Hyrje | Revista + VIP | Klodian Çela: Mall për vendlindjen time, ku është zëri i “nënave” pushtetare?!

Klodian Çela: Mall për vendlindjen time, ku është zëri i “nënave” pushtetare?!

(Ish banori i BB3, rrëfen të vërtetën mbi “dashurinë” e re, arsyet pse nuk e ka vizituar akoma vendlindjen dhe varrin e babait. Pushimet, projektet profesionale, si dhe përgjigja e munguar nga letra dërguar Ramës dhe Berishës  vijnë të detajuara nga vetë ai në faqet e brendshme të gazetës)

Kanë kaluar tre muaj e gjysmë që nga përfundimi i show-t “Big Brother 3”, por edhe pas shuarjes së “zjarrit” dhe “tymit” që lanë pas protestat e bashkëqytetarëve të vet,  ish finalistit të këtij spektakli, Klodian Çela nuk i është dhënë mundësia ta vizitojë qytetin e tij të lindjes. Jo nga mungesa e dëshirës, absolutisht jo, por nga “frika” e mentalitetit.

“Lezha, më ka marrë malli ta përmend si emër, jo më që ta vizitoj”, na thotë ai gjatë bisedës, duke shtuar më tej se ndjen nostalgji për çdo pjesëz të jetës, shijuar aty. “Nga frika e paragjykimeve nuk më është dhënë mundësia të vë një lule mbi varrin e babait tim. Është e trishtueshme që në këto kohë ekzistojnë privime të tilla, por më duhet të duroj, siç edhe kam bërë deri tani. Mbase, më vonë mentaliteti i një kategorie të caktuar njerëzish do të zbutet dhe mund të lëviz lirisht”. Teksa e dëgjojmë rrëfimin e tij mjaft prekës, me dashje e shkëpusim nga kjo temë dhe e pyesim për pushimet, argëtimet, udhëtimet që ka bërë këto kohë, si dhe për thashethemet më të fundit që ka dëgjuar vete. Është e vërtetë që Klodian Çela është lidhur me një djalë? Më kë është dashuruar ai, ku dhe kur kanë ndodhur gjithë këto ngjarje? Gjithmonë nëse janë të vërteta. Ja çfarë na tregon më poshtë ai:

Sapo  ke përfunduar pushimet Klodi si shkuan ato?

Po është e vërtetë që prej disa javësh kam bërë pushime në vende (shtete) të ndryshme, por ata mbaruan  dhe mund të them që kanë qenë pushime shumë të bukura. Mendoj se, gjithsecili prej nesh ka nevojë për një relaks të tillë mendor, pse jo edhe për argëtim. Tani jam kthyer në Shqipëri me ide dhe energji të reja, të cilat shpresoj t’i vë në jetë së shpejti, por kuptohet, varet edhe nga faktori kohë.

Një javë më parë për “Game Over” Domi tregoi se kishte qenë me ty në Borsh. Vazhdon miqësia mes jush?

Nuk ka qenë kurrë e ndërprerë, por për çështje kohe nuk jemi takuar aq shpesh sa ç’rrinim te shtëpia e Big-ut.

Në “Big Brother 3” ke thënë se gjyshja jote është nga Borshi. Po atë e takove?

Patjetër që e takova gjyshen dhe jam kënaqur duke bërë muhabet me të. Por përveç gjyshes kam takuar edhe shumë miq, të afërm dhe fansa. Ndjej të them që, këta të fundit m’i kanë zbukuruar edhe më shumë pushimet, pasi her pas here afroheshin me ndroje tek unë për t’u takuar dhe për të bërë fotografi. I përqafoj pafundësisht shumë dhe jo vetëm ata që takova në Borsh, por edhe të gjithë ata që nuk kam pasur mundësinë t’i takoj ndonjëherë.

Cili mbetet kujtimi më i bukur i kësaj vere?

Udhëtimet në Lago di Garda, (Desenzano) aty ku prej 20 vitesh jetoj bashkë me nipërit dhe me vëllain tim. Jam ç’mallur me zemrat e mia. Emocion tjetër i bukur ka qenë edhe ai i një super party që u organizua në kujtim të Alexandër Mcqueen dhe ai i një feste të madhe i UNICEF.

Po deklarata e sekretares së shtetit amerikan, Hilari Clinton konsiderohet nga ty kujtim i bukur? Çfarë do të thotë për ty vëmendja e saj?

