Hyrje | Revista + VIP | Aida Troka: “Nuk më pëlqejnë personat që shtiren”

Aida Troka: “Nuk më pëlqejnë personat që shtiren”

Aida Troka: “Nuk më pëlqejnë personat që shtiren”

Pas daljes nga shtëpia e Big Brother 2, Aida Troka, njëra nga vajzat që menjëherë arriti të bëhej protagoniste, gjen dashurinë e jetës së saj. Në këtë rrëfim Aida tregon se është shumë e dashuruar dhe që dëshiron të martohet e të ketë një familje të madhe me shumë fëmijë. Pas një vere të vrullshme dhe plot pasion, në krahët e të dashurit, Aida na sjell detaje të përjetimit në lojë dhe jashtë shtëpisë.

Zëri i Aida Trokës në telefon është i ngrohtë. Tonalitet tingëllues, efekt i pozitiv. Aida nuk zvarritet për të mbajtur me zor famën e fituar nga Big Brother. Ajo ka një jetë të sajën, konceptet, shijet, kërkesat, spontanitetin e saj.

Ka një dominancë të ëmbël që në televizion nuk është vënë re mirë. E lindur në Burrel, e rritur dhe e shkolluar në Tiranë, pa prindërit pranë që nga mosha 18 vjeç, por me shumë njerëz të dashur përreth, ka përballuar vorbullën e ekstremeve të Tiranës. Dhe mbi të gjitha është shumë e fortë dhe tepër e thjeshtë.

Por a ka qenë më e vështirë mbijetesa e saj reale, apo mbijetesa në kushtet e përtej xhamit të Big Brother, ku i njohuri “reality” është një “fiction” i patinuar me shikime, sjellje dhe ndjenja? Si mund të jesh spontane me një telekamera të fiskuar gjithmonë mes trupit dhe shpirtit?

Eshtë rradha e Aidës të tregojë se si ka mbijetuar në këtë shtëpi dhe sidomos në jetën e saj reale. Cila është vajza bionde që hyri si uragan dhe vazhdon ta jetojë jetën e saj si e tillë?


INTERVISTA

Një vajzë e thjeshtë, apo jo? Cila është Aida?
Normalisht që po, jeta ime është e mbushur me asgjë më tepër se jeta e një vajze studente që njëkohësisht punon. E një vajzë që është e zonja e vetes dhe i del vetë për zot jetës së saj, që gjen kohë t’i përkushtohet miqve, njerëzve të dashur dhe së fundmi e plotësuar dhe nga ana shpirtërore.

Përse mendoni se nuk u vlerësua një vajzë si ju?
Në asnjë rast nuk kam performuar për t’u vlerësuar. Unë nuk mund të dilja nga karakteri im, parimet e mia, të shtiresha dhe të vija një maskë që të bëhesha “e bleshme” apo e pëlqyer nga të tjerët. Përshtatja apo vetëpërmbajtja ime, shkon deri aty ku nuk cënohet personaliteti im i vërtetë dhe parimet e mia. Në asnjë rrethanë unë nuk dal jashtë vetes sime. Në kontekstin ku isha unë respektova formatin dhe banorët, po nuk mund të mos reagoja versus një fenomeni apo një sjellje të papranueshme për mua.

Duke parë dallimin e thellë mes jush, si mendoni, shoqërisë shqiptare i duhen më shumë femra si ju, apo Adelajda?
Hahaha! Definitivisht shoqërisë shqiptare i duhet një model Adelaide. Këto kategorizime janë të pasakta. Femrat shqiptare nuk mund t’i klasifikosh në dy stereotipe “Aidë vs Adelajd”. Unë mund të them që njerëzit e vërtetë dhe pa paragjykime apo shtirje janë ato njerëz që unë do vlerësoja, apo do t’i pranoja për miq. Deklarata normative nuk mund dhe nuk kam as tagër të jap, se si duhet, apo nuk duhet të jetë shoqëria shqiptare.

