Hyrje | Sport | Tirona, Starova dhe morali i futbollit

Tirona, Starova dhe morali i futbollit

Tirona, Starova dhe morali i futbollit
Sezoni futbollistik është mbyllur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, ku aktorët kryesorë janë kthyer në disa marioneta, të komanduara në mënyrë të ç’rregullt nga njerëzit anonimë


Pak kohë më parë kur isha i ftuar në një panel gazetarësh për zgjedhjet presidenciale të federatës së futbollit dhe përballë ishte rivali i Armand Dukës, Refik Halili, e në krah të tij për suport ishte edhe Sulejman Starova.

Dëgjova në atë mbrëmje për më shumë se dy orë të predikohej shumë për moralin në futbollin shqiptar, për korrupsionin që ka mbërthyer disa hallka të tij; u fol për fushat, për futbollistët, për trajnerët, për kampionatin e pakontrolluar dhe rezultatet e paracaktuara të tyre, por edhe të ekipit kombëtar; madje në një nga momentet e emisionit u fol edhe për gjykata, pranga, arrestime dhe për një botë më të mirë, që duhej të ndërtohej pas gjithë kësaj, falë impenjimeve të tjerë njerëzve që duhet të vinin në këtë institucion.

Fraza dhe ideologji që dua t’i besoj dhe që i mbështes me shumë bindje, që edhe ato probleme që ka futbolli ynë të riparohen. Sigurisht ligjërues ishte edhe miku im Starova, që për hir të vërtetës dua të besoj se pjesën e moralizuesit e bën më mirë se askush tjetër, të paktën në studiot televizive. Starova foli për mungesë të moralit nga shefat e futbollit dhe se suporti që ai po i jepte zotit Halili ishte që në futboll të vijnë njerëzit me moral të pastër, me karakter të forte e që janë të aftë të ndërtojnë një të ardhme me vlera në futbollin tonë.

Të them të vërtetën në atë mbrëmje u mbusha me shumë optimizëm nga dialogu me pyetje-përgjigjet që pata me zotërinjtë që përmenda më sipër, pasi fjalët e tyre m’u dukën shumë bindëse, të sinqerta dhe të thëna me shumë patos.

M’u dukën operacione të realizueshme, që më shumë sesa investime në para (që gjithnjë duket sikur janë ato që pengojnë zhvillimin dhe rritjen e nivelit të këtij sporti në vendin tonë), kërkonin korrektësi, dëshirë, vullnet të pastër dhe sigurisht edhe shumë përkushtim njerëzor.

Besova te fjalët e Starovës, që si gjithnjë e kam cilësuar dhe e mbroj me shumë bindje se është një prej personaliteteve të futbollit tonë, për njohuritë dhe eksperiencën që ka fituar në pozicionet që ka pasur në sportin tonë, por edhe për agresivitetin me të cilin kërkon t’i realizojë shumë detyra.

Gjithashtu krijova një bindje se idetë që ai kishte (që sigurisht edhe i ka akoma në kokë) mund të materializoheshin në një punë shumë të mirë në institucionin më të lartë të futbollit, falë edhe mbështetjes së një personazhi si Refik Halili, që me ‘burrërinë’(e kam fjalën që është njeri i besës) dhe karakterin që ka, ai u shkon gjërave deri në fund, madje shumë pre tyre i bën vërtetë shumë mirë.

Gjithsesi ky film mbaroi shpejt. Halili e humbi betejën me Dukën, humbje të cilën ai bashkë me stafin e tij e pranuan pa kontestime, por që në fund qëndron edhe fraza: vazhdon…! Pas 4 vitesh ka sërish zgjedhje, Halili mund të tentojë sërish, të përgatitet më mirë dhe të sigurojë një suport shumë më të madh për të realizuar qëllimin e përmbysjes në drejtimin e institucionit më të madh të futbollit në vend.

Duke qenë se Halili është ‘babaxhan’ në llojin e tij (dhe si ai kështu kanë qenë të gjithë njerëzit që kanë drejtuar Tironën), miqtë dhe mbështetësit di t’i sajdisë, madje shumë mirë. Një prej tyre ishte dhe Starova, që sot ka zhveshur kostumin dhe kravatën dhe ka marrë uniformën, duke zënë vend në stolin bardheblu. Një lëvizje që për disa nuhatës të vjetër të botës sonë (e kam fjalën për njerëzit që merren me sportin, gazetarë, trajnerë, dashamirës, miq e shokë të ngushtë) ishte shumë e lexueshme.


Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Madje, ashtu si edhe për shumë argumente të tjera që përmenda më lart, mendoj se Starova është padyshim një prej trajnerëve më të mirë në Shqipëri, për të mos thënë më i miri, dhe një zgjedhje ideale për një skuadër që synon majat e futbollit.

Është një manovër shumë e mirë edhe për futbollin dhe kampionatin, që ka nevojë për shumë profesionistë të mirë, që për një arsye apo tjetër punësohen rëndom në studiot televizive. Futbolli i luajtur ka nevojë për të tillë personazhe, që ashtu siç kanë autoritet me mendimet e tyre në studiot televizive, duhen të kenë edhe në pankinat e skuadrave që drejtojnë.

Por ajo që më shqetëson është fakti se cili është morali me të cilin Starova e ka pranuar këtë detyrë? Është ky një shpërblim për atë palo fushatë që bëri në pak ditë në krah të Halilit? Ka vërtetë nevojë Starova për dy muaj rrogë, kur ende nuk ka marrë shumë më tepër para nga dy kontratat e ndërprera në mënyrë të shëmtuar disa vite më parë?

Si do të përballet ai me ata pak futbollistë të mbetur nga skuadra që kishte disa vite më parë në skuadër, të cilët e përzunë me dhunë nga Tirana, jo një po dy herë?

Cilën skuadër do të drejtojë në këto pak ndeshje të mbetura Starova, atë skuadër që nuk ka nevojë për trajner se rezultatin e ka paracaktuar kundërshtari i radhës? Apo mos vallë i pëlqen dhe atij të bëhet palaço si gjithë të tjerët duke u hapur portën skuadrave që luajnë për mbijetesën?

E kam shumë të vështirë të besoj se të marrësh një detyrë në një pikë të vdekur të sezonit, mund të flasë për futboll, për përgatitje fizike, tekniko-taktike, për skema dhe module loje. E di shumë mirë që ai ndërton në mënyrën më të mirë dhe më të këndshme të mundshme seancat stërvitore, por e kam të vështirë të besoj se Starova ka autoritetin e mjaftueshëm të ngrejë zërin për ndeshjen e radhës, që e ka të paracaktuar rezultatin. E pamundur më duket që të ketë mbetur ndonjë futbollist në atë skuadër që të bindet të luajë futboll, kur vetëm një apo disa ndeshje më parë ka luajtur teatër.

Po flas për Tiranën, por nuk ka ndryshim nga kjo histori as Dinamo, e më pak edhe Besa apo ndonjë tjetër, pasi të gjitha kanë dhënë e kanë marrë gola të rremë sa janë shqepur në këto ndeshjet e fundit. Dikush duhet të shpëtojë, me hir e me pahir, por disa të tjerë, e më shumë nga të gjitha futbolli, në këto kushte duhet të humbasë. Është një humbje e thellë. Një rezultat shumë i vështirë për t’u përmbysur, pasi kjo është një përballje me një takim, pa ndeshje kthimi.

M’u desh të zgjedh si protagonistë të shkrimit tim, Tiranën, simbolin e futbollit shqiptar, Starovën një prej njerëzve me më shumë vlera profesionale, por edhe Halilin, një prej dhuruesve më zemërgjerë, por në fakt e gjithë kjo ka lidhje me moralin me të cilin po luajnë rolin të gjithë aktorët e futbollit tonë. Për një moral që mendoj se është vrarë nga disa njerëz me pushtet të vogël, të cilët po e blejnë çdo ditë shumë lirë futbollin.

Me pak fjalë sezoni futbollistik që lamë pas ishte një pazar i hapur, ku kompromisi dhe preferencat triumfuan mbi agonizmin, sportivitetin dhe vlerat e një gare që prodhon sporti i futbollit. Aktorët ishin të njëjtët ata që ne njohim prej vitesh në çdo sezon, çdo fundjavë, e çdo ditë në faqet e medias sportive, por me role episodike, madje herë herë të pazëshëm, si ato marionetat, që lëvizin në mënyrë të çrregullt gjymtyrët pas perdes, ndërsa zërat interpretohen nga të panjohurit që i mbajnë në duar, edhe pse interpretimi është shumë i realizuar, thuajse perfekt. Kështu është bërë edhe futbolli në Shqipëri, e jo vetëm në këtë sezon, por mund të thuhet me plot gojë se në këtë sezon është perfeksionuar, është sjellë në një formë perfekte, që askush nuk arrin ta deshifrojë, veç atyre që e kanë sjellë këtë model në jetë.

Dikush mund të mendojë se kjo është një lojë e federatës, madje ata që e ngrenë zërin më shumë janë pikërisht njerëzit që e kanë sjellë këtë sistem: drejtuesit e klubeve. Federata është e fundit që ka përgjegjësi në këtë manovër, madje ajo është e pafuqishme që edhe të parandalojë këtë poshtërim.

Të mësuar me një sistem fiktiv, ku sipas tyre që gjithçka në këtë botë blihet dhe shitet, njerëzit që kontrollojnë futbollin i bëjnë zgjedhjet dhe preferencat e tyre në bazë të tarafit, interesave dhe qëllimeve mediokre, si një lojë të fortësh, që i bëjnë peshqesh njëri tjetrit, në kurriz të futbollit, të sportistëve dhe mbi të gjitha të tifozëve.

Ndërsa ka ardhur fundi i një sezoni, e kemi vështirë të flasim për balancë, për vlera, për fitues dhe agonizëm. Nuk mund të diskutojmë dot për spektakël apo për një nivel profesional: por po flasim për një aktivitet që ka humbur moralin dhe komponentët që e përbëjnë atë janë të gjithë të zhvleftësuar.

nga Elert Yzeiri

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7