Hyrje | Revista + VIP | Florian Binaj: “Sadinën... e dashuroj si ditën e parë”

Florian Binaj: “Sadinën... e dashuroj si ditën e parë”

Florian Binaj: “Sadinën... e dashuroj si ditën e parë”
Një piktor që rastësisht u bë aktor. Ana e panjohur e Florian Binaj, aktorit të dashur të humorit, që me batutat e tij mbërthen spektatorët pas ekranit të së dielës në mbrëmje. Në pritje të sezonit të ri, ai zbulon vetveten: një djalë energjik dhe shumë pasionant


Nëse mendoni se aktori Florian Binaj, aktori i trupës së Portokallisë që luan rolin e policit dhe na bën të shkrihemi së qeshuri, flet e luan me batutat orë e çast, e keni gabim. Në fakt ai është një djalë që flet shtruar, është serioz aq sa i ka hije një djali të moshës së tij, dhe mbi të gjitha ka një shpirt të pasur prej artisti. Në pritje të sezonit të ri të Portokallisë, Flori ndihet energjik si gjithmonë. Sa merret me pikturën, sa me përgatitjet për degën e re që dëshiron të studiojë, sa me mozaikun që po punon në shtëpi, në pishina, në palestër….
Por mund ta ndeshësh edhe me makinën e tij, tek zbret rrëmbimthi dhe rrëmben aparatin fotografik që mban gjithmonë me vete. Për djalin piktor, që rastësisht u bë aktor i humorit, pasionet nuk kanë fund. Fotografia është ndër pasionet e reja që e ka rrëmbyer totalisht dhe shpejt do të hapë një ekspozitë. Piktori që u bë i njohur si aktor i humorit me shfaqjen e tij para pesë vitesh në trupën e Portokallisë, i fejuar me Sadina Allën, një ndër miset më të bukura shqiptare, rrëfehet për revistën Shqip.

Florian, e ke pasur gjithmonë tentativën për të bërë humor?
Kjo është një dhunti që e kam zbuluar që në klasën e tetë. Fillova duke imituar shokët dhe shoqet e klasës. Pastaj kalova duke imituar mësuesit. Me kalimin e kohës u krijua si një repart, si një armë që unë e përdorja edhe kur kisha mosmarrëveshje me një shok ose mësues. Situatat i kaloja gjithmonë me imitime, me shaka dhe humor. Me kalimin e viteve, njeriu piqet, piqet edhe humori. Tani nuk e përdor më humorin si sulm, por si cilësi. Njerëzit që bëjnë humor janë njerëz që vërtet kanë sy dhe veshë shumë të mprehtë.

E përdor këtë dhunti për të zgjidhur situata në jetën e përditshme?
Jo, shumë njerëz mund të përdorin faktin se janë të njohur për t’i shpëtuar shumë momenteve. Normalisht tani pjesën e humorit e vë në punë vetëm në skenë, ose në punën time artistike.

Bën humor në TV, ku njihesh si polici Kolë, por je shumë i suksesshëm edhe në programin radiofonik “Rikoshetë”, në Top Albania Radio. Ku është më e vështirë të bësh humor?
Më vështirë është në TV. Në radio gjithçka mbështetet tek batuta, sepse publiku pret vetëm fjalën tënde për të qeshur, ndërsa në TV fjala është kryesore, por është edhe gjesti, lëvizja, mimika. Zakonisht tek polici, gjëja që njerëzit vdesin së qeshuri është kur unë rrëzohem, përplasem, që nuk ndiej dhembje…

E vërtetë, ke një elasticitet të jashtëzakonshëm. Njerëzit habiten si është e mundur që rrëzoheni keqas dhe ngriheni si të mos ketë ndodhur asgjë?
Kjo ka të bëjë me fëmijërinë time. Që fëmijë më pëlqente të sfidoja veten, të hidhesha nga kati i dytë, të bëja spektakle duke u rrëzuar nga shkallët, si të thuash evolimi i një fëmijërie të çmendur…(qesh)

Një piktor që bën humor! Nuk ndodh gjithmonë kjo…
Unë jam më shumë piktor sesa aktor. Piktor kam lindur, që i vogël, kur kam nisur të pikturoj. Pastaj aktor humori u bëra rastësisht, pasi “rashë tek ai grepi” që më zbuloi.

Vazhdon të pikturosh?
Në fakt nuk kam shumë kohë për këtë. Portokallia dhe radio më marrin shumë kohë, nuk më ngelet shumë kohë për t’u marrë me pikturë. Jam i angazhuar më shumë me fotografinë. Kam bërë shumë fotografi artistike të personazheve të njohur dhe të panjohur.

Si e ndien veten tek trupa e Portokallisë?
Nëse intervista do të ishte bërë në muajin mars do të thoja se kam 6 vjet tek Portokallia, pra që në fillimet e veta. Ndihem shumë komod, mirëkuptimi është çelësi i çdo gjëje, gjë e cila tek unë ekziston, po kështu tek drejtori artistik, regjisori, trupa e aktorëve, etj. Pra jemi si një familje e madhe ku askujt nuk i prishet qejfi, pasi jemi të gjithë fëmijët e Portokallisë.

Në trupën tuaj bëjnë pjesë edhe femra. Ti si mendon, humori i kujt është më i suksesshëm, i femrave apo meshkujve?
Të shohësh gjithë historinë e artit, janë meshkujt ata që e kanë bërë këtë histori. Në rastin për të cilin po flasim, pra për humorin, mendoj se kjo ka të bëjë me aftësinë dhe jo me gjininë. Ka edhe femra shumë të zonjat që mund të bëjnë mrekullira, por që deri tani nuk janë shfaqur akoma, ose kanë frikë të shfaqen…nuk e di.

florian
Mos jeni pak maskilist?
Maskilist? Jo aspak…jam shumë realist.

Njerëzit të identifikojnë me policin. Në sezonin e ri do vazhdosh të jesh polici Kolë?
Do të vazhdoj të jem polici derisa Kolën ta heqin nga detyra (qesh). Por, përveç policit do vazhdoj me atentatet bashkë me partnerin tim Gentin. Gjithashtu mund të sjell edhe ndonjë personazh të ri.

Në jetën e përditshme a të ndodh të takosh shumë personazhe si Kola?
Të them të drejtën, në jetën e përditshme, kam parë shumë policë, por do të thoja se çdo shqiptar e ka nga pak Kolë brenda, pasi ka momente kur duam t’i zgjidhim gjërat sa më shpejt, u biem shkurt dhe krijojmë situata idiote nga të cilat s’dihet se si dalim. Eshtë një anë komike që besoj se çdo kush e ka.

Si i ke marrëdhëniet me policët, meqë ti i ironizon shumë ata. Për shembull, në makinë, në trafik, të kanë inat?
Fillimet kanë qenë pak të vështira, sepse të gjithë e merrnin për ofendim, më sulmonin me gjoba, me lloj-lloj gjërash. Tani sillen më ndryshe. Kryesorja është se unë i zbatoj shumë rregullat e qarkullimit.

Sa gjoba ke marrë prej Kolës?
Në fillim prej Kolës kam marrë edhe 3 gjoba në ditë, që nuk lejohet. Ndërsa tani kam arritur në tre gjoba në vit (qesh).

Kemi mësuar se ke dëshirë të studiosh në një tjetër degë…
Po, unë realisht kam mbaruar për pikturë në Akademinë e Arteve. Por duke parë se akoma nuk ndihem i plotësuar, që akoma nuk kam një gurgullimë që më buron nga brenda, mendova se duke bërë një investim tjetër të shkollës, mund të bëj një investim më të mirë për vete. Konkurrova për Arkitekturë këtë vit por nuk arrita të marr pikët e mjaftueshme. Ministria e Arsimit nuk llogariste më asnjë koefiçent plus meqë e kam shkollë të dytë dhe, për qershinë mbi torte, hoqi dhe shtesat në mënyrë shumë të çuditshme. Këtë vit do të punoj fort që vitin tjetër (gjithmonë po ma dha truri) të rikonkurroj për Arkitekturë!

Po me Edi Ramën si i ke marrëdhëniet?
Me Edin jo se kam ndonjë marrëdhënie të afërt. Jemi takuar disa herë. Kontakti i parë kokë më kokë ka qenë shumë mirëdashës. Ai nuk ndihej aspak i diskriminuar nga imitimi që unë i bëja, përkundrazi e merrte me shumë humor, qeshte, pyeste “si ia bën, çfarë thonë njerëzit?”. Ishte kurioz të dinte se ç’thonin njerëzit për të, përmes meje.

Të adhurojnë shumë fansa, një pjesë femra. Sadina bëhet xheloze?
Edhe po të ishte Sadina në vendin tim, do të tregohesha unë xheloz. Puna ime nuk është një punë ku unë shfaq gjëra për t’u pëlqyer si gjini. Unë mendoj se publiku adhuron pjesën time në skenë. Pjesën tjetër ka kush e adhuron….

Po ju a jeni xheloz për hiret e saj femërore? Ajo është një femër shumë e bukur, ka marrë pjesë në konkurse bukurie ku është vlerësuar, shpesh merr pjesë nëpër sfilata ku duhet edhe të zhvishet….
Nuk kam pse të jem xheloz, përderisa e kam unë, kjo është e para. Pastaj e dyta është se nuk jam ndier aspak xheloz kur ajo mori pjesë tek Miss Univers Albania dhe Miss Univers që u zhvillua në Meksikë. Sepse siç m’u dhanë mua mundësitë dhe unë nuk i lashë pas dore, as ajo nuk duhej t’i linte. Sa i takon sfilatave, këtu nuk ekziston aspak një treg i mirëfilltë mode. Të gjitha modelet paguhen në mënyrën më qesharake, që edhe një bojaxhi rrugësh, merr më tepër. Sadina, pas Miss Univers nuk është angazhuar më me të tilla gjëra sepse nuk ia vlen.

Si jeni njohur me Sadinën?
Jemi njohur në Lice, unë isha në vitin e fundit për pikturë, ajo në vitin e parë. Sa e pamë njëri-tjetrin, kemi heshtur për 2-3 sekonda pa folur fare dhe në tru na ka kaluar mendimi “Ky/kjo është”. Ishte dashuri me shikim të parë. Tani jemi të fejuar por martesën e shohim ende larg.

florian
Si është të jesh një çift vip?
Si të jesh person i njohur, si i panjohur, ka të mirat dhe të këqijat e veta. Normalisht duke qenë të njohur, njerëzit të bëjnë favore, por ka edhe anën tjetër, se jo të gjithë dinë ta vlerësojnë këtë pjesë. Shpesh njerëzit mendojnë se nëse ndodhesh diku, ke ardhur për ata dhe duhet t’i argëtosh patjetër. Unë në fakt i marr me lehtësi këto gjëra… Normalisht mundohemi të shkojmë në vende që janë veç për mua dhe Sadinën dhe jo për të tjerët.

Si është ritmi yt i ditës?
Çdo mëngjes shkoj në radio, nga radio në Portokalli, pastaj në palestër, pasdite në shtëpi, ku punoj materialet, dhe pastaj në darkë ngelet shumë pak kohë, qoftë për një kafe, apo për t’u relaksuar. Sidomos kur është sezoni i Portokallisë, është një dallgë aq e madhe sa nuk gjen fund ku të përplasesh. Dhe nuk përplasesh. Thjesht dallga zvogëlohet në fund kur mbaron sezoni. Vetëm kur mbaron sezoni kupton se çfarë ke bërë dhe ku ke arritur. Thua “unë kam bërë këtë, kaq”.

E sheh veten kur transmetohesh të dielën apo je nga ata që fikin televizorin?
E shoh, madje e shoh më shumë se askush tjetër dhe nuk është se qesh shumë, pasi e shoh me sy kritik. Dhe është e çuditshme, se të dielave kur shoh veten kam më shumë emocion, sesa kur dal para publikut. Por e diela ndonjëherë më shërben edhe mua, pasi edhe unë qesh ndonjëherë me veten.

Si është të jesh artist i humorit në Shqipëri?
Tani për tani mendoj se është një privilegj. Por është edhe shumë e vështirë. Për atë stad që ka arritur Portokallia ne jemi pjekur bashkarisht me atë staf. Në fillim askush nuk e dinte se sa do të vazhdonte, askush nuk e dinte se sa do të ecte. Por që koha ka treguar se ne jemi artistët e momentit. Do të vijë koha që do dalin të rinj. Ky është ndërrimi i humorit, ndërrimi i brezave, ndërrimi i shijeve.

Është e vështirë t’i bësh shqiptarët të qeshin?
Shqiptarët duan të qeshin, por duan të qeshin aq shumë sa nuk kënaqen më pak. Ka nga ata që duan batuta inteligjente, ka nga ato që pëlqejnë rrëzimet, grushtat, shqelmat, e me radhë. Por në një farë mënyre, në pesë vjet e kemi kuptuar se çfarë kërkon publiku shqiptar. Nëse nuk do të qeshin me gysmën e materialit, do të qeshin me gjysmën tjetër
.

Komente (1 publikuar)

avatar
Flavia 2010-06-19 12:41 +0100
flori je shum i mir te shoh ne cdo puntat te portokallise dhe me pelqen shum..do kish deshire te kisha adresen tende te e-mail nqs eshte e mundur...flm
0
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

3.00
Powered by www.merbraha.com v4.7