Do të thotë shumë dhe kam provuar emocion të veçantë, pasi nuk është pak që sekretarja e shtetit amerikan të citojë emrin tim në një deklaratë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërkohë që askush në vendin tim nuk e ka bërë diçka të tillë. Por përkundrazi më kanë parë sikur te jem një qenie jo normale. Në prononcimin e zonjës Klinton unë pashë më shumë se thjesht një deklaratë. Pashë ndjeshmërinë, butësinë, rebelimin e  një nëne e cila “thërret” për harmoni mes qenieve njerëzore. Dhe në këtë rast, spontanisht më lind pyetja, e cila nuk e di në do marrë përgjigje ndonjëherë: Po “nënat” tona qeveritare kur do e kuptojnë zemrën e një djali që “klith” për mbështetje! Po nënës sime kush do ia shtrijë dorën që t’i japë, qoftë edhe një facoletë për të fshirë lotët?! Përgjigjen vetëm shpresa ime ma kthen.

Ke ndonjë kujtim që të trishton Klodi?

Që akoma nuk kam shkelur në vendlindjen time dhe që nga frika e paragjykimeve nuk më është dhënë mundësia të vë një lule mbi varrin e babait tim. Është e trishtueshme që në këto kohë ekzistojnë privime të tilla, pasi si unë mund të ketë dhe shumë të tjerë. Por, atyre që ndjehen të përçmuar  nga masa dua t’u them që unë i mbështes shumë në çdo zgjedhje të tyren dhe le ta jetojnë jetën si çdo qytetar me të drejta të barabarta. Kohët e fundit kam konstatuar shumë raste, disa prej të cilëve edhe kanë kontaktuar me mua duke më shprehur keqtrajtimin që ju bëhet dhe jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga familjarët e tyre. Habitem sesi pikërisht njerëzit që duhet t’i mbrojnë, në këtë mënyrë mohojnë krijesat që vetë i kanë sjellë në jetë. Dhe kur një gjë të tillë e bëjnë ata, ç’mund të presësh nga të tjerët?! Nga kjo gjë unë vuaj, por mesazhi im për këta njerëz është i thjeshtë: “Gjeni forcën t’i pranoni fëmijët tuaj ashtu siç natyra i ka krijuar, sepse askush nuk ka të drejtë të paragjykojë, përveç Zotit që na ka dhënë frymë”. 

Njeh raste konkrete me prirje homoseksuale Klodi?

Sigurisht që njoh dhe shumë madje, por nga frika e paragjykimeve dhe kërcënimeve tkurren dhe fshihen pas hijes së tyre.

Po ju gjatë kësaj kohe keni hasur në kërcënime dhe paragjykime?

Po, por kjo nuk më pengon të eci përpara me kokën lart dhe të jetoj jetën time. Kam arsye për t’u ndjerë krenar, sepse njeriu nuk duhet shikuar nga orientimet seksuale, por nga vlerat që jep në shoqëri.

Në Shqipëri si është një ditë e zakonshme për Klodin?

E mbushur me aktivitete të ndryshme. Por për t’u treguar i sinqertë me lexuesin tuaj dhe me veten duhet të them që deri diku kjo periudhë ka qenë e lodhshme, duke marrë parasysh këtu, kritikat mbi orientimin tim seksual, përgojimet e ndryshme, si dhe shpifjet. Jam i lodhur edhe nga disa pseudogazetarë, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër, përveçse abuzojnë me fjalën “homoseksual”. Unë e kam bërë vetë publike një deklaratë të tillë dhe tani e përmendin vend e pavend, vetëm e vetëm për të shitur disa kopje gazete më shumë. Por unë ju them “mjaft me shfrytëzim imazhi”, sepse po vjen Viti i Ri dhe ju akoma mendoni se një shprehje e tillë përbën lajm. Mua më duket démodé.

Duket sikur e paske pak inatin me gazetarët...

Në fakt me gazetarët profesionalë kam marrëdhënie shumë të mira, por e kam kapur me ata pseudogazetarë që përpiqen të të “ngulin thikën pas shpine”.

Konkretisht çfarë të kanë bërë?

Kujt t’i djegë, le ta mbajë”, por mund të them vetëm kaq se këta “gazetarë” edhe humorin, batutat e çastit, etj. e shfrytëzojnë për të sajuar diçka që në të vërtetë nuk ekziston. Zonja dhe zotërinj, jetojeni jetën tuaj më me sportivitet. Përpiquni të jeni të lumtur me veten dhe mjaft me thashetheme, se jemi në vitin 2010-të. Mos u merrni me “me nderen time”, por shikoni jetët tuaja.

Ju vazhdoni punë çdo të martë në “Top Albania Radio” Klodi?

Po, si çdo të martë gjendem në studiot e “Top Albania Radios” me Arbana Osmanin.

Të pëlqen angazhimi aty?

Po është shumë gallatë?

Pse gallatë ishte dhe ajo çfarë dëgjuam dy ditë më parë në transmetim direkt, ku thoshe se je i dashuruar?

Po. Ishte thjesht batutë e çastit, e cila u zgjat në bisedë e sipër. More njerëz, po duhet të dimë të bëjmë dallimin nga një emision argëtues-veror nga një emision me tema sociale. Arbana po më “ngacmonte” me shaka dhe unë ndoqa lojën e saj. Pse duhet të merret çdo gjë me kaq seriozitet?!

Si përfundim, je i dashuruar apo jo?

Jam i dashuruar me jetën, me miqtë të cilët më respektojnë dhe më duan për këtë që jam dhe jo për atë çfarë njerëzit duan të jem. Pra jam i dashuruar me çdo gjë të bukur dhe të sinqertë.

Po imazhet që pamë në një gazetë të përditshme si i komenton?

Ah, këtu më duhet t’u sqaroj një herë e mirë. Në ato fotografi kam qenë i rrethuar me miq dhe dashamirës, por nga ajo gazetë (së cilës nuk dua as t’i bëj reklamë) u interpretuan si “dashuritë e mia”. Nuk është e vërtetë që jam i lidhur me personat që jam parë në foto. Ata janë njerëzit e mi, shoqëria  ime dhe këtu gjej rastin t’u kërkoj ndjesë madje, sepse as ata vetë nuk e kanë imagjinuar që mund të përfundonin në faqe gazete.  Megjithatë rroftë facebook-u për këta pseudogazetarë.

 

Në fakt, u bë kohë që nuk të kemi lexuar në intervistë. Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde deri tani Klodi?

Përveç eksperiencës që mora nga BB3 dhe kënaqësisë që po provoj në “Top Albania Radio” deri tani, sidomos nga institucionet shtetërore nuk kam as një mbështetje konkrete. Dhe fatkeqësisht, kjo më bën të mendoj që në Shqipëri homofobia është tepër e theksuar dhe çuditem kur mendoj sesi kërkojmë të çajmë në Europë, ndërkohë që individi këtu nuk ka të drejtë të shprehet lirisht. Pra këtu mungon liria e fjalës, imagjinoni ajo e veprimit?!

Kaq i zhgënjyer je nga institucionet tona?

Nuk jam i vetmi në fakt, por faleminderit juve dhe disa gazetarëve korrektë që na japin hapësirën e duhur ku edhe ne të mund të ngremë zërin për të kërkuar të drejtat tona.

Po pas letrës së hapur dërguar Ramës dhe Berishës ke marrë ndonjë përgjigje?

Deri tani jo, por unë vazhdoj të pres. Por nuk e di edhe sa do më duhet të pres! Shpresoj mos të zhgënjehem.

Ke vendosur ku do jetosh Klodi? Në Shqipëri, apo... do kthehesh në Itali?

Jeta ime është e ndërthurur mes këtyre dy shteteve. I dua të dy, por më shumë vendin tim, i cili më ka ushqyer që në foshnjëri. Megjithatë, momentalisht jam fokusuar në disa projekte këtu dhe uroj të më realizohen.

Mund të na tregosh diçka për këto projekte?

Dua të mbeten surprizë edhe për pak kohë, por ju siguroj që nuk do vonojnë.

Si të duket jeta e kryeqytetit tonë, krahasuar me jetën që bën në Itali?

Kudo që shkon vëren anë pozitive dhe negative, por siç e thashë më lart unë e dua vendin tim, prandaj edhe gjendem këtu në këtë moment që po jap intervistën.

Njihesh si një njeri që të pëlqejnë udhëtimet dhe kultura të ndryshme. Cili do të jetë destinacioni i radhës?

Pasi të konkretizoj disa ide, kam dëshirë të vizitoj Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, etj.. Meqë nuk kam qenë asnjëherë dhe kërkesat e fansave janë të shumta, mendoj që së shpejti t’i përqafoj nga afër. Por duhen lekë edhe për udhëtime, kështu që më duhet të punoj një herë, e pastaj të hidhem drejt eksplorimit të vendeve që përmenda. Kismet, duke parë e duke bërë.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7