Arrijmë tek eksperienca jote në Big Brother: një bilanc sintetik i saj?
Pjesëmarrja në këtë format më shërbeu si një eksperiencë sfide me veten dhe sfidë në raport me të tjerët. Në lidhje me vërtetësinë e personazheve në këtë format më vjen në mendje Erving Goffman dhe analiza që ai i bën sjelljes njerëzore (bashkëveprimit simbolik) të “prezantimit të vetes në jetën e përditshme” ku secili nga ne performon-aktron në situata të ndryshme si në një skenë teatri, me maska të ndryshme, në varësi të situatave për të arritur qëllimin e vetëm që të pranohet nga të tjerët.

Fillimisht dukej se do të ishe ti protagonistja kryesore, pastaj ku dhe pse humbi protagonizmi yt?
Unë jam shumë aktive dhe ky është përfundimisht tipi im dhe motoja që më mban gjallë. Në atë format, presioni dhe përshtatja me banorët më frenonin në disa raste kur parashikoja zhvillimin e mundshëm të ngjarjeve. Tërheqja ime në shumë raste ka qenë më shumë për vetëmbrojtje, për të mos përjetuar ndonjë pasojë stresi, por gjithmonë kam qenë e hapur dhe e drejtpërdrejtë, gjë që nuk mund ta frenoj dot.

Megjithatë ke qenë mjaft e hapur dhe e guximshme në diskutimet e tua, përshembull ke hapur e para temat mbi seksin dhe tema të tjera tabu
Përcaktimi tabu më duket pak si shumë determinist dhe i ekzagjeruar. Mjafton të sillet ndërmend çlirimi apo shpërthimi i banorëve që më në fund patën shansin të shpreheshin, por që nuk ndërmerrnin dot inisiativën me frikën e paragjykimit dhe shitjen e modelit “të pranueshëm” nga të tjerët, në këtë rast nga audienca.

Duke folur për raportet brenda shtëpisë, të duket se të kanë kuptuar pak?
Nuk mund të jap një përgjigje definitive për këtë gjë, por mund të them që unë mbaj marrëdhënie dhe kontakte me të gjithë. Shumë nga personazhet i kam njohur krejt ndryshe jashtë shtëpisë, gjë që nuk ka ndodhur me banorët në raport me mua. Mund të them vetëm që disa nga banorët kanë shprehur habi kur unë i kam zhgënjyer pritshmëritë, duke mos i mbajtur mëri aspak për ndonjë koment, nominim, apo sjellje të tyre karshi meje. Mua përkundrazi më habit fakti që ndonjë prej tyre e ka menduar që unë mund t’i mbaja mëri, por në këtë pikë them që nuk më kanë kuptuar, apo njohur mjaftueshëm.

A ka ndryshuar jeta jote që kur je bërë e njohur?
Përveç faktit që jam bërë e njohur gjë që nuk më bezdis, aspak ndryshime.

Cilët janë njerëzit më të çmuar në jetën tënde?
Njerëzit më të çmuar në jetën time janë motra Estela dhe vëllai im i vogël Gersi. Stela është më shumë se një motër e madhe për mua, është një shoqe e çmuar. Gersi është familja ime, është kujtimi i fundit i gjallë që kemi nga babi. Ndjehem shumë me fat që i kam. Tezja ime është një nga njerëzit e mi më të dashur dhe të pazëvendësueshëm. Miqtë e mi bashkë me familjen time janë jeta ime.

Na trego ndonjë moment të veshtirë të jetës tënde që ka ndikuar tek ti duke të dhënë më shumë forcë.
Jeta jonë, e ime dhe e motrës time, i ngjan një romani shumë të dhimbshëm, por në asnjë moment, asnjëra nuk kemi viktimizuar veten përballë fatkeqësive, apo dhe vështirësive që kemi hasur në jetë. Në asnjë moment nuk kam ngecur peng i të shkuarës apo kujtimeve. Gjithmonë kam parë përpara dhe pse ndonjëherë me shumë sforco jam përpjekur ta shikoj “gotën gjysëm plot”. Nuk dorëzohem përpara sfidave dhe këtë forcë karakteri e përcaktoj si vlerë të paçmuar timen dhe të motrës sime.

