365 DITË | MARATONA BRENDA RRETHIT TË «DJALLIT»

Populizmi politiko-religjioz i ushqyer nga analfabetizmi funksional masiv medial e institucional është uterusi i një depresioni permanent që bllokon shoqërite shqiptare jo vetëm drejt botës por edhe brenda vetes.

NGA XHEMAL AHMETI

«Të dy dëmtojnë veten: ai që shpreson shumë dhe ai që premton» [Lessing] edhe ato në të cilat nuk beson as vetë. Filozofët që shpresën e priorizojnë mbi gjithçka tjetër e lavdërojnë këtë aktivitet shpresagjenerues duke u thirrur në temporalitetin e interaksionit: lumturia e prodhuar nga premtimi mund të zgjasë me vite, ndërkaq zhgënjimi, pasi shpërthyes dhe çast i trajtës afektive, pas dyluftimit të personit me të vërtetën kalon shpejtë në zhgënjim  mllef, ☞cinizëm | ironi  distancim = riorientim! Ky zhvillim katartik mirëpo kushtëzon njeriun racional [qytetarin e shtetit ligjor të postmodernës]. Përjashtimin e bëjnë ata që çmenden ose ekzekutojnë premtuesin [qytetari i kohës së revolucioneve franceze].

Si përkthehet ky relacion në rrafshin politik dhe në atë shqiptar?

POPULIZMI DHE MASHA E TIJ

Në politikë «Premtuesi» është përherë politikani ose vektori publik në shërbim të të parit. Në rrafshin interpersonal [populist  ihthar] zhgënjimi manifestohet me fluktuacione të shpeshta të hierarkive në ikje [kjo është shtresa që për shkak të afërsisë e para përjeton zhgënjimin] dhe atyre që inkuadrohen [magnetizmi djallëzor i populizmit] për tu zënë vendin viktimave paraprake, ndërkaq në rrafshin kolektiv – dhe ky është ai më i rëndësishmi për funksionimin e shoqërive verikalisht apo drejt gropës – këta dy, premtuesi dhe i zhgënjyeri, shndërrojnë vitin në «periudhën e 365 zhgënjimeve» [Bierce]. Relacion ky që është baza e çdo depresioni kolektiv. Me një fjalë populizmi shërben si fabrikë e depresionit permanent, nëpërmjet të cilit premtuesi mban nën kontroll masat me ndihmën e ithtarit infektiv. Ata që s’janë ithtarë të tij punojnë gjithashtu për atë: duke u përpjekur t’i emancipojnë fanatikët e populistëve ata detyrueshëm kërcjenë tangon para zjarrit të përhapjes së depresionit bashkë me ta.

E si të shpërthejë atëherë një shoqëri nga jeta 365 ditëshe brenda rrethit të djallit për të ecur përpara? Si të ikë ajo nga mbretëria e stagnimit ku shpresa [me maksimumin në flamur: lideri im kryeministër a president] është vetëm mjet i populistëve që duan të vijnë në pushtet e jo gjendje që paralajmëron shërimin e militantit nga paranojat e tij dhe me këtë shpëtimin e shoqërisë nga populizmi i përmasave fashiste? Kush ta thyejë këtë shkëmb monolit që u mbyll udhën shqiptarëve drejt vetërealizimit, kush do ta bind militantin fatkeq se ka shndrruar «kohën në arkë mllefi e urrejtjeje» [Sloterdijk] jo vetëm kundër vetes, por mbarë shoqërisë ku vepron si një shigjetë toksike truve të kulturosferës «për të cilën lufton» ta shpëtojë? Nuk shpëton askush duke e futur në transin e depresionit pa terapinë adekuate.

Cila do ishte terapia? Në një shoqëri ku shumica absolute janë analfabetë funksional [prandaj populizmi politik dhe ai religjioz janë kaq të suksesshëm] ky është problem i madh. Është festë për çdo populist e për çdo pushtet, mirëpo është dramë për shoqëritë. A ka mbetur ndonjë shpresë jashtës shpresës destruktive të militantëve se në 365 ditët që vijnë do të ndryshojë diçka?

ANOMALIA E PËRJETSHME

Kishte njerëz, që dikur këtë gjendje e përshkruanin si «anomali të domosdoshme të tranzicionit» dhe argumentonin se me ndihmën e mediave [sidomos këtyre në Kosovë] dhe institucioneve të arsimit do të sqarohet shoqëria se «mendësia dhe optika e negativitetit absolut» karshi edhe atyre elementëve të kozmosit që nuk i deformon dota dora e njeriut dita dhe drita janë vetëm kamuflazh – stacion i paaritshëm pavarësisht se kush ta premton? Optimistët nuk e dinin fuqinë e populizmit të ngritur mbi shtratin e analfabetizmit funksional. Ky ia dorëzoi shumë shpejtë instutucionet e shkollimit populizmit politik dhe atij antisekular. Për shkak të konkurrencës mediat serioze u përmbysën nga shërbetoret e populizmit, mediat të cilat depresionin – riprodhimin e tij – e kanë profitin e vetëm të ekzistencës.

Deri tash ky ligjërim i përngjan një diksursi metadepresiv. Autori në depresion për shkak të depresionit që ka kapluar shoqëritë për të cilat reflekton ai.

Pasi ia nisëm kësaj piramide nga baza, themelet e së cilës i përbejnë premtuesi dhe i zhgënjyeri le ta përfundojmë me një rrëfim si mësim se si u shërrua X-i i ikur nga lufta e dy të parëve nga një depresion komplet tjetër – ai i njeriut të huaj!

EKSKURSI SI PËRFUNDIM

Keni parasysh një që katandiset botës dhe s’di as gjuhën e vendit e lere më tjerat. Si i tillë ai është i varur nga përkujdesja sociale e shtetit. I ikuri, pavarësisht motivit shtytës, bartë në trastë e në shpirt gjersa të vdes ndjenjën të jetë përzëne nga prehëri i tokës ku e ka sjellë natyra. Me ndjenjën e të përjashtuarit ai përballet me një shoqëri, e cila për shkak se nuk e kupton s’ka se si mos e përjashtojë. Ajo pret që fillimisht të merret vesh me të. Dy udhë i mbeten këtij: ta luaj viktimën duke u ankuar tërë jetën se nuk e donë bota ose të shfrytëzojë në mënyrën maksimale ato që ka, duke i trajtuar si pozitive, që pastaj mbi ato të ndërtojë jetën. Dhe si Descart-it në atë furrën e Bayernit [?] i lindë ideja t’i mësojë sa më shpejtë gjuhët e vendit. Dikur nis të kënaqet me ato. Ai kënaqet me ato saqë i flet ato si bylbyl. Entet sociale bëjnë llogarinë: X-in e heqim  qafe vetëm nëse e profesionalizojmë për diçka që të ketë punë të përhershme. Kështu X-i i ikë depresionit dhe përfundon si Dr. i shkencave në ndonjë institut të vendit. Ai ndërtoi jetën e tij ngase një ditë zbuloi se nuk duhet ta shpikë botën nga e para; se nuk duhet në çdo vepër të tjerëve para tij të shoh fytyrën e djallit vetë, por i kuptoi ato si meritë e atyre që kishin hapur tunelet, pastruar kanalizimet dhe kishin bashkëndërtuar një shtet, një shoqëri që i mundësonte këtij realizimin e mëtutjeshëm. Kështu shpëtoi X-i nga populizmi që solli me vete dhe nga populizmi në vendin e rri që donte ta bëjë për vete. Ai e  lexoi me kohë në sy populizmin dhe i tha atij: Jo –  dhe shpëtoi! Tashmë ai nuk jeton si një shigjetë toksike që mban peng një shoqëri të tërë me helmin e tij. Ndërmjet premtuesit dhe të zhgënjyerit potencial ai ndoqi veten! Atë të çliruarit nga kthetrat e analfabetit funksional me paranojën që ushqehet nga parulla aq banale dhe depresive si «bota është ferri vetë; gjithë janë kriminel, vetëm lideri im është pejgmaberi që do ta shpëtojë botën».

Kryefilozofi kishtar Thomas nga Aquin ishte besimtar i rëndë dhe kjo fjali është e tij: «Për mrekulli njeriu duhet t’i lutet Zotit, për të bërë ndryshime mirëpo duhet të punojë» me veten, për veten, jo për liderin, populistin/en. Atëherë kur njeriu pyet veten se si e donë jetën kupton se receta e tjetrit s’ka të bëjë aspak me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube