Hyrje | Revista + VIP | Jetmiri “si fitova çmimin dhe Rrezin”

Jetmiri “si fitova çmimin dhe Rrezin”

Jetmiri “si fitova çmimin dhe Rrezin”

“Fitoren mori djali më inteligjent, ai që bëri gjithë lojën dhe dha më shumë nga të gjithë në atë show, ai që ishte protagonisti absolut i çdo situate që ndodhte dhe diskutimi që bëhej, ai që krijoi çdo dinamikë në shtëpi, ai që ishte më reali brenda… ai që ishte i vetmi që u përball dhe sfidoi në vlera, eksperienca jete, karakter, kulturë, kreativitet ndaj çdo kundërshtari.

Me pak fjalë i vetmi person që e kërkoi, luftoi, besoi deri në fund dhe e meritoi çmimin e madh”

(citim nga interneti)

Kur ndjek një person në televizor për një kohë të gjatë, intensivisht dhe me shumë vëmendje kurioziteti për ta njohur atë nga afër dhe për ta parë sesi është ai në realitetin e përditshëm është shumë i madh. Sidomos për mua që më është dashur të komentoj karakterin e tij, sjelljet, debatet, fjalët dhe veprimet. Padyshim që nuk më ka qëlluar në eksperiencat e mia, qoftë edhe në ‘Big Brother’ të kem folur dhe të jem marrë me një njeri më shumë se me Jetmirin.

E jetoi jetën në ‘Big Brother’ si asnjë banor tjetër. Me strese, debate, konflikte, humor, dashuri, lojëra, nervozizëm dhe përkushtim. 13 kilogramë më pak e transformuan fizionominë e tij dhe treguan se ai e jetoi jetën aty brenda në çdo qelizë të trupit të vet duke përjetuar emocionalisht çdo fraksion sekonde gjatë 112 ditëve të aventurës së tij. Aventurë, e cila më së fundi u shpërblye më fitoren e kësaj gare që për afro katër muaj mbërtheu tërë shqiptarët në ekran.

nuk ka pritur shum ore per te shkuar ne vlorete familjae tij bashkë me Rezartën, vajzën kosovare me të cilën u lidh brenda shtëpisë e që po qëndron në qytetin e tij tashmë. Ka zgjedhur të jetë i tërhequr nga vendet publike, të mos shfaqet si triumfuesi i padiskutueshëm, por të kthehet në normalitetin e jetës së thjeshtë që kishte bërë para se të bëhej i njohur për shqiptarët. Madje akoma edhe më i tërhequr.

“Kam shkuar menjëherë në Vlorë në shtëpinë time. Kam pasur shumë nevojë të qëndroj me ta dhe të çlodhem. Kam nevojë për qetësi dhe për njerëzit e mi të dashur që më kanë munguar gjatë kësaj kohe. Dua të flas me ta. Jemi bashkë me Rezartën nga e cila nuk jemi ndarë asnjë moment qysh kur dola”, shprehet Jetmiri.

Kur e pyes se si ndihet si fitues më thotë “është ndjesi e veçantë edhe pse nuk jam euforik. Kjo, se me kalimin e javëve në shtëpinë e BB mu forcua ideja se duhet të isha unë ai që duhet ta fitoja atë garë, se po jepja më shumë nga të gjithë. Akoma më tepër po të mendojmë që kam qenë në nominim gjatë gjithë kohës, gjë që më forcoi më shumë dhe më bëri të jem aktiv gjatë gjithë kohës. Imagjino ankthin, shqetësimin dhe emocionin që përjeton. Nuk ke asnjë ditë që mund të thuash “sot po çlodhem” dhe kjo e tëra kërkon shumë energji. Ndaj dhe jam dobësuar shumë”.

