjinit në Kosovë,  janë vetëm disa nga stacionet e territoreve të pamata dukagjinase, të zotërve të Arbërit, Tanush, Pal, Nikollë dhe Lekë Dukagjini i Kanunit.

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7