Cilat janë vlerat ku beson?
Dashuria dhe altruzimi, vlera të trashëguara nga im atë. Pozitivizmi në raport me të tjerët, ndershmëria, vendosmëria, aftësia për të dëgjuar dhe mirëkuptuar të tjerët, toleranca, por pa shkelur mbi veten tënde dhe parimet e tua. Nuk do t’i bëja kurrë askujt atë që nuk do të dëshiroja të ma bënin mua. Antivlerë për mua është hipokrizia, ligësia, mosmirënjohja. Janë gjëra që nuk do të mund t’i toleroja kurrë.

Ndërkohë që në jetën reale je mjaft aktive dhe protagoniste e rrethit tënd shoqëror.
Motorri i jetës sime është aktiviteti. I vlerësoj dhe adhuroj femrat e vetërealizuara, të suksesshme në familje, në karrierë (nuk do t’i ndaja kurrë këto të dyja nga njëra-tjetra), aktive në jetën sociale. Protagonizmi para vetërealizimit është i papërfillshëm për nga rëndësia. E rëndësishme është të jesh protagoniste në jetën tënde, mos të lejosh të tjerët të vendosin për ty, apo në rastin më të keq, të të marrë rrjedha dhe të lësh thjesht gjërat të ndodhin. Konformizmin e urrej.

Çfarë është për ty lumturia?
Lumturia për mua është të kem pranë njeriun që dua, familjen dhe miqtë e mi dhe të realizoj qëllimet e mia.

Cili është motive që të shtyn përpara?
Optimizmi dhe forca e karakterit.

Dëshiron ta ushtrosh profesionin e ekonomistes apo do hidhesh nga spektakli?
Dëshiroj të ndjehem e realizuar në cilëndo zgjedhje që do të bëj.

Ç’është dashuria për ty?
Dashuria është një ndjenjë e pakushtëzuar, pa kufinj të përcaktuar pa të cilën qënia njerëzore nuk mbijeton dot.

Për çfarë ëndërron atëherë kur ia lejon vetes ëndërrimet?
Endërroj të kem pranë njerëzit që unë dua dhe që ata të jenë mirë. Endërroj të realizoj synimet e mia dhe të jem gjithmonë e rrethuar me dashuri.

Dëshiron të martohesh?
Sigurisht, dëshiroj të krijoj një familje solide me njeriun që ndajmë këto ndjenja dhe parime reciproke.

Dëshiron të kesh fëmijë?
Fëmijët i adhuroj, mendoj që do bëj shumë fëmijë.

Projektet e së ardhmes?
Do të vazhdoj të ndjek synimet e mia pa neglizhuar veten dhe njerëzit e dashur.

Cilat janë hobet dhe pasionet e Aidës?
Leximi, joga, masazhi, noti.

Cili është vesi më i keq që ke?
Jam gustatore ushqimi e paparë. Nuk mund t’i privoj vetes disa kënaqësi. Cigarja është një ves që do më duhet ta heq, sidomos kur të vendos të kem fëmijë.

Çfarë bën kur je pa angazhime?
Relaksohem me të dashurin tim, nuk ka rëndësi lokacioni, në shtëpi, apo jashtë, i pëkushtohem miqve të mi.

Të pëlqen televizioni?
Më pëlqen se është burim informacioni dhe argëtimi. Median e perceptoj dhe si të rrezikshme deri diku për shkak të hiper-realiteteve që krijon apo në përmasat e panikut, që mund të përhapë, p.sh paniku i gripit të derrit është pak si shumë i ekzagjeruar.

Cilët janë filmat dhe muzika e preferuar?
Me filmat dhe muzikën gjëja e parë që më vjen natyrshëm në mend është dashuria e babit për muzikën dhe librat. Emri im është vënë sipas operas së Verdit dhe Estela është personazh kryesor libri tek “Shpresa të Mëdha” e Dickens-it. Gersit ia kemi vënë emrin unë dhe Estela. Më pëlqen muzika simfonike, e lehtë, më pelqen ajo moderne, pop, etj. Varet nga gjendja shpirtërore përsa i përket muzikës, por do të veçoja muzikën e Celentanos sidomos këngën “Il tempo se ne va”, këngë që im atë ma kushtonte mua.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7