Hyrje | Reportazh | Si i nxiti shteti haklajt kundra Berishes...

Si i nxiti shteti haklajt kundra Berishes...

Si i nxiti shteti haklajt kundra Berishes...
Armiqësimi i tyre me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën nis në fillim të viteve ‘90, kur dy pjesëtarë të kësaj familjeje, Hamdi Haklaj dhe Halil Haklaj, u akuzuan për vrasjen e dy të rinjve në Malin e Shkëlzenit. Haklajt kërkuan që shteti të mos i ndiqte vrasësit, por nuk pati kompromis. Trazirat e vitit 1997 ishin një rast i mirë për t`u pozicionuar. Eskorta e Sali Berishës u vu në shënjestër gjatë rrugës për në Bajram Curri, më 22 qershor të vitit 1997. Pasi zbritën nga trageti deri në Bajram Curri, Sali Berisha dhe Azem Hajdari u ndeshën në dy kthesa me grupe të armatosura që hapnin zjarr në ajër dhe bënin thirrje që eskorta të kthehej pas. Policia hezitoi të lejonte vazhdimin e udhëtimit, por Sali Berisha urdhëroi hapjen e rrugës. Në pritë, sipas dëshmitarëve, ishte Feriz Kërnaja dhe Fatmir Haklaj. Feriz Kërnaja ishte një i dalë nga burgjet e hapura dhe ishte dënuar për vrasjen e Isuf Halucës në vitin 1991, i cili mbante veshur pardesynë e Azem Hajdarit. Pati dyshime se shënjestra e tij ka qenë Azem Hajdari, pasi ai pritej të shkonte atë ditë në Tropojë. Sidoqoftë, drejtësia veproi dhe ai shkoi në burgun e Bënçës, ku ka qenë për një kohë të gjatë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Gazeta “Albania” siguroi prej SHIK-ut një foto të tyre në burg, bërë rreth vitit 1995.

Pasi tejkaloi pritën e ngritur në rrugë dhe shmangu përplasjen në mitingun e Bajram Currit, Sali Berisha u kthye në Tiranë. Gjatë mitingut, një prej djemve të kësaj familjeje organizoi një grup njerëzish që tentuan të prishin mitingun, ndërsa policia nuk arriti t`i ndalte dot. Kjo skenë u mitizua shumë dhe për vite me radhë u mbajt si asi nën mëngë për çelësin e gjetjes së vrasjes së Azem Hajdarit që të çonte te Sali Berisha. Në të vërtetë ishte një banalitet. I fyer nga tentativa për të terrorizuar mitingun, Berisha është parë disa herë gjatë mitingut të ndërpresë fjalën dhe t`iu thotë shoqëruesve të Gardës ta ndalnin atë person. Policia dhe Garda natyrisht s`kanë pasur as fuqinë dhe as kurajën ta ndalin. Kaq ka qenë gjithë historia. Një javë më pas ai humbi pushtetin dhe nuk kishte asnjë mekanizëm shtetëror në dorë. Kjo skenë u kthye gati në një motiv legjendar për hakmarrje. Shërbimi Informativ, i cili kishte mundur të shtinte në dorë kasetën e regjistruar të mitingut të Berishës, ia dorëzoi atë familjes Haklaj dhe i inkurajoi të hynin në “gjak” me Sali Berishën dhe Azem Hajdarin, pasi ata, sipas “shtetit,” qëndronin pas çdo fatkeqësie që do të ndiqte familjen. Kështu u përdor një vrasje e rëndomtë nga kriminelë me maska për grabitje në urën e Milotit, ku mbeti i vrarë Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rustemi, i cili kishte qenë më parë bodyguard i Azem Hajdarit. Menjëherë dikush ua arsyetonte Haklajve se pas vrasjes qëndronte Sali Berisha dhe Azem Hajdari. Edhe më i fortë u bë ky zë që iu frynte në vesh, kur Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demiri u vranë në Qafën e Luzhës, në fillim të janarit 1998. Ngjarja ndodhi rreth orës 16.30. Makina “Nissan” me targë BC 0022 A u gjend nën një breshëri armësh. U vra Shkëlqim Muharrem Haklaj, 30 vjeç, banues në fshatin Kërnajë, Artur Myftar Demiri, 23 vjeç, banues në Bajram Curri dhe u plagos Avdi Mehmet Buçpapaj, 30 vjeç, nga Bajram Curri, punonjës policie në komisariatin e Tropojës.

Shkëlqim Haklaj ishte personi që kishte organizuar prishjen e mitingut të 22 qershorit 1997 në Tropojë dhe gjashtë muaj më vonë vrasja e tij për shkak të një hasmërie të qartë me një fis tjetër në Tropojë u trajtua prej “shtetit” si hakmarrje politike e nxitur nga Sali Berisha dhe Azem Hajdari. Kjo klimë e injektimit të urrejtjes kryesisht prej Shërbimit Informativ dhe përfaqësuesve të shtetit në Tropojë e ktheu atë qytet në një zonë jashtë kontrollit.

Në shenjë të qartë hakmarrjeje, një ditë më vonë në mesditë u vranë në fshatin Cernicë tre veprimtarë të opozitës, ndërkohë që ishin duke udhëtuar drejt Bajram Currit. Abdyl Matoshi dhe dy bashkëpunëtorë të tij u vranë me breshëri armësh ende pa hyrë në qytet. Matoshi, ish-nënkryetar i Përgjithshëm i Doganave në Shqipëri dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ishte duke udhëtuar nga Tirana për në Tropojë. Dy të tjerët, një drejtor shkolle dhe një ish-oficer i Shërbimit Informativ, kanë qenë viktima bashkë me të.

Ministria e Brendshme dhe opozita u përfshinë në një debat rreth prapavijës politike të vrasjes së Abdyl Matoshit. Ministria e Brendshme bën thirrje për t`u mos u politizuar ngjarja: “Politizimi i kësaj ngjarjeje, pa u kapur autorët, nuk i shërben zbulimit të së vërtetës, po vetëm nxit hakmarrjen dhe vetëgjyqësinë”.

Debati vazhdoi dhe për detajet e varrimit të tyre. Matoshi ishte ndërkohë oficer policie dhe Ministria e Brendshme tha jo aq pa qëllim se ajo do të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Matoshit, ndërsa opozita kishte vendosur se ai do të varrosej pas një ceremonie në sheshin “Skënderbej”.

Por, ende pa mbaruar debati mbi varrimin e tri viktimave të opozitës nga hakmarrja politike në Tropojë, shefi i komisariatit të policisë së rrethit të Tropojës, Fatmir Haklaj, vrau të premten, më 9 janar, me pistoletë, rreth orës 10.15 brenda komisariatit të Tropojës oficerin e sektorit të kufirit, Shefqet Hoxha, 42 vjeç, ish-i persekutuar.

Shpërthimi i vrasjeve mes fisit Hoxha dhe Haklaj u fut kështu në rrugë pa kthim, por, nga ana tjetër, zbuloi dhe falsitetin e akuzave për Hajdarin dhe Berishën lidhur me fisin Haklaj. Vetë Haklajt ishin të qartë për armiqtë tyre. Ata kanë dyshuar se vrasja e Shkëlqim Haklajt ditën e hënë ka qenë vepër e fisit Hoxha dhe u hakmorën duke vrarë një prej tyre që ishte polic në krye të detyrës, duke përdorur pushtetin dhe institucionet e shtetit për të larë hesapet personale. Pas vrasjes, Fatmir Haklaj u largua menjëherë nga komisariati.

Në gjithë këtë histori ky është detaji më i rëndë dhe më i frikshëm. Fakti që Fatmir Haklaj realisht ishte vetemëruar shef komisariati në Tropojë dhe pastaj ishte legalizuar nga ministri i Brendshëm si i tillë, ishte një ngjarje e paprecedent në historinë e një shteti. Ky ishte një tregues i qartë i humbjes së kontrollit mbi territorin, me qëllim dhe inkurajimin e grupeve kriminale për të zgjidhur problemet e tyre me një pushtet të marrë me dhunë, me leje të pushtetit qendror. Politika qëndronte në mënyrë të qartë pas “republikës së krimit” që filloi të lulëzonte në Tropojë.

Një ditë më pas Berisha doli sërish në konferencë për shtyp për të inkurajuar policinë të vepronte kundër grupeve kriminale dhe fajësoi pushtetin për punësimin e njerëzve të inkriminuar në organet e policisë. Berisha tha se “ata kanë krijuar një situatë të tensionuar, ata po vrasin”. Zëdhënësi i kryeministrit, Ben Blushi, pranoi po atë ditë se qeveria ka përgjegjësi për kuadrot e emëruara në polici dhe tha se “sot, kryeministri ka nënshkruar një vendim për krijimin e një Komiteti ndërministror për luftën kundër krimit, në të cilin do të marrin pjesë ministrat e shtetit dhe SHIK”. Debati nisi nga justifikimi si “vrasje kanunore” që ministri i Brendshëm, Neritan Ceka, i bëri vrasjes brenda në komisariat të oficerit të policisë prej Fatmir Haklajt që mbante detyrën e shefit të komisariatit.

Tentativën shtetërore për të justifikuar vrasjen brenda në komisariat e vulosi prokurori, Agim Tirana, i cili deklaroi më 14 janar se “tashmë, në tërësi, hetimet për ngjarjen e Tropojës kanë kaluar në pistën e gjakmarrjes”. “Haklaj nuk ka patur asnjë lloj kontradikte me viktimën Hoxha dhe mendohet se një nga autorët e vrasjes së vëllait të Haklajt në konfliktin e parë, prej ku nisën dy ngjarje të mëvonshme, është vëllai i viktimës”, - tha ai.

Ndërkohë, futja e Tropojës në spiralen e vrasjeve kishte lindur nevojën e strukturimit të grupeve kriminale. Për të krijuar një grup mirëfilli të organizuar, ata kishin nevojë për pushtet, pará dhe rekrutë. Kështu, natën e 12 janarit duke u gdhirë 13 janari, banka e Tropojës u thye dhe prej andej u grabitën rreth 480 milionë lekë të vjetra, pra afërsisht në atë kohë 450 mijë dollarë. Paratë sapo kishin mbërritur në Bajram Curri për të paguar pensionet e prapambetura. Ish-shefi i komisariatit, Fatmir Haklaj, kishte katër ditë që nuk ishte më në detyrë pas vrasjes në komisariat. Banka ishte rreth 300 metra larg komisariatit. Ishte e qartë dhe e provuar, paratë u morën prej tyre për të financuar mbijetesën e grupit të armatosur që vuri nën kontroll gjithë Tropojën.

Për ironi të fatit askush nuk e zinte në gojë vjedhjen e bankës. Frika kishte fituar pushtet të plotë në Tropojë dhe Tiranë dhe provinca autonome e Tropojës po konsolidonte gjithë elementët e një shteti brenda shtetit. Muaj më vonë, situata në Tropojë degradoi dhe më shumë. Gazetarët e huaj që shkonin aty ndeshnin me njerëz që i grabisnin, i merrnin peng dhe i terrorizonin. Të njëjtin fat kishin dhe refugjatët nga Kosova, pa përkrahje. Historia e Avdullait, një burrë mbi të 40-at, që kishte dalë në Tropojë nga Prishtina, ishte e dhimbshme. Një kolegia ime gazetare e gjeti atë si skllav në hotelin e Bajram Currit. Ai i shpjegoi se si e mbanin aty si shërbëtor dhe e vinin të punonte, duke i paguar vetëm ushqimin. Ajo e ndihmoi të arratisej dhe i dha adresën time në Tiranë. E mbajta dy ditë në shtëpi dhe ishte tërësisht i traumatizuar. Thoshte se një vëlla e kishte mjek dhe një kunatë korrespondente lokale të gazetës “Koha Ditore”. Ishte me origjinë nga një fshat afër Klinës. I gjeta një banesë të vogël me qira dhe u përpoqa t`i gjej punë. Një ditë nuk e gjeta më në banesën e tij. Në një paketë “Dunhill” ai më kishte shkruar se njerëzit e Haklajve në Tropojë e kishin gjetur dhe e kishin marrë me furgon. Jepte si referencë hotelin e Riza Malajt në Tropojë. Nuk isha shumë i vetëdijshëm ç’do të thoshin ata emra. Interesohesha herëpashere për të, por s`kisha më lajme. I ruajta rrobat e tij dhe letrën për vite të tëra. Asnjë sinjal, as gjurmë. Më vonë më thanë që e kishin vrarë në Tropojë, sapo e kishin marrë nga Tirana. Me sa duket, ishin bërë nervozë, pse iu kishte ikur pa leje dhe e kishin ekzekutuar. Kur unë guxova të kërkoj më shumë, më thanë se “më duket se e vranë ata të UÇK, se ishte agjent serb”. Ishte një histori e errët dhe me shumë pikëpyetje për mua. Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite nuk kam asnjë të dhënë për të. Nuk e di kush e vrau, ku e vrau dhe pse e vrau. Në Tropojë të kthenin të gjithë krahët, kur i pyesje për gjëra të tilla. Terrori kishte bërë punën e vet.




* Marrë nga libri “Përballja me antiopozitarizmin''
Burimi i lajmit: Gazeta "TEMA"

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

3.50
Powered by www.merbraha.com v4.7