Hyrje | Art Kulture | Isuf B. Bajrami:KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARSISË SË SHQIPËRISË

Isuf B. Bajrami:KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARSISË SË SHQIPËRISË

Isuf B. Bajrami:KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARSISË SË SHQIPËRISË

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 i dha fund sundimit shekullor osman duke shënuar një kthesë rrënjësore në fatet e Shqipërisë. Populli shqiptar,i dha grushtin e fundit ushtarako-politik Perandorisë Otomane, duke kurorëzuar ëndrrat dhe aspiratat mijëvjeçare të tij. Shqipëria u shpall sovrane,e pavarur jo vetëm ndaj zgjedhës otomane por edhe ndaj çdo zgjedhe e zinxhirëve të rinj që farkoheshin në kurthet e fqinjëve. Rilindja Kombëtare arrinte me këtë kulmin e vet,sepse pavarësia kurorëzonte luftërat e përpjekjet heroike të brezave të tërë për të kthyer lirinë e humbur,për të gëzuar të drejtat kombëtare dhe për t'i hapur vendit rrugën e zhvillimin e të përparimit.

 

Me vendimin historik të Kuvendit të Vlorës triumfonte edhe në Shqipëri parimi kombësisë i shpallur nga rilindësit tanë dha nga demokracia ballkanike e evropiane qysh në shekullin XIX.Vihej në vend kështu një e drejt imanente e një kombi të formuar në territorin e vet të banuar pa ndërprerje gjatë shekujve ,me gjuhë,kulturë,histori e individualitet të vet,e drejt e fituar nëpër llogoret e një lufte të gjatë e të ashpër,e drejt që i takonte edhe për kontributin e vyer që kishte dhënë në procesin çlirimtar ballkanik dhe evropian.

Me gjithë kufizimet e saj, pavarësia, e parë edhe në prizmin e zhvillimeve të mëvonshme,e afirmoi me dinjitet idenë e madhe të kombësisë dhe të unitetit kombëtar edhe pse vendi ishte në pjesën më të madhe i pushtuar nga ushtri të huaja. Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte thjesht vepër e një grushti patriotësh që ngritën flamurin në Vlorë. Ata sigurisht e kanë vendin e tyre të nderuar në histori. Por ata dhe Kuvendi Kombëtar i Vlorës sanksionuan juridikisht me një akt të nënshkruar nga përfaqësuesit e kombit atë që kishin përgatitur gjatë dhjetëra e dhjetëra vjetëve,me luftë,vuajtje e sakrifica masat e gjera popullore në të gjitha trevat shqiptare. Në themelin e pavarësisë kishte vënë gurë e gjithë shqiptaria.

 

Ngjarjet e shënuara përfaqësojnë vepra madhore të popullit. Ata marrin një vlerë të veçantë kur kanë karakter progresiv,i japin lëmshit të kontradiktave një zgjidhje të drejtë në përputhje me prirjet pozitive të zhvillimit historik. Shpallja e Pavarësisë bënë pjesë në ato ngjarje që shënojnë etapa në procesin historik. Ajo mbylli një epokë,epokën e shkëlqyer të Rilindjes për t'u çelur brezave të ardhshëm rrugë të reja. Si e tillë ajo ka rëndësi jo vetëm për kohën kur ndodhi e për kthesën që shënoi,por edhe për pasojat pozitive që la pas. Ajo ruan vlerën e saj edukuese e mobilizuese edhe për të ardhmen. Prandaj kremtimi i përvjetorëve të saj,evokimi i bëmave të të parëve tanë,vlerësimi i tyre në dritën e dialektikës përbën një detyrë jo vetëm për historianët, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Dashuria dhe respekti për të kaluarën e ndritur janë një nga dëshmitë më shprehëse të patriotizmi t e të vitalitetit të popullit tonë. Kremtimi i ngjarjeve të mëdha historike bëhet nga ana tjetër një nxitje për t'u thelluar në studimin e tyre mbi bazën e fakteve të reja e të nivelit të arritur metodologjik të shkencës të historisë.

 

Trashëgimi shkencore për këto probleme,siç dihet,ka qenë relativisht i varfër. Duke u mbështetur në radhë të parë në dokumentet e botuara e të pabotuara,vendase e të huaja,në shtypin e kohës dhe në memorialstikën me vlerë të brezit të pavarësisë, që përveç fakteve të pa fiksuara në dokumentet na japin edhe opinionet, qëndrimet, gjykimet, aspiratat e pjesëmarrësve aktiv në ngjarjet.

 

Problemet e pavarësisë së Shqipërisë dhe të rrugëve që çuan te ajo kanë qenë objekt i një interesimi të veçantë edhe nga historiografia e huaj, sidomos ballkanike. Krahas përpjekjeve për një trajtim objektiv të ngjarjeve janë dhënë sidomos në vitet e Shpalljes së Pavarësisë, edhe trajtesa të sipërfaqshme e tendencioze, me vlerësime të pathemelta dhe aprioristike. Pas Luftës së Dytë Botërore filluan të duken në studimet e huaja për problemet e pavarësisë së shqiptarëve vlerësime të reja objektive që i detyrohen zhvillimit të historiografisë në përgjithësi,pozitave të pavarura demokratike e progresiste të autorëve,si edhe,në radhë të parë,rolit aktiv të historiografisë re shqiptare në botën e jashtme. Megjithatë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t'i ofrohen lexuesit,por në formë më të të stërholluar e me disa "lëshime",shtrembërimet e vjetra tradicionale antihistorike dhe antishqiptare të nisura kryesisht nga interesat joshkencore.

 

Problemi kyç ku janë ndeshur e ndeshen pikëpamjet diametralisht të kundërta të historiografisë shqiptare nga njëra anë të një pjese të asaj të huaj nga ana tjetër ka qenë se Pavarësia e Shqipërisë ishte vepër e shqiptarëve apo e të huajve,ka qenë rezultat i luftës së pandërprerë të kombit shqiptar për çlirimin e vet dhe formimin e shtetit të pavarur,pra një kurorëzim i Rilindjes sonë apo ka qenë dhuratë e Fuqive një vendi që s'e priste,pra një zgjidhje koniukturore artificiale e përcaktuar nga interesat e këtyre fuqive,nëse shteti i pavarur shqiptar ishte vepër e forcave të brendshme kombëtare apo një krijesë ndërkombëtare e Fuqive të Mëdha.
Shpallja e Pavarësisë nuk ishte një akt i veçuar. Ajo u përgatit hap pas hapi,me kujdes,durim,guxim,me ndjenjën e përgjegjësisë për dhjetëra e dhjetëra vjet. Ashtu si protagonistit kryesor të saj Ismail Qemalit i vinte pas historia ,ashtu edhe pavarësisë i priu një histori e tërë. Akti i 28 nëntorit nuk mund të kuptohet pa këtë histori. Ata që e nënshkruan dokumentin e pavarësisë nuk ishin njerëz të rinj që i nxori në skenë gjendja e ndërlikuar e krijuar nga Lufta e Parë Ballkanike dhe nevoja për të gjetur një rrugëdalje. Një pjesë e mirë atyre që u mblodhën në Kuvendin e Vlorës e kishin filluar veprimtarinë patriotike shumë kohë përpara dhe ishin dalluar si luftëtarë të pushkës e të penës për çlirimin kombëtar.

 

Pavarësinë e lidhin organikisht me Rilindjen jo vetëm protagonistët,por edhe mendimi e veprimi patriotik e revolucionar i tyre e në mënyrë të veçantë i masave popullore që panë te akti i 28 Nëntorit shpërblimin për gjakun e derdhur,për vuajtjet e sakrificat e bëra për të arritur atë ditë .Prandaj pavarësia dhe Rilindja jonë janë një e tërë dhe e pandarë.

 

Rilindësit luftuan kundër shtypjes kombëtare jo vetëm me mjetet materiale të qëndresës së armatosur,por edhe me mjete intelektuale ,me idetë të cilat argumentonin të drejtat e popullit shqiptar për një ekzistencë të pavarur dhe e frymëzuan e mobilizuan atë në luftë .Kur patriotizmi i rilindësve u vesh me idetë e mëdha të iluminizmit dhe racionalizimit evropian mendimi politik e shoqëror i Rilindjes u ngrit në një shkallë më të lartë e mori një përmbajtje të re. Këto ide iu përshtatën realitetit shqiptar e iu përgjigjën kërkesave të shtruara nga vetë shoqëria shqiptare në zhvillim. Kështu idetë mbi lirinë e pavarësinë e atdheut e gjetën në penën e rilindësve argumentimin teorik të mbështetur jo vetëm mbi të drejtën natyrore të popullit shqiptar. Ata iu drejtuan edhe historisë për të vërtetuar lashtësinë e shqiptarëve në trojet e veta,individualitetin e tyre kombëtar,luftërat e pareshtura kundër sundimit të h uaj,kontributin e dhënë në çështjen e përbashkët të çlirimit të popujve ballkanikë dhe evropian. Intelektualët gjallëruan kujtimet historike që populli i kishte ruajtur në këngët e legjendat e tij, ata vunë në dukje traditat e përbashkëta,ata e kuptuan dhe bënë të kuptonin të tjerët rëndësinë e bashkësisë gjuhësore, territoriale, shpirtërore, ata luftuan për të kthyer vetëdijen popullore në ndërgjegje kombëtare. Në një vend si Shqipëria ku bashkimi në lëvizjen për çlirimin kombëtar,i popullsisë së ndarë në tri fe të ndryshme,ishte kusht i domosdoshëm i suksesit ,kjo ndërgjegje nuk mund të formohej veçse jashtë feve, mbi fetë,duke shpallur si parim themelor të Rilindjes-shqiptarizmin.

 

Idetë e reja u përhapën gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpër mjet librave e shtypit dhe depërtuan dora-dorës edhe në mendjet dhe në zemrat e njerëzve të thjeshtë nëpërmjet transmetimit gojor. Ato e ndihmuan popullin të zbulonte identitetin e vet historik dhe kombëtar,pavarësisht nga ndarjet krahinore,fetare,ta ndiente veten një bashkësi me të njëjtën histori,me të njëjtën kulturë e traditë,me të njëjtat shqetësime dhe shpresa,me të njëjtat kërkesa. Shqiptarët filloi ti bashkonte e kaluara e lavdishme,por edhe e dhimbshme dhe lufta për të siguruar të njëjtën të ardhme. Idetë e reja luajtën një rol shumë të rëndësishëm në shndërrimin e ndërgjegjes etnike në ndërgjegje kombëtare në të cilën filloi të shkruhej vullneti i kombit. Ishin këto ide që gjatë Rilindjes e sidomos me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,duke u rrënjosur thellë e në mënyrë të qëndrueshme në masat popullore i vunë ato në lëvizje si në vitet e krizave dhe të përleshjeve të armatosura me armiqtë,ashtu edhe në periudhat e zhvillimit relativisht të qetë. Lëvizja e Rilindjes që u shfaq në drejtimet më të ndryshme në rrafshin teorik,ideologjik,politik, kulturor,organizativ përshpejtoi procesin historik dhe i dha ritme zhvillimit që nuk i kishin njohur periudhat e mëparshme.

 

 

Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programet politike. Të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë dhe jo më pak për të drejtën për të qenë të lirë e të pavarur dhe për një zhvillim normal të vendit,ideologët e Rilindjes përpunuan në përputhje me kohën dhe rrethanat një strategji politike të qartë mbi rrugët drejt pavarësisë dhe mbi formën dhe përmbajtjen e tyre. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa në zgjidhjen e çështjes shqiptare të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Platforma e autonomisë nën sovranitetin e sulltanit mbizotëroi gjatë Rilindjes deri në nëntorin e 1912-ës. Ajo lejonte të ngriheshin strukturat shoqërore-ekonomike dhe institucionet juridiko-politike që do të shërbenin si bazë për rendin shtetëror të pavarur,i cili do të vendosej me t'u krijuar kushtet e përshtatshme. Kjo shpjegohet jo me dëshirën e shqiptarëve,për të qenë nën hijen e sulltanit e as me papjekurinë e tyre për vetëqeverisje siç duan ta paraqesin këtë një varg autorësh të huaj. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur edhe disa shtete të tjera ballkanike,përveç Greqisë. Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë shpjegohet kryesisht me konsiderata të karakterit ndërkombëtar. Në radhë të parë,vetë Porta e Lartë do të pranonte më lehtë,në raste se do të ishte e detyruar ta bënte këtë,një Shqipëri autonome duke ruajtur sovranitetin e saj në këtë zonë sesa një shkëputje të plotë të saj. Në fakt kështu ndodhi. Ajo e njohu autonominë e Shqipërisë,por pas Shpalljes së Pavarësisë. Faktori i jashtëm kryesor që kushtëzoi platformën e autonomisë ishte rreziku serioz e i vazhdueshëm i copëtimit të tokave shqiptare nga ana e monarkive fqinje,rreziku që kishte filluar të dukej qysh në vitet 40 të shekullit XIX. Në këto kushte Shqipëria autonome në kuadrin e Perandorisë Osmane mund të përfitonte për sa i përket tërësisë territoriale të atdheut qoftë nga interesi i Portës së Lartë për t'i ruajtur të paprekur kufijtë e Perandorisë,qoftë nga garancitë e Fuqive të mëdha për të ruajtur paprekshmërinë e saj. Shqipëria autonome do të kishte mundësinë të konsolidohej në atë shkallë sa kur të dilte e pavarur të ishte në gjendje t'u qëndronte rreziqeve të jashtme që i kanoseshin.

 

Një mbështetje e jashtme,një aleancë luftarake,me fqinjët grek në luftën çlirimtare kundër Perandorisë Osmane ishte e mjaftueshme për Komitetin Qendror të Stambollit dhe udhëheqësin e tij Abdyl Frashrin që të projektonte qysh më 1877 krijimin e një Shqipërie të pavarur. Qëndrimi negativ që mbajti ndaj këtij projekti qeveria greke e përforcoi bindjen mbi drejtësinë e kërkesës për autonominë territoriale-administrative të vendit. Megjithëkëtë,kur Lidhja e Prizrenit e shpalli vetë autonominë dhe formoi qeverinë e përkohshme më 1881,Sami Frashri shpresonte se nuk do të vononin të krijoheshin rrethanat e favorshme që Shqipëria të bëhej,siç shprehej ai,"me shkëputje fare".E parë me këtë sy,pavarësia e 1912-ës,e shpallur në kushtet e Luftës së Parë Ballkanike ishte rrjedhim logjik i vijës rilindëse. Rrjedhimisht mund të thuhet se çështja e pavarësisë së Shqipërisë,nga pikëpamja e forcave të brendshme politiko-shoqërore ishte shtruar për zgjedhje qysh në shekullin XIX,të paktën qysh në kohën e Lidhjes së Prizrenit,kurse nga pikëpamja e faktorëve politik ndërkombëtarë evropianë e ballkanikë ajo u shtrua për zgjidhje dhe u realizua në nëntorin e vitit 1912.

Ideja e autonomisë apo pavarësisë konkretizohej me kërkesën themelore që kishte qëndruar në bazë të të gjitha programeve politike jo vetëm gjatë Rilindjes,por edhe para saj në atë për krijimin e shtetit shqiptar. Kjo kërkesë pati evolucionin e vet. nga një principatë si ajo e Skënderbeut e paraqitur nga kryengritjet e shek,XIV-XVII,te pashallëqet e mëdha të shek. XVIII-fillimi i shek. XIX,nga vilajeti, provinca apo shteti shqiptar me autonomi politike administrative të kërkuar nga Lidhja e Prizrenit,Lidhja e Pejës dhe kryengritjet e viteve 1910-1912 deri te shteti i pavarur i 1912-ës. Ndryshe nga udhëheqjet kombëtare të disa vendeve ballkanike që kërkonin të formonin shtetet e veta në kufijtë e perandorive përkatëse mesjetare, në kurriz të popujve të tjerë të Gadishullit. Rilindja jonë e konceptoi Shqipërinë autonome ose të pavarur me një shtrirje të tillë territoriale që të përfshinte trojet,banorët e të cilëve ishin os e krejtësisht,ose në shumicën dërmuese shqiptare.

 

Drejtimi tjetër themelor që përgatiti pavarësinë ishte veprimi revolucionar i armatosur. Mendimi teorik,politik e kulturor i Rilindjes u shoqërua hap pas hapi me luftën e armatosur antiosmane. Në këtë fushë lëvizja jonë shënoi faqe të shkëlqyera që i bëjnë asaj nder. Është një meritë e madhe e rilindësve më të përparuar që e konsideruan lëvizjen e armatosur çlirimtare si një mjet të domosdoshëm për të fituar të drejtat kombëtare. Por është një meritë edhe më e madhe e masave popullore shqiptare e në mënyrë të veçantë e fshatarësisë që rrëmbyen armët sa herë që paraqitej nevoja dhe nuk ngurruan të mateshin me armiq të fuqishëm,edhe pse kjo luftë kërkonte shumë gjak e sakrifica. Kjo luftë që mbushë analet e shek. XIX-XX ishte ana më e fortë e Lëvizjes sonë Kombëtare. Që nga kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit e deri më 1912 kemi një zinxhir të tërë lëvizjesh të armatosura antiosmane që pasuan njëra-tjetrën,me përmasa e intensitete të ndryshme,por me një qëllim të vetëm,të hiqnin zgjedhën e huaj dhe të siguronin lirinë. Ishin në radhë të parë këto ngjarje që përgatitën truallin e çelën shtigjet për shpalljen e pavarësisë. Mund të thuhet me plot gojën se flamuri u ngrit në Vlorë mbi një truall të larë me gjak e se pavarësinë e pagoi shumë shtrenjtë populli ynë liridashës.


Pavarësia u përgatit nga rilindja jonë në të gjitha drejtimet. Ajo e gjeti shumicën e popullsisë shqiptare në të gjitha trojet e saj me një ndërgjegje politike të formuar,të vetëdijshme për detyrat e të drejtat e saj kombëtare dhe të vendosur për t'i fituar e mbrojtur ato me çdo kusht. Pavarësia e gjeti Shqipërinë me rrethe të gjera drejtuese,të dala kryesisht nga shtresat e borgjezisë së mesme e të vogël dhe nga fshatarësia,me përvojë politike organizative dhe ushtarake të fituar në procesin e një lufte të ashpër me Portën e Lartë,Fuqitë e Mëdha dhe monarkitë ballkanike. Shqipëria duhej të ngrihej,të organizohej e të përparonte si shtet i pavarur.

 

KONTRIBUTI I KULTURËS KOMBËTARE NË RRJEDHAT E PAVARSISË SË SHQIPËRISË

 

Epoka e Rilindjes Kombëtare,që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë,ishte epokë e zgjimit kulturor të shqiptarëve. Shtratin e përgjithshëm ideologjik të këtij zgjimi e përbënte ai koncept i përparuar për kulturën ,që e përpunuan rilindësit. Për ta kultura ishte para së gjithash,një vizion i ri për botën,një mënyrë e re e konceptimit të jetës,të historisë dhe të perspektivave të saj. Ajo ishte një lëvizje e fuqishme intelektuale që rivlerësoi gjithë vlerat,që i pasuroi botën shpirtërore të shqiptarit në frymën e saj kritike,që rrëzoi idhujt dhe mite të vjetra dhe formuloi kërkesa për vlera të reja kulturore. Kultura e Rilindjes Kombëtare ishte një ideal i ri shoqëror,politik,moral që barte me vete projektin e madh të krijimit të një realiteti të ri,projektin e Shqipërisë së pavarur e të lirë.


Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kuptonin rëndësinë e dijeve për kulturën. Ata ishin pishtar të flaktë të iluminizmit dhe besonin në forcën e dijeve. Thelbin e këtij koncepti iluminist për kulturën e shprehu Naim Frashri me moton e tij të famshme:"Dhe drit'e dirturisë, përpara do na shpjerë ".Por kultura për ideologët e Rilindjes Kombëtare nuk ishte vetëm një depozitë dijesh,ajo ishte në radhë të parë aftësia për qëndrime aktive krijuese në histori,në jetë. Akti dhe veprimi më i rëndësishëm i popullit si forcë kulturore, për rilindësit, ishte vetëm lufta për liri e pavarësi, qëndresa e tij e pamposhtur, kundërshtimi i shtypjes dhe i robërisë. Shpirti i gjallë i kulturës së re ishte ideja e shqiptarizmit,që përfaqësonte aktin më kryesor të emancipimit të kulturës shqiptare. Ideja e shqiptarizmit ishte vatra nga shpërndaheshin gjithë erërat e reja ideologjike të kulturës së Rilindjes Kombëtare. Lufta për kulturë u bë ,para së gjithash,luftë për kulturë kombëtare,për një sistem dijesh,vlerash dhe veprimesh që rrënjosnin unitetin e jetës materiale e shpirtërore të kombit shqiptarë,që i ruanin atij vetëqenien e origjinalitetit. Kultura është gjithmonë shprehje e vetëdijes së njeriut e të popujve. Pa kulturë kombëtare të Rilindjes shqiptarët në shekullin XIX nuk do të kishin mundësi të dallonin veten,si komb të formuar,nga gjithë të tjerët,të kuptonin gjendjen dhe rreziqet që u kanoseshin,të kuptonin ku të mbështeteshin e përse të luftonin. Kultura e Rilindjes Kombëtare ishte një zbulim i madh. Ajo zbuloi botën shqiptare me gjithë madhështinë dhe tragjizmin e historisë së saj,ajo zbuloi një të kaluar sa të lavdishme e heroike aq edhe të dhimbshme e të përvuajtur,ajo zbuloi ekzistencën në mjerim dhe prapambetjen e popullit,por edhe aftësitë e një populli që qëndronte i pamposhtur,i papërkulur përballë rrebesheve dhe furtunave më të rënda të historisë:ajo zbuloi jetën,traditat,zakonet,psikologjinë e një populli liridashës,luftëtar e punëtor,trim e guximtar të ruante shpresën dhe besimin në një të ardhme të ndritur,Kultura Kombëtare e Rilindjes zbuloi shpirtin dhe u dha një emër të përbashkët,emrin e Shqipërisë,trojeve ku nga kohët parahistorike kishin jetuar brez pas brezi gjyshërit e stërgjyshërit. Kjo kulturë ishte faktor zgjimi i vetëdijes kombëtare,i përgjegjësisë për faktet e kombit,ajo i dha një kuptim krejt të ri jetës së shqiptarit,i kultivoi krenarinë kombëtare, i dhuroi dinjitetin e përkatësisë kombëtare,së cilës Naimi i këndoi:"Ti Shqipëri më ep nderë,më ep emrin Shqipëtarë!".Kultura Kombëtare e Rilindjes solli ditën e madhe të daljes në arenën e historisë botërore të një kombi të ri ,të kombit shqiptar dhe shprehu para botës aspiratat dhe idealet e tij për liri dhe pavarësi.

 

Nën regjimin otoman kultura jonë kombëtare ndeshej në çdo hap me pasojat e robërisë dhe me atmosferën mbytëse të obskurantizmit mesjetar. Duke i zgjuar ndjenjat kombëtare shqiptarit,kultura e Rilindjes e bënte atë t'i rëndohej edhe më shumë shtypja ,t'i bëhej më e padurueshme robëria ,të ndiente thellë zymtësitë e palirisë. Kultura e rilindjes zgjoi interesimin e shqiptarëve për historinë e kulturës,për traditat e tyre kulturore. Ajo sillte emancipimin e popullit nga fanatizmi,intoleranca e ndasitë fetare,duke fituar karakter laik mbifetar.

Ideja e shqiptarizmit u bë ai bosht kulturor rreth të cilit mund të bashkoheshin shqiptarët pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Konceptit të kulturave fetare iu kundërvu koncepti i qytetërimit.

 

Një akt tjetër i madh emancipimi i kulturës së Rilindjes sonë Kombëtare ishte shkëputja që ajo sillte nga ndikimet e tyre "antikulturave"që synonin për rolet dhe hegjemoni zonale apo botërore dhe që përbënin një kërcënim të madh për kulturën dhe për vet ekzistencën e kombit tonë. Kultura e Rilindjes Kombëtare guxoi të ngrihej kundër "shkëlqimit" të rremë të këtyre kulturave ,duke iu bërë një sfidë të madhe. Kjo ishte një luftë e vështirë, sepse ndikimet e këtyre kulturave ishin ende të fuqishme në shtresa të caktuara të prapambetura të popullsisë,madje ajo ishte e vështirë.,sepse bëhej edhe para vetes së secilit shqiptar,që nuk ishte i çliruar ende prej këtyre ndikimeve. Kultura e re e Rilindjes kishte vitalitet t'u kundërqëndronte forcave kulturore reaksionare,sepse i kishte rrënjët thellë në tabanin kombëtar, në popull. Me karakterin e asaj kombëtar kultura jonë e rilindjes i mbyllte portat për rrymat ideologjike shkombëtarizuese dhe në të njëjtën kohë ajo shënoi një hapje,më të madhe hapje që kishte parë kultura jonë deri atëherë,ndaj erërave të kulturës përparimtare botërore që mund ta pasuronim. Koha e Rilindjes u bë kohë kur kombi ynë vendosi e hyri në lidhje intensive me kulturën përparimtare botërore, kur përfitoi më shumë se çdo herë tjetër nga thesaret e saj,nga ajo e perëndimit,por edhe e lindjes,nga antikiteti dhe nga ajo e Rilindjes evropiane,nga klasicizmi,iluminizmi e romantizmi.
Përmes përpjekjesh e një lufte të vështirë e të gjatë,plot sakrifica,nga fundi i shek XIX,kultura e re kombëtare s'ishte më aspiratë, por përbënte një realitet ,i cili kishte provuar katërçipërisht identitetin e përveçëm kulturor të popullit shqiptar,por edhe vitalitetin,forcën krijuese kulturore të tij. Në këtë kohë përfundonin veprën e tyre kulturore prijësit e Rilindjes Kombëtare dhe largoheshin nga skena historike njëri pas tjetrit-Abdyli,Naimi,Samiu,Pashko Vasa,Jani Vreto,De Rada, etj. por ata largoheshin kur fara që patën mbjellë kishte lëshuar rrënjë të thella,mandej kur ishte afruar koha e të korrave. Një brez i ri mendimtarësh e veprimtarësh shoqërorë merrnin në duar veprën kulturore të Rilindësve dhe e shpinin më tej- Luigj Gurakuqi,Shahin Kolonja,Petronin Luarasi,Çajupi,Mjada,Sotir Peci,Mihal Grameno, etj. e midis tyre shquhej Ismail Qemali,simbol i lidhjes dhe i vazhdimësisë në lëvizjen çlirimtare.

 

Tiparet themelore,që karakterizonin kulturën shqiptare të epokës së Rilindjes Kombëtare qëndruan në themel edhe të lëvizjes për kulturë kombëtare në fillim të shekullit XX. Megjithëkëtë,në kapërcyellin e shekujve XIX-XX kishin ndodhur ndryshime historike që e kishin futur Lëvizjen Kombëtare për kulturë në një fazë të re,më të lartë,në kuadrin e së cilës spikatën edhe tipare dhe vlera të reja,të cilat e rritën forcën vepruese të kësaj kulture dhe kontributin e saj në luftën për pavarësi kombëtare. Në këtë kohë lëvizja për kulturë u fuqizua vatra e saj u zhvendos nga kolonitë shqiptare të mërgimit,brenda vendit. Lëvizja për kulturë kombëtare u mpleks përherë e më tepër me luftën politike të popullit për liri e pavarësi. Gërshetimi i shumanshëm i veprimtarisë kulturore arsimore me veprimtarinë politike përbën një nga veçoritë më qenësore të kësaj faze të lëvizjes për çlirimin kombëtar.

 

Nga gjithë pjesët përbërëse të kulturës kombëtare në këtë fazë mori përparësi dhe zhvillim më të madh kultura politike,e cila u bë bërthama kryesore që u dha tonin e frymën e saj gjithë komponentëve të tjera të saj. Kjo veçori ishte pasojë e përparësisë që morën problemet politike,ushtarake e diplomatike. Nuk duhet menduar se idetë iluministe të rilindësve në këtë fazë u shuan,por aspekti iluminist i kulturës u ngushtua dhe u përforcua aspekti i saj politik. Ky politizim i kulturës u shpreh në pasurimin e vlerave të kulturës politike me vepra të tilla siç ishte libri i Sami Frashrit:"Shqipëria ç'ka qenë,ç'është e ç'do të jetë",një testament i vërtetë politik i rilindësve dhe një platformë që frymëzoi gjithë luftën politike kulturore për liri e pavarësi të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Të kësaj kohe e rëndësie kanë qenë platformat politiko-kulturore të shqiptarëve në revolucionin xhonturk,vendimet e Kongresit të Manastirit dhe programet memorandume të kryengritësve shqiptarë. Këto dokumente provojnë qartë sa kërkesat kulturore kombëtare u nënshtroheshin tashmë programeve politike të autonomisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Politizimi i kulturës u shpreh edhe në lidhjen e ngushtë të veprimtarisë së vatrave kulturore me aktivitete politike. Shoqatat e Stambollit,e Rumanisë,e Egjiptit në shk. XIX. kishin më tepër karakter kulturor,kurse shoqatat kulturore,klubet që u krijuan në vitet e para të shek.XX,në Shqipëri kryenin një veprimtari jo vetëm kulturore,por edhe drejtpërdrejt politike. Mjafton të kujtojmë klubet,që u krijuan gjatë revolucionit xhonturk,të cilat ishin sa organizime kulturore aq edhe politike. Ato vepronin në lidhje të ngushta me komitetet e fshehta të kryengritësve dhe funksionin si forma të një partie ose të një organizimi politik. Klubet dhe shoqëritë kulturore,krahas përpjekjeve për hapjen e shkrimit dhe të shkollave shqipe,zhvillonin edhe një aktivitet të shumanshëm politik për organizimin e lëvizjes çlirimtare dhe bashkimin politik të popullit,për krijimin e një qendre drejtuese politike e kulturore të kësaj lëvizjeje në shkallë kombëtare. Këto synime u konkretizuan në veprimtarinë e klubit"Bashkimi"të Manastirit,në Kongrese e Manastirit (1908-1910),të Elbasanit (1909),të shoqërisë qendrore shkollore"Përparimi"(1909)në Korçë,etj.

 

Pavarësisht nga masat represive që ndërmori qeveria gjatë kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912,vrulli i lëvizjes kulturore e arsimore erdhi duke u rritur e pleksur me luftën e armatosur për liri. I bënë nder inteligjencës shqiptare,që përfaqësuesit e shquar të kulturës së kësaj kohe-mësues, gazetar, shkrimtar,etj.,- gjendën në radhët e qetave dhe të formacioneve kryengritëse si Çerçiz Topulli e Dervish Hima,Petro Nini Luarasi e Mihal Grameno,Themisitokli Gërmenji e Hil Mosi,Risto Siliqi e Luigj Gurakuqi,etj.


Në rritjen e ngarkesës politike të kulturës në fillim të shek.XX,një rol të veçantë luajti shtypi,sidomos,publicistika,jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë vendit,por edhe me përmbajtjen e tyre kryesisht politike. Po të krahasonim organin "DRITA"(1903-1910)të Shahin Kolonjës,"Kombi"e "Dielli"(SHBA)ose "Liria"(Manastir),etj,do të vinim re se në këto të fundit mbizotëroi publicistika politike.

 

Politizimi përfshin edhe letërsinë artistike. Mendimi shkencor pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka dhënë një përcaktim të plotë e të drejtë të vlerave të letërsisë sonë të kësaj periudhe. Ajo meriton të rivlerësohet për të njohur vlerat e qëndrueshme të saj. Politizimi më i thellë i poezisë së kësaj kohe nuk ishte kufizim i saj në betejat e luftërave politike të kohës. Këtë frymë kryengritëse bartnin vjershat e Çajupit,Mjedës,Asdrenit,etj. Le të kujtojmë marshin e Asdrenit:

 

"Jo, s'duam tjatër nuk, veç armë e ca bukë.", ose këngën e pavdekshme " Për mëmëdhenë!"të Mihal Gramenos,që bartë mesazhe të fuqishme të frymës liridashëse të popullit shqiptar. Forcimi i karakterit politik të kulturës kombëtare në fillim të shek.XX luajti një rol shumë të madh për fatet e të ardhmen e lëvizjes për çlirim kombëtar. Me tendenciozitetin e saj të veçantë politik, kultura kombëtare ndihmoi për një kuptim të ri të problemeve të jetës politike të kombit,për një qëndrim të ri të masave të gjera ndaj politikës,sidomos,ndikoi në formulimin e një politike shqiptare,si veprimtari që shprehte dhe mbronte interesat kombëtare,që afirmonte ekzistencën dhe të drejtat e kombit shqiptar,që sillte emancipimin politik e kulturor të popullit. Me frymën e saj politike militante kjo kulturë zgjeroi aktivizimin e shqiptarëve në jetën politike,forcoi ndërgjegjen patriotike,i aftësoi si forcë më vete. Ajo i bindi shqiptarët se ata s'kishin nga e prisnin shpëtimin e tyre përveçse nga vetvetja. Duke njohur interesin kombëtar dhe duke vendosur në themel të saj politikën shqiptare,kjo kulturë e përgatiti popullin për ditën e lumtur të 28 nëntorit 1912.

 

SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË NUK MUND TË REALIZOHEJ PA BASHKIMIN KOMBËTAR DHE UNITETIN TERRITORIAL TË POPULLIT SHQIPTAR

 

Rruga e popullit shqiptarë drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta,në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës,të kushtëzuara nga rrethanat historike,ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike,të brendshme e të jashtme. Megjithatë,shoqëria shqiptare në fillimin e shek.XIX,krahas ndryshimeve,kishte mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet ballkanike fqinje dhe arriti të krijonte,ndonëse me vështirësi e ritme të ngadalshme,që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman,të gjitha premisat,të cilat çuan në formimin e kombit shqiptar dhe në lindjen e lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

 

E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut,ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes,u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mendimet e para për bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine u dhanë nga pionierët e Rilindjes sonë, Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Thimi Mitko,etj. Ato u pasuruan më tej në zjarrin e kryengritjeve popullore që mbushën epokën e Rilindjes, e sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881),u pasqyruan në mënyrë më të plotë dhe konsekuente në një literaturë të tërë politike dhe artistike,në dhjetëra memorandume e protesta që iu dërguan Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha gjatë gjithë Rilindjes deri në Shpalljen e Pavarësisë e në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar.


Çështjen e bashkimit kombëtar rilindësit e shtronin jo vetëm me pasionin e zjarrtë të atdhetarit,por edhe si dijetarë të shquar. Konceptet e tyre për kombin shqiptar dhe për rolin e unitetit kombëtar,të mbështetura në argumente historike ,etnike, gjuhësore, gjeografike dhe ekonomike,ishin të drejta dhe i përgjigjeshin realitetit shqiptar,të cilin ata e njihnin aq mirë. Evokimi i epokës së Skënderbeut shërbente si shembull i shkëlqyer i forcave që u jepte shqiptarëve bashkimi përpara armiqve. Pashko Vasa shkruante më 1879 se suksesi i qëndresës,që shqiptarët u bënë pushtuesve osmanë në shek.XV,i kishte rrënjët në bashkimin e tyre rreth një ideje patriotike,"se pikërisht në atë kohë u lidh bashkimi shqiptar i kryesuar nga Skënderbeu"(P.W.:La veritesur l'Albanie et les Albanais.Paris,1879,fq.40-41.).Naim Frashri u përcillte shqiptarëve "amanetin"e Skënderbeut me vargjet "...po të ini të bashkuar, /është e bërë Shqipëria".(N.H.Frashëri;Historia e Skënderbeut,Tiranë,1953,fq.341.).

 

Si dëshmi të unitetit të shqiptarëve rilindësit përdorën gjuhën e përbashkët shqipe,e cila përbën tiparin më thelbësor të kombit,pikën qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët pa dallim krahine,feje e klase shoqërore. Thimi Mitko i konsideronte shqiptarët vëllezër e të bashkuar,sepse flisnin të njëjtën gjuhë,gjuhën e bukur shqipe,sepse kishin të njëjtin atdhe ,Shqipërinë. Po këtë ide mbronin Samiu dhe Rilindësit e të tjerë kur shkruanin se pa gjuhë shqipe nuk mund të ketë shqiptarë dhe Shqipëri,se nga ruajtja dhe lëvrimi i saj varet jo vetëm bashkimi i shqiptarëve,por edhe jeta shuarja e kombit shqiptar. Mbi gjuhën e përbashkët shqipe,të cilën e vlerësonte si "provën më të madhe e më të plotë të afrimit:,kërkonte të hidhte themelet e bashkimit të shqiptarëve edhe Jani Vreto("Bashkimi",Shkodër,nr.6 e 6 shkurtit 1910).Gjuhën shqipe,vendosjen e një alfabeti të njëjtë,që nisin me miratimin e alfabetit të Stambollit më 1879 e u krye me vendimet e Kongresit të Manastirit të 1908-ës,lëvrimin e gjuhës në literaturë dhe përhapjen e shkollave amtare,rilindësit nuk i shikonin thjeshtë si çështje kulturore,por edhe në rrafshin politik,si mjet të fuqishme propagandistike e veprime patriotike që do të ndihmonin për unitetin e kombit shqiptar.

 

Përvoja e luftës shekullore të popullit shqiptar dhe ajo e epokës së rilindjes tregoi se uniteti kombëtar nuk mund të arrihej pa një organizim të shëndoshë. Nevoja e organizimit u bë edhe më e ngutshme për shkak të gjendjes së rëndë dhe tepër të rrezikshme që u krijuan për Shqipërinë me shpërthimin e luftës Ruso-Turke të 1877-1878-ës dhe me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit më 1878, të cilat parashikonin copëtimin e trojeve shqiptare midis monarkive ballkanike,synonin të zhduknin nga harta e Ballkanit kombin shqiptar. Në këto rrethana,kur ekzistonin edhe premisat e brendshme për vendosjen e një uniteti politik e luftarak të popullit shqiptar,me përpjekjet e atdhetarëve rilindës, të kryesuar nga Ymer Prizreni,Abdyl Frashëri,Sylejman Vokshi,Zija Prishtina,Pashko Vasa,etj.,u themelua,më 10 qershor të vitit 1878,Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lindi kështu ajo Organizatë Politike-Ushtarake mbarëshqiptare, e cila kreu detyrën historike që shtronte koha,krijoi një bashkim të vërtetë të popullit shqiptar,të mbështetur në luftën e përbashkët të të gjitha forcave patriotike të vendit për çlirimin kombëtarë të shqiptarëve dhe ruajtjen e tërësisë së trojeve të tyre.

 

Bashkimi në Lidhje i të gjithë shqiptarëve ,gegë e toskë,myslimanë e të krishterë,përforcohej edhe me një strukturë të qartë organizative. Komiteti Qendror me në krye Ymer Prizrenin,që e kishte selinë në Prizren,nëpërmjet një rrjeti të tërë degësh e komitetesh,të krijuara në qytetet e ndryshme të vendit,mbante lidhje me të gjitha viset e Shqipërisë,bashkërendonte veprimtarinë e popullit shqiptar drejt një qëllimi të vetëm.

Kombi shqiptar, ashtu si edhe bashkimi e kompaktësia me të cilën veproi në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881),nuk mund të lindnin papritur e as të krijoheshin artificialisht. Ato i kishin rrënjët në ndërgjegjen e përbashkët kombëtare të popullit,të formuar prej kohësh në valët e kryengritjeve kundër osmane, ndërgjegje që në vitet e Krizës Lindore të 1875-1881," në çastet kur rrezikohej ekzistenca e Shqipërisë"(S.Pollo-S.Pulaha;Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Tiranë, 1978, dok.40,34.), shpërtheu si vullkan që vlonte prej shekujsh e nxori në sipërfaqe lavën e zjarrtë. Ky shpërthim i revoltës së një kombi unik,të cilit po i mohoheshin vetëqenia dhe të drejtat politike, i ishte nxjerrë në ankand pasuria më e çmuar,trualli amtar,ndihet i fuqishëm në protestat e shumta që,në emër të atdheut,tanimë të bashkuar nga ideja kombëtare,në emër të interesave të mbarë Shqipërisë (Po aty,dok.63,65.),iu dërguan,në të njëjtën kohë,Kongresit të Berlinit e Portës së Lartë nga qendra të ndryshme të vendit. Kjo shihej gjithashtu në krismat e armëve të popullit kryengritës,i cili mbrohej me forca të përbashkëta kundër sunduesve osmanë dhe pushtuesve të rijnë ballkanas. Lufta e forcave të Lidhjes për mbrojtjen e Plavës,të Gucisë,Hotit,Grudës dhe Ulqinit,si edhe gjithë veprimtaria e saj diplomatike për paprekshmërinë e kufijve të Veriut e të Jugut,që zgjati 3 vjet të tëra ( 1878-1881),u shndërrua në një çështje të përgjithshme kombëtare. Pikërisht pse ideja e unitetit u përgjigjej interesave më të larta të atdheut dhe përfaqësonte aspiratat e masave më të gjera,sepse përfaqësonte armën më të fuqishme e më të sigurt që populli shqiptar mund t'u kundërvinte armiqve,shpërthyen ato akte të mëdha solidariteti dhe ai heroizëm masiv që deri atëherë nuk kishte njohur Shqipëria.

 

Atdhetarët rilindës,duke kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) për copëtimin e trojeveamtare midis monarkive ballkanike,luftuan njëherazi për afirmimin kombëtar të shqiptarëve në Evropë. Për këtë,ata vunë përballë opinionit Evropian provën më të fuqishme,unitetin e shqiptarëve,argumentuan me të dhëna bindëse se populli shqiptar përbën një komb krejt të veçantë e të bashkuar,"një komb të njësuar për nga raca (nënkupto:nga origjina),gjuha,traditat,historia dhe për nga gjithë elementët që përbëjnë identitetin kombëtar"," komb që ka vullnetin e tij të përbashkët"(Akte të Rilindjes...,dok.12,42.).Këtë ide ua shprehu Abdyl Frashëri përfaqësuesve të qeverisë Franceze në Paris,në Pranverën e vitit 1879,kur theksoi se "para lakmive të egra të fqinjëve të tyre dhe rreziqeve që u kërcënohen,shqiptarët janë të gjithë me një betim solemn që me përpjekje të përbashkët të ruajnë ...atdheun, kombësinë dhe gjuhën e tyre"(Po aty,dok.43.).

 

Fakti që shqiptarët ishin një komb i bashkuar,që kërkonte të respektohej edhe ndaj këtij parimi i kombësisë,e gjejmë edhe në mendimet e atyre personaliteteve evropiane që e njihnin mirë edhe nga afër gjendjen në Shqipëri. Po përmendi relacionin e kryekonsullit Austriak në Shkodër Lipih ( Lippich),dërguar Vjenës më 3 prill 1881 në të cilin e quante "krejt të gabuar e në kundërshtim të vërtetën"pretendimin e italianit Sonino,që kishte shpallur se shqiptarët "janë një grumbull fisesh të palidhura me njëri-tjetrin". Në ç'radhë e vë Soninoja popullsinë e Shkodrës, të Lezhës, Tiranës, Ulqinit, Gjakovës, Pejës, Tetovës, Dibrës, Elbasanit, Kavajës e qyteteve të tjera? Edhe këta kanë të njëjtën kombësi. Jo vetëm Sininoja,por askush tjetër s'do të mund të mohojë kombësinë e shqiptarëve"(Xh.Belegu;Lidhja e Prizrenit e veprimet e saj 1878-1881, Tiranë,1939, fq.88.) ,shkruante Lipih në relacionin e tij.

 

Mendimi për unitetin kombëtar të popullit shqiptar u përpunua më tej në veprimtarinë krijuese të rilindësve,që vepruan në fundin të shek,XIX,e në fillimin e shek XX,e sidomos të ideologut të shquar Sami Frashëri, i cili i dha atij një kuptim më të gjerë e më të plotë. Përgjithësimi i përvojës së veprimtarisë trevjeçare të Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e vendit e çoi atë në përfundimin se " Shqipëria duhet të jetë një dhe i pandarë",se "të gjithë shqiptarët duan të quhen vëllezër dhe djemtë e një mëmëdheut të dashur"(Arkivi Qendror i RPS të Shqipërisë(tani AQSH),Fondi 51,dos.4.S.Frashëri i shkruan De Radës,më 20 shkurt 1881.).Në karakterin politik "Shqipëria ç'ka qenë,ç'është dhe ç'do të bëhet?"(1899) Samiu e trajton bashkimin kombëtar të shqiptarëve si mendimtar revolucionar,me bindjen se ai mund të arrihej vetëm me anë të organizimit dhe të luftës politike dhe të armatosur. Shqiptarët ,theksonte ai,s'kanë nevojë të bëjnë gjë tjetër veçse "të bashkohen të gjithë sa janë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre nga Turqia dhe Evropa.Turqia...do t'u japë ato që kërkojnë me hir a me pahir".Në qoftë se shqiptarët do të arrinin të vendosnin një lidhje të fortë e do të bashkoheshin të gjithë si një njeri i vetëm,arsyetonte Samiu,atëherë nuk do të gjendej forcë që të guxonte t'u kundërvihej Shqipërisë dhe shqiptarëve"(S.Frashëri;Shqipëria ç'ka qenë,ç'është e ç'do të bëhet?Bukuresht,1899,Tiranë,1962,fq.66.).
Ideja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë,gegë e toskë,zotëron në vendimet dhe veprimtarinë e lidhjes së Pejës (1899-1900)e sidomos në thirrjen "Rruga e shpëtimit është në besa-besë!"që përbën aktin e saj kryesor programatik. Duke ecur ne rrugën e çelur nga Lidhja e Prizrenit,atdhetarët rilindës luftuan që "bashkimi i krijuar nga Lidhja e Pejës të përfshinte gjithë shqiptarët,gegë e toskë,myslimanë e të krishterë",të ngrihej mbi ndasitë fetare e krahinore,për tu provuar armiqve se shqiptarët janë një komb unik,zotë të atdheut të vet dhe të aftë për të qeverisur atë."Ajo që do ta shpëtojë kombin e atdheut tonë,-theksohej në këtë thirrje,-është bashkimi,një Besëlidhje e përgjithshme,një Besa-Besë"(AQSH.Fondi 12,dos.1. Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën.).

 

Të bashkuar e në një front unik në shkallë kombëtare dolën shqiptarët përball sunduesve osman gjatë kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Dëshmi e unitetit dhe e bashkërendimit të veprimit të tyre ishte si angazhim pothuajse i të gjitha viseve të Shqipërisë në luftën e armatosur popullore që u zhvillua në një kohë,në prill-gusht 1912,në mbar vendin,ashtu edhe kërkesat e njëjta programatike,që u shprehën në vendimet e Kuvendit të Përgjithshëm Shqiptar të Junikut të maj të vitit 1912 dhe në ato të memorandumit të Sinjës,(Berat) të 23 korrikut 1912 që doli nga mbledhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut. Atdhetarët rilindës,me të drejtë,shihnin në to "bashkimin e vullnetin e tërë shqiptarëve",pa dallim feja e krahina,për ta futur vendin në rrugën e qytetërimit."Ne,-thuhej në një nga thirrjet që kryengritësit u drejtonin shteteve evropiane,-shkojmë drejt luftës dhe vdekjes për këtë i deal të shenjtë,pa dallim feje;një fe shumë e lartë,që i kaloi të gjitha,na vëllazëron,na frymëzon,na nxit,na udhëheq:ringjallja e atdheut tonë,bashkimi dhe liria(Akte të Rilindjes...,dok.154.).

 

Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar nuk mund të kuptohej pa unitetin territorial,një nga komponentët më të domosdoshëm për ekzistencën e kombit,pa themelin mbi të cilën shqiptarët do të ngrinin shtetin e pavarur dhe do ti siguronin kombit të tyre një zhvillim të plotë dhe unik. Ky bashkim do të arrihej duke kapërcyer ndarjen e trojeve shqiptare në katër vilajetet,të vendosura nga Porta e Lartë,si dhe dallimet krahinore midis Gegërisë e Toskërisë e trevave të tjera më të vogla,të trashëguara nga thellësitë e shekujve e që mbaheshin gjallë nga pushtuesit dhe nga pashallarët e bajraktarët vendas për të penguar unitetin politik të shqiptarëve,për t'i copëtuar e për t'i nënshtruar ata. Në këtë ndarje administrative rilindësit shikonin vazhdimin e parimit të lashtë të pushtuesve "përçaj e sundo!",të cilit,sikurse shprehej Pashko Vasa,"tanimë i ka kaluar koha,sepse rryma e shek.XIX i shtyn popujt drejt bashkim it"(P.Wasa,vep e përmendur,fq.96.).

 

Lufta për njësimin e tokave shqiptare u ndërthur në mendimin politik të rilindësve me përpunimin e një koncepti të drejtë mbi këto territore. Në argumentimin e përkatësisë kombëtare të trojeve shqiptare ata mbështeteshin në radhë të parë në të dhënat etnike,në faktin që shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në këto toka dhe banonin atje në mënyrë kompakte. Abdyl Frashëri ,ndonëse mbronte me argumente të gjithanshme historike,etnike,gjuhësore,ekonomike dhe ushtarako-strategjike tërësinë e Shqipërisë,e vinte theksin në gjuhën shqipe ,që ishte tipari i përbashkët dhe një nga më kryesorët e kombit. "Gjuha e banorëve të

 

Shqipërisë,-shkruante Abdyli,-është shqipja,dhe banorët e saj janë shqiptarë qysh prej kohëve të lashta &qu

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

5.00
Powered by www.merbraha.com v4.7