Frederik Ndoci

Supërstari Frederik Ndoci: “Nëse njeriu vdes një herë artisti vdes shumë herë”
NASA për Marsin përzgjedh muzikën “Piano on a Moon”, që rreh me ndjenjë të pastër shqipe

Historia e një artisti e rrëfyer imtësisht për herë të parë në New York. Tragjedia e gjyshit e gjyshës, që vdesin nga orteku i borës. Adoloshenti 17 – vjeçar Kola (babai i Rrikut), njeriu me zemër të madhe, venit ëndërrat në shkollat e Rusisë për vellezërit e motrat jetim. Si zbulohet talenti i artistit Frederik Ndoci, në moshën 4 – 5 vjeçare në korin e Kishës katedrale? Arti dhe muzika një traditë e familjes Ndoci. Nxënësi me rezultarte të shkëlyera në mësime, bëhet këngëtari numër një për fëmijë me çmime nderi… adodoshenca dhe ndikimi i muzikës kontemporane botërore në kulturën e tij. Shkolla e lartë dhe letra anonimë sajuar për goditur karrierën e “armikut”. Grushti i diktatorit e përgjigjja: “Ule grushtin poshtë more qelbanik!” Lotët e braktisjes së vendit nga Maqedonia në Jugollavi… buzëqeshjet e para të suksesit në Itali… Si bëhet maestro i orkestrantëve në Bergamo. Rruga e albumit të parë në CD e kasetë… E ardhmja me shpresa e zhgënjime, ëndërra e ringritja si Supërstar i Muzikës, nga California në New York. Udhëtimet muzikore të “italianit”, sot nënshtetas amerikan. Si rilindi dashuria për muzikës kristiane… Ambiciet e pragu i një suksesi, prej mbështetjes së sponsorëve amerikanë e “bashkëatdhetarëve” në gazeta… Pse muzika, ambasadore e kulturës nacionale e braktiset nga shqiptarët!?.

Nga Klajd Kapinova, Manhattan New York

Trashëgimia
Është një pjesë e jetës së njeriut që përshkon vite e shekuj. Quhet Frederik Ndoci, aktori me diplomë … këngëtar, poet, instrumentist, piktor dhe krijues i lindur. Me një buzëqeshje fisniku, më fton të ulem në lokalin italian “Aurora”. Pronarët e lokalit, me buzëqeshje e përshndesin lehtë me kokë, duke i uruar mirëseardhjen mikut të tyre. Të duket vetja, se je në mes të Romës. Bisedat në gjuhën italiane me humor tradicional, e bëjnë atmosferën më të këndshme. Kamarieria e lindur në New York, përshëndet e shënon në bllok porosinë.
Muzika italiane, depërton lehtë në veshin tonë. Rriku me buzëqeshje më thotë, a e njeh këngëtarin italian. Duke e dëgjur prej vitësh zërin e bashkëatdhetarit tim, iu përgjigja se në restorant italian, je sërisht me shpirtin shqiptar. Biseda jonë nisi shtruar. Në qendër ishin të parët e familjes Ndoci, në të cilën, ndërthureshin trashëgimia e muzikës, fatkeqësia e humbjes së jetës në një ditë të gjyshit e gjyshës… Markun dhe Katerinën, Frederiku nuk i ka parë kurrë.
“Babait tim në moshën 17 vjeçe, i ka vdekur nëna dhe babai e mbeti jetim. Ata ishin nisur në Malësi, për të marrë pjesë në festën e Shën Gjergjit. Gjatë rrugës i ka zënë orteku i borës… Ai kishte 3 vëllezër e 3 motra, që i ka rritur me përkujdesje e mundime. Qysh në moshë të brishtë fillon të punojë. Ishte talent i vërtetë në muzikë. Këndonte me vokal të ëmbël tek vetëshoqërohej me vegël muzikore. Gishtat e artistit, të lindur për t’u rënë instrumentëve, u bënë kallo prej punës së mundishme në rindërtimin e “Shqiperisë së re”, në hekurrudhë me llaq e beton dimër e verë… Babait, iu dha një bursë, për të ndjekur studimet universitare për muzikë në ish – Bashkimin Sovjetik, por dashuria për vëllezërit e motrat, bëri që shpresa të venitet.”
Koha e Luftës II Botërore kaloi shpejt. Në Shqipëri, vendoset rregjimi komunist. Babai i tij, fillon të punojë, mbasi kështu mund të siguronte triskat e ushqimit për vëllezërit e motrat në rrugën e parë Kukës – Peshkopi, hekurudhën Peqin – Kavajë, kanalin Vjosë – Levan – Fier etj.
Talentin si këngëtar, e shpiegon me genin në familje, trashëgimi e cila, ka vijuar brez mbas brezi. Familja e shoqëria, kanë qenë të dhënë mbas vlerave të bukura të botës perëndimore. Atë e ngacmonte modernia, që prej diktaturës ishte dënuar me vdekje. Artistin, është e vështirë ta mbash të ndrydhur në kafazin ideologjik. Shpirti i pasur i tij nuk vdes kollaj.
Kantautori, kujton: “Isha jo më shumë se 4 – 5 vjeç, kur daja Lec (Kolec Lamshi 1949, piktori e krijuesi i fotoporcelanit në Shkodrës. Ai bëri 2 vjet burg politik, shënimi im K.K.) më merrte për doret nga dëshira ime për të kënduar, më çoi në korin e Kishës katedrale Shën Shtjefni, që e kisha një bllok larg shtëpisë. Për herë të parë, pashë madhështinë e veprës së njeriut përkushtuar Hyjit. Ende nuk kishte zbardhur dita, këndoja sëbashku me të tjerët.
Motra e Kishës Anunciata, që drejtonte korin, më tha: “Zemër, mos e ngrij zërin shumë, por mundohu ta shkrish me të tjerët”. Më kujtohen sytë e saj të përvujtë, të cilat, nuk më janë shlyer nga kujtesa. I thashë, se kam dëshirë të këndoj fort. Dua të më dëgjojnë Engjëjt, që ndodhen lart në tavan. Ata motër, janë duke fjetur dhe nuk i kemi ngritur ende prej gjumit….
Karriera ime i dedikohet shokëve, sepse kishin dëshirë për të futur frymën liberale në muzikë. Fillova të krijoj këngë të reja të mia. Kuptohet pasioni dhe maraku. Me një fjalë kisha afshe rinore… Këndoja për kënaqsi me kitarre në rrugicën e lagjës time, këngë që ishin të ndaluara. Në mbrëmje, mes miqve, të afërmve, përmes magnetofonave me bobina e shiritë, inçizonim e dëgjonim këngë të lira, pa receta e korniza me hiroglife politike.”
Ajo kohë, ishte një test për te, pjesë e jetës, që i kaloi me tramvaje. Ai ka marrë pjesë në Festivalin Lokal e Nacional të Fëmijëve në Shkodër, ku, fiton 4 herë çmime nderi, me këngët: “Hyjo hyjo kalë vrapo” (1967 – 1968) “Jemi gjeologe te vegjel” (1967 – 68), “Tornitorit” (1968 – 1969), “Mira Beni dhe rreqeli” (1970 – 1971), kënduar bashkë me Myfarete Laze, “Vëllai aksionist” (1970 – 1971) etj.
Rriku, ishte një ndër nxënësit më të mirë të shkollës me notën 10. Gjithmonë ia ulte mesataren “fiskultura” me notën 9. Ka marrë pjesë në të gjitha konkurset artistike mes shkollave 8 – vjeçare.
Në Koncertet Variete, të organizuara nga Klubi i Rinisë, kur ishte në klasë të 7 – të, do të interpretojë këngën “Palma cubana”, sëbashku me Ikbal Spahinë. Publiku e ka kthyer 7 herë, për të ripërsëritur këngën.
Ky ishte një mesazh therës për kohën. Një muaj mbas, në një koncert tjetër, iu kërkua të këndojë disa këngë spanjolle e franceze, mbasi publiku e kishte mirëpritur dhe duatrokitur gjatë. Ai interpretoi këngët: “Violin cigano”, “Caminito”, “Caper tua” etj. Nata e parë e koncertit ishte e jashtëzakonshme, me duartrokitje frenetike, ndërsa e dyta… s’u bë kurrë!!!
Ndodhi ajo që pritej herët ose vonë. Ishte koha, kur dënohen për “veprimtari armiqsore” grupi i liberalit Fadil Paçrami, Todi Lubonja etj., sepse shenjat e europianizimit të letërsisë e muzikës, kishin sjellë alarmin në qarqet e boss – ëve të kupolës hermetike komuniste.
Frederiku, kujton muzikantin Nard Bushati, udheheqës dhe ideator koncertesh, i cili, ishte thirrë urgjentisht në Tiranë, për t’iu tërhequr veretje, sepse kishte lejuar vogëlushin të këndonte këngë spanjolle. Fryma e koncerteve ishte perëndimorë. Për ideologjisë e dallkaukëve me banda komuniste, dikush duhet bërë kurban, duke i shtirë frikën pjesës tjetër, që merreshin me art e muzikë…

Instrumentisti
Ai do të ndërpresë daljen në skenë si këngëtar e merret me artin dramatik si aktor e instrumentist me orkestër. Mësimi i instrumenteve, i merrte kohën e mirë të ditës në shkollë e shtëpi. Ishte pikërisht periudha kritike, kur këngëtarit i ndërrohet zëri e ndodh pjekuria. Për te ishte e dëmshme të këndonte, mbasi kordat e zërit mund të pjekën shtrembër e vokali mund të mbesë i kufizuar.
Këtu u njoh me instrumentet muzikor. Në bankat e shkollës, vjelë edukatë për kulturë të përgjithshme. Në Liceun Artistik “Prenk Jakova” në Shkodër për 4 vjet, krahas studimit teorik mjaft të thellë, mbi artin klasik botëror e shqiptar njihet me kryeveprat e muzikës botërore, duke u përpjekur të jetë vetë sa më pranë tyre. Ai merret me veglën e frymës oboe dhe ushtron veglat sekondare: piano, kitarrë, fizarkonikë etj..
Për 5 vjet, mori pjesë në Orkestrën Filarmonike të Shkodrës e Orkestrën Teatrin “Migjeni”. Për të ndihmuar ekonominë familjare e patur ndonjë para ekstra, filloi krijimin e grupeve muzikore (orkestrat e vallzimit), duke argëtuar të rinjtë nëpër mbrëmjet e vallzimit, në shkollat e mesme e Insitutin (sot Universitetin) e Shkodrës.
Filloi aktiviteti i dasmave, gjë që ndikoi mjaft në pasurimin dhe mbështetjen e tij më pas në muzikës së kultivuar popullore qytetare shkodrane. Për te ndryshon bota brendshme shpirtërore. Fillojnë të zgjohen dëshirat rinore për muzikë e art. Tashmë nis udhën e saj krijimtaria…
Artisti, nuk është si subjekt, por edhe objekt. Muzika, është më tepër pasuri e një ndjenjë të brendshme sesa tingujt që dëgjojnë njerëzit, duke u futur në botën shpirtërore të debutuesit e atij, që e dëgjon me andje interpretimin e tij.

Liberali
E kam ndjekur gjithnjë me dashamirësi artistin Frederik Ndoci vite më parë, sikurse tingujt muzikës klasike me perlat kristiane, të kënduar nga Gjokë Vata “Krenaria e Qytetit” (2001), mbas rihapjes së kishave në Shkodër në vitet ‘90 pranë vorrezave të Rëmajit.
Ndikim e gjurmë në kulturën e Rrikut adoloshent, ka lënë muzika italiane “Canconissima”, që shfaqeshin çdo javë në RAI, Festivalet e “Sanremo”- s, që mbahen në qytetin e luleve.
Ai flet me shumë respekt, për “Beatles”, Ray Charles, Tom Johnes, Little Richard, Elvis Presley, grupet e ndryshme, si: “Duran – Duran”, “Queen”, “Genesis”, “Pooh Kamaleonti”, “Bonyem”, muzikën e lehtë moderne jugosllave, etj.
Kënga e muzika jonë në trevat shqiptare, jashtë Shqipërisë dukeshin mjaft të zbehta e diletante, por Nexhmie Pagarusha, hante bukë veç. Ai çuditej me “lirinë”, që kishin shqiptaret jashtë shtetit burg në vendin e shqiponjave. Në fakt, “liria” e tyre, ishte në fe e art, por jo në politikë. Ato kishin shumë të “drejta”. E drejta e shpirtit të identitetit, që ishte valëvitja e lirë e flamurit nacional, nuk ekzistonte.
Pra si andej si këndej (shtetit amë), Zoti, kishte vënë xhelatë. Meqenëse Shqipëria, ishte e izoluar në fushën e artit etj., e vetmja dritare ose mundësi, për të parë e dëgjuar muzikën perëndimore kontemporane, ishin stacionet ish – jugosllave e italiane. Orkestrantët jugosllavë, kishin një hap cilësorë, mbasi kishin studiuar në ShBA.
Ai kujton: “Në çdo darkë familjare (fis i madh), festat fetare, dita e emnit të babës (Shën Kollit), ditëlindje, takime me shokë, këndonim këngët që na linin mbresa. Më vonë krijuam “serenatat”, ku, i këndonim dashurisë, miqësisë, vajzave, luleve etj. Në këto mbrëmje këndoja me kitarre këngë, që i dinin të gjithë miqtë, duke mos harruar edhe çiftelinë për argëtim. Këngët popullore, zinin një pjesë të mirë të repertorit të improvizuar. Kur e njeh muzikën e popullit tënd, e ke të lehtë për të mbërritur tek muzika e lehtë. Nëse dikush nuk e njeh muzikën e tabanit popullor, ka gjasa të imitojë një rrymë ose këngëtar tjetër. Ai nuk është original dhe nuk jeton gjatë. Kjo është e provuar tek autorët botërorë, që kanë shkruar muzikën klasike.
P.sh. Giuseppe Verdi, ka njohur me detaj muzikën e popullit të vet. Ai ka arritur të na dhurojë perla ose kryevepra të muzikës klasike të papërsëritshme. Kështu mund të them për muzikant të njohur, si: Rossini, Bellini, Bethovenin, Haynden, List, Shtraus, Çajkovski, Bach, Grieg, etj. Kur kërkon t’i heqësh identitetin një popullli, vepro në këtë mënyrë, merr muzikën e huaj, shqipëro tekstin dhe rezultati del vetë pa shumë koment.
Me këtë etje të madhe diletantësh, mbas 10 – 15 vjetëve, do të na marrë malli të dëgjojmë muzikë autentike shqipe. Kështu Festivali Foklorik, do të quhet si Festivali i Dinosaurëve. Brezat që do të vijnë do të pyesin për pasaportën e muzikës “origjinale”.
Sot pjesa më e madhe e krijimtarisë së “re” muzikore, që këndohet në Shqipëri është e huazuar ose e thënë më kjartë po ndodh plagjiatura, me tekst të përkthyer me muzikë e dance origjinal të vjedhur. Duhet pasur parasysh, se 5 shekuj të okupimit turk, kanë lënë gjurmë e ndikim oriental në fe, muzikë, kulturë etj. Kritikët e përkushtuar të artit e muzikës çirren e bërtasin, por kush ua vë veshin, ndërsa miopet në fuqi e mbyllin njërin sy.”