“Por me kalimin e javëve filloi të mos më bënte më shumë përshtypje e të më dukej si të ishte një gjë normale. Madje një herë të vetme që nuk më nominuan u bëra merak dhe psikologjikisht më dukej sikur banorët e tjerë më kishin bërë një padrejtësi e më kishin mënjanuar. E kisha të vështirë të përshtatesha me mosnominimin”. Qesh, jo aq me atë çfarë thotë por me situatën paradoksale që i ishte krijuar. “Për këto arsye fillova të bindesha që duhet ta fitoja unë. Sikur të kishte ndodhur e kundërta do të më dukej sikur po merrnin çmimin tim. Ndaj dhe sot fitorja nuk më bën euforik”, shprehet ai.

* * *

Duke folur me të kujton sesi vendosi të hynte në ‘Big Brother’. Nuk i kishte shkuar asnjëherë ndërmend por kur kishin parë publicitetin me shokët e tij rastësisht në një kafene të Vlorës, ata e kishin shtyrë me humor që të aplikonte. “Ndoshta se ndonjëherë u dukem sikur flas shumë apo se u flas për tema të ndryshme. Ndodh që ata më thonë “mirë vetë që s’u lodhe por boll se na lodhe ne”, tregon me humor Jetmiri.

Thjeshtësia ishte pika e fortë e tij. Të mos shfaqurit e vetës si më i miri apo më i dituri, por si njeri i zakonshëm, në vendin e të cilit mund të ishte cilido djalë i thjeshtë që e shihte nga ekrani. “Unë jam larguar që në moshën 13 vjeçare në Itali dhe jam rritur në kolegj dhe në universitet. Kam jetuar në Romë, në qytetin më të bukur të botës, por nuk zgjodha të flisja për shkollën për eksperiencat e mia, qofshin edhe aventura që çdo i ri në atë moshë do t’i kishte zili. Nuk doja të shisja mend as të tregoja që unë jam shumë më ndryshe sesa shumica e shqiptarëve që jetojnë në varfëri e në vështirësi pa patur një perspektivë të qartë. Unë doja të isha një nga ata, sepse në të vërtetë si person jam një nga ata”.

* * *

Diskutojmë për momentet e vështira në të cilat është ndodhur e kur e pyes se çfarë do të kishte ndryshuar nëse do të kishte mundësi të kthehej pas në kohë më përgjigjet: “Pothuajse asgjë. Do të doja që të tjerët të kishin ndryshuar qëndrimin ndaj meje, sepse më duket sikur pjesa më e madhe e tyre më kishin paragjykuar, sidomos banorët që kanë hyrë më pas në shtëpi. Për sa i përket vetes sime ndoshta do të kisha kursyer ndonjë fjalë të tepërt. Por kjo ndodhte sepse unë nuk mendoja se isha para kamerave, që më shikonin mijëra njerëz e që ndoshta në ekran ato fjalë tingëllonin më ashpër.

Kur më tha gjyshi se “ti nuk i përdor këto fjalë normalisht” aty e kuptova sesi mund të dukesha nga jashtë dhe më erdhi keq për këtë. Kam patur gjithnjë merakun se nuk po lija përshtypjen e atij personi që jam në të vërtetë dhe kjo më bënte të ndihesha keq.

Por e di si është? Në jetën e përditshme kur debaton me dikë zgjedh dhe largohesh për t’iu shmangur konfliktit, kurse aty nuk kishe nga shkoje dhe debati acarohej deri në atë pikë sa të shpëtonte edhe ndonjë shprehje nga goja. Pavarësisht se më dilte nga shpirti. Jam pak impulsiv dhe e konsideroj si një defekt timin por di gjithnjë të bëj një hap mbrapa, pse jo të kërkoj dhe falje e të them që e kam patur gabim, siç ka ndodhur në disa raste. Gabimi është pjesë e natyrës njerëzore”.

