Nga Kastriot Dervishi

Shqiptarët e Kosovës që vinin në Shqipëri, regjimi antikombëtar i E.Hoxhës i cilësonte “emigrantë jugosllavë”. Ai i vendoste ata kryesisht në ferma, në kushte internimi, duke i denigruar kohë pas kohe. Mjafton të shohësh letrat që ata kanë nisur për të kuptuar trajtimin e keq dhe zhgënjimin e thellë që ata pësonin në Shqipëri. Pasi i lanë pa bukë, e mjete të tjera, tre shqiptarë të Kosovës të ardhur në vitin 1956 i dërguan të punonin si fshesaxhinj.

Jashar Dacaj, Bardhyl Kelmendi dhe Ibish Kelmendi (i cili më vonë edhe u burgos), shkruanin Enver Hoxhës një letër të përbashkët (pa datë), e cila protokollohet në Komitetin Qendror më 5.1.1957. Kishin ardhur në Shqipëri më 30.8.1956. Ata kërkonin një punë normale ndërsa theksonin se kishin bërë kërkesë për marrjen e shtetësisë. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Administrative, Vilson Pecani shkruan se këta kishin “shumë pretendime” se donin të punonin në administratë (një gjë e tillë nuk del nga letra). Midis të tjerash shkruajnë:

“Kemi qenë në fermën e Llakatundit ku kemi punue punë krahu pa bë za me gjithë që për të parën herë punojmë fizikisht. Nuk e kemi përbuzë punën, kemi punue sa kemi mujtë thotë një proverb popullor. Me urdhrin e ministrisë jemi transferuar te miqtë. Ne gjendemi te një mik i yni në Fier. Ushqehemi, flemë, na shërben me çdo mjet që na nevojitet, pa të cilin nuk mundemi… Po ke një njeri jo i pasur murator, pa tokë, i cili tash nuk punon mbasi s’ka punë. Kurse ai nuk është në gjendje të mbajë familjet e vet e ku do të jenë me shpenzimet tona. Kemi ndejtë pa punë një muaj e sa ditë kërkuam punë në komitetin e partisë dhe komitetin ekzekutiv në Fier. Na është thënë se si shtetas të huaj nuk mund të marrim asnjë punë zyrtare përveçse punës fizike. Kjo gjë na çuditi. Na u tha se duhet të na mbajë ai që na ka strehuar me çdo shërbim, por ju cekeni punën e tij se si qëndron ekonomikisht. Mbas sa ditëve na është dhënë puna fizike në ndërmarrjen lokale të qytetit ku punojmë nëpër rrugët e qytetit me gjithë që kemi dhënë një pamje jo të mirë pasi njerëzit flisnin: “Si emigrantët me fshesë dhe karro të vogël nëpër rrugët e qytetit?! Megjithatë kemi punë dhe me vullnet. Për shkak të stinës së dimrit tash e tutje punë nuk ka kjo ndërmarrje. Bien pyetja se ku do të punojmë neve dhe si do të ushqehemi, vishemi dhe mbathemi mbasi këtu nuk na japin tjetër punë, duke na thënë se nuk keni të drejtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube