Hyrje | Revista + VIP | Gjykata zbardh përplasjet Noizy-Stresi

Gjykata zbardh përplasjet Noizy-Stresi

Gjykata zbardh përplasjet Noizy-Stresi

Për këtë shkak, Rajku, ndonëse po shkonte të këndonte në skenën e Pallatit të Kongreseve, kishte marrë në makinën e tij dy këmbë karrikeje dhe dy thika. Detaje të episodeve të dhunshme mes dy grupimeve të muzikës hip-hop, “OTR” dhe “TBA”, janë sqaruar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, mbi ngjarjen e ndodhur në maj 2010, ku pak para fillimit të konkursit muzikor, pati të shtëna armësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në pjesën mes Pallatit të Kongreseve dhe Presidencës. Për këtë ngjarje, në 6 tetor 2010, Gjykata e Tiranës dënoi me 10 muaj burg Jetnis Dollapajn, për veprat penale të “kanosjes”, “prishjes së qetësisë publike” dhe të “prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake dhe municionit”.

Nga i njëjti vendim, shtetasi Ermal Gjici u dënua me 180 mijë lekë të reja gjobë për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. Zbardhja e këtij vendimi gjykate pak ditë më parë, hedh dritë mbi konfliktet e hershme mes dy grupimeve të “hip-hop”-it, që kanë pasur mes tyre përballje të dhunshme, deri në kufijtë e kryerjes së veprave penale. Referuar vendimit, shkak i konfliktit të 23 majit kanë qenë grindjet e mëparshme mes “OTR” dhe “TBA”. Më poshtë botohen pjesë të argumentimit të vendimit të gjykatës, shpallur në 6 tetor 2010.

NGJARJA te Pallati i Kongreseve

Rezulton e provuar se në datën 23.05.2010, rreth orës 19:40, në vendin e quajtur bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përballë Pallatit të Kongreseve, i pandehuri Jetnis Dollapaj, pasi ka dalë nga një automjet tip Fuoristrade me targa angleze, ka qëlluar me një armë zjarri automatike, në një largësi prej 10-15 metrash, me qëllim kanosjen për vrasje të shtetasve F. Muça, K. Çela, R. Cerenishti, të cilët po qëndronin në këmbë pranë një automjeti me targa DR 1966 F, që është në pronësi të shtetasit B. Rajku, por përdorej dhe nga djali i tij, shtetasi Rigels Rajku. Nga të shtënat me armë zjarri, pavarësisht distancës së afërt, nuk është vrarë ose lënduar njeri, si dhe nuk është dëmtuar as automjeti pranë të cilit ndodheshin të rinjtë.

I pandehuri Jetnis Dollapaj me armë në dorë, është nisur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, por është rrëzuar afër një makine dhe arma ka bërë dhe një shkrepje tjetër. Ai është ngritur dhe është përpjekur të largohet me vrap, por është ndaluar nga disa punonjës policie të ndodhur në vendngjarje: K.Bregu, K.Beqiraj, L. Gjana dhe A. Mena. Gjatë kontrollit personal, të pandehurit i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një thikë metalike flutur, me ngjyrë gri në të zezë, ku tehu mbyllej nga dy kapakë mbrojtës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, sipas proces-verbalit dt. 23.05.2010, është konstatuar: “Mbi rrugën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në një distancë prej 13,7 m larg qoshes së sheshit “Nënë Tereza”, tek kabina e telefonit u gjet e hedhur në mënyrë të çrregullt një armë automatike nr 89-0244. Në vendin e ngjarjes u gjet e parkuar një autoveturë tip Benz, me ngjyrë gri. Brenda bagazhit të autoveturës u gjetën dy këmbë karrigeje druri, një shkop bejzbolli, dy përforcuese grushtash metalikë, një thikë me hapje flutur, një thikë buke dhe një kaçavidë. Ka rezultuar se dorezat metalike i përkisnin të pandehurit Ermal Gjici, ndërsa thikat, shkopi i bejzbollit dhe këmbët e karriges ishin të shtetasit Rigels Rajku (NOIZY).

KONFLIKTET

Shkak i konfliktit të datës 23.05.2010, ka qenë një grindje e mëparshme midis dy grupeve muzikore, “OTR” me drejtues shtetasin Rigels Rajku me pseudonimin muzikor Noizy, dhe “TBA Butuesi” me drejtues shtetasin Arkimed Lushaj, me pseudonimin muzikor Stresi. Drejtuesit, anëtarët dhe fansat e secilit grup në mënyrë të vazhdueshme janë ofenduar, sharë dhe konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin për më shumë se një vit. Konkretisht, përpara ngjarjes së datës 23.05.2010, në datën 28.04.2010, disa shtetas të cilët janë të lidhur me grupin “OTR” dhe shtetasin Rigels Rajko, kanë goditur me mjete të mprehta shtetasin Denis Dollapaj, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup, për të cilat ky shtetas ka qenë i shtruar në spital për një kohë të gjatë. Në datën 22.05.2010, pra një ditë përpara ngjarjes, shtetasi Arkimed Lushaj është goditur me grusht dhe me sende të tjera të forta nga shtetasi Rigels Rajku dhe një shtetas tjetër i quajtur Detjon Xhizdari. Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, rezulton se dëmtimet e shkaktuara këtij shtetasi klasifikohen si plagosje e lehtë. Por me proces-verbalin “Për heqjen dorë nga e drejta e ankimit” të datës 29.06.2010, ky shtetas ka hequr dorë nga e drejta e tij e ankimit dhe në këto kushte nuk është proceduar për këtë vepër penale.

“RIVALITETI” I RREPERAVE

Në datë 23.05.2010, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohej edicioni i radhës i festivalit “Top-Fest” ku do të merrte pjesë dhe këngëtari Rigels Rajku. Ky i fundit ka hyrë në ambientet ku do të zhvillohej festivali, në pritje të debutimit, ndërsa një pjesë e shokëve dhe fansave të tij kanë qënduar jashtë Pallatit të Kongreseve. Në festivalin “Top Fest” do të merrte pjesë dhe grupi muzikor “TBA Butuesi”, me drejtues shtetasin Arkimed Lushaj. Drejt Pallatit të Kongreseve janë drejtuar dhe miqtë e fansat e këtij grupi muzikor, mes tyre dhe i pandehuri Jetnis Dollapaj. Ky i fundit i është afruar Pallatit të Kongreseve me një automjet tip Fuoristradë dhe pasi ka vënë re prezencën e fansave të grupit muzikor “OTR”, konkretisht shtetasve F.Muça, K. Çela, R. Cerenishti, A.Shkembi, E.Gjici, M.Blazeri, E.Simoni, ka zbritur nga automjeti dhe ka nxjerrë nga një çantë sportive një automatik. Është afruar pranë automjetit tip Benz, ku qëndronin fansat dhe ka qëlluar disa herë me qëllim kanosjen e tyre, në një distancë të afërt prej 10 – 15 m. Nga goditjet nuk ka pasur dëmtime. Më pas, i pandehuri Jetnis Dollapaj është larguar me vrap në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”. Gjatë vrapimit i ka rënë arma automatik dhe më pas është kapur nga punonjësit e policisë.

DEKLARIMET

Rigels Rajku (NOIZY) në hetimet paraprake ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ndodhej brenda ambienteve të Pallatit të Kongreseve. Në lidhje me sendet e gjetura në bagazhin e automjetit Benz 320 me targa DR 1926 F, ai ka parashtruar se makina është në pronësi të babait të tij, Bashkim Rajku, dhe ditën e ngjarjes ia ka dhënë në përdorim të pandehurit Ermal Gjici. Në bagazhin e makinës, Rigels Rajku deklaron se ka futur këmbët e karriges së thyer, një thikë flutur, një thikë buke, por nuk ishte në dijeni të dorezave metalike. Nga deklarimet e shtetasve F.Muco dhe Rigels Rajku, provohet se dorezat metalike të gjetura në automjetin Benz posedoheshin nga i pandehuri Ermal Gjici, i cili e ka patur automjetin në përdorim ditën e ngjarjes. Konkretisht, për shkak të konflikteve të mëparshme mes grupeve muzikore dhe nga frika e një konfrontimi të ri natën e festivalit “Top Fest”, shtetasi Rigels Rajku u ka dhënë automjetin e të atit miqve të tij, mes tyre dhe të pandehurit Ermal Gjici, duke futur në bagazhin e makinës dy këmbë të thyera të një karrigeje druri, një thikë flutur dhe dy thika buke për vetëmbrojtje. Ndërsa dorezat metalike janë futur në bagazh nga i pandehuri Ermal Gjici, i cili kishte në përdorim automjetin, fakt që provohet nga deklarimet e shtetasit Rigels Rajku dhe F.Muco.

 

Panorama Plus

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7