Hyrje | Intervista | INTERVISTA/ Bahri Myftari: . Duke lëvruar sistematikisht prozën e shkurtër, unë nuk bëja dallim në shije. Isha si ai i urituri që nuk pyet nëse është pjekur buka

INTERVISTA/ Bahri Myftari: . Duke lëvruar sistematikisht prozën e shkurtër, unë nuk bëja dallim në shije. Isha si ai i urituri që nuk pyet nëse është pjekur buka

Në radhët e politikës, nuk ka asnjë shkrimtar. Ajka e kombit është lënë në hije

Bahri Myftari është një ndër prozatorët më racional që dhe pse kanë kaluar mëse 35 vjet me letra në duar, kërkon gjithmonë të renë, të panjohurën, duke punuar me fjalën me dashuri dhe seriozitet. Intelektual i sinqertë ai krijimtarinë nuk e këmben me asgjë dhe pse politika I ka lënë në hije njerëzit e letrave. I rrtiur në vende me traditëa në letërsi, dhe në një shoqëri dhe familje intelektuale, përccon në mënyrë të sinqertë vështirësitë e intelektualit të mirëfilltë për të mbijetuar dhe krijuar në këtë tranzicion të vështirë.

Diçka nga jeta juaj, marrëdhënia me shokët, mësuesit. Ç’tip nxënësi keni qenë?

Fëmijëria, rinia dhe deri në të kapërcyer të 50-tave janë të lidhura pazgjidhshmërisht me dy qytete; njëri më interesant se tjetri, më i veçantë se tjetri, Pogradeci dhe Elbasani. Ndonëse për nga origjina familja ime vjen nga Skrapari por e ikur herët, baba e nisi “kurbetin” nëpër Shqipëri në vitet 30-të, ndërsa familjarisht u shkëput pas Luftës. Megjithatë edhe me këtë faqe të jetës lidhjet janë të ngushta. E çmoj dhe e vlerësoj origjinën, jo për trimërinë – përrallë e thurur nga të tjerët – por për zakonet, mirësinë, këngët dhe vajet, për mënyrën e jetesës dhe të ushqyerit, për ritet e dasmave, vdekjeve, për ritin e mjeljeve të bagëtive dhe vjeljeve të rrushit. Domosdo, e dua origjinën dhe për një gjë që e duan të gjithë: rakinë! Vitet e para të fillores kanë qenë në Pogradec e më pas e në vazhdim në Elbasan.

Çfarë nxënësi kam qenë!?

Kam qenë si gjithë prindërit, siç thotë Azis Nesin, i shkëlqyer në mësime dhe në sjellje… Fillimet krijuese iu takojnë atyre të shkollës së mesme. Kam patur fatin të kem për mësues të letërsisë dy njerëz të mrekullueshëm, që unë dhe brezi im, do t’i mbajmë mend gjatë. Besim Qorri ishte i pari, dhe Osman Kazazi tjetri ose “lal Mani”. Ah ç’njerëz të mrekullueshëm. I dashuri, i ëmbli, profesori im Besim Qorri, që edhe pse ma mbushte hartimin gjithë shenja të kuqe prej gabimeve, prapëseprapë hartimin tim e lexonte para klasës. Apo “lal Mani”, kur i thoshin se më mburrte shumë, se paskësha talent, dikush që s’i vinte mirë, dhe nga këta ka sa të duash, se me gjasë nuk isha autokton. Ani, ani thoshte, ç’rëndësi ka! Për Homerin e madh edhe sot e gjithë ditën zihen e grihen nëntë qytete. Ja pra, ata dy burra më kanë dhënë ditët më të bukura, këto mbaj unë si kënaqësitë e mëdha të krijimtarisë. Më pas kur hoqa dorë nga hartimet dhe nga grimcat e fillimit, kur shkruajta tregime, novela dhe drama, s’po kishte më ditë aq të bukura!

Kush është më primare talenti apo puna?

Të dyja, si talenti, si puna, zor se rrojnë pa njëri-tjetrin. Nuk është mirë t’i klasifikosh për përparësi, veç mund të them, se ashtu sikundër është talenti, na bëhen dhe dhurata të tjera në këtë jetë, por ama thonë në Elbasan: po nuk lujte kam e dur, nuk ha dot buk e laknur .

Cilët kanë qenë idhujt tuaj në letërsi, muzikë, brenda dhe jashtë Shqipërisë?

Unë jam rritur në një familje të madhe, dhe me një shoqëri po të tillë; kishte nga ata që u shkonte tangent si letërsia si muzika, që pëlqenin ca bejtje, gjithësesi të famshme, dhe këngë të tipit “Kur dola në portë të kalas”, përndryshe, kishte edhe të tjerë, në familje edhe më gjerë, me interesa për letërsinë, për pikturën dhe për muzikën. Në ato vite kishte një shoqëri të mirë midis shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, ku jepje dhe merrje informacion për muzikën e trashëguar, të krijuar dhe atë moderne, ashtu sikundër mund të bije në kontakt fare lehtë me letërsinë frënge, angleze, italiane madje dhe ruse. Nga kjo anë Elbasani vazhdonte të ishte “sofër e madhe” e bujarisë për kulturë, për letërsi, muzikë etj. Elbasanas të shquar, përkthyes të talentuar i kishin raftet e bibliotekave familjare plot. Duke lëvruar sistematikisht prozën e shkurtër, unë nuk bëja dallim në shije. Isha si ai i urituri që nuk pyet nëse është pjekur buka. Ky zell, ky pasion më lidhi me krijimtarinë e penave të mëdha, por në mënyrë të veçantë me prozën e shkurtër franceze, me tregimet dramatike dhe deri tek lirizmi i Alfons Dodes. Edhe në muzikë, kjo shije e “padisiplinuar”, çdo gjë e bukur, domosdo, vinte një me shijet e mija.

Sa ka ndikuar ky ambjent që ju sapo e përshkruat, mbi ty si individ dhe si krijues?

Natyrisht, kjo sofër e madhe, e trashëguar dhe e pasuruar në këtë qytet, nuk mund të ishte e tillë pa dhjetra e dhjetra artistë në vijë historike dhe atë aktuale. Krijuesit elbasanas, kudo edhe kur ata nuk punonin dhe jetonin në qytetin e tyre, është gati e pashembullt lidhja që mbajnë me qytetin e tyre. Shuteriqi, Abdihoxha, Xhuvani, Kongoli, asnjëherë nuk u panë si të larguar. Ashtu sikundër nuk u panë si të huaj shkrimtarët që erdhën nga nevoja e “edukimit socialist” si: prof. Bedri Dedja, O. Grillo, Q. Buxheli, A. Shehu, L. Deda, P. Taçi, si dhe krijues më të rinj si Vyshka, Bishqemi, Kallupi, Balliçi. Si mendoni ju se, është krejt e rastësishme që tre prej botuesve më të shquar të vendit, janë elbasanas, F. Balliu, drejtor i Sh.B “55”, tregimtari dhe dramaturgu i talentuar, Bujar Hudhri, president i Sh.B “Onufri”, botuesi i Kadaresë, apo F. Açka, poetja dhe tregimtarja, së fundi botuesja e Pamukut të madh. Ja pra, në atë qytet është ngjizja e tyre. Nuk mund të ndodhte ndryshe, unë kam përshtypjen se nëse ka qytet që mund të prodhojë veçanërisht shkrimtarë, ai është Elbasani. Aty ka njerëz që e çmojnë dhe i shërbejnë letërsisë. Të kujtojmë Universitetin Xhuvani, aty është poeti i talentuar dhe pedagogu fin, Zekthi, si dhe bibliotekari historik Koçani, ose në bibliotekën qendrore, ku zonja Cankja tregon një përkujdesje të skajshme për talentet e qytetit.

Sot ka një inflacion botimesh. Ç’mendime keni për to? Thuhet se kritika është inekzistente, vallë ka ndikuar ajo në krijimtari?

T’i përgjigjemi pyetjes së parë. Nuk ka inflacion botimesh por ka inflacion parash. Kush ka xhajen biznesmen, kush ka dajen parelli dhe hallën qejflesh se ka problem botimin e librit. Por të mos harrojmë, botime të tilla nuk janë mirëfilli botime librash, por janë mallkime. Megjithatë është i drejtë shqetësimi, grafomanë turlifarëllojesh. Biografi fisesh, familjesh, fshatrash, kujtime dhe mëthetëthashë, rëndojnë mbi raftet e kioskave dhe librarive. Të vjen keq kur sheh të rinj e të reja me këtë sëmundje, pa për të tjerët – shumica janë duke ikur – i marrshin me vete librat e tyre! Pyetja tjetër mbi kritikën. Albert mos bëj shaka, nuk ka kritikë. Ka tamtame, dorën në qafë dhe gishtin ... Ka ditirambe, lavdërime, fjalë, fjalë dhe sytë drejtuar për nga kokteji.

Sa afër është politika shqiptare me krijimtarinë dhe krijuesin?

Je në vete! Politika i urren njerëzit e letrave. E kam nga përvoja, por jo vetëm. Ti e mban mend, në vitet 90-të, të gjtihë krijuesit mbështetën ndryshimin, të gjithë krijuesit të frymëzuar dhe idealistë, menduan se e bënë Shqipërinë e re. Por ndërsa ata i shoqëronte ideali, pastërtia, ndershmëria, solidariteti, të tjerët, ustallarët, kodoshët, me përvojë politike komuniste, me përvojën e kulisave, kur ata shkrimtarët thanë “rrush” ata politikanët, nuk po i quajm me epitetin shkërdhatat, sepse kjo fjalë është bërë shumë poetike, por shkatërruesit e kishin ngrënë koshin. Nuk di nëse ka më në radhët e politikës, me përjashtim të dy-tre shkrimtarëve që ende rezistojnë, veç ta them sinqerisht të frikshëm do ta kenë fundin.

Nëse do të ishit i pasur çfarë do të bënit me të?

Më mirë më pyet nëse do të kishte halla k... si do të quhej.

Komente (1 publikuar)

avatar
Q....Bogd 2011-06-21 12:22 +0100
Prof je i madh.....per ate qe nuk te njeh je shkrimtari e per ata qe te njohin je njeriu i thjeshte me plot humor e plot shaka me pak kripe.Kam vite pa ju pare e kam shume mall per ju por megjithate gezoj te jesh mire e te kalosh mire familjarisht!...Perqafime!
0
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7