Vdekjet e artistit
Si vdes një artist!? Atëherë aktori i vogël sapo kishte filluar klasën e 8 – të. Vdekja e parë, u shfaq në kinoprovat, për xhirimin e një filmi shqiptar: “Nga fundi i errësirës” (1973). Rriku fiton kinoprovën në Kinostudion “Shqipëria e Re” (Tiranë), ku nga 100 pikë mori 96. Më afër tij ishte “aktori”, i cili, arriti deri në kuotën 51 pikë. Konkurentit të afërt, iu besua roli, sepse prindërit e tij punonin në dikasteret më të larta. “Komisarët” e Kinostudios, nuk vonuan e filluan të punojnë, për të bindur aktorin “humbës”, si i përshtatshme për rolin.

E dini vetë biografia
Rriku, detyrohet të braktisë instrumentin e oboe – s, mbasi mundësit, për të pranuar oboistët të aftë ishin shumë të kufizuara. Nga 10 oboist konkurentë, që vinin me krahë të ngrohtë, ishin të sigurtë, se njeri prej tyre do të fitonte. Komisioni shikonte cilësinë e letrave, se kush prej konkurentëve i kishte prindërit në piramidën e forumeve më të lartë të diktaturës. Ishte koha e ditëve të tyre, sepse kishin ngulur “gozhda me krye” për proletariatin…
Artisti vinte i konsoliduar muzikalisht, me një botë të thellë shpirtërore e vokal të pjekur. E ndjera Violeta Deda, me një dashamirësi si dinte ajo, i tha: “Rrik! Të ka falë Zoti një fuqi hipnoteze dhe magjie në art! Unë jam e mendimit, që të provosh një konkurim në Artin Dramatik”. Unë të ndihmoj sa të mundem.
Kështu filloi puna me materialet për konkurs. Frederiku, i vetmi shkodran fiton me vizë të kuqe, përballë 25 të tjerëve. Para se të nisej për në Universitet, babai i tij Kola, i thotë: “A të kujtohet mësimi i shkollës sime si ndihmësmurator. Kur të dukesha si xhelat në punë. Jo kot u solla ashtu. Unë kisha aq mundësi financiare, sa të mos mundoja trupin tënd të njomë, kur një ditë papritur më the, se nuk doje të vazhdoje studimet. Piktura e të ardhmes tënde ishte negative, po të mos përdorja një strategji, që të vije me mua për të treguar se ç’ishte puna? Kur baba yt, është aq i ashpër e kërkues për punën, që ta bësh sa më mirë, po ai tjetri nesër, që do të kesh gjithë jetën në punë si do të trajtojë!? Nëse nuk vazhdon, shkollën ndërtimi të prêt s’ka rrugë tjetër. Sot t’i i ke të gjitha mundësitë, për të qenë i pari. Mos na ço mundin kot.”
Rriku, vijon konservatorin në Artin Dramatik. Mbas pak grupi muzikor “Na bashkoj kanga popullore” (N.B.K.P.), një grup të rinjsh, i propozojnë të marrë pjesë me ta, meqenëse ishte i kompletuar si muzikant e vokalist. Ai pranon ofertën, e del në skenë me orkestrantët: Nimet Salabegu, Fatmir Fani, Nikolin Miraj, Mark Matathia, Filip Thana, Pirro Pano, Agim Duron, Sazan Binjaku, Aleksandër Paloli. Ata ishin 10 vetë, me përkusion qyp, dajre, kitarrë e mandolinë dhe interpretonin këngë popullore qytetare, arbëreshe, korçare, serenata shkodrane e korçare etj.
Një ditë pranë grupit vjen një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, i cili, sjellë lajmin e keq: “Ju Frederik, Filip, Fatmir, Nikolin dhe Pirro, nuk do të merrni pjesë aksionin e madh nderkombëtar. Për një aktivitet të rëndësishëm politik, jashtë shtetit.”
Arsyeja: “E pyeta përsonin, se çfarë kemi bërë ne, që nuk duhet të shkojmë jashtë shtetit!? Dhe përgjigjja e tij ishte troç: “E dini vetë, seç keni një latë të hequr në biografi…”

Vdekja III
Rriku ende vijonte studimet shoqëruar me peripeci në Artin Dramatik në Tiranë. Komisarët e Istitutit të Lartë të Arteve (I.L.A.), nuk e kishin shumë me qejf grupin N.B.K.P. Po çfarë të bënin!? E kishte në “qejf” Komisariati i Komitetit të Partisë Tiranë (K.P.T.). Filloi pingpongu kinez mes I.L.A. e K.P.
Viktimën (Frederik), nuk kishin ku t’a kapnin, mbasi në lëndët profesionale ishte as – i. E ngelën në lëndën histori e P.P.Sh., provim të cilin e mori në vjeshtë. Në vitin e dytë, e rrëzojnë në ekonominë socialiste, duke i humbet vitin e dytë.
Pra, po fitonin komisarët e I.L.A – së. Pjesëmarrja me grupin e ri artistik, ishte mjaft e vështirë, sepse kishte turne të ngjeshur nëpër Shqipëri. Më shumë mundime, pa bursë shteti (bursë familjare), nënës së tij, iu desht sa e sa herë të shiste gjak, për të dërguar paratë, në fillim të çdo muaji, për të cilën, djali nuk dinte asgjë.
Më kujtohet, – thotë artisti me origjinë familjare punëtorë të thjeshtë (nën nivelin mesatar), po përgjigjesha mjaft rrjedhshëm tezës, që më kishte rënë në provimin e materializmit dialektik e historik, ku, ish Dekani, vjen papritur e i shtohet Komisionit. Ai, me një të qeshur cinike kërcënon: “T’i do të përsëritësh vitin, dhe po vazhdove të këndosh me grupin, nuk do t’a marrësh diplomën kurrë!!!”.
Supërstari rikujton: “Faslli Luarasi ishte pro, kurse Xh.M., refuzoi e nuk vuri firmë në librezën e notave, të cilën, e ruan nëna ime. Një vit shkollor, i kushtonte çdo familjeje afro 40 mijë lekë të vjetra. Mbas disa dekadash, Zoti sjell në shtëpinë, ku, jetonin prindërit e mi në Gjermani ish – Dekanin. Imagjinoni, nëna ime i shtron një darkë, kuptohet kurbeti, të bollekshme. “A.P.”, e përgëzon nënën e Ritës dhe Julit me fjalët: “Të lumshin duart! Nëna e artistëve Rita e Juli”… Nana me buzë në gaz, i thotë falëminderit e shton: “Mos harro zotni Professor, se jam edhe nana e Frederikut”… Ai, ul kokën tek tavolinën e ka kjarë për minuta të tëra. Tashti e ndjente dhimbjen në demokraci. Me një larje duarsh: “Ishin kohë tjera!”, donte të mbyllte thesin.
Nana argumentoi: “Sot ka kenë ma e randë për mu, me pregatit sot drekën sesa për ju asokohe, me ngelë në klasë, pa të drejtë (për kuj) një femijë punëtori. Unë jam shqiptare, pastaj e krishtenë, e nuk mundem përveç, se me falë e me harru”.
Ai kishte shkue për arsye shëndetësore në Gjermani. Fëmija i tij i vetëm, kishte nevojë të jashtëzakonshme. Shkoi dhe gjeti prindërit e viktimë, për të ndihmuar jetën e femijës së tij. Si e bjen Zoti punën!?”
Mbas shumë peripecive në I.L.A., në prag të mbarimit, Rrikut, gjysma e ditës i shkonte, duke bërë luftë me komisarët e shkollës, ndërsa pjesa tjetër, kompensohej me duartrokitje e dashuri prej spektatorëve, kur debutonte në grupin “N.B.K.P”. Ai luante me vegla muzikore e këndonte solo e artistët: Irma Libohova, Valdete Hoxha, Ziliha Sina etj.

Frederiku, është Agjent i CiA – s…
Një “suprizë” e papritur, e shqetëson shpirtin e brishtë të talentit dhe përfundon orvatjet tashmë 3 – vjeçare të komisarëve të I.L.A – së. I kishte ardhur radha të goditej jeta private e artistit. Përmes një plani të detajuar, arrijnë që të përfitojnë nga vrullet rinore e mosmarrëveshjet më intime të jetës private.
Në mes të vitit 1983, disa ish përsona të njohur, kishin hartuar një letër anonim në tre kopje: një për K.P. Tiranë, Organizatën e Partisë në Insitutin e Arteve dhe për Teatrin e Operës dhe Baletit (T.O.B.), përmbajtja e së cilave, ishte: “Armik i popullit, spiun i KGB – së, CIA, UDB – së, Vatikanit, sepse gjatë gjithë kohës flet për fenë dhe Krishtin kundër rregjimit, Enver Hoxhës etj…”. Letra mbante emrin dhe firmën e X – t.
Përfundimi ishte i kjartë. Kjo letër, ishte e njëjtë me ato shprehje bajate standarte, me të cilat, u dënuan shumë njerëz të pafajshëm në Shqipëri… “Ç’ke bërë mo i uruar!”, – i tha Thimi Suli, ish n/Drejtori i T.O.B. “Shko e gënjeje atë ish tënden, se do përfundosh keq. Janë familje komunistash ata, të bëjnë gjëmën dhe do të të djegin si Xhordano Brunon”.
Artisti i ri, u ndodh i braktisur nga të gjithë. Kush guxonte t’i rrinte pranë, përveç Zotit e familjes, kur diskutoheshin probleme të tilla. “Njeriu i mirë njihet në ditë të vështira.” Sa vend zë mes shqiptarëve, shprehja që e dimë të gjithë!?. Pak ose aspak!!!… Por në Shqipëri, pas viteve ‘90, të gjithë u bënë të mirë (të afër) brenda një dite!!! Ishte e vështirë të dalloje Engjëllin nga Djalli, sepse ky i fundit, kishte veshur fustanin e nusërisë…
Ditën e parë, u thirr në hetuesi nga punonjësi i Drejtorisë së P.B. të Tiranës. Fundi ishte i kjartë. Tashmë “armiku” dhëndër, do të përballej me Nenin 55, që nënkuptonte “…Agjitacion e Propagandë për përmbysjen e poshtetit popullor në Shqipëri…”. Vendimi i dënimi mban datën 4 gusht 1983…
Njerëzit “dashamirë”, kishin përfituar nga njohja e jetës private dhe përpiluan letrën anonime kundër artistit, në shenjë hakmarrje për ish të fejuaren “D”.
Ndonëse e hidhur, ai e rrëfen historinë: “Të gjitha letrat, ishin përpiluar në emer të ish – fejuares time. Letrat shkuan në Drejtorinë e Brendshme, e cila, i përcolli ato menjëherë në gjyq. U dënova penalisht, gjë që ishte krejt e lehtë. Nuk kishte aspak rëndësi dënimi penal, sesa ai moral. M’u hoqën të gjitha materialet nga televizioni, që kisha bërë me mund e djersë. Kisha gati të inçizuar mbi 60 këngë, me grupin “N.B.K.P.”, kisha fituar çmim dekade të Klasit II – të. Midis tyre kishte këngë solo e duete.” Çfarë i mbetet pemës, kur ia shkulin rrënjët!?
Ai shton: “Sot pas kaq vitesh, konkluzioni im është, se ky dënim, vinte gjoja si masë ndëshkimi fill pas Koncerteve të Dekadave të Majit të vitit 1982. Unë debutova me këngën: “Kjo Kosova ka adet nga një pashë me mbyt përvjet”. Kënga u zgjoll në koncertin qeveritar. Na thanë, se do të asistonte edhe ai. Impenjimi ishte shumë serioz, sepse kisha fituar çmim dekade. Erdhi dita e koncertit, ora, minuti, kisha firuar gati 15 kg. Dola në skenë dhe sytë në mënyrë hipnotizuese shkuan tek lozha, ku, koka e tij binte menjëherë në sy.
Mbasi mbaroi kënga, ai u ngrit në këmbë. Kuptohet, salla si të ishte e përbërë prej atletëve olimpikë u ngritën si me sustë. Ai bëri me grusht… d.m.th. për vëllezërit kosovarë, që i kishte lënë dhuratë në dorë të kasapit. Unë po ashtu ngrita dorën, në formë grushti si ay. E ai prap me grusht e unë sërisht me grusht… More po ai prap me grusht, kur dëgjova nga prapa perdës: “Ule grushtin poshtë more qelbanik!” Kur dola më rrethuan komisarkuqët e vegjël, e me klithma gati sa s’më mbytën. “Kush të tha, t’a ngrejsh grushtin ty more majmun!?” Qe pra, i thashë, ju vetë po pyesni majmunin, pse imiton të tjerët!? E pranoj, që jam majmun dhe e ngrita grushtin edhe unë nja tre herë. Por gjithmonë pas tij.”
Incidenti vinte mbas demostratave masive të vëllezërve kosovarë të vitit 1981. Më pas kënga, kërkohej çdo natë në Radio e TV. Duket se dikush nga Beogradi i tërhoqi veshin bashkëpuntorëve të Tiranës zyrtare. Ata filluan të mendonin eleminimin tim, nëpërmjet saj asgjësonin edhe këngën. Diktaturës asokohe, i interesonte që të nxirrte armik artistin, që interpretonte e jo këngën që e shqetësonte… Kjo është njëjtë me At Gjergj Fishtën, ku, u dënua “Poeti Nacional”, e përmes saj, u varros edhe kryevepra “Lahuta e Malcis”…”

Vdekja IV
Artistin e dërguan mbas dënimit në një vatër kulture në Burrel. Ai, për herë të parë do të mendonte arratisjen, ku, sytë dhe trupin t’a drejtonte andej nga perëndonte Dielli, duke gjetur shtegun për t’u zhdukur nga “lumturia”.
Mirëpo ç’bënte Partia një vëlla t’a pushkatonte, e tjetrin e propozonte për kandidat partie. Ai u dënua, Rita filloi të lulëzojë në skenë. Ajo u bë një nga humoristet e imitueset më të mira të vendit. Artisti mendonte për familjen e tij. Sa fund të keq do të kishin, sikur të realizohej ankthi që e brente sapo fikte dritën e dhomës. Kur zbardhte dita e re, keqardhja për prindërit e mbulonte e i prishte vendimin e pjekur…
Por Zoti e miqësia, e shpëtoi nga aventura e rrezikshme. Tashti pjesëtarët e tjerë të familjes Ndoci, nuk do të internoheshin. Atij i vjen ish autoria e letrës e i thotë: “Ke ca valixhe me plaçka këtu”. Ajo mbasi e merr vesh gjoja arësyen e dënimit, betohet se: “Unë kurrë nuk kam shkruar ndonjë letër!”
Artisti nxitoi për në Tiranë t’a takonte dhe vërtetonte fjalët. “D”- ja nuk përtoi të pohonte ato që tha, e sëbashku shkuan në K.P., ku, përgenjështroi letrën. Ata i thanë, se: “Letra është shkruar nga maqina e shkrimit që keni në shtëpinë tuaj” Kur i sollën letrën, e i thanë, nëse ishte firma e saj, ajo tha: “Po, më kujtohet, kur kam firmosur një letër të bardhë, pasi m’u kërkua nga vëllai e babai.” “Ti jepen gjyqit, ato që e kanë shkruar. Kemi marrë në qafë një njeri të pafajshëm!”, – shtoi sekretari.
Kjo ishte fitore e iluzion për artistin. Njeriu, që e varrosi me urretje, po i dilte zot kështu! Rriku tregon: “Sa kristian të dobët jemi!!! Ndjeva keqardhje për të. Më tha, se do të ndërpres studimet e nuk i bëhej të shkoj në shtëpi, tek ato njerëz që i kanë prishur jetën.” Sipas saj, ai ishte dënuar për çështje politike e morale.
Në moment, harroi vuajtjet, lotët e i tha: “Bëj si të duash”. Atij iu dha transferimi në Shkodër. Mbas një muaji, e emëruan në Estradën e Shkodrës. Ishte një ambient i ri. Ai nuk e njihte mjedisin artistik, që gëzonte një emër të madh.
Gjatë vitit të parë, punon shumë dhe dallohet në takimin e estradave profesionale. Të gjitha gazetat e kohës shkruajnë për artistin e ri mjaft fjalë të mira.
Ai i falënderonte Zotin në heshtje, për të mirën që i kishte dhuruar. Tipe e natyra të ndryshme, gjendeshin në Estradë. Atij, iu desht të bënte punën me heshtje dhe të kalitet me një tip tjetër komisarësh. Falë Zotit, ata nuk ishin me nivel të lartë intelekti.
Atë vit në dhjetor aktorët e Shkodrës, do të bënin rregjistrimet për natën e Vitit të Ri. Udhëheqësit artistik të RTVSh etj., sapo shohin fytyrën e Frederikut, i drejtohen direkt me arrogancë: “Kush të ka lejuar ty të futësh këmbët në TV. Ti duhet të dalësh menjëherë jashtë nga RTVSh. Çfarë pret, lëviz, shpejt, shpejt!”
Letra e vendimeve të Komitetit të Partisë, kundër artistave për Frederikun ishte shumë e freskët, në turrën e letrave për të mos shkelur në TVSh. Shumë e madhe ishte dosja e artistave të dënuar si: Sherif Merdani, Françesk Radi, Justina Alia, Alida Hisku, Besnik Taraneshi, Zija Saraçi, e qindra të tjerë.
Artisti i ri shqetësohet shumë, por nuk shprehet dhe ruan gjakftohtësinë. Me humor, ishte e pamundur t’a kalojë “keqkuptimin”. Vendosmërisht drejtuesit politikë në RTVSh, këmbëngulin, që Shkodra këtë vit, s’do të ketë asnjë shfaqje të rregjistruar për natën e Vitit të Ri ose të zevendësohet Frederik Ndoci!?
Pjesëtarët e grupit, gjenden para një situate të papritur. Si duhet zgjidhur problemi i zmadhuar artificialisht!? Shkurt… Rriku, nuk është fytyrë, që duhet të dalë në televizion. Ata urdhëruan që t’i kthente dietat e të rikthehet në Shkodër me tren!…
“Ka qenë një kohë kur fillova me “sabotu”. Për herë të parë fillova me fut në Teatër lojën e shahut. Dhe aktorët harronin materialet (kishte raste që partneri priste me minuta të tëra në skenë partnerin tjetër, i cili, ishte habitur pas lojës së shahut) e merreshin mbas kampionatit të shahut, ku, në ambientet artistike ekzistonin 25 kuti shahu…”, kujton me humor artisti.

Phoenix
Edhe midis artistëve, regjizorëve në Shkodër e Tiranë kishte njerëz dashamirë të artit, që nuk ishin strikt porosive të debatikasve politik. Këto liberalë, pas shumë viteve, kanë të njëjtin karakter të tërhequr nga jeta e zhurmshme e publicitetit në media e televizion. Ata sodisin me gjakftohtësi, ish – pseudoartistët telpërdredhur, servilëve të boss – ëve të pushtetit të dikurshëm. Ish debatikasit, sot “demokratë”, mbajnë ende me krenari “pllakën monument i kulture, mbrohet nga shteti” dhe dërgoheshin me dieta për të vijuar shkollën jashtë shtetit. Dietat astronomike paguheshin nga skllevërit varfanjakë punëtorë.
Me mediokritetin e trashëguar pa asnjë turp, marrin poza si flamurtarë të vonuar të së resë. Ishin këta “të rinj revolucionarë”, që si bandë e kuqe kishin dënuar me vdekje artin e kulturën perëndimore, ku, viktimë ishte kantautori shkodran. Fillon një përsekutim i ri. “Armiku”, s’duhet lënë të livadhiste shumë. Erdhi urdhëri suprem: “Të dërgohet menjëherë në prodhim”. Alibia (shkaku) krijohet lehtë artificialisht ose ishte e gatshme në tryezat e boss – ëve të së keqes, që mbanin shtetin e kuq të dhunës përmes metodave të survejimeve. Dhe pasojat ishin përpiluar e dekretuar tashma…
Artisti, dënohet nga organizata e partisë në ish “Fabrikën” e Tullave në Shkodër për 6 muaj. Këtu ishte hapur dega e internimeve. Puna ishte me mëditje sikurse në shek. XII. Gjithçka (procesi i punës) bëhej me dorë, pa asnjë kusht higjene, mbrojtje e sigurimeve sociale. Ky ishte një kamp i ri i vdekjes me hap të përshpejtuar…
Nuk e don TV – ja, ndërsa Kinostudioja po, i afron kinoprova, të cilat, pa problem, i fiton falë talentit të lindur. “Shokët” e estradës xhelozë, e dënojnë. “Dashuria”, për të riun bashkëqytetar kishte dalë sheshit.
Frederiku, fillon të debutojë në kinematografi me shtatë filma. Ai ka luajtur role kryesore dhe dytësore në filmat “Në çdo stinë” (1982) me rregjizor V. Gjikën, “Dasma e shtyrë” (1984) e M. Tapallajt, “Fundi i një gjakmarrje” (1983) me rregjizor R. Ljarja, “Kur hapen dyert e jetës” (1986) me rregjizor R. Ljarja, “Flutura në kabinën time” (1987) me rregjizor V. Prifti, “Edhe ashtu edhe kështu” (1989, kinokomedi) me rregjizor B. Kapexhiu. Emri i tij, do të hyjë në librin e historik të aktorëve më të suksesshëm të Kinostudios. (Shih në librin e Abaz Hoxhës – “Arti i 7 – të në Shqipëri”, Tiranë, 1999).
Ai ia var pak punës në Estradë. Do t’a shohim, se artisti ka më shumë interes për rolet në ndonjë film. Dënimi i dytë (nga organizata e partisë), do të vijë menjëherë. Ai vonohet 3 ditë më shumë nga leja, që i kishte dhënë drejtoria për dublime (zëri me figurën). Edhe pse kur u kthye solli me vehte letrën e firmosur nga zv/drejtori i Kinostudios, ku, vertetonte, se: “Frederiku mbaroi mbrëmë dublimet”. Ata nuk donin t’ia dinin, se ishin “vetë Ligji e vetë Maliqi.”
Në prodhimin primitiv të tullave edhe një herë, por vetëm dy ditë mbasi drejtori Kel Rreshpja (mjaft kurajoz) me keqardhje, i thotë Frederikut:
“ – A kanë luajt mendsh ata!? Rrik, je i lirë për 6 muaj, shko ku të duash. Më fal, se para nuk të paguaj, por je i lirë”. Kjo botë ka edhe njerëz të mirë.
Sapo rikthehet ne Estradë, tjetër sulm. Tani strategjia e tyre, arrin kulmin. Çdo ditë të hëne në mëngjez, ai thirrej në Komitet Partisë së Rrethit (K.P.R.) duke e kërcënuar, se do t’i vinte prangat, nëse këndonte ndër dasma muzikë të huaj. Ishte kërcënuar të mos këndonte as këngët e huaja, që jepte Radio “Tirana”. “Tirana ka politikë tjetër”, i thanë, “ndërsa ne tjetër politikë!”
Pas pak kohësh në një mbrëmje me “Peco grosso”, i propozohet të këndojë një këngë e bukur nga ato që dinte ai. “Jo s’mundem, me fusin ne burg”, i përgjigjet artisti, duke shtuar, se “S’më lejohet, as edhe këngët që jep Radio Tiranës. Si bëj dot, mbasi Tirana ka politikë tjetër, e ne si artistë shkodran kemi tjetër politë më tha shoku…”. Pasi qeshën me cinizëm, i bënë me shenjë të këndonte pa frikë të gjitha llojet e muzikës botërore. Ai këndoi i lirë deri në orët e para të mëngjezit.
Të nesërmen sh…, e thërret në zyrë si zakonisht. Këtë rradhë, me pupla të lagura, i drejtohet: “Unë kam dashur, të mos lodhesh me këngë të huaja, se janë të vështira, e kam frikë se të dëmtojnë vokalin. Unë për të mirën tëndë e kam.”

“Nigjo ti Frederik:
Nuk prishet partia me një MUT si ti”
Mbas disa ditësh, një aktor i propozon në emër të organizatës së partisë (e cila, kishte marrë dy vendime dënimi për Rrikun) për t’u pranuar kandidat partie.
Pas disa ditësh i ktheu përgjigje aktorit: “Nuk e meritoj të hyj në parti, se jam shumë i padisiplinuar e pastaj partia prishet sapo të hyj unë. Vetëm pas një muaji, ju do të bëni mbledhje me orë të tëra, që të më perjashtoni prap!” Përgjigja e tij ishte “Ashtu ë!? Do t’a shohim nesër!”
Të nesërmen, bëhet mbledhje që në mëngjez. Një i dërguar i K.P. dhe dy policë të Degës së Punëve të Bredshme (Sigurimi), ishin të pranishëm në sallën e madhe, ku, mbas dy minutash merret vesh tema. “Një artist, refuzon një ditë më parë hyrjen në parti.”
Artisti rikujton: “Rrik thashë, erdhi edhe një herë koha e prangave. Megjithëse kishte rënë Muri i Berlinit, kishte akoma propozime të tilla nga komisarët tanë. Por shansi i madh, më deshti Zoti kaq shumë. Mbasi foli aktori, në fund e mbylli me fjalët: “Nigjo ti Frederik: Nuk prishet partia me një MUT si ti”. Unë qëndrova gjakftoftë, megjithëse i derguari kishte ardhur me mission të paracaktuar. Ishte aktori, që më ndihmoi. Kur m’u dha fjala, fola vetëm kështu: Unë e kam ditur vetën tamam ashtu siç tha ai. Por meqenëse, e dua partinë me shumë se ai, i thashë, se nuk hyj. Ndërsa ai, që pretendon, se e don fort: Pse ka dashtë me fut një MUT partisë suaj!?”
Tonin Ujka, u ngrit në këmbë me të qeshur dhe tha: “No comment!”

Incidente në skena të ndryshme të Shqipërisë
Në një koncert turne në Vlorë, Frederiku po këndonte “Give me hop Johana”. Një vajzë gjimnaziste kalon nga salla në skenë. Artisti me vajzën bukuroshe fillon kërcejnë një break dance. Adolishentja, ishte jashtëzakonisht e zhdërvjedhet e mjaf preçize në lëvizjet. Bukur!
Ai i entuziasmuar sërisht rifilloj të kërcej me të. Në këtë kohë, drejtuesi i orkestrës papritur ndalon orkestrën e këngën në mes. Ishte koha e vitëve ‘90. Kantautori i ofenduar në second, me një veprim shumë të zgjuar, hap kapakun e një pianoje në skenë dhe vazhdoj këngën. Drejtuesi sërisht i gjindosur mbyll kapakun e pianos dhe i zë gishtërinjtë kantautorit. E gjithë salla fillon fishkëllimat me thirrjet vlonjatëshe motër q…
Artisti, rrëmbej kitarren eletrike nga duart e Ylli Drishtit dhe filloj “Uab-bab-a-lu-bab-ba-ba-kan-bloom-tutti frutti”. Drejtuesi i shkret, e kishte humbur fare tek, vraponte pas Rrikut nëpër skenë, që t’i hiqte fishen (kordonin) e kitarres. Partiaku, donte të tregonte, se komisarët e errësirës “qimen e ndryshojnë, por zakonin se harrojnë”.
Imagjinoni, mbyllet perdja, ndërsa salla thërriste motër q… o l… Në darkë, asokohe u bë një mbledhje organizatës së partisë. Ata propozojnë përjashtim nga puna, pa të drejtë kthimi. Motivi ishte…!!!
Por artisti i vetëdijshëm në veprimet e tij, i thotë: “Ju do të më hani me nder m…” Të nesërmen vjen një instruktor nga K.P. Vlorë e i tërheq vërejtje, për aktin e keq, që kishte bërë drejtuesi. Frederiku, nuk kishte bërë, asgjë shqetësuese. Populli vijonte të kishte të njëjtën simpati për te.

Korçë
Ishte së bashku me motrat Rita dhe Juli në një turne në Korçë. Ata jepnin tre shfaqje në ditë. Pas dy ditësh ndalohet shfaqja. Hiqen reklamat artistike të orës 7. Populli që kishte zënë radhën për bileta, që me natë, i indinjuar ofendon, në adresën e artistëve, duke thënë: “Çfarë u kemi bre ne atyre që duan të kthehen!?”
Frederiku, del në pizhame nga hoteli, ku, ishte akomoduar e i thotë, se nuk është e vërtetë, që ne duam të kthehemi. Edhe nëse nuk duan ata, ne jemi gati të bëjmë koncertin falas, në mes të sheshit, deri sa kordat vokale të më copëtohen. Por është dikush tjetër, që nuk do që të vazhdoj koncerti….Mbas pak kohe, artistët shkojnë sëbashku drejt në zyrën e sekretarit të komitetit sh… P.
Artisti kujton: “Na prêt disi i skuqur, e sapo hyjmë brënda na thotë: “E kam ndaluar unë shfaqjen!?” Po për çfarë arësye insistoj unë?! “ Nuk lejoj unë, që njerëz me shfaqje të huaja të këndojnë në Korçë! Shiko flokët sa të gjata i ke!” Unë i them: A e ke me mua?! (sepse nuk e kishte vënë re, që ishte mjaft strabik në sy (shakshir), dhe po shihte nga Rita, shënimi im K.K.) “Jo, jo me ty e kam” Ou me mua e ke!? Flokët e mi janë, si ai heroi atje tek sheshi “Ushtari i Panjohur”. Jeni ju, ai që keni shfaqje të huaja, sepse i ke qethur flokët si kinez, ndërsa unë jam si Mihail Gramenua. Koncertet dhe pamja e jashtme, janë kontrolluar nga njerëz, që i kanë sytë në rregull, e s’kam nevojë për sugjerime mediokre. “Degjo, – më tha: “Nuk je në Shkodër këtu. Mos më fol ashtu, se unë të arrestoj!” S’ke fuqi, i thashë. Koncerti vazhdoi edhe 10 – të ditë të tjera. Erdhi momenti, që të dilja jashtë shtetit. Më erdhi koha, që si debutues në “Festivalin e Zërave të Rinj Botërorë” në Ankara. U pregatita mjaft me dinjitet dhe fituam vendin e dytë ne botë (mes pjesmarrësve). Ndërsa për suksesin e këtij turneu RTV “shqiptar” dha si lajm vetëm 8 sekonda.”

Lamtumirë:
Hapni dritaret Europë
Befas në vitin 1986 Frederiku, rikthehet në skenë si këngëtar, duke pasur një sukses me zërin origjinal. Kthimi i tij nuk ishte pa qëllim. Me këtë rikthim sistemi, kërkonte të tregonte se po zbuste “luftën e kllasave”.
Artisti kujton: “Ishte caktuar data e tregimit të këngës “Pranvera do lule shumë”. Ky ishte debutimi i parë në Festivalin Kombëtar të Pranverës. Unë e kënga ishim pak enigëm. Bashkëpunimi me kantautorin Ardit Gjebrea, i shtinte kureshtjen debutuesve, sepse e dinin se do të ishin të suksesshëm. Unë preferova të përdorur një strategji, ku, provat i bëja në orët e mbrëmjes (7 – 9 p.m.), që mbyllnin sezonin e ditës.
Më kishin thënë se ish – drejtori RTVSh Marash Hajati, ishte shumë despot në pranimin dhe daljen në skenë të artistave me frymë perëdimore. Sipas thashethemexhive, isha i sigurtë, se lojën në të cilën kisha hyrë do t’a humbisja. Por çuditërisht, ndodhi e pabesueshmja.
Në fund të këngës, ai u ngrit në këmbë, më shtrëngoi dorën e ngriti lart, sikur të isha mundës i fituar dhe më uroj mirëseardhjen në RTVSh. Ai, tha se ishte hera e parë, që dëgjonte dikë, duke kënduar profesionalisht. Drejtori iu drejtua këngëtarëve me fjalët: “A dëgjuat ju të tjerët sesi këndohet. Nuk ka ndonjë filozofi. Kështu këndohet.”
Mbas tij e morën fjalën pjesëtarët e komisionit. Kompozitori Çesk Zadeja (“Artist i Popullit” A.P.) në mënyrë profesionale zbërthej pak a shumë botën shpirtërore timen, duke thënë, se “… mishëron shumë elementë artistik, ka vokal të embël, zotëron shumë instrumente dhe është aktor.” Ndërsa Avni Mula (A.P.), më uroj mirëseardhjen në mënyrë demostrative. Ai u emocionua tek kujtoj rininë e tij…
Të njëjtën gjë bënë Tish Daia (A.P.), Tonin Harapi (A.M.), Nikolla Zoraqi (A.M.) etj., Muri i monumentit tim u bë prej supërbetoni. Tashma askush nuk kishte mundësi të më shkelte, sepse ishte vonë… E. Hoxha kishte vdekur. Ky konsolidim, do të vazhdonte deri në vitet 1990. Sa herë kam kënduar në skenë, jam vlerësuar me Çmime Nderi.”
Ishte pragu i fundvitit 1990. Rregjimi përdorte talentet, për të fshehur kthetrat e vet. Kështu Ismail Kadare largohet i shoqëruar nga Shqipëria në Francë. Artistëve, mbasi iu hoq thumbi (thimci), rikthyen në skenë. Sherif Merdani, del nga burgu, Justina Alia kthehet nga internimi e fillon “punën” në Teatrin e Kukullave (Tiranë), ndërsa Françesk Radi në orkestrën e RTVSh…
Por me një lule, s’vjen pranvera. Ai këndonte në sallën e darkave në Hotel “Dajti”. Në letërnjoftimin e tij, kishte 20 viza të dhënë nga ambasadat e huaja, që vinin për të dëgjuar muzikë. Po të ishte puna për të ikur jashtë shtetit, thotë Frederiku, unë isha elektron i lirë.
Në Festivalin e RTVSh “tiranasit”, i sajojnë një hile të madhe. Ishte vdekja e pestë, që i ka ndodhur në skenë. Këngët “Hapni dritaret Europë” dhe “Stinë tjetër”, intepretuar në Festivalin tradicional të muzikës së lehtë (dhjetor 1990), e nxiti aktorin këngëtar t’i jap lamtumirën vendit. Një vit më parë, kishte fituar Çminin I – rë me këngën “Toka e Diellit” (1989), ndërsa në Koncertin e Pranverës, interpretoi këngën: “Liberta, Liberte”, të cilat, morën një jehonë të madhe.
Asokohe ai “përgëzohet” nga drejtori i shfaqjes, i cili, i drejtohet me arrogancë artistit: “Nuk ka erdhur akoma koha e të ngresh gishtat për Kosovën…” Ai po përdorte Kosovën, si pretekst të gishtave dhe kërkonte të dënonte simbolin e fitorës të Kavajës e Shkodrës, që i ngritën gishtat dy muaj më parë se të këndohej kënga…

Kur zbarkuan turqit në Shkodër,
ka fluturuar fugurja “Zoja e Shkodrës”
Artisti kërkoi transferim në Tiranë. Thirret në K.P. prej sekretarit të parë asokohe. Pushtetari e pyet: “A ishte e vertetë, se kishte kërkuar transferim dhe ne si komitet jemi të shqetësuar. Një artist me kaq talent dhe vlera e ka vendin këtu.”, i thotë. Për t’a zënë ngusht i drejtohet: “Frederik, kam sinjalizime, se të kanë parë një herë në Kishën e re, në ditët e para të nëndorit 1990.” Të kanë rrejtë, përgjigjet artisti. “Nuk kam qenë një herë, por për çdo dite. A ka ndonjë gjë të keqe?!” “Jo, – i thotë sekretari, asgjë, por me që je katolik, ty të takon të mos largohesh nga Shkodra!!!”. Artisti i përgjigjet: “S’kam vend edhe si katolik, sepse kur kanë zbarkuar turqit në Shkodër, ka fluturuar si mrekulli fugurja “Zoja e Shkodrës”. Kur ka ikur Ajo, po ne çfarë duam, që rrimë pa Zojën tonë.? Ikën vitet që kalova, kur ishe ti sekretar, e unë dënohesha dhe më vinin shqelmin. Unë i përkas gjithë Shqipërisë.” Nga zyra e tij, artisti u nis në Tiranë.
Sërisht kujton: “Natën e parë, e këndova këngën: “Hapni dritaret Europë”, ku, u ngrit e gjithë salla në këmbë. Xhaketat fluturonin sipër njerëzve, fishkëllimat me urime bravo, më dhuruan suksesin e parë. Kënga nuk ishte aq e bukur sesa ishte mendimi i saj. Kur shkova në shtëpi për të parë këngët e Festivalit në TV, nuk u shfaq kënga ime. Spikerja tha: “Dëgjuat e shikuat këngët e natës së parë të Festivalit.” Të gjithë në shtëpi kishim ngrirë para monitorit të televizionit, që vijonte të jepte sinjalin e lajmeve…. Të nesërmen shkova në RTVSh, e u thashë çfarë keni bërë kështu!? Menjëherë mora përgjigje të parapërgatitura: “Pse tha Partia pluralizëm, u bë deti kos!? U bë Amerikë këtu, që të kërcesh ti ula up!? Çfarë u bërë t’i Frederik Ndoci, duke kënduar e këcyer në skenë!? Çfarë të duket vetja ty!? Ne të fusim edhe në burg! Ti mendon, se burgjet nuk kanë një dhomë për ty!?” Iu përgjigja, menjëherë se nuk ka çilca më. Ato tashmë kanë humbur në det. Ju falëminderit, për këshillat e kërcënimet, por mos keni hallin tim, se unë një copë bukë e ha ku të dua në të gjithë botën, sepse kam 20 viza në passaportë. Ika në mënyrë demostrative…”

Mes fansave në Maqedoni e Kosovë
Frederiku, sëbashku me motrat Rita dhe Julin, kishin oferta artistike në Zvicër e Maqedoni. Ata morën rrugën në këmbë deri në postën kufitare të Qafë Thanës. Një shqiptar nga Maqedonia, i mori me makinë. Gjatë rrugës po dëgjonin një këngë në kasetë të këngëtares Shkurte Fejza: “Ndalo njëherë o burrë i dheut, mos ia kthe shpinën Atdheut”. Ishin vertetë emocione, të forta, ku, atij e motrave, u rrëshqasin lotët e dhimbjes, pse po lënë më keqardhje atdheun, ku, u lindën dhe rritën.
Shkodrani, tregon çastet e dhimbjes, duke përshkuar rrugën për dy orë, që i dukeshin sikur ishin 200 vjet nga ajo këngë. “Aq lot derdhëm, saqë na falt Zoti. Të njëjtën dhimbje emocionale, kam përshkuar kur kam parë në TV eksodet biblike të mijëra shqiptarëve në anije drejt Italisë, eksodi kosovarëve që erdhën në Shqipëri… Kam ndjerë dhimbje në shpirt, kur u rrëzuan (11/9/01) dy Kullat Binjake në Manhattan… Tragjedia e fundit në tre shtetet e pjesës jugore të ShBA – së (Hurricane Katrina and Rita), me skena të tmerrshme në ujë më kanë trazuar shpirtin. Natyrisht kam qarë edhe herë të tjera për humbjen e pjesëtarëve të familjes tonë. Dhimbjes i shtohej edhe dhimbja e dytë e pamundësisë për ti përcjellë në funeral, për arsye të burokracisë së pajisjes me dokumente etj. Mbas 9 viteve, për herë të parë, kam parë nënën time (Marien) në Gjermani…”, përshkruan dhimbjet artisti.

Murator në Itali
Frederik Ndoci, ik me autobuz në Itali. Ishte koha, kur në korrik të vitit 1990, shqiptarët kishin shpërthyer kangjellat e ambasadave të huaja në Tiranë. Në mars 1991, ndodh eksodi biblik drejt Perëndimit. Europa, ishte bërë shpresa e vetme. Ishte një goditje vdekjeprurëse për diktaturën komuniste në Shqipëri, që jetonte grahmat e fundit të jetës fizike…
Ai Italinë e kishte parë në televizion dhe gjuha për komunikim nuk ishte problem. Atje, fillon të punoj në periferi qytetit Bergamo, si ndihmësmurator (manuale) 14 orë në ditë. Mbas punës, bënte një dush të ngrohtë, hante darkë e binte të flinte. Gjatë orëve të lira shëtiste nëpër qytetin e bukur, duke bërë vizita në muzeume, kisha, ambiente kulturore e muzikore, bibliotekë, kinema etj.
Ditët kalonin. Atij filluan disa miq të rinj intelektual vendas t’i afroheshin. Rriku, kërkonte të punonte me dinjitet. E kishte të vështirë (kishte mbetur ende me atavizmën komuniste: “Interesi i përgjithshëm mbi atë përsonal”) të shkonte të merrte 50.000 lireta në ditë, që mund të përfitonte nga asistenca si refugjat në shtetin italian.

Një vdekje e ëmbël…
Një javë mbas, i thotë priftit të qytezës së vogël Endena, që të mbledh disa fëmijë t’u mësojë kitarrën. Meshtari e pyet artistin shqiptar, sa kërkon që të paguajnë ata ty. Me një buzëqeshje të lehtë fisnike, Frederiku i përgjigjet, se nuk dua të më paguajnë asgjë, por këtë e bëj për pasion. Mbas disa ditësh 14 fëmijë nga mosha 13 – 16 vjeç formojnë një klasë të vogël me kitarre, maestro i ri i së cilës, ishte Frederik Ndoci.
Për një kohë të shkurtër (45 ditë) në prag të Krishtlindjeve (Natale), kitarristët e vegjël vendas, dolën debutuan sebashku me Fredrikun para publikut në Kishën e qytetit të vogël italian. Prifti e falënderon shumë atë, për përkushtimin dhe rezultatin konkret që e shihte tek instrumentistët e vegjël, të cilët, për 3 vjet nuk kishin mësuar ushtrimet më elementare në kitarrë. Prindërit e tyre nuk dinin si të falënderonin, për kënaqësinë shpirtërore që u dhuroi. Ata me lot në sy përqafonin artistin shqiptar. Koncerti që dhanë ishte vërtetë suprizë, para prindërve e besimtarëve të shumtë…

Grazzie Frederico!
Muzikanti e aktori Ndoci, për një kohë të shkurtër bëhet i njohur, i nderuar e respektuar. “Më afroheshin njerëzit për t’u bërë mësime fëmijëve të tyre. Ata më thonin sa kushton. I sqaroja, se jam a

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram