19/04/2024

Jo hidrocentrale në Lumin e Vlorës!

0

Nga Albert HABAZAJ

Përnjohje fizike. Treva e Lumit të Vlorës ose lugina e Lumit të Bardhë, sipas studiuesve, karakterizohet nganjë trashëgimi komplekse arkeologjike, historike, etnografike, folkorike, biozoologjike, gjeologjike e gjuhësore, që jetojnë dhe ndërtojnë ekonominë e tyre sidomos me punët e bujqësisë në fushë e fushëza, veçmas me blegtori në mal e vërrì, pjesërisht me frutikulturë, vreshtari e bletarì. Lumi i Vlorës, ose Lumi i Bardhë quhet ndryshe lumi i Shushicës, (emërtim mbetur nga sllavishtja, që do të thotë lumë i shpejtë; Polianthes në antikitet), është degë e Vjosës, rrjedh në Jug-Perëndim të Qarkut të Vlorës, nëpër luginën me të njëjtin emër. Ka gjatësi 81.6 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 715 km², lartësi mesatare 540 m dhe rënie 14 m/km. fillon në qafën e Dërrasës, në afërsi të fshatit Kuç, ku ndahet nga lumi i Borshit. Pak më poshtë në të bashkohet përroi i thatë Shuri i Kuçe, shtrati i të cilit është i mbushur me çakëll e zaje të trasha dhe ka ujë vetëm kur bien rrebeshe shiu. Ushqimi kryesor i lumit janë burimet e mdha karstike të njohura me emrin Buronjat e Kuçe, poshtë fshatit Kuç, që i sigurojnë Shushicës rrjedhje të përhershme. Rrjedha e tij ndjek luginën ndërmjet vargjeve malore Kurvelesh-Gribë dhe Çikë-Lungarë. Degët kryesore janë në krahun e djathtë: përroi i Smokthinës, i Vajzës dhe i Vllahinës dhe nga e majta përroi i Vranishtit, që burimin kryesor e ka në Shëngjergj të Tërbaçit, nëpërmjet përroit të Kaurit, që në dimër bëhet lumë. Deri në Brataj ka shtrat të ngushtë të thellë. Më poshtë deri në Drashovicë, rrjedh në një shtrat të gjerë deri 80-120 m e me brigje të larta. Poshtë Drashovicës deri në bashkimin me Vjosën në Beshisht, endet në një shtrat të gjerë deri 250 m. Ka një prurje mesatare 19,8 m³/sek (në Drashovicë). Ujërat e përroit të Smokthinës shfrytëzohen edhe për HEC-in e Smokthinës në Lepeninë, qysh ngaviti 1976. [Për më tepër shih: Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008, vëll.2, f. 916-917, zëri përgat. nga L. Trola, si dhe FESH, vëll. 3, 2009, f. 2645-2646, zëri përgat. R. Saraçi). Për kombin, Lumi i Vlorës është një lumë me histori. Për etnokulturën – madem floriri. Për banorët është burimi i jetës, sepse përdoret për si ujë i pishëm e për ujitje, ka një florë mahnitëse dhe faunë të mrekullueshme, është rregullator i atij ekosistemi natyror me bukuri magjepse. Për banorët Lumit të Vlorës, për ata njerëz të urtë, të thjeshtë, fisnikë me vlera morale dhe virtyte të larta, Shushica është drita e syrit të natyrës, që Zoti u ka falur, “që kur jeta është zënë” këtyre hënave për 100 fshatra dhe 60 mijë banorë të kësaj krahine emërdëgjuar. Lumin banorët e kanë si djalë të vetëm, me të kanë lidhur jetën, bujqësinë dhe blegtorinë që mbarështojnë, mirëqënien e tyre, pa ia shtrirë dorën kujt si lypsarë, por rrojnë e punojnë duke përballuar vështirësitë me dinjitet dhe pa i rënë në qafë kujt. Lumi i Vlorës është quajtur lumë i bekuar, sepse ka ujë të shëndetshëm për njeriun, për florën dhe faunën e pasur, për ujitjen e fushave e tokave të mbjella me drithëra, pemë e perime, për gjënë e gjallë, për të pirë ujë nga burimet e atij lumi e të të bëhet shëndet. Shushica rrit një lloj peshku unikal, që banorët i thonë pestrovë dhe një lloj ngjale lumi aq e shijshme, sa që banorët e atjeshëm dhe miqtë e mirëpritur ia dinë shijen e vlerën. Për pellgun dhe krahinën e Lumit të Vlorës kanë kryer studime dhe kanë realizuar botime monografike apo artikuj shkencorë me vlera mjaft autorë të fushave të ndryshme. Ndër autorët e huaj po përmendim dijetarin Fransua Pukëvil [F.C.H.L. Pouqueville] 1826), albanologun Johann Georg von Hahn (1850), studiuesin E. Izambert (1861), gjeografin G. Kora (1875), botanistin Antonio Baldacci (1894), gjeologun Nowack, Louis Herbert, Justin Godart, Gerard Patzel, arkeologët P. Treger, K. Paç [Carl Ludwig Patsch], L. M. Ugolinin, Kardinin,historianin Karlo Bonari etj. Ndër autorët shqiptarë kanë dhënë ndihmesë të vyer arkeologët, atë e bir Hasan Ceka (i pari arkeolog shqiptar) e prof. Neritan Ceka, Burhan Dautaj e akademik Myzafer Korkuti, gjeografët prof.dr. Farudin Krutaj, prof.dr. Nasip Meçaj, prof. dr. Mevlan Kabo, studiues të shkencave humane si prof. dr. Bardhosh Gaçe, gjuhëtarë e albanologë si akademikë Eqerem Çabej e Shaban Demiraj, prof. dr. Rami Memushaj, etnologë si Rrok Zojzi, prof. Zihni Sako e Qemal Haxhihasani, akademik Mark Tirta apo prof. Nebi Bardhoshi, gjeologë si prof. Shyqyri Aliaj, prof.as. Begë Canaj e Halo Habazaj, paleontologë si prof.as. Luan Hasanaj, historianë si prof. Skënder Anamali, prof.as. Aleks Trushaj, biologë si akademik Teki Tartari e prof.as. Hajdar Kiçaj, agronomë si prof. Ago Nezha, dr. Mëno Gjoleka, studiues si Bardho Hysenaj apo inxhinierët hidroteknikë prof. Ramazan Saraçi e prof. Luan Trola, etj.

Vizioni. Nëqoftëse Lumi i Vjosës konsiderohet sot si Zemra Blu e Shqipërisë, (jo thjesht në kuptimin metaforik, por si pasqyrim i blusë së kthjellët qiellore në ujin e pastër të Lumit) si pjesë e Ballkanit, si Evropë Jugperëndimore, për gjendjen natyrore të ruajtur më mirë se pjesa tjetër e pellgjeve të lumenjve të vendit, për larminë e habitateve dhe të llojeve bimore dhe shtazore që strehojnë, Lumi i Vlorës është Zemra e Bardhë e Labërisë së Vlorës, i dobishëm, si ai, për banorët e tri bashkive të Himarës, Selenicës dhe Vlorës. Kjo gjendje është pozitive dhe ne duhet të diskutojmë e të hedhim ide për ta bërë edhe më shumë pozitive Vjosën, më të mirë, më të bukur e të dobishme për komunitetin që mban, që furnizon me ujë, që jetëson e ushqen. Është vërtet fat që ky lumë deri më sot është ruajtur në gjendjen e tij më të mirë natyrale dhe, në fakt, përbën një pasuri jo vetëm lokale, por kombëtare, e, bashkë me Vjosën, gjykojmë se meriton të ketë një status të veçantë si Park Kombëtar. Organizma joqeveritare mjedisore me emër, sidomos Green Vision/ Vizioni Gjelbërapo dhe SEEP, Shoqata e Bujqësisë Organike, Edukimi Social dhe Mbrojtja e Mjedisit, Ekolëvizja, Agjensia Kombëtare e Mjedisit etj., kanë ndjekur nga afër dhe kanë mbështetur në gjithë këtë periudhë tranzicioni për vlerësimin dhe mbrojtjen e natyrës, të biodiversitetit të Shushicës (Lumi i Vlorës), duke bashkëpunuar veçmas me komunitetin e Lumit, por edhe edhe me organizma qeveritare dhe joqeveritare në rajonin e pellgut të Shushicës apo dhe me Tiranën vertikale. Banorët tanë duan një Shushicë të veshur me gjelbërim fisnikërues, argëtues, që të na sjellë përherë e më shumë dobi, duke e shndërruar Lumin në një luginë mrekullore bio, aktraktive, turistike, në shtrat të vetë. Është një këngë e vjetër këtej nga viset tona jugore, që këndohet dhe sot e kësaj dite. Ndër të tjera, po citojmë vetëm dy vargje: “Farën që s’është jona,/ toka jonë s’e rrit…”. Apo të ecim më tej me vizionin e ri, kujtojmë një fjalë e urtë popullore që thotë: “Gjella me kripë e kripa me karar”. Cili është nënteksti? Është ndërtuar një hidrocentral në Lumin e Vlorës, edhe pse HEC-et nuk janë farë për t’u mbjellë në pellgun e Shushicës. I bën dëm, e shpërfytyron, e tjetërson, dhe, kur tregohesh barbar me natyrën, qoftë edhe për shfrytëzim hidroenergjitik, ajo nuk ta fal prishjen e ekulibrit që i shkakton. Na e ka falë Zoti kështu Lumin e Bardhë, le ta gëzojmë e ta shijojmë me tërë ato visare natyrore, me tërë atë florë e faunë të pasur e të veçantë, që e i jep Shushicës tonë nurin e një nuseje të bukur, hijerëndë e fisnike. Mbaroi dhe loti i parë deri tek ura e Gjormit dhe është në tenderim loti i dytë deri në Kuç. Shumë mirë. Më në fund të fillimit…

Çfarë po dëgjojmë? Duan të bëjnë hidrocentrale përgjatë Lumit… Janë planifikuar e synohet të ndërtohen diga të reja hidrocentralesh. Ndërkohë, nga përvoja e fqinjit jugor, shohim se në pjesën e sipërme të Vjosës, që buron nga vargmalet e Pindit (Greqi) Qeveria Greke ka planifikuar aplikimin e një Plani Menaxhimi që ka për qëllim devijimin e rreth 70 milionë m³ /vit drejt lumit Kalamas për qëllime ujitjeje. Ndërtimi i digave në Shushicë, apo qoftë edhe i vetëm njërës prej tyre, do të shkatërronte vlerat ekologjike të lumit të Vlorës. Këto ndërhyrje do të ndryshonin tërësisht regjimin e saj hidrologjik dhe do të pengonin transportin natyror të sedimenteve, forcës fillestare që u jep formë shumë proceseve dinamike dhe morfologjike.

Çfarë duhet të bëjmë? Vlora, Labëria e Vlorës, Labëria si krahinë etnografike, Shqipëria në vetvete është një vend me diell, aq më tepër Lumit të Vlorës, Zoti ia ka falur me bujari të madhe diellin, kështu që specialistët tanë mund e duhet të kenë një laps më të mprehtë e më ekonomik në studimtarinë e tyre të vyer për shfrytëzimin e energjisë diellore në dobi të komunitetit; të bëjnë atë që është më e dobishme për banorët, jo atë që u intereson disa personave të veçantë, kushdo qofshin dhe ngado qofshin ata. Me të drejtë dhe shtypi i shkruar dhe mediat vizive ngrenë shqetësimin e drejtë qytetar për Shushicën e bukur, plotë margaritare nga bota bimore dhe nga bota e kafshëve, për Shushicën e panjohur, që e cilësojnë si një nga Perlat e egra të Shqipërizës sonë, për Shushicën e kërcënuar. Me të drejtë bëjnë apel: të shpëtojmë Shushicën- zemrën e bardhë të natyrës shqiptare. Ne duhet ta dëgjojmë, ne duhet ta mbështesim këtë zë të drejtë; ne duhet ta themi fjalën tonë në kohën e duhur, në vendin e duhur, atje ku duhet. Sot është vonë, por ndoshta, më mirë vonë se kurrë, që nesër, kur të ndodhemi para fakteve negative, nga devijimi artificial i panevojshëm i misionit human lumor të Shushicës e që mund të sjellë shkatërrime fatale e katastrofa natyrore, mos të themi: “Bobo! Ç’bëmë?!” Kërcënimi aktual më i madh për Lumin është ndërtimi i HEC – eve.

Shushica është një thesar për banorët e zonës e më gjerë. Vlera e saj më e madhe është gjendja e saj natyore si një ekosistem në tërësi. Ndërtimi i digave do të shkatërronte këtë ekosistem unik dhe potencialin e tij të lartë për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në të ardhmen. Duhet të flasim dhe të veprojmë qytetarisht, që mos të qajmë nesër e të autoankohemi: “Erozioni i shtratit të lumit poshtë digës paska ndikuar në tërë gjatësinë e mbetur të lumit, duke prekur keq madje edhe në deltën e tij në Vjosën hyjnore. Ekosistemi aluvional paska degraduar në pothuajse X (iks) km gjatësi të rrjedhës lumore. Të gjitha habitatet ujore dhe breg-lumore qënkërkan prekur nga kjo hata hidroenegjiktie e paduhur. Shushica dhe degëzat e saj janë veçanërisht të rëndësishme për migrimin e llojeve të peshqëve, të cilët varen nga pastërtia, temperatura, dhe nga përrenjtë malorë me burim nga vargmalet e Vetëtimës, Lungares e Këndrevicës, nga e majta me Bogonicën, Çikën, Qeramëngën me shoqe të larta e nga e djathta me Çipinët, Gribën e hijerënda të tjera natyrore me parametra optimalë, karakteristika që ofron lumi i Vlorës në rrjedhën e tij prej rreth 82 km gjatësi. Shushica e paska ndërprerë komunikimin nga rrjedha e poshtëme e luginës së Vjosës, si dhe, për finale, nga deti Adriatik, domethënë, e paska ndërprerë kështu rrugët e migrimit drejt njërit prej habitateve më të mëdha të mbetur për ngjalën e Evropës dhe llojeve të tjera të shumta migratore të peshqve në Shqipëri”…

Shushica është një ekosistem thuajse natyror i pakrahasueshëm me të tjerë lumenj në Shqipëri. Lumi i Vlorës, sikurse Vjosa për Europën, është pothuaj një nga lumenjtë e fundit “të egër”, në të gjithë kontinentin. Nga ana shkencore, ky lumë mund të konsiderohet si një “faqe e bardhë”. Njohuritë rreth biodiversitetit, hidrologjisë dhe sedimentologjisë së tij janë shumë të kufizuara. Projektet e devijimit të ujërave dhe ato të ndërtimit të digave janë aktualisht kërcënimi më i madh për lumin, duke vënë në rrezik pasurinë biologjike, funksionet ekologjike dhe hidrologjike të këtij ekosistemi unik. Qoftë edhe një digë e vetme përgjatë lumit do të shkatërronte vlerat natyrore dhe do të ç’ekuilibronte funksionet e këtij ekosistemi, duke “minuar” një potencial të madh eko-turistik të zonës. Në projektin e deritanishëm, nuk janë vlerësuar si duhet ndikimet në mjedis të biodiversitetit, të mbrojtjes natyrore nga përmbytjet dhe erozionit të shtratit të lumit, etj. Nuk duhet të sensibilizojmë vetëm me fushata a meiume të tilla, por në vijimësi dhe pa ndërprerë, deri në rivendosjen e situatës natyrale në pellgun e Shushicës, për shpalljen e jo vetëm një pjese të luginës, që si krahinë e si lumë quhet Lumi i Vlorës, por të gjithë pellgut të Vjosës në Shqipërisë Jugore si “ZONË E MBROJTUR LUMORE” për të ruajtur integritetin e saj. Ende është dhe qoftë përgjithmonë Shushica një nga lumenjtë jo të fundit, “të egër” të vendit, të Evropës. Në rrugën e saj rreth 82 km, lumi i Vlorës rrjedh i pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, mikroujdhesa dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme dhe ofron një ekosistem dinamik, pothuajse natyror, që përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore Shqiptare, pse jo dhe Evropiane. Gjarpërimet e rrjedhës së Lumit krijojnë një luginë të gjerë me habitate ligatinore, që bëhen strehë për peshqit, shpendët migratorë dhe shumë specie të tjera. Studimet për habitatet dhe speciet ujore si peshqit apo shpendët e evidentojnë luginën e Lumit të Vlorës si zonë me zë për këto vlera të biodiversitetit shqiptar. Digat, që mendohet të ndërtohen përgjatë pellgut, janë më tepër të dëmshme se sa të dobishme për komunitetin lumas; ato mund të ndalojnë “rrahjet e zemrës” të gjithë sistemit natyror të lumit, duke bllokuar transportin e sedimenteve nga malet, bashkë me Vjosën furirëndë, deri edhe në Detin Adriatik. Erozioni i shtratit të lumit poshtë digës apo digave të kërkuara për t’u ngritur, do të ndikojë në tërë gjatësinë e mbetur të lumit, duke ndikuar madje edhe në deltën e tij në lumin Vjosa e pse jo për pasojë dhe në Detin Adriaktik. Ekosistemi aluvional do të degradohet në gjatësinë e konsiderueshme. Të gjitha habitatet ujore dhe breg-lumore do të preken nga kjo gjë. Shushica dhe degëzat e saj janë veçanërisht të rëndësishme për migrimin e llojeve të peshqve të cilët varen nga pastërtia, temperatura, dhe nga përrenjtë malorë me parametra optimalë. Motoja jonë të jetë: e duam Shushicën Bukuroshe me shushurimë, siç e ka bërë MËMA NATYRË. Por çfarë bën secili prej nesh, sipas mundësisë dhe profesionit që ka për këtë akt të lartë ekologjik, agroturistik, etnokulturor dhe kombëtar?!

Lumi i Vlorës, lumi i egër në Shqipëri e ndoshta në Europë nuk duhet ndërprerë në natyralitetin e natyrshëm jetësor. Edhe me vertikalët që na drejtojnë (në rastin korrekt me institucionin e Prefektin dhe Kryeministrin) duhet të jemi korrekt, duke iu përmbajtur me rigorozitet kushtetutës, ligeve në fuqi, dëgjesave publike aq të mirëbesuara dhe interesit të komunitetit, për të mos pasur shkak për pasoja të mosbindjes civile nga banorët e një krahine autoktone, besnike e vetes dhe e mikut, si dhe besimtare në ligjet që mbajnë shtetin në këmbë). Nuk duhet të lejojmë padrejtësi të tilla si këto që dëgjojmë e na thonë a që na tatojnë pulsin tonë e të banorëve të paudhët që mundohen t’i bëjnë dëme, shpërfytyrime natyrës sonë dhe popullatës që mbështetet te ky lumë, sepse përbën krim ndaj natyrës dhe pjesës të së tërës shqiptare një qëndrim tjetër i padenjë. Asnjëherë të mos harrojmë që Motoja jonë është e duhet të jetë: E duam Shushicën të Bukur, siç e ka bërë MËMA NATYRË! Kujdes, Shushica është lumi i Vlorës!

Apeli nga motivi i shoqërisë. Lumi i Vlorës me histori, begati e mirësi, me thesare shpirtërore, me kulturë materiale dhe jomateriale, ka sakrifikuar, si ai, për të tjerët, kur është dashur. Ka dhënë shumë për Atdheun. Veçse, kurrë, as dje, as sot, as nesër Lumi i Vlorës me banorët e tij nuk ka qenë, nuk është e nuk bëhet mashan për të tjerët, se boll jemi djegur ne dhe gështënjat i ka ngrënë bota! Kujtesa qytetare na kërkon që, në respekt të natyrës sonë, në respekt të vetvetes, të zgjohemi sa s’është vonë. Duhet të ngremë zërin jo vetëm kundër Hec-eve, por edhe kundër shkatërrimit të pariparueshëm të natyrës në gjithë zonën me guroret që kanë hapur matanë qafës së Pullumbit, në Lug të Thellë në Tërbaç, Vranisht, etj…, me apo pa koncesion. Ato që natyra krijoi për miliona vjet, babëzia po i shkatërron. Mermer ka kudo në Europë, por asnjë nuk e shkatërron natyrën në këtë mënyrë. Jo guroreve dhe shkatërrimit të pyjeve! Dhe një pikë ujë, që çdo stinë e sidomos në behar për fshatarin është pikë floriri, duan, me një të rënë të lapsit, të shkojë në mulli të interesave të pusht-etarëve. Ana tjetër, Selenica asfaltoi Parisin dhe Europën me serën e saj aq cilësore dhe për vete është katandisur si puna e këpucarit, që rregullon këpucët e botës dhe për vete është kallamè.

Çfarë na thonë dhe na shkruajnë banorët e Lumit? Ata na njoftojnë se u thonë stop digave dhe na kujtojnë se qenë digat fatkeqësia që prishën Brazilin (me mbi 300 të zhdukur e shumë të vdekursipas njoftimeve zyrtare të datës 26.01.2019), që kurrë e askund mos u përsëristë asnjë herë të vetme. Përfaqësuesit e fshatarve dhe banorët kanë përgatitur një pedicion kundër ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Shushicë dhe na thonë: FIRMOSNI SOT, QË TË JEMI GATI PËR NESËR peticionin kundër ndërtimit të HEC-it mbi lumin Shushicë. Hidrocentralet janë shkatërrim i natyrës, larg qoftë, më i dëmshëm se një bombardim lufte, por janë dhe teknologji demode për kohët e sotme. Njihet dhe aplikohet energjia alternative e pastër dhe bashkëkohore.

Çfarë është bërë? Duke e nisur kronologjikisht nga fundi, po publikojmë, se me nismën e Grren vison/ Vizion i Gjelbër, dhjetë fshatra buzëlumorë, që preken drejtpërdrejtë nga projektet gllabëruese të HEC-eve pasi janë mbledhur, kanë protestuar e kanë kundërshuar me forcë këto prapësira të liga, kanë arritur në shkalllën sipërore të virtytit të tyre, duke vënë në peshoren morale të banorëve besimin horizontal me mosbesimin ndaj verikalitetit. Ndërkohë, kryetarët e këtyre dhjetë fshatrave kanë përgatitur, firmosur dhe dërguar Prefektit të Qarkut Vlorës, për dijeni Kryeministrit të Shqipërisë dhe deputet i Qarkut të Vlorës, kërkesën (dërguar për gazetën dhe me faksimile)si më poshtë vijon: “Republika e Shqipërisë. Selenicë, më 23.01.2019. Kërkesë. Drejtuar Prefektit të Qarkut Vlorë, z. Flamur Mamaj, për dijeni z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe deputet i Qarkut të Vlorës. I nderuar prefekt, z. Flamur Mamaj. Sot, më datën 23 Janar 2019, ne kryetarët e fshatarve të Lumit të Vlorës, Brataj, Lepenicë, Gjorm, Gumenicë, Kotë, Lapardha, Vodicë, Mavrovë dhe Drashovicë, pjesë e Bashkisë Selenicë, jemi mbledhur për të adresuar shqetësimin e banorëve të fsgatarave tona që ndikohemi drejtpërdrejtë nga projekti “Ndërtimi i kaskadës së hidrocentaleve mbi lumin Shushica”. Bazuar në anketimin e banorëve dhe pedicionety e realizuara nga banorët e fshatrave tona, rezulton se 97.7% e banorëve mbi 18 vjeç nuk janë dakord për ndërtimin e këtij projekti që dëmton natyrën, bujqësinë, blegtorinë, agroturizmin, turizmin malor dhe kulturor të Lumit të Vlorës dhe të ardhmen e fëmijëve tanë që duan t’ju trashëgojmë vendin e të parëve tanë brez pas brezi, të pashkatërruar dhe tjetërsuar atë. Ne i jemi mirënjohës qeverisë për rrugën e re dhe modern që po na ndërton dhe kjo na ka ngjallur shpresat dhe potimizmin për krahinën tonë të dashur, që ajo mund të bëhet, mund të zhvillohet dhe t’i shtohet vlera me projekte turistike, ashtu siç ka planifikuar qeveria me Drashovicën dhe Kuçin, si dy pika skajore të lumit të Shushicës që nuk mund të kombinohen kurrsesi me gërmadha betoni, lumë në kanale e tuba, dhe kur në ditët e sotme qeveria ka aprovuar projekte të prodhimit të energjisë nga dielli pa dëmtuar natyrën dhe ekonominë, por duke vitalizuar sipërfaqet e shketëtirëzuara nga kripa. Zoti prefekt, banorët e Lumit të Vlorës kërkojnë nga Ju që të dëgjoni zërin e tyre dhe ky project të mos miratohet në Këshillin e Basenit të Vjosës që ju drejtoni. Me respekt kryetarët e fshatarve, respektivisht: [emri, mbiemri, firma origjinale e secilit dhe vulat e njoma të njësive administrative përkatëse. Shiko faksimilet bashkëlidhur shkrimit]. Çështja e HEC-eve mbi Lumë është bërë e njohur edhe në shtypin e shkruar apo atë viziv dhe jo vetëm në televizionet locale jo vetëm për të sensibilizuar opinionin publik, por për të gjetur zgjidhjen e duhur që banorët e Lumit mos shqetësohen, por t’i lënë të qetë në punë të tyre. Le të ndjekim konkretisht zhvillimet ç’ka ndodhur.

Në Brataj: Kujtojmë seqysh më20 gusht 2018 nisi e organizuar një protestë e sukseseshme për të treguar se banorët janë kundër HEC-it që duan të ndërtojnë mbi Urën e Bratit “Monument Natyror i Mesjetës”. Ajo ishte një demonstrim që zëri i banorëve të dëgjohet dhe të merret parasysh, por banorët nuk e lenë me kaq. Ndërkohë, thonë ata, ne duhet të jemi të përgatitur fillimisht nga ana ligjore dhe kemi hedhur on line peticionin për ta firmosur, derisa të arrijë një numër të konsiderueshëm firmash, ai u dërgohet organeve kompetente të shtetit e deri në Bruksel, po qe e nevojshme, pasi mbështetja dhe mundësitë nuk na mungojnë. Shpresojmë që këto projekte të ndërpriten dhe mos qoftë i nevojshëm si peticioni e as demostrimi fizik, por ndërkohë kundër ujqërve, që duan të mbushin xhepet e tyre, duhet të jemi të përgatitur, prandaj firmosni këtë peticion dhe shpërndajeni sa më shumë. Çdo firmë është një forcë më tepër kundër HEC-eve, kundër tharjes së lumit Shushica, kundër shkatërrimit të turizmit e natyrës sonë, kundër çakallëve! Thirrja nuk u drejtohet vetëm bashkëfshatarëve të Bratit, por gjithë banorëve të Lumit e kujtdo që do natyrën e vendit tonë. Duke ecur në këmbë buzë lumit, pamë një banor me grep e na u duk sikur po shijonte peshqit e fundit sepse aty është projektuar që të mos ketë më lumë e jo me peshk, dhe ujin bashkë me peshqit do t’i burgosin në tubo dhe do t’i grijnë sallatë nëpër turbina për të nxjerrë lekë disa persona!

Drashovica: Banorët e Drashovicës, tek Harku i Triumfit janë shumë të interesuar për arritjen e objektivave të qeverisë për realizimin e programit si një nga 100 fshatrat turistike shqiptare. Ndërkohë, ata duan të ruajnë ujësjellësin dhe puset e ujit, se pa ujë s’ka jetë, thonë banorët. Në Drashovicë vijnë turistë nga Gjermania, Çekia, Anglia, Polonia etj., që vendosen bukurisht argëtueshëm në mes të lumit e në hijen e rrepeve shekullorë. Drashoviciotët kanë ritualin përditshmërisht të zakonshëm me bagëtitë që i zbresin nga mali dhe i çojmë në lumë për të pirë ujë. Me ujin e lumitduam të potisim domatet, perimeter zarzavatetet etjera që mbjellim për të mbjatur jetën, si të parët tanë e më mirë.

Vodica: Banorët e fshatit Vodicë, shprehim mendimin e tyre të palëkundur për projektin e HEC-ve. Nuk jemi dakord për ngritjen e digave, i lutemi Qeverise të dëgjojë ankesat e popullit, të mos kalojë lumi nëpër fusha, të mos na heqin bukën e gojës, ne, që jemi të vetëpunësuar në fshat, do të luftojmë deri në fund me mjete demokratike dhe nuk do tërhiqemi nga fshati ynë, se në fund të fundit është përditësim në sotmëri i të qenit atdhetar ky qëndrim, pozicionim dhe kjo mënyrë jetese që kemi zgjedhur, sikurse dhe gjithë banorët e Lumit të Vlorës, që jetojnë, punojnë e zbukururojnë krahinën në çdo fshat.

Mavrova: Djemtë e Mavrovës (stërnipërit e olimpiasve antikë) shprehen më prerë, se nuk mund të dorezojnë lumin dhe vatanin e tyre tek zaptuesit. Natyrën ua kanë lënë trashëgim të parët e tyre dhe do ta gëzojnë vetë, brez pas brezi!

Kota: Banorët e Kotës, të gatshëm për protestë, bëjnë thirrje për të gjithë zonën e Lumit, të realizohen të tëra kërkesat e popullit. Ata thonë: “Kemi shumë vërejtje, do të prishet ujësjellësi, lumi thahet, kalon në tubo, rrezikohet toka, rrezikohet uji i pijshëm, toka bujqësore, burimet, jeta jonë, prandaj bashkia e Selenices t’i marrë parasysh këto kërkesa, se bëhet fjalë për nevojat tona jetike”.

Lapardha: Banorët e fshatit të Lapardhasë janë në protestë: “JO HIDROCENTRALE! Befasohemi me këtë projekt, asnjë nuk na ka pyetur, nuk jemi dakord që uji futet nëpër tuba…! ata janë bujq, blegtorë dhe këngëtarë të dëgjuar. Andej kanë dalur “6 violinat e Lapardhasë” me “Janinën” e famshme të 1983-shit. Ata bëhen dhe shqiponja në foletë e tyre…

Gumenica: E duam lumin siç na e ka dhuruar Zoti, atë që na e ka falë natyra ta gëzojmë, qeveria nuk duhet të dalë mbi Zotin, ne nuk na kanë pyetur, nuk kemi dijeni fare për hidrocentralet… – thonë banorët dhe kryetari i fshatit të Gumenicës.

Gjormi: Banorët e fshatit Gjorm janë shumë të shqetësuar dhe nuk mund ta pranojnë në asnjë mënyrë projektin e HEC-ve mbi lumin e tyre! PIKË – thonë prerasi, rreptë e të revoltuar, gati të rebeluar gjormiotët.

Lepenica: Banorët e fshatit Lepenicë mbasi njihen me projektin e HEC-ve mbi lumin Shushica, i përshkallëzojnë ndjesitë e mendimet dhe kërkojnë të dëgjohet zëri i tyre deri në REFERENDUM popullor!

Brati: Atje ku nisi kjo shkëndijë e së drejtës civile, shumë të shqetësuar mblidhen e gjykojnë se ç’do të ndodhë në qoftë se mbi Urën shekullore të Bratit do të ndërtohet diga e si rrjedhojë HEC-et mbi Shushicë. Ja vlen për lumin, po për banorët, po për kulturën, urën, ambjentin rreth saj me gjithçka ka ofruar natyra, historinë e këtij vendi e këtij lumi…!?Vetëm ndërtuesi që e ka marrë me koncesion fiton, e, në këtë rast atij nuk i duhet asgjë nga sa shkruam më lart a nëse preken interest e banorët, por mjafton që fuqia e atij uji e kanalizuar në tubo t’i kthejë në lekë për atë dhe këdo që ka abuzuar mbi këtë projekt. Banorët janë ndërgjegjësuar se është dhe në dorën e tyre ndërtimi apo jo i këtij HEC-i, falë dhe punës dobisjellëse për këto treva me fusha e male, me florë dhe faunë të pasur e specifike, Qendra mjedisore Vizioni i Gjelbër, e cila kohë paskohe e hap pas hapi, sistematikisht i ka aparaqitur e vijon të prezantojë banoreve të fshatrave të Lumit studimet për ndikimin në mjedis, ekonomi, bujqësi, shëndet, histori dhe trashëgimi kulturore dhe turizëm të ndërtimit të HEC-eve mbi lumin e Shushicës. Materialet studimore janë përgatitur me seriozitet shkencor e përgjegjësi qytetare nga specialistë të fushave përkatëse dhe njohës të terrenit si biologu Simo Ribaj, dr. Hodo Kabello, ing. Petrit Dervishi, ing. Niko Dumani, agr. Serri Xhaferaj, etj. Pas ndërgjegjësimit qytetar, banorët janë ndjerë shumë të shqetësuar dhe të revoltuar, sepse zëri i tyre nuk është dëgjuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Qendra Mjedisore “Vizioni i Gjelbër” realizoi në kohë informimin e banorëve të fshatrave të Lumit me ndikimin që do të ketë në jetën e tyre ndërtimi i HEC-eve mbi lumin Shushica, degë vitale e Vjosës, si dhe po e ndjek situatën hap pas hapi, me synim zgjidhjen e duhur e të shpejtë në interest ë banorëve të Lumit të bekuar të Vlorës.

Jo hidrocentrale në Lumin e Vlorës! Nga vëzhgimi me pjesëmarrje në terren, na rezulton se të gjitha fshatrat e Lumit të Vlorës që preken nga projekti i HEC-eve: Brataj, Lepenicë, Gjorm, Gumenicë, Kotë, Lapardha, Mavrovë, Vodicë, Drashovicë, janë KUNDËR ndërtimit të HEC-eve. Sipas anketimit të realizuar me 602 persona rezidentë të moshës mbi 18 vjeç në 9 fshatrat rezulton se:

– Janë dakort për HEC vetëm 19 persona, ose 3.2% e popullatës.

– Janë kundër ndërtimit të HEC 583 persona, ose 96.8% e popullatës, e cila jeton aktualisht në këto 9 fshatra, që lagen nga Shushica e kulluar. Këta janë banorëte Lumit të Vlorës, bukëbardhë e zemërbadhë, besnikë deri në naivitet, japin shumë e kërkojnë pak, nuk dinë të ankohen, veç po i zemërove, me kërrabë mbajnë rrufetë… Këta banorë autoktonë në ato troje nuk i kanë rënë e nuk i bien kujt në qafë dhe nuk lejojnë t’ju bjerë kush në qafë. Kushdo qoftë!

Vlorë, 13.02.2019, ora 22.25’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok