11 Pridh

Nga Edison Ypi

A ishte i shkolluar ?

Dridhej e spërdridhej të linte përshtypjen se kishte mbaruar shkolla. Por lindi dhe ngordhi thjesht një gdhë që s’mori dot asnjë diplomë.

Po i ditur, i kënduar, a ishte vallë ?

As minimalisht. Nga frika se mund të dëshmonin sa i paditur qè, i vrau një nga një të gjithë ata që e dinin çfar shtaze ishte.

I njohur në botë ?

Për tu dukur i njohur, paguante me gjakun e shqiptarëve dhe sillte në Shqipëri ca zorraxhinj, ca minj bodrumesh nga guxhuvërrat e botës, ku ishin e ku s’ishin ca halabakë të krrupshëm, ca zhabulanë të vjellshëm.

Po atdhedashës a ishte ?

Ishte atdhevrasësi, atdheshkatërruesi, atdhevarrosësi më i pashpirt që ka njohur bota.

Burrë shteti ?

Miu i shtetit e mbushi vendin me spiuna, burgje, bunkera. Administratën me mjelëse, mbjellëse, korrëse, saldatora, karrociera.

Ndoshta ishte trim ?

Dhjetëra vite ndejti fshehur si krimb nën gur.

I Besës ?

I vrau të gjithë shokët.

Ndërtimtar ?

Apartamente si furriqe. Asnjë rrugë. Për të realizuar të ashtuquajturin “elektrifikim” me tre a katër llampa për çdo shtëpi, nxiu nëpër kantiere dhe treti nën diga më tepër jetë shqiptarësh se metra kub betoni. Energjinë e digave të vdekjes e shpenzoi më së shumti në hekurishten më të madhe të planetit, në kombinatin “çeliku i kurvit”, për funksionimin e të cilit, qymyrin e mori nga Polonia dhe mineralin e hekurit që ndodhet me miliona tonelata në Prrenjas, e merrte në Brazili.

E zhvilloi bujqësinë ?

Bujqësinë e bëri “çështje të të gjithë popullit”. Popullit i dha të hante “çështjen”, ndërsa Bujqësinë ua dha ta hanin gjermanëve dhe holandezëve të cilëve bqiri vrasës u shiste me çmime qesharake fruta dhe perime shqiptare që ta kishin barkun të mbushur në prag të shpërthimit të revolucionit proletar botëror.

Arsimdashës ?

Ngriti shkolla dhe universitete për të arsimuar budallenj sipas të cilëve Shqipëria është qendra e Universit, teoremën e Pitagorës e ka shpikur Çajupi, Kanalin e Suezit e ka çarë Kadri Hazbiu.

Naftën e kërkonte me lupë mbi hartë rrethuar nga eksperta të cilët i burgoste ose i vriste të nesërmen.

Për hedhjen në erë të kishave dhe xhamiave dhe pushkatimin e priftërinjve e hoxhallarëve përbindshi s’dinte gjë. U bënë me iniciativën e rinisë së Durrësit, asaj që në ’90-ën bashkë me dhjetra mijëra të tjerë u kacavjerr nëpër anije dhe iku e gjitha nga sytë këmbët në fund të botës.

A e donte Kosovën, kosovarët ?

Kosovarët që arratiseshin prej andej dhe vinin këndej, pasi i rrihte nëpër biruca i kalbte nëpër burgje me dhjetra vite.

Kosovën dhe Maqedoninë perëndimore i bëri më të largëta se Zelanda e Re. Ka sot e kësaj dite shqiptarë të Shqipërisë që ngatërrojnë Strugën me Podujevën, Maqedoninë me Serbinë.

Gëzojuni o shqiptarë 11 Pridhit, kësaj date kur ngordhi një vampir.

Gëzohu ti i lodhuri dhe i sëmuri i internimeve e burgjeve që rrëke lotësh të nxehtë t’i çanë faqet gjatë dhjetra viteve.

Gëzohu ti o fshatar, se një copë tokë e ke.

Gëzohu edhe ti malësor, se një shtëpi e ngrite.

Falju kësaj date pridhi në këto ditë pranvere edhe ti o nostalgjik që gënjeshtra deshe, gënjeshtra kishe, gënjeshtra ke.

Lumnohu edhe ti o komunisti i pandreqshëm. Një parti kishe, tani ke disa.

A ta shpallim 11 Pridhin festë kombëtare ?

S’është nevoja. E keni në zemrat tuaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube