Ndue Ukaj: Anton Çetta është shumë më shumë se një shtatore në kryeqytet

Ndue Ukaj:

Anton Çetta është shumë më shumë se një shtatore në kryeqytet, ai është një shkollë madhështore e dashurisë për vendin.

Ne duhet të bëhemi të sinqertë dhe të themi se: Shoqëria jonë e trallisur nuk ka provuar se ka mësuar nga vyrtytet e larta që na la trashëgimi Antoni. Ai ishte i përkor, solidar dhe unifikues, kurse ne, bashkëkombasit e tij, tash e sa kohë jemi megalomanë, egoistë dhe përçarës. Ai e donte dijen, ne copëtohemi pas cektësisë. Pra, ne nuk kemi mësuar asgjë nga shkolla e tij, prandaj tash e sa vite nuk kemi arritë t’ i bëjmë vend shtatorës së tij në Prishtinë, sepse shpirtmadhësia e tij i trishton xhuxhët rrahagjokës.

Përballë tij shoqëria jonë është me ndërgjegje të glacuar dhe kjo ndërgjegje nuk mund të pastrohet lehtë e as me parulla.

Të jemi të sinqertë: Sikur Antonin ta mbanim më shumë në zemër e mendje sa bëjmë imazhologji me të dhe me emrin e tij, me siguri punët do të ishin më mirë dhe ndër ne nuk do të mbretëronte harbutëria, por dija e urtia.

Legacia e tij e vërtetë mjerisht sot në Kosovë përbën një pakicë në të gjitha pikëpamjet dhe kjo dhemb shumë.

_______

Në Kosovë po shtohen furishëm zërat e atyre që stimulojnë dashurinë për udhëheqësin dhe kjo është një fatkeqësi kombëtare.

Për mua, kjo dukuri është shumë më shqetësuese se të gjitha të këqijat tjera që e kanë shoqëruar rriten e ngadalshme të shtetit tonë. Sepse unë besoj te fuqia që ka gjuha për t’ i formësuar të vërtetat dhe rrjedhimisht për t’ i dhënë forcë përparimit.

Gjuha që stimulon dashurinë për udhëheqësin, e varfëron poltikën dhe nuk e ndihmon progresin. Pra, dashuria për udhëheqësin shpëtimtar nuk i shërben emancipimit e as përparimit politik.

Kjo dukuri e stërkeq ligjërmin,  mjedisin ku jetojmë, gjuhën politike dhe i redukton idetë deri në hiçgjë, pra aq sa kap litari i liderit.

Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtar, siç predikojnë turmat e përndezura politike.

Mësimi historik është ky: secila aksh shoqërie që kërkon udhëheqësin shpëtimtar,  pëson shumë keq. Kujtoni ideologjitë shkatërrimtare të shekullit të kaluar.

________

Siç do të thoshte i mençuri Vangjel Koça, siberia mendore na ka falë shumë kufoma mendore.

Këto kufoma i sheh kudo.

Të shkretë në politikë, të shkretë në analiza, të shkretë në debate dhe të shkretë në ide. Por ne vazhdojmë me kokën lart, si dhija e zgjebosur me bishtin përpjetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube