Hyrje | Me Teper | Historia | Dhimitër Zografi: Shpallja e Pavarësisë, si luajti diplomacia e brishtë shqiptare

Dhimitër Zografi: Shpallja e Pavarësisë, si luajti diplomacia e brishtë shqiptare

Dhimitër Zografi: Shpallja e Pavarësisë, si luajti diplomacia e brishtë shqiptare
Shpallja e Pavarësisë, si luajti diplomacia e brishtë shqiptare  
 
Me të dalë vjeshtë e dytë, na vizitoi këtu (Bukuresht) Ismail Qemali bashkë me z. Luigj Gurakuqin dhe me një të birin e z. Ismail Qemalit.

Nga Dhimitër Zografi*

Nga Stambolli ardhë edhe shumë atdhetarë të tjerë që të bisedonim për të mirën e Shqipërisë. Më 2-3 mbledhje që u bënë, Ismail Qemali na tha që tjatër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveç se të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua, tha, të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj. Kam sigurim tha se, po të sillemi me këtë mënyrë, Fuqitë e Mëdha do të na njohin të drejtat tona, ndryshe do të humbasim për jetë. Pra, dërguam letra dhe tejshkrime në shumë vise ku jetojnë shqiptarë, për të dërguar delegatë që të hyjnë në Shqipëri. Vendi ku do të haseshin të gjithë delegatët, u zgjodh Trieshti. Kolonia e shqiptarëve të Bukureshtit zgjodhi këta delegatë: Z. Pandeli Evangjeli, Dimitri Ilua, Dimitri Zografi, D. Emanoil dhe D. Berati, Ismail Qemali me L. Gurakuqin shkuan ca ditë më parë për në Vjenë. Më 3 të vjeshtës së tretë ikëm që këtej për në Trieste po z.P.Evangjeli nuk ardhi dot për shkake vetiake dhe z.D.Ilua, me që ardhi 5-6 ditë më vonë, mbeti në Kataro. Si vetëdashës ardhë z. Pandeli Cale, Spiridhon Ilo dhe D. Emanoil. Atë ditë që arrijmë në Trieshtë, arrijti dhe Ismail Qemali me L.Gurakuqin nga Vjena, të cilët na thanë që Vlora është bllokuar prej grekërve dhe duhet menjëherë të nisemi në Durrës, që të mos na mbyllej edhe kjo udhë.

***
Ashtu q`atë ditë, me një vapor special që na dha Austria, pasi blemë ca armë dhe xhephane në Trieshtë, shkuam në Durrës ku arrijtëm pas dy ditësh. Dy orë larg Durrësit ishte një tjetër vapor i Austrisë, i cili lajmëronte Guvernën e tij me telegrame pa tel, për gjithë ngjarjet e Shqipërisë. Kur iu afruam Durrësit, dy vapore të luftës greke, që kishin bllokuar Vlorën, na e muarrën vaporin tonë në mes, dhe një kapiten me tre veta hyjtin në vapor, gjoja të shohin se mos shpiem xhephane në Durrës. Qëllimi i tij ish të thotë, që ata e dinin se Ismail Qemali me neve hynim në Shqipëri, po s`na trazojnë, se po të kërkonin do të gjenin thasët me mauzerka dhe fishekë që kishim blerë në Trieshtë. Po na thanë vetëm një "mirë mëngjes" dhe shkuan.
Posa që arritëm në Durrës vajtëm në hyqymet, që; t`u thomi vendësve qëllimin tonë. Mytesarif i atjeshmë, një shqiptar prej Berati, mjaftë i ditur po pa ndjenja kombëtare. Njerëzit e Durrësit nga myslimanët ishin ca të pakë me ndjenja shqiptare, të tjerët fanatikë dhe të datosur nga frika, ashtu edhe nga an`e të krishterëve, veç ca të pakë të mirë, të tjerët grekomanë mavije. Për fatin tonë të mirë, ushtria e atjeshme prej nja 500 vetash të gjithë shqiptarë, dhe koloneli kumandar i tyre Amit Toptani, prej Tiranë, një shqiptar fisnik i vleftë, bir shqiponje. Ky zot i shërbeu tepër çështjes sonë në ato ditë aq kritike, dhe kombi ynë s`ia ka për të harruar kurrë këto shërbime, se po të mos ndodhej zotëria e tij kush e di sa kundërshtime dhe ç`mund të pësonim nga fanatikët e Durrësit dhe prej Muteserifit. Bashkë me Amit Toptanin dhe me ushtarët vajtim zumë telegrafën dhe që atje thrritmë gjithë bejlerët edhe parësinë e Shqipërisë, u bëmë të njohur ardhjen e Ismail Qemalit edhe të vijnë të gjithë në Vlorë, ku do të mbahet një kongres i madh dhe të kasnecohet vetëqeverimi i Shqipërisë sonë. Muteserifi ngriu nga frika. Unë, tha, si shqiptar, dëshiroj të mirën e Shqipërisë, po si qeveritar i Turqisë që jam, nuk mund të përzihem në këtë punë, bëni juve Abdi Toptani, i vëllai i Amit Beut, Murat bej Toptani me të vëllanë edhe shumë të tjerë nga Kruja dhe nga vise të tjera. Pasi mbaruam punët në Durrës, gatitmë për të shkuar në Vlorë. Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç`kemi parë dhe ç`kemi hequr në këtë udhë bëhet roman më vete. Fushët e Myzeqesë, të mbytyra me ujë, dukeshin si nonj det pa anë, dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë më këmbë në ujë gjer mbi gju; asisoj dhe udhë të gjata me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali. Për të vënë re ish guximi, kurajua, fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e plakut Ismail Qemalit, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar në ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta mveshësh, s`ta bën atë udhëtim. Po patriotizmi dhe gazi i punës së shenjtë që kish nisur, e mbushte me kurajo që të marrë atë udhë të gjatë. Duke parë guximin e plakut të shtrenjtë, na forcohej edhe neve zemra që të kapërcejmë gjithë ato rreziqe, të cilat kur i kujtojmë sot na zë tmerri. Ç`ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë, ç`nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emër i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që di dhe që pa veprat e tij. Po nuk është më pak energjia, guximi i Luigj Gurakuqit, i cili është dorë e djathtë e Ismail Qemalit. Kur duallmë nga Durrësi ishim 40-50 shpirt, të gjithë të armatosur me malihere, udhës pastaj hasmë me të tjerë delegatë nga vise të larkme dhe u bëmë qindra. Duke shkuar nëpër fushat e Myzeqesë në të cilat, veç ujërave dhe baltërave po kemi dhe vise të bukura që s'gjenden në botë, arritmë në 13 të vjeshtës së tretë më 11 të natës alla frënga në Vlorë. Këtu njerëzia me myslimanë, me të krishterë, të gjithë janë atdhetarë të mirë. Limani edhe viset e Vlorës, po të ndërtohen dhe të ndreqen prej një qeverie të mirë, bëhen më të bukura se viset e tjera të Evropës me famë.

***
Këtu tani na thërrasin na Durrësi me telegrafë dhe na thonë që Serbët po afrohen në Krujë dhe na pyesin ç'të bëjnë. Durrsakët të humbur nga fanatizmi, nuk deshin të na besojnë neve. Turqia humbi fare edhe që serbët po afrohen në Durrës, por kur panë armiku u ardhi në prag të portës, atëherë kërkojnë ndihmë prej shqiptarëve. Ismail Qemali, si edhe kur ishin atje u thotë: "Ngrihni shpejto flamurin e Shqipërisë në Durrës, Tiranë, Krujë dhe gjetkë". Përnjëherësh e ngritnë flamurin në këto vise. Mutesarifi i Durrësit na thotë me telegram që ai lan duart nga mutesarifllëku, dhe vendin e tij ia la Amit Toptanit. Nga Elbasani prapë na pyesin ç`të bëjnë. Ngrini flamurin, u thamë; e ngritnë edhe ata. Dibranët, nga që s`kishin flamur, dërguan dy kalorës që; t`u thonë të jepen pa luftë, se ata i duan shqiptarët dhe nuk duan të derdhet gjak. Shqiptarët e Krujës dërguan përpara tyre një delegacion me flamurin tonë në dorë, dhe u thanë serbëve: "Zotërinj, luftoni me Turqinë, por edhe neve kemi luftuar dhe po luftojmë kundër Turqisë! Ky flamur që kemi ngritur është i Shqipërisë!" Ata i uruan Turqisë! Ky flamur që kemi ngritur është i Shqipërisë!" Ata i uruan dhe u lutnë t`u japin ca bukë dhe opinga se duket që ushtarët e Serbisë ishin të coptuar farë. Të nesërmen, kur erdhi shumica e ushtrisë, rrëzuan flamurin tonë dhe ngulë të Serbisë. Kudo që arrinte avant-garda e serbëve i faleshin flamurit tonë dhe shqiptarët u dhanë bukë dhe opinga, pa kur arrinte ushtria atëherë rrëzonin tonin dhe ngrini të tyren.

***
Asnjë kundërshtim nuk gjetnë gjëkundi dhe asnjë pushkë nuk u hodh kundër tyre: kudo që vajtën i pritnë si miq, pa le të bërtasin këta barbarë që hyjtin me luftë. Sikur të kishim nja tre mijë burra me manlihere, me xhephane dhe me bukë vetëm, nëpër viset e ngushta dhe të rrepta të Dibrës, Krujës dhe Tiranës, besa-besën që do t`i kishim copëtuar barbarët e Serbisë. Po shqiptarët pa armë, dhe ca të paktë që kishin martina, as u zunë për dyfek se martina shtie vetëm 1200 metra, kur maliheri shtie 2800 metra. Në Janinë kumandar i ushtrisë Esad Pasha, shqiptar, u porositi nga Ismail Qemali që të ngrehë flamurin e Shqipërisë në Janinë. Esad Pasha përgjigjet sa me qenë që ka frikë se mos i prishet morali ushtrisë turke, ka mjaft fuqi edhe është  sigurt që do t`i mundë grekët. E uroj Ismail Qemalin për këtë punë të bukur që bën dhe i lutet që të vemi të gjithë në Janinë, të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të mbajmë kongresin atje. Ismail Qemali i kënaqet për ndjenjat që ka, dhe i tha se kjo nuk mund të bëhet, nga që s`na priste koha, po u lut të dërgojë delegatët në Vlorë. Atëherë dërgoj menjëherë Mufid Bejnë, deputetin e Gjirokastrës, edhe dy zotërinj të tjerë.
Gjithë njerëzia prisnin me padurim që të ngrihej flamuri ynë në Vlorë dhe të kasnecohej vetëqeverimi i Shqipërisë. Po me qenë që aty priteshin shumë delegatë nga të tjera vise të Shqipërisë mbeti të bëhej kjo festë të nesërmen, më 15 të vjeshtës së tretë. Ishte e enjte, ora 4 pas dreke, dhe tellalli kish thirrur që në këtë do të kasnecohet Shqipëria më vete. Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil Beut, në një sallon të madh. U ngrit Ismail Qemali, dhe si përshkrojti humbjen e Turqisë dhe të vojturat dhe gjendjen e Shqipërisë mbi rrezikun e madh që ndodhet Atdheu ynë, tjatër shpëtim, tha, s`ka përveç se të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin. "Rroftë Shqipëria jonë", thrritnë të gjithë. "Rroftë flamuri i Shqipërisë". Salloni ishte plot me njerëz, çardhaku përposh plot, kopshti plot, të gjitha rrugët mbushur me mizëri njerëz, edhe kur u përhap të thirrurit "Rroftë" dhe të përpjekurat e duarve, i ngjetheshin mishrat njërit: nuk mund të përshkruaj kurrë një përshtypje të tillë. Pastaj dolli gjithë populli duke kënduar këngë kombëtare dhe duke thirrur edhe me gëzim: "Rroftë Shqipëria jonë e lirë", "Rroftë flamuri ynë". Një komision i zgjedhur vajti dhe nguli flamurin e Shqipërisë nëpër tërë zyrat publike, ku një ditë më parë valonte ay i Turqisë. Njerëzia që shkonin përpara flamurit nxirrnin shapkat e bardha dhe kush e kush ta puthte më parë. Pikturat e Sulltanit dhe të oficerëve të Turqisë i nxuarë nga tërë lokalet publike, i grisnë dhe i shkelë nëpër këmbët. Firmat e beledies, të postës, të telegrafanës dhe gjetkë, të shkruara me shkronja turqishte, i hodhë poshtë dhe i pështynë. Manifestacie të nxehta u bënë nëpër kushullat t`Austrisë, Italisë dhe pak tek i Rusisë, të cilët na u përgjigjën me dashuri.

