Hyrje | Sport | Kuqezinjtë barazojnë në Rumani

Kuqezinjtë barazojnë në Rumani

UPDATE- Shqipëria i ka nisur me barazim eleminatoret e Euro 2012, me një lojë jo shumë bindëse. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa është dashur pjesa e dytë që të shënoheshin gola. Kanë qenë rumunët që kanë kaluar në avantazh të parët, rezultat i cili nuk ka zgjatur shume minuta. Muzaka i futur në lojë në pjesën e dytë, si zëvendësues i Klodian Duros, pas një krosimi të Hansi Agollit në zonë, me kokë ka shënuar golin e barazimit vetëm 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt.

Ndërkaq të marten, kombëtarja do te prese në Qemal Stafa, Luksemburgun


Europianët e Shqipërisë në shifra

Shqipëria do të nisë sot, kundër Rumanisë, për herë të 11-të aventurën e saj në eliminatoret e një Kampionati Europian, pavarësisht se ai i Euro 2012 është i 14-ti për nga radha, kjo pasi në tre fushata kualifikuese: 1960, 1976 dhe 1980, Kombëtarja jonë (për arsye të ndryshme, edhe politike) nuk ka marrë pjesë. Shqipëria ka luajtur kundër 26 ekipeve kundërshtare. Nga 73 ndeshje të zhvilluara, Shqipëria ka mundur të fitojë vetëm 10 prej tyre. 17 takime janë mbyllur në barazim, ndërkohë që kemi humbur 46 ndeshje. Shqipëria ka shënuar 55 gola, ndërsa ka pësuar 140 gola. (Në eliminatoret e Botërorëve, Shqipëria ka këtë bilanc: 83 ndeshje; 11 fitore, 11 barazime, 62 humbje).

**************************************


"Shqipëria, kundërshtarja e Francës në eliminatoret e Euro 2012-s, është një ekip solid në mbrojtje, por transparent në sulm". Ky është thelbi i një shkrimi të botuar në faqen zyrtare të FIFA-s mbi kombëtaren shqiptare të futbollit.

"Trajneri kroat, Josip Kuzhe, duke dashur të marrë maksimumin e mundshëm nga objektivi i skuadrës që drejton, duke parë që edhe se rezultatet në nivelin europian dhe botëror kanë qenë shumë modeste, ka aplikuar një lojë shumë mbrojtëse. Të paktën gjashtë lojtarë të formacionit bazë, Cana, Dallku, Curri, Vangjeli, Lila dhe Bulku mbulojnë vetëm mbrojtjen. Katër të parët luajnë në linjën përpara portierit titullar Beqaj, ndërkohë që Lila dhe Bulku janë mesfushorë mbrojtës, por që shohin pak drejt sulmit", - thuhet në këtë artikull.
Sipas FIFA-s, problemi më i madh i formacionit shqiptar është sulmi dhe gjallëria ofensive. "Mesfushorët sulmues dhe sulmuesit kanë qenë gjithmonë në problem madhor për formacionin shqiptar. Por dhe vetë lojtarët e përfaqësueses rrallë ia kanë dalë të përshtaten në ekip dhe të ndërtonin një profil sulmues që do të bënte të shpresonin për rezultate më të mira".
Titullarët kuqezinj, Skela, Duro dhe Bogdani, janë tashmë të moshës nga 32 deri në 34 vjeç dhe luajnë shumë pak ose aspak në klubet e tyre respektive, vetëm pak ditë larg një cikli të ri të kompeticionit, ç'ka nuk premton për një të ardhme ofensive në përfaqësuese. "Me gjithë eksperiencën e tyre me përfaqësuesen, këta lojtarë janë në fund të karrierës së tyre ndërkombëtare, sepse luajnë pak me klubet respektive. Megjithatë, ata përfaqësojnë problemin më të madh në ekipin shqiptar, me një organizim jo aq të gjallë në lëvizshmërinë ofensive. Por, ekipi shqiptar është i aftë që, në ditët e tij të mira, të shkaktojë surpriza. Për të vënë në dukje janë fitoret kundër Rusisë dhe Gjeorgjisë dhe barazimet kundër Zvicrës dhe Irlandës, po kështu pathyeshmëria e shqiptarëve në shtëpi gjatë eliminatoreve të Euro 2004-s. Në shtator të vitit 2004, ekipi kombëtar mundi Greqinë në Tiranë, me rezultatin 2-1. Greqia ishte kampione e porsakurorëzuar e Europës. Gjatë eliminatoreve të Botërorit 2010, shqiptarët morën një barazim 0-0 në Portugali (në tetor të vitit 2008)."

