Hyrje | Sport | M.Junajtid, kampion për të 20-ën herë…

M.Junajtid, kampion për të 20-ën herë…

M.Junajtid, kampion për të 20-ën herë…

‘Blue Moon, you saw me standin’alone”, u këndua për një vit në Mançester. Dje himni i Sitit ndryshoi dhe mori ngjyrën e tij të zakonshme, të kuqe. Mançester Junajtid fitoi titullin e 20-të në vitin më të zi të Premier Ligës (në 17 vitet e fundit nuk dërgoi asnjë skuadër në G8 e Europës). Por “djajtë e kuq”, që përjetuan eliminimin më të padrejtë të sezonit nga Reali, mund të ngushëllohen me mposhtjen e “komshinjve të zhurmshëm” pas 365 ditëve përqeshje. Hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë. Por në praktikë ishte një titull i destinuar prej 5 muajsh pas shkëputjes pa frena të kryesuesve.
Hakmarrja – Ndaj Aston Vilës duheshin 3 pikë, e kush mund t’ia servirte Fergusonit titullin e tij të 13-të në këtë tempull më mirë se Robin Van Persi… Ai erdhi pikërisht për këtë qëllim në “Teatrin e Ëndrrave”. Ishte basti i skocezit që e transferoi nga Arsenali, i cili zhbllokoi rezultatin që në sekondën e 82-të në “Old Trafford”. Shënoi një tripletë brenda 33 minutave të para, përfshirë edhe një supergol, që do të jetë kandidat për të fituar golin e sezonit pas asistit të Runit nga thellësia. Holandezi tregoi edhe njëherë se bëri diferencën në këtë sezon dhe ky titull i parë në karrierën e tij i takon, më shumë se çdo lojtari tjetër të Junajtid, atij, i cili jo rastësisht zgjodhi të mbante numrin 20. Aston Vila u dorëzua shumë shpejt, ndërsa Valencia dhe Rafael në krah të djathtë bënin çka dëshironin. Një asist i Gigsit, i pari në këtë sezon në Premier Ligë, do t’ia bënte një lojë fëmijësh detyrën 29- vjeçarit, për të zhbllokuar rezultatin. Do të ishte një lojë fëmijësh edhe goli i tretë, i cili u shërbye sërish nga uellsiani 39-vjeçar, i cili fitoi ashtu si trajneri titullin e 13-të në karrierë, aq sa ka në vitrinën e tij Arsenali i Vengerit në gjithë historinë e vet. Goli i dytë ishte një kryevepër e nisur nga këmbët e Runit në mesfushë: një top i gjatë i sulmuesit, i cili festonte ndeshjen e 400-të, u godit fluturimthi me të majtën në hyrje të zonës. Shtylla e Rafaelit, rasti i Van Persit, por edhe ato të Valencias dhe Kagavës, mund ta kishin shndërruar në një goleadë të vërtetë, por 3 gola mjaftuan. Sër Aleks do të kishte dashur që këto shanse të kishin përfunduar në rrjetë, por lojtarët vendosën të luajnë vetëm 1 pjesë loje. Kampionë sërish me meritë. Fitoi trajneri më i mirë, lojtarët më të mirë dhe skuadra më e mirë.

Ferguson: Tani e harruam titullin e Agueros
38 tituj në karrierën e tij 26-vjeçare në “Old Trafford” dhe kampionati i 13-të në palmaresin e tij personal. Sër Aleks Ferguson është një legjendë e gjallë te Mançester Junajtid dhe nuk di të ndalet. “Na duhej të harronim humbjen dramatike të sezonit të shkuar dhe ia dolëm që në sezonin tjetër. Ky titull është për të gjithë, për lojtarët e mi fantastikë, stafin, tifozët. Van Persi? Tregoi edhe njëherë se është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe meriton të fitojë çmimin e lojtarit të vitit. Shënoi tre gola fantastikë për të na dhuruar një mbrëmje madhështore. Jam i lumtur, sepse e merituam këtë trofe”, – ishin fjalët e menaxherit 71-vjeçar pas titullit kampion.

Van Persi, golashënues dhe rekordmen
“Shpresoj të fitoj titullin tim të parë dhe të 20-tin e Junajtid. Kjo është arsyeja pse zgjodha numrin 20″, – shprehej Robin Van Persi pasi firmoste me Junajtid. Mbrëmë holandezi shënoi tripletën e 5-të në kampionat, duke barazuar Endi Kol, Dimitar Berbatov, Ian Rajt dhe patriotin e tij Nistelroi. Holandezi u bë lojtari i 4-t i Junajtid që shënon më shumë se 23 gola pas Ronaldos, Runit (2 herë) dhe Nistelroit. Ai u ngjit në kuotën e 24 golave këtë sezon, duke parakaluar Suarezin (23). Me golin spektakolar ndaj Aston Vilës (i dyti), ai u fut në garë për të fituar edhe çmimin e golit më të bukur.

Van Persi: Më lini ta shijoj
“Nuk kishte rëndësi kush shënonte, për sa kohë fitonim. Jam shumë i lumtur, por për mua është një ndjesi e çuditshme e papërjetuar më parë. Fitoi një skuadër fantastike dhe me lojtarë fantastikë. Është një titull për të gjithë lojtarët, stafin, trajnerët dhe mjekët, totalisht i merituar. Goli im i dytë ishte një nga më të bukurit. Më lini ta shijoj këtë moment, sepse ndeshjen tjetër e luaj me Arsenalin”, – tha heroi i Junajtid, Robin Van Persi.

Shtyhet festa, rebelohen tifozët
Junajtid u shpall matematikisht kampion që në javën e 34-t të Premier Ligë, por trofeun do mund ta ngrejë vetëm në ndeshjen me Suonsin më 12 maj në “Old Trafford”. Tifozët i kishin blerë që mbrëmë flamujt me mbishkrimin titulli i 20-të, ndaj janë befasuar kur kanë mësuar lajmin se trofeu do t’i dorëzohet Mançesterit muajin tjetër, në ndeshjen e fundit që “djajtë” luajnë në “Teatrin e Ëndrrave”. Ndonëse ishin përgatitur për festën, janë mjaftuar vetëm me përshëndetjen e skuadrës. Ferguson fitoi titullin e tij të 13-të. Ndërsa Gigs, i cili dhuroi dje 2 asistet e para këtë sezon në Premier Ligë, u bë edhe lojtari më i titulluar i futbollit anglez. Junajtid u shpall kampion për herë të 13-të në 20 vitet e fundit, duke iu shkëputur në +2 tituj Liverpulit 18 herë kampion. Të kuqtë nuk e fitojnë titullin që prej vitit 1990. Për herë të dytë në historinë e Premier Ligës titulli u vendos ditën e hënë. Edhe herën e parë e fitonte sërish Junajtid të hënën e 2 majit 1994.

Tri rekorde për t’u thyer në 4 javë
Junajtid mund të thyejë tri rekorde deri në përfundim të sezonit. Atyre u duhen edhe 3 fitore për të arritur rekordin e 30 fitoreve brenda një sezoni, i cili mbahet nga Çelsi (2004-2005). Po ashtu, u duhet t’i fitojnë 4 ndeshjet e mbetura për të thyer rekordin po të bluve të Londrës që e mbyllën sezonin 2004-2005 me 95 pikë. Në rast se shkojnë 19 pikë larg Sitit, atëherë thyejnë edhe rekordin e Arsenalit 1999-2000, që u shpall kampion +18 larg vendit të dytë.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

PREMIER LIGA, LIBRI I ARTË
1947 Liverpul
1948 Arsenal
1949 Portsmuth
1950 Portsmuth
1951 Totenhem
1952 Man.Junajtid
1953 Arsenal
1954 U’Hempton
1955 Çelsi
1956 Man.Junajtid
1957 Man.Junajtid
1958 U’Hemtpon
1959 U’Hemtpon
1960 Bërnlej
1961 Totenhem
1962 Ipsuiç
1963 Everton
1964 Liverpul
1965 Man.Junajtid
1966 Liverpul
1967 Man.Junajtid
1968 Man.Siti
1969 Lids
1970 Everton
1971 Arsenal
1972 Derbi Kaunti
1973 Liverpul
1974 Lids
1975 Derbi Kaunti
1976 Liverpul
1977 Liverpul
1978 Notingem Forest
1979 Liverpul
1980 Liverpul
1981 Aston Vila
1982 Liverpul
1983 Liverpul
1984 Liverpul
1985 Everton
1986 Liverpul
1987 Everton
1988 Liverpul
1989 Arsenal
1990 Liverpul
1991 Arsenal
1992 Lids
1993 Man.Junajtid
1994 Man.Junajtid
1995 Blekbërn
1996 Man.Junajtid
1997 Man.Junajtid
1998 Arsenal
1999 Man.Junajtid
2000 Man.Junajtid
2001 Man.Junajtid
2002 Arsenal
2003 Man.Junajtid
2004 Arsenal
2005 Çelsi
2006 Çelsi
2007 Man.Junajtid
2008 Man.Junajtid
2009 Man.Junajtid
2010 Çelsi
2011 Man.Junajtid
2012 Man.Siti
2013 MAN.JUNAJTID


Burimi: http://www.panorama-sport.com/premier-liga/junajtid-kampion-per-te-20-en-here/#ixzz2RKQVrIQa

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7