Hyrje | Sport | Gjekë Gjonaj: Rrezart Cungu, tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi

Gjekë Gjonaj: Rrezart Cungu, tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi

Gjekë Gjonaj: Rrezart Cungu, tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi

Rrezart Cungu,  tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi

Nga Gjekë Gjonaj

 

Tenisi  për  shqiptarët në Mal të  Zi  është ndër sportet më pak i përfaqësuar. Jo pse rinia jonë nuk e preferon, apo nuk e do këtë  sport, por pse  në trevat shqiptare  me vite  të tëra  ka munguar mbështeja institucionale,  për ç’gjë gjenerata të tëra   nuk patën mundësi as t’i provojnë aftësitë  e veta,  e as të shpalosin talentin e tyre në fushën e tenisit.

 

Klubi i Tenisit “ Bellevue” organizatë serioze sportive

 

Falë biznesmenit të suksesshëm  ulqinak Nazif Cungut, lider i Forcës së Re Demokratike – Forca   ky sport,  i cili 20 vite ishte lënë pas dore në Ulqin, u gjallërua. Ai  para pak më shumë se tri vitesh themeloi Klubin e Tensiit “ Bellevue” ,  riaktivizoi qendrën e tenisit , riparoi  fushat e tenisit në ambijent të hapur dhe të mbyllur, krijoi kushte për stërvitje gjatë vjeshtës dhe dimrit, hapi shkollën e tenisit për fëmijë, emëroi stafin drejtues,  përgatiti trajner të liçencuar dhe organizoi turne të ndryshëm për fëmijë në nivel lokal, nacional, rajonal dhe europian. Të gjitha këto aktivitete dhe puna e palodhshme e udhëheqësve të klubit, kryesuar nga z. Cungu pati jehonë të mirë në Ulqin. Interesimi i fëmijëve  për lojën e tenisit në këtë qytet të lashtë bregdetar  me civilizim më se  dy shekuj e gjysëm shtohet gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Po ashtu  radhiten  edhe sukseset.  Klubi i Tenisit “ Bellevue”  pas një kohe relativisht të shkurtër pune filluar pothuaj nga asgjëja u shpall   klubi më i mirë në Mal të Zi në vitin 201o.

 

Kryetari i Federatës së Tenisit të Malit te Zi, Dimo Rashoviq   në  fjalën e hapjes së kompeticionit të dytë ndërkombëtar  “ ETA”  “ Cungu Open 2012”   për moshën deri në  14 vjeç, të nivelit evropian  i cili u mbajt në  Ulqin, ku morën pjesë  përfaqësues nga 16 shtete btë botës  ka deklaruar se  Klubi i Tenisit “Bellevue” është një freski e vërtetë për sportin e tenisit ne Mal të  Zi sepse për një periudhë të shkurtër  kohore ky klub  u  bë  një organizatë serioze  sportive.

 

Shpresa e tenisit shqiptar

 

Rrezart Cungu, djaloshi 14 vjeçar nga Ulqini, anëtar i KT “ Bellevue “  është tenisti më i mirë shqiptar në Mal të Zi.  Me sportin e tenisit e ka filluar   para  3 vjetësh  në Klubin e Tenisit “ Bellevue”, të cilin e ka themeluar babai i tij Nazif Cungu, kryetar aktual i Komunës së Ulqinit, njeherazi edhe lider i Forcës së Re Demekratike – Forca.  “ Tenisi më ka hyrë në zemër kur filloi punën shkolla e tenisit, pranë Klubit “ Bellevue” . Qysh atëherë  unë fillova stërvitjet  e rregullta dhe ky sport shumë shpejt u bë pjesë e  pandashme e jetës sime” rikujton fillimet  e tij  Rrezarti.  Ai  shumë shpejt shquhet për talentin   dhe vullnetin e madh që ka për  tenis. Rrugën e vështirë të sukseseve e fillon mbarë. Ka marrë pjesë rregullisht në gara   të niveleve të larta dhe ka shënuar rezultate bindëse.  Në të shumtën e rasteve ai është ballafaquar edhe me garues më të vjetër se ai.

 

Promovues  i vërtetë i Ulqinit

 

Ky tenist i shkëlqyer  arriti  atë që deri më sot nuk e arriti asnjë  tenist  nga trevat shqiptare në Mal të Zi. Dy vite radhazi  është shpallur sportisiti  më me perspektivë në Komunën e Ulqinit, për vitin 2010 dhe 2011. Nga mosha 13 vjeçare  Federata e Tenisit të Malit të Zi e ka zgjedhur  Rrezart Cungun të përfaqësojë Malin e Zi    në garat ndërkombëtare të tenisit të cilat janë mbajt në korrik të vitit të kaluar në qytetin Pilzen të Çekisë. Pa i mbushur 14 vjeç Rrezarti duel fitues në turneun shtetëror të Malit të Zi për grupmoshën  deri në 16 vjeç, duke u shpallur kampion i Malit të Zi.  Ka të fituara  dhjetra turne dhe disa herë ka luajtur në finale nëpër turne shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare. Cungu është radhitur në  vendin e 171 në listën e tenistëve më të mirë europian në grupmoshën e tij.  Sukseset e tij të deritashme  janë promovimi më i mirë që Ulqini është duke bërë në fushën e sportit.  Rrezarti  që dy vjet si sportist i shquar është një ambasador i vërtetë i Ulqinit, një promovues i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Sukseset  e tij kam bindjen do të jenë frymëzim edhe për shumë sportistë të tjerë shqiptarë nga Mali i Zi.

 

Kupa e Artë  për  100 - vjetor

 

Ndër sukseset e shumta që ka pasur ky tenist shqiptar tashmë i njohur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare  veçon Kupën e Artë në  Turneun e Hapur “ Pavarësia”, i cili u mbajt në Tiranë në kompleksin  modern “ National Sport Park , nga data  10-14 nëntor, për nder të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Tenisti  tashmë i njohur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare nga Ulqini , edhe pse në moshë më të re se të gjithë garuesit e tjerë,  dëshmoi klasin e tij dhe sipas specialistëve të këtij sporti  tregoi lojë të nivelit të lartë.  Ai në këtë turne  të organizuar nga  Federata Shqiptare e Tenisit  ku morën pjesë  45 tenistë të shkëlqyer  nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi   ka  fituar vendin e dytë   dhe është  shpërblyer me një kup të artë.  Rrezarti  në kategorinë e seniorëve ( 14-20 vjeç)    shënoi  fitore të  lehtë në    ndeshjen e parë ndaj shkodranit Mildon Kumaraku me rezultat 2:0, në sete 6:0, 6:0.   Edhe në ndeshjen e dytë mundi  pastër  kundërshtarin Grid Voshtina, anëtar i   Klubit Kartografik “Bulls”  nga Tirana, me rezultat 2:0, duke mos i lejuar atij asnjë gem.   Bindshëm dhe  pa snjë problem fitoi edhe ndeshjen e çerekfinales  përballë  tenistit prizrenas  Burim Bytyqi, anëtar i Klubit të Tenisit “ Prizreni”,   po ashtu me rezultat 2:0, në sete 6:3 6:2. Rivaliteti ka qenë shumë më i madh  në ndeshjen gjysmëfinale  me  numrin   1 të Kosovës, Granit Bajraliu, anëtar i KT “ Prishtina” . Loja ishte një spektakël, që zgjati mbi 3 orë. Rrezarti ishte më i mirë se tensiti  nga Prishtina (6:4,  4:6,  6:4). Mjaft e bukur ishte edhe ndeshja  finale, në të cilën 14 vjeçari Cungu dhe 18-vjeçari  Genajd Shyphea, anëtar i KT “ Tirana” dhuruan spektakël për publikun , në mesin e të cilëve ishin edhe një grup  fansash ulqinak, të cilët  kishin ardhur  në mënyrë të organizuar enkas për ta  mbështetur bashkëqytetarin e tyre. Finalja në mes tyre ishte emocionuese.  Në setin e parë tenisiti i Tiranës, kampion i Shqipërisë për të rinj  triumfoi 6:3, ndërtsa seti i dytë ishte më i ekuilibruar. Rezultati barazohet disa herë, deri në shifrat 5:5, por më pas Cungu, për shkak të dhimbjes  në gju nuk mundi të japë maksimumin, “dorëzohet” dhe Shyphea fiton 7:5, duke   u shpallur fitues i këtij turneu.

 

“ Në finale u ballafaqova me  tenistin  e talentuar tiranas  Genajd Shyphea,  kampioni i Shqipërisë për të rinj për vitin 2012, i cili   në ndeshjen e zhvilluar në kryeqytet i kanë mjaftuar vetëm  2 sete (6:4), (6:3) për të mundur kundërshtarin e tij, tenistin e Teutës, Kejvi Kacelli.  Në këtë duel të  fortë nuk arrita të  kem një prezantim më të mirë seç ishte ky, sepse që nga fillimi i garës ndjeva dhimbje në gju, por e përgëzoj kundërshtarin për fitore. Kuptohet se  kupa e Pavarësisë për çdo sportistë shqiptarë, sidomos në  kët jubile të 100-vjetorit të shtetit shqiptar është motiv shtesë, obligim dhe përgjegjësi më e madhe në fushë. Në këtë ndeshje emocionuese   me gjithë shpirt dhashë maksimunin e mundshëm, por nuk mjaftoi të jem fitues i turneut”, thotë  me modesti Cungu duke shtuar se  ndjehet i lumtur  dhe krenar që ishte pjesëmarrësi i vetëm nga Mali i Zi  i kësaj ngjarje të rëndësishme sportive në kuadër  të 100-vjetorit të Shqipërisë, në një ballafaqim  me kundërshtarë shqiptarë  më të mëdhenjë në moshë se ai.

 

Cakciri:  Cungu, lojtar me potencial të lartë

 

Ishte pikërisht ky tenist i cili u lavdërua  gjatë dhe  pas  përfundimit të truneut nga  përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Tenisit. Ish trajneri  i kombëtares së Shqipërisë për junior Genci  Cakciri  30- vjeç nga Tirana , i cili  katër herë radhazi fitoi kampionatin Kombëtar në tenis , konkurroi në Universiada Verore 2007 në Bagkok dhe  ishte pjesë e përurimit të ekipit të Shqipërisë në Davis Kup në vitin 2010, i pyetur për  nivelin e deritashëm të lojërave të Cungut dhe për  perspektivën e tij në të ardhem shprehet:  “Unë Rrezartin e kam parë dhe herë të tjera në turnet U16 dhe U18 të luajtur në Tiranë këtë vit dhe kam parë një progres të vazhdueshëm në lojën e tij. Mendoj që në finale nuk dha maksimumin e tij, ndoshta nga emocionet dhe mungesa e eksperiencës. Por ka potencial per tú bërë një lojtar mjaft i mirë, pasi i ka të gjithë elementet në lojën e tij. Besoj qe dy vitet e ardhshme do të jenë thelbësore për zhvillimin e tij si lojtar”.

 

Udhëton për medalje në Suedi

 

Rrezart Cungu pret të kthehet me medalje edhe nga  turneu i radhës  evropian  i tenisit për juniorë që do të mbahet fundjavën e këtij muaji  në Gethenburg të Suedisë. Ai insiston  se ndihet krenar  për këtë përfaqësim dhe shpreson të mos kthehet duarthatë nga Suedia. “ Pres të sjellë në Ulqin ndonjë medalje, sepse jam  stërvitur mirë dy herë në ditë dhe kam besim  në vete. Nuk besoj se do të zhgënjej, por do  të bëj të gjithë të ndihen  krenarë me paraqitjen time në Suedi”.

 

Ivanisheviq: Synimi ynë është  radhitja në “ Top 50” në listën e tenisit europian

 

Trajneri i Cungut kroati  Zoran Ivanisheviq shprehet i kënaqur me  lojën dhe sukseset e deritashme të  nxënësit të tij. Ai thotë se  Rrezarti edhe pse  ishte pjesëmarrësi më i ri  në turneun  “ Pavarësia” në Tiranë,  ku zuri vendin e dytë, ka treguar  tenis më të mirë.  Sipas tij  të gjitha planet për këtë vit  i kanë realizuar. “Rrezarti  këtë vit është shpallur kampion i Malit të Zi  për junior deri në 14 vjeç dhe  është radhitur  në mesin e 200 tenistëve më të mirë  europian në kategorinë e tij.  Vitin e ardhshëm do të garojmë në kategorinë  e juniorëve deri në 16 vjeç. Synojmë që të mbajmë numrin 1 në Mal të Zi, të  radhitemi në “ Top 50”  në  listën  europiane të juniorëve dhe të imponohemi  trajnerit të reprezentacionit të Malit të Zi për Davids Cup”, thotë Ivanisheviq .

Përkrahja e plotë e prindërve

 

I gjithë ky sukses i Rrezartit  nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e plotë financiare e morale të prindërve të tij - Nazifit e Gazmires, të cilët nuk kursejnë asgjë që djali i tyre të vazhdojë rrugën e filluar të një tenisti tashmë të suksesshëm, i cili premton shumë. Në pyetjen tonë  se çfarë ndiesie është të jeshë prindër i një talenti siç është Rrezarti, babai Nazifi   përgjigjet: “Është kënaqësi e veçantë, por edhe brengosje. Sportet individuale janë shumë të vështira dhe  tenistët   askush nuk mundet t’i ndihmojë  gjatë lojës. Si prindër  mundohemi t’ia  krijojmë  kushtet optimale për këtë sport të shtrenjtë. Përveç suksesit kënaqemi sidomos  kur kthehet nga turnetë  pa lëndime”.

 

I lumtë Rrezart Cungut. Ai me lojërat e tij të deritashme, si çdo sportist i mirë, po na nderon. Kështu i tregojmë botës se edhe ne shqiptarët si pakicë  autoktone  në Mal të Zi   dijmë të luajmë edhe tenis.


Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7