*********************************


Shtypi rumun nuk kishte si të mos kontaktonte me një yll shqiptar, që ka luajtur në kampionatin e vendit të tyre, Sulejman Demollarin, para ndeshjes eliminatore të 3 shtatorit. Për të marrë mendimin e tij në lidhje me pritshmëritë e verdiktit të kësaj sfide, bazuar në forcat reale të të dyja palëve. Dhe Demollari, një njohës i mirë i futbollit rumun, por edhe atij shqiptar, natyrisht, duke qenë edhe trajner i kombëtares kuqezi U-15, nuk ka ngurruar të qëmtojë situatën, duke dhënë mendimin e vet. I cili shkon në anën e Rumanisë, si favorite për ta fituar ndeshjen e parë eliminatore në grup me Shqipërinë. Në sintezë të fjalëve të ish-lojtarit të Dinamos së Bukureshtit, Sulejman Demollari, është vlerësimi:
"NE JEMI TË DOBËT, SI NË VITIN 2007, KUR NA KENI MUNDUR ME REZULTATIN E THELLË 6-1!"
- Le të flasim pak për ndeshjen Rumani-Shqipëri. Përpara kemi ndeshjen mes dy kombëtareve tona...?

- Hmm, një ndeshje shumë e vështirë për ne. Duhet ta pranoj, Rumania ka një ekip shumë më të fortë se Shqipëria. Por, siç e dini, në futboll çdo gjë mund të ndodhë.
- Vërtet ju duket e fortë Rumania aktuale?

- Po, sepse ka lojtarë që në planin individual janë më shumë si numër se tanët, por kanë edhe vlera më të mëdha. Ju keni Mutunë, por a është rikthyer në kombëtare?
- Jo, akoma, pas rreth një muaji pezullimi i tij përfundon...
- E pra, edhe kështu, pa Mutunë, edhe pse ai ishte numri një, sa i takon rrezikut që sjell, Rumania është ende ekip më i fortë se yni, këtë duhet ta pranoj.
- Cilin ekip shihni më favorit në grupin tonë kualifikues?

- Natyrisht, Francën. Pastaj, sipas mendimit tim, vjen Rumania.
- Na e bëni pak "spiunin" shqiptar për këtë ndeshje...

- (Qesh) Unë po ju them disa të fshehta të vogla. Fjala vjen, ne kemi një trajner kroat, shumë ambicioz, që kanxitur shumë lojtarë të rinj nga kombëtarja U-21.
- A ka vend për t'u përsëritur "cirku" i ndeshjes së fundit mes nesh, rezultati 6-1?

- Edhe nga kjo gjë duhet të kemi frikë.
- A keni ndonjë lojtar, i cili mund të jetë vendimtar në kombëtaren shqiptare?

- Po, Lorik Cana, lojtar i Gallatasarajit. Ka lindur në Kosovë, por përfaqëson prej disa vitesh Shqipërinë.
- Trajneri ynë është Razvan Luçesku. E njihni ndopak?

- Oh, vërtet, ai tani është trajneri juaj? Kam një mendim të mirë për të. Ishte një djalë inteligjent në këtë sport, kjo dukej që kur unë isha lojtar i Dinamos së Bukureshtit.
- Shqipëria do të kërkojë hakmarrje pas humbjes së thellë 6-1 në Rumani?

- Unë nuk dua ta kujtoj atë ndeshje, që për mua ishte më shumë "cirk". Nuk dua të flas vërtet për atë lojë, sepse nuk e di çfarë ndodhi në të vërtetë.
- Por, na thoni diçka. Shqipëria e tanishme a është më e fortë se e asaj humbjeje të thellë?

- Jo, në asnjë mënyrë. Asokohe kombëtarja shqiptare ishte më e mirë.
- Tani çfarë po bëni?

- Punoj në federatë, në Tiranë, drejtoj kombëtaren U-15 të Shqipërisë.

Shekulli

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7