* * *

Zgjodhi që të mos bënte asnjë kompromis duke shkaktuar “armiqësinë” e banorëve të tjerë, por ishte pikërisht kjo që publiku vlerësoi duke e konsideruar si më të vërtetin nga të gjithë ata, më të sinqertin dhe më spontanin. “Kur hyra nuk kisha menduar të bëja miq. I konsiderova të gjithë si kundërshtarët e mi, ashtu si ndodh në një garë sportive, që të gjithë janë kundra teje. Në fund të fundit ‘Big Brotheri’ a nuk është një garë? Po, aty gjeta edhe njerëz të mirë si dhe miq të mirë. E kam fjalën për Erionin dhe Bertinën. Mendoj se nuk hyn në një reality për të gjetur miq, nëse ata dalin gjatë jetesës aty brenda, mirësetëvinë”, tregon Jetmiri duke mos dashur të flasë për banorët e tjerë.

Kur e pyet për ta, ul sytë dhe hesht sikur do të thotë, më pyet diçka tjetër.

* * *

E pyes për Rrezartën të cilën e pëlqeu që në ditët e pare te hyrjes së saj. “Unë nuk i kam pëlqyer lidhjet e dashurisë në ‘Big Brother’. Nuk më kanë bindur edhe pse kam jetuar jashtë e nuk kam mundur t’i ndjek edicionet e mëparshme. Nëse e ke vënë re gjatë muajit të parë, unë nuk kam tentuar të krijoja lidhje me asnjë nga vajzat edhe pse e dija që po të kisha tentuar diçka mund të kisha realizuar. Nuk më bindi asnjë nga ato.

Dhe nuk do të isha lidhur me asnjë deri në fund të qëndrimit tim po të mos kishte hyrë Rrezarta. Më pëlqeu që në fillim. Më tërhoqi fizikisht. Qëlloi që javën që hyri Rrezi të banonim në shtëpi të ndryshme dhe mundësia e vetme ishte të bisedoja pas gardhit. Më pëlqeu edhe në komunikim e për më tepër mu duk një vajzë me botë dhe e zgjuar.

Nuk hezitova. E di që shumë kanë besuar se lidhja ime me të ishte sa për lojë, se doja ta përdorja. Nuk është e vërtetë aspak. Që momentin që kam dalë nuk jam ndarë prej saj asnjë moment. E kam marrë në shtëpinë time në Vlorë dhe jetojmë bashkë. Ja, sa të mbarojmë intervistën do të nisemi. Është një person i veçantë dhe shumë e pjekur për moshën. Vazhdoj të zbuloj gjëra të bukura te ajo”.

I them për reagimet që kanë patur familjarët e Rrezartës, të cilët nuk ishin dakord më sjelljen e saj, sidomos vëllezërit. “E besoj, thotë Jetmiri. Për mentalitetin tonë është pak e vështirë që të pranohet sjellja e një vajze që dashuron një djalë në televizion. Unë shkova me Rrezartën një javë pas përfundimit të ‘Bigut’ në Prishtinë dhe qëndruam te familja e saj. Nuk dolëm askund dhe takuam shumë pak njerëz. Kaluam katër ditë duke biseduar me familjarët. Doja që ata të më njihnin nga afër dhe nëse kishin krijuar ndonjë paragjykim për lidhjen tonë, ta shikonin sesa e dua vërtet. Ndryshe nuk do të kisha shkuar atje. Kaluam shumë mirë në Prishtinë dhe ata janë njerëz të mrekullueshëm, të cilët kam shumë dëshirë të shkoj t’i vizitoj përsëri. Edhe pse i pres të gjithë në Vlorë këtë verë”.

* * *

Një marrëdhënie të veçantë Jetmiri krijoi edhe me Enxhin, vajzën e infiltruar e për më tepër aktoren interesante, që me lojën e saj tërhoqi vëmendjen e Jetmirit.

“Po Enxhi?” e pyes. “Një shoqe shumë e mirë, përgjigjet. Një person i veçantë dhe shumë pozitiv, e cila edhe pse kishte qëllime të tjera në lojën e saj më ndihmoi për të patur një humor më të mirë. Nuk e fsheh që u ndjeva mirë me të dhe ishte një shoqe që edhe në jetën reale mund ta gjesh rrallë. E admiroja për tipin që kishte, pa komplekse, e drejtpërdrejtë dhe shumë e vërtetë, pavarësisht se aty aktronte. E vlerësoj akoma. Largimi i saj dhe i Rezartës ishte një goditje e fortë për mua e në ato momente u tremba nga fakti se si do t’i kaloja ato orë e ditë, që dukeshin sikur nuk do t’u vinte ndonjëherë fundi”.

“Nëse e ke venë re”, vazhdon duke folur me pasion, “gjithë personat që kanë qenë afër meje janë larguar. Sa arrija të gjendesha mirë me dikë dhe të afrohesha nuk do të kalonte gjatë dhe personi do të eliminohej. Çdo të shtunë në mbrëmje ose në shumicën e tyre, jam ndjerë sikur kisha mbetur vetëm e kjo është një ndjesi e keqe, që pa diskutim është reflektuar edhe në nervozizmin tim apo përplasjet e shumta që kam patur me shumë prej banorëve”.

* * *

Antikonformist deri në palcë Jetmiri nuk u ndruajt asnjë moment t’i shprehte mendimet e tij hapur, qoftë me Arbanën, me mua e sidomos me ‘Big Brotherin’. Guximi dhe kurajoja nuk i mungoi në asnjë moment pa menduar sesa mund të rrezikonte. Dhe eksperienca tregon se fiton atëherë kur sfidon edhe rrezikun. “Jam djalli” thoshte për veten kur të tjerët thoshin që jam më i miri, jam inteligjent, jam qytetar e jam shembull.

“Të gjithë silleshin sikur donin të tregonin sesa njerëz të mirë ishin dhe shprehja ime “jam djalli” ishte një kundërpërgjigje për ata. Më acaronte fakti sesi ata silleshin ndryshe nga sa mund të vepronin në realitet dhe mundoheshin të nxirrnin atë që ata mendonin se ishte pjesa e tyre më e mirë. Ndoshta këtu dhe gabuan. Ta kisha menduar dy herë nuk do ta kisha thënë atë shprehje për veten, por kur më bënin edhe pyetje të rëndomta në dhomën e rrëfimit se çfarë vlerash kisha, përgjigjesha si për inat. Nëse me të vërtetë kisha vlera nuk më takonte mua t’i thosha ato. Nëse vlerat ekzistojnë, publiku i kupton, pavarësisht se çfarë thua. Ky ishte sensi i “djallit”, rrëfen Jetmiri duke qeshur nga kujtimi i kësaj shprehje të tij.

Rikthehem përsëri ta pyes për banorët por e kuptoj se nuk ka dëshirë të flasë për ta, e me shikon sikur do të më thotë kalo tek pyetja tjetër. Dhe kaloj. “Cila ka qenë sfida jote më e madhe”?

“Lufta me ‘Big Brotherin”, përgjigjet. “Çdo të thotë”, i ndërhyj, por ai hesht. Insistoj për të kuptuar se çfarë mekanizmi ka vepruar në mendjen e tij. “Por ja, përgjigjet, nuk e ke vënë re se çdo gjë shkonte si kundër meje? Duke filluar nga kripet, nga situatat në të cilët unë dilja si fajtor edhe pse nuk kisha asnjë lidhje me to, nga provokimet që kam patur, nga ajo dhomë rrëfimi që për mua ishte kthyer si një dhomë torturash”. “Si torturash?” E pyes. “Nuk pashë kurrë ndaj meje dashamirësi, mirëkuptim, përkundrazi…”

Më tregon se kishte dashur disa herë të dilte nga shtëpia duke ndërprerë këtë eksperiencë e natyrisht mundësinë për të fituar çmimin. “Kam bërë valixhet dhe kisha vendosur të dilja. Me dukej se gjithçka ndaj meje ishte e padrejtë. Por më pas vendosa të qëndroj e të bëja lojën time si thonë italianët “senza esclusione di colpi” (pa përjashtuar asnjë goditje) deri në momentin e fundit të qëndrimit tim aty, si ai i humburi që nuk ka më asgjë çfarë të humbasë”.

* * *

Jetmiri nuk humbi por fitoi dhe mendoj se kjo mënyrë të vepruari e bëri që të arrinte të merrte çmimin final edhe pse shpresa nuk kishte. Teksa flet për këtë vë re tek ai mungesën e entuziazmit të një kampioni. Pavarësisht buzëqeshjes që nuk e heq nga vetja dhe komunikimit të mirë në sytë e tij shpreh një efekt të çuditshëm që është diçka midis trishtimit dhe misterit. Duket sikur diçka fsheh për të cilën nuk dëshiron të flasë. Ndoshta një sekret apo nevojë për të shfryrë një ngërç që i është grumbulluar brenda vetes. Nuk dihet . Pastaj ç’vlerë do të kishte tashmë që fitoi ‘Big Brotherin’. Padyshim, edhe ai kështu e mendon.

Rrezarta

“U dashurova me shikim të parë”

Gjithçka ka shkuar si në ëndërr. Ajo në krah të Jetmirit dhe Jetmiri fitues i BB. Por tani kur “lufta” me banorët ka mbaruar, ata kanë nisur një “betejë” tjetër: atë të njohjes së njëri-tjetrit. Nëse në fillim ishte pasioni që i lidhi, tani është ndjenja që rritet përditë. E bukur, e zgjuar, e hapur, Rrezi tregon për ndryshimin që ka pësuar jeta e saj. Beson tek lidhja e tyre ndërsa nuk nxitohet ta quajë dashuri. Sepse dashuria është një fjalë e madhe dhe ata po e zbulojnë përditë e nga pak.

Si ndihesh në jetën reale me Jetmirin?

Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e plotësuar. Jemi gjithë kohës bashkë. Po shijoj për herë të dytë Post BB. Një herë e shijova kur dola unë, tani po e shijoj edhe për Jetmirin. Jam shumë e kënaqur me suksesin e tij.

Pra jeta jote ka ndryshuar?

Ka ndryshuar për 360 shkallë. Në Kosovë rri shumë pak. Edhe angazhimet, edhe njerëzit, edhe rrethi, të gjitha janë ndryshe, nga ajo çfarë kam bërë gjithmonë. Edhe pse kam shëtitur shumë, kam qenë gjithmonëunë, ndërsa tani jam me dikë tjetër dhe është më bukur.

E kishe menduar se do hyje në BB dhe do të dilje me një djalë për krahu?

Jo, jo, i fundit opsion ka qenë ky, që në BB mund të takoja dikë. Por që mrekullitë ndodhin dhe mund ta quajmë mrekulli takimin me Jetmirin. BB më ka dhënë shumë. Edhe pse nuk jam shumë nëpër revista, më ka dhënë eksperiencë dhe më ka bërë më të fortë.

Kujt i referohesh?

Përshëmbull Kika ishte në gjendje edhe të fyente, nuk respektonte mendimin tënd. Ose Bertina, megjithëse unë e kam shoqe të mirë, ka pretenduar shumë për çmimin dhe nuk të lejonte hapësira që të ndiheshe komode me të.

Ti u lidhe shpejt me Jetmirin. Çfarë të tërhoqi tek ai?

Unë Jetmirin s’e njoha fare. Nuk e kisha ndjekur nga televizioni BB edhe pse hyra me vonesë aty. Gjatë javës së parë, kur ishim të ndarë në shtëpi të ndryshme, unë as dy fjalë nuk i ndërrova me të. Por është ajo që dikush mund të mos e besojë: tërheqje me shikim të parë. Kështu kuptova se ishte diçka shumë e madhe për mua. Kur isha gati të rrëzoja gjithçka për Jetmirin, e kuptova se ishte diçka shumë e sinqertë, që tek unë funksionoi. Dhe kjo gjë kuptova se ishte reciproke…

Cili është personi që ke mundur ta bësh mik?

Nuk ka pasur një person të tillë. Me Valonin kam qenë më afër se me të tjerët, ndoshta edhe për shkak të dialektit, por që nuk arritëm të provojmë njeri- tjetrin se sa miq jemi. Shoqe unë nuk kisha aty brenda.

Mbani shoqëri me banorët?

Me Erjonin e Bertinën. Jemi takuar në Vlorë edhe në Tiranë me ta. Unë mbaj shoqëri edhe me Pamelën.

Po me Edin?

Jam takuar në fillim, por jo më.

Mendon se ndihet i lënduar?

Tani që shoh pjesët e BB në internet, e shoh që kur më thërriste tek gardhi ia thoja se nuk duhej të më thërriste nga dhjetë here në ditë. Unë mund t’i jepja muhabetin bashkë me kafen e mëngjesit, por jo më shumë. Edi krijoi një dashuri imagjinare.

Kur dole, të erdhi keq për veten, apo që do lije aty Jetmirin?

Kur dola të them të drejtën u çlirova, sepse më dukej sikur aty isha në burg. Aty ndodhën shumë gjëra të tjera, madje kam dashur të dal që një javë përpara. Dita ishte monotone dhe nuk kisha kreativitet.

Po ti kishe Jetmirin aty brenda?

Po, por Jetmiri më tha një fjalë: “Nuk dua të flas me ty që të dëgjojë e gjithë Shqipëria. Kam të tjera muhabete me ty!” Kështu që këtu u mbyll. Kur dola, nuk e mendoja se do të prisja kaq gjatë Jetmirin. E dija se do të dilte në finale se nuk kishte kush dilte tjetër përveç atij, por që nuk e dija se do e vuaja kaq shumë. Mendoja se do ia dilja mbanë, por që vërtet ishte shumë e vështirë.

Çfarë ndodhi poshtë tavolinës?

(Qesh) Ishte thjesht bisedë pa mikrofona. Të gjithë banorët ishin përreth dhe as që flitej se mund të bëhej seks, thjesht donim të shfrytëzonim rastin që të flisnim pak bashkë, megjithëse ishte e dënueshme. Por nuk është se i fiknim vetëm ne mikrofonat. Kam parë edhe shumë të tjerë që e bënin, natën vonë. Ne donim vetëm pak privatësi njëri me tjetrin. Dhe sipas banorëve, privatësi do të thotë që patjetër të bësh diçka.

Je shfaqur si një vajzë pa komplekse. Je në të vërtetë?

Kush më njeh, më njeh kështu, s’e kam problem, bëj jetën në stil amerikan: kjo jam unë, çfarë është rreth meje, mirë. S’e kam problem se çfarë thotë tjetri. Por që të isha kaq pa komplekse, aty e sprovova veten. Nuk kam kurrfarë kompleksi, as në të veshur, as në dukje, as në fjalor dhe në asgjë.

Çfarë të thanë familjarët për lidhjen me Jetmirin?

Familja që pas një moshe më ka thënë: “Tani je e lirë, mund të gjesh dikë, ke moshën”. Këto biseda i kemi bërë që në shtëpi. Kështu që nuk pati ndonjë kritikë nga ana e tyre. Babit tim, përshëmbull, i ka pëlqyer shumë Jetmiri. Me familjen nuk kisha problem. Problemi ishte me opinionin që një vajzë e Kosovës s’duhet të lidhet me dikë…Nuk di si e kuptojnë këtë. BB nuk është një spektakël ku tregohen morali dhe vlerat e dikujt. BB është jetë normale. Dashurohesh?! Dashurohesh. Do të bësh seks?! E bën. Në Kosovë e kanë pritur keq. Nuk e di pse. Asnjëri prej atyre që flasin nuk më ka ndihmuar që të hyj brenda në BB, atëherë çfarë duan prej meje?!

Si e festuat natën e fitores? Bëtë dashuri?

(qesh) Jo, atë natë unë shkova me banorët e tjerë se Jetmiri kishte ca intervista live. Pastaj ai shkoi me familjarët e tij për darkë në një restorant. Më vonë u lidhëm në telefon dhe shkova edhe unë atje. Ndërkohë që unë i kisha takuar edhe më përpara prindërit e tij. Herën e parë Jetmiri ishte brenda dhe një kushëriri i tij më tha se prindërit e Jetmirit donin të më takonin. Shkova në Vlorë dhe më pritën shumë mirë.

Ndërsa në natën e fitores ishin edhe shokët e Jetmirit. Pastaj, po atë ditë shkuam në Vlorë. Ndenjëm tre ditë dhe gjithë kohës nën trysninë e njerëzve. Të gjithë e thërrisnin ta takonin.

Ju po jetoni bashkë në Vlorë?

Për momentin jemi në Vlorë. Do bëjmë një herë pushimet dhe pastaj kemi plane të tjera.

Si të duket jeta me Jetmirin?

Nuk e kisha provuar ndonjëherë të isha 24 orë me dikë, aq më tepër që Jetmiri është tani një person publik dhe ka shumë angazhime. Mua s’mu dha rasti ta njoh Jetmirin as për kafe dhe as për ndonjë gjë tjetër. Drejt e në 24 orë bashkë. Kjo është e bukur, por megjithatë është më e vështira. Por që dita ditës gjërat po shkojnë edhe më mirë. Po ambientohem, kemi filluar të mësojmë për njëri -tjetrin shumë gjëra… tani po e njohim njëri- tjetrin. Në fillim ishte pasioni që na lidhi, tani gjërat po shkojnë në vendin e tyre. Kur ekziston ndjenja gjërat shkojnë shumë mirë.

Cili është më xheloz?

Unë jam xheloze, por toleroj më shumë. Mundohem ta mbaj xhelozinë brenda dhe flas vetëm nëse mendoj se kalohen kufinjtë. Jetmiri është më shumë xheloz.

Cili dashuron më shumë?

Këtë nuk e di. Puna e dashurisë do të shihet në të ardhmen. Por ndjenja ekziston. Unë e shpreh më shumë, ai ndoshta nuk e shpreh aq sa unë. Sepse ka natyrën e tillë.

Cilin ves ia ke zbuluar tani dhe që s’të pëlqen?

Çfarë më pengon më shumë është cigarja. Edhe brenda në BB e pinte, por dilte jashtë. Kurse tani e pi gjatë gjithë kohës brenda dhe jashtë. I them: “Më helmove!!!”.

Ka ndonjë virtyt që ia ke zbuluar vetëm tani jashtë?

Është djalë besnik dhe kjo është gjë shumë e mirë. Meshkujt zakonisht nuk e kanë. Gjithashtu të merr në mbrojtje, të bëhet mbështetje. Këto cilësi ia vë më në dukje tani që është jashtë.

Çfarë planesh ke?

Do të bëj masterin këtu në Tiranë, pastaj mbase do nis studimet për psikologji. Pa dyshim pres edhe oferta pune.

Ku do jetoni me Jetmirin?

Në Tiranë. Por pas pushimeve. Do bëjmë pushime të gjata dhe impenjative. Në fillim në Shqipëri dhe nga shtatori edhe jashtë. E kemi merituar. (qesh)

Mendon se në një të ardhme do të martoheni bashkë?

Është shpejt për ta thënë, por nuk na pengon gjë tjetër. Të gjitha i kemi.

shqip.al 

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7