***
Të nesërmen priteshin të vijnë gjeneral Isa Boletini, Riza be Jakova, Mehmet Pashë Kalkandeli dhe disa delegatë të tjerë të Kosovës me 400 trima pas. Megjithëqë atë ditë binte shi, po një shumicë e madhe kish dalë përpara me flamurin tonë në dorë. Kur u afruan të tre bajraktarët e Kosovës, zbritnë nga kuajtë dhe iu falë flamurit, duke u puthur me ngashërim të madh. Riza Beu, një burr i madh, ballëmadh, symadh, habitej dhe të zinte frika kur rrëfente veprat e tyre. Ishte i plagosur në këmbën e mëngjër, po s`donte të rrëfente se e kish për turp, dhe na thosh që i kish dalë një çiban. Isa Be Boletini është më i gjatë se Riza Beu, rrëfen që është njeri i sivilizatur, i ëmbël në fjalët dhe me energji të çuditshme. Gjithashtu është dhe Ahmet Pasha, një plak i urtë dhe atdhetar i nxehtë. Ç`rrëfejnë këta për barbarizmin që bënë serbët mbi shqiptarët pleq, gra dhe fëmijë, është një tmerr i madh që se përshkruan dot as penda. Nër mbledhjet që mbajtim për të formuarit e Kabinetit, u zgjodh Ismail Qemali President i Governës Provizore dhe nënpresident Don Nikola Kaçori, një burrë fisnik dhe i ditur. Mbledhja filloi tri gjëra për të bërë: 1. Të zgjedhurit e ministorëve 2. Të zgjedhurit e 18 vetave prej delegatësh, si pleq këshillonjës pranë Ministorëve. 3. Të zgjedhurit e një komisioni për në Evropë. Kësisojë u zgjodh të gjithë të shënuarit, sipas telegrameve që do t`i kini parë. Si u formua Kabineti, mori frenat në dorë edhe zuri të shohë gjyqet dhe punët siç duhej, të ndrojë memuarët e huaj, të verë në vënt të tyre njerëz të ndershëm etj. Tri javë sa ndenja në Vlorë, grekët na bombardisnë nja 4-5 herë. Një ditë hodhën dy gjyle në qytet dhe prishnë ca shtëpi. Ismail Qemali dërgoj atë ditë një delegacion prej 3 vetash me një flamur të bardhë, të cilët vajtën dhe thanë grekërve që s`bëjnë mirë të bombaridisnë një qytet pa fortesa dhe i cili s`mund t`u kundërshtohet. Ndër shtëpitë që prishën dhe pak do të vriteshin disa fëmijë dhe gra. Grekët na thanë që, në vënt të bëjmë një Shqipëri të vogël, përse të mos bashkohemi me Greqinë. Në qafë të Llogorajt u bënë ca luftëra, ku grekët, megjithë që qenë tre herë më shumë se t`anët humbnë më tepër se 100 të vrarë, dhe prej shqiptarëve 4 të vrarë dhe 5 të plagosur. Sa kohë që ndjenjmë në Vlorë, dëgjonim shumë lajme të liga. Një ditë na ardhë nga Berati 200 kalorës turq, që të zaptojnë Vlorën, po u dolli përpara Murat be Toptani me të tjerë shokë dhe i çarmatosnë. Një të diel pas dreke na ardhi një vajton Italian, dhe unë bashkë me z. Dimitri Emanoil (Mboria), pasi muarnë leje nga z.Ismail Qemali, u nismë me këtë vajton për në Brindisi. Me neve ishin dhe tre të tjerë nga Ohria. Sot mora një telegram nga Vlora, prej z. Idhomene Kosturit dhe St. Karolit, të cilët më thonë që kanë vajtur atje shumë veta prej Korçe.

(*) Dhimitër Zografi, atdhetar i shquar, delegat i Klonisë shqiptare të Bukureshtit për në Kuvendin e Vlorës.
Marrë nga revista "Ylli i Mëngjesit", 30 nëntor 1917

Komente (15 publikuar)

avatar
vernesa 2010-11-28 07:39 +0000
une dua te shkruaj per vepren e ismail qemailit qe e ngriti flamurin ne vlor
0
avatar
genta haxhijaj 2010-12-12 12:26 +0000
une kam shkruar per ismajl qemajlili qe e ka ngritur flamurin kuq e zi ne vlor por edhe per skenderbeun qe e ngriti ne kruj
0
avatar
genta haxhijaj 2010-12-12 12:29 +0000
flamuri yn esht kuq e zi me shiponje me di krenare e jo aj me ylla te bardh e me hart te verdh
0
avatar
2011-01-10 04:50 +0000
ska me mire se te jesh shqiptar duhet te ndihemi krenare
0
avatar
genta 2011-01-22 13:20 +0000
un jam shqiptare emrin genta kam jam shum krenare qe shqiptare jam kur kujtoj ismajlin un qaj me mall dhe them un se ai esht heroi jon.
0
avatar
2011-04-05 12:18 +0100
JAM SHQIPTAR
0
avatar
julvana 2011-07-10 06:06 +0100
jam krenare qe jam shsqiptare
0
avatar
shallelix 2011-08-17 21:30 +0100
Gracias intiresnuyu iformatsiyu
0
avatar
eda kapaj 2011-09-14 15:28 +0100
ismail qemali eshte heroi yne shqipetar dhe une jame e gezuar qe jame shqipetare
0
avatar
eda kapaj 2011-09-14 15:35 +0100
ismail qemali eshte heroi yne shqipetar dhe une jame e gezuar qe jame shqipetare
0
1 2 next total: 15 | Treguar: 1 - 10

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7