Vazhdojnë kërkimet për viktimat nga shembja e urës në Mineapolis

Autoritetet në qytetin Mineapolis të shtetit qendror Minnesota vazhdojnë kërkimet për trupat e viktimave pasi një urë në një autostradë të rëndësishme u shemb dhe ra 18 metra në Lumin Misisipi. Zyrtarët konfirmuan sot se numri i të vdekurve nga shembja e urës me 8 korsi është tani 4. Por guvernatori i shtetit Minesota tha se ky numër mund të rritet me vazhdimin e operacioneve të kërkimit. Afro 30 vetë figurojnë të zhdukur. Autoritetet thonë se mund të duhen të paktën 3 ditë për të përfunduar kërkimet në makinat që kanë rënë në ujë. Ndërkohë autoritetet kanë filluar hetimet për të zbuluar shkakun e shembjes.

Zyrtarët thonë se ura e autostradës 35 kishte rreth 50 makina në momentin kur u shemb. Një pjesë e strukturës u shkëput dhe ra në ujërat e lumit, 18 metra poshtë. Pjesë të tjera ranë në brigjet e lumit, ndërsa autobusë, makina e kamionë rrëshqitën nga segmentët e shkëputur të urës duke rënë mbi njëri-tjetrin. Disa veta që arritën t’i ndalojnë makinat në kohë, dolën pa u dëmtuar dhe zbritën në brigjet e lumit.

Disa të tjerë kishin mbetur të bllokuar në segmente të urës që ishin rrëzuar, por nuk ishin mbuluar plotësisht nga uji.

Dhjetëra makina që kishin rrëshqitur nga ura e shembur në lumë, ishin stivosur mbi njëra-tjetrën duke formuar një ishull.

Polombarët u zhytën në ujërat e lumit në kërkim të personave që mund të kishin shpëtuar gjallë, por ishin të bllokuar në makina. Por pas orë të tëra kërkimesh, misioni i operacionit u zhvendos nga kërkim për të mbijetuarit në kërkim për trupat e viktimave. Jamie Winegar ishte në urë në momentin e shembjes:

“Ishim 5 vetë në makinë. Ndjehemi shumë me fat, pasi nuk menduam se do të dilnim gjallë. Nuk e merrnim vesh se ç’po ndodhte. Një nga fëmijët thërriste se po binte tërmet. Ndjej dhimbje në qafë, siç duket nga rrëzimi”.

Policia e Mineapolisit po zhvillon hetime:

“Në këto momente vazhdojnë hetimet. Nuk ka ndonjë shenjë që bëhet fjalë për ndonjë shkaktar të jashtëm të incidetit, përveç problemeve strukturore. Ekipi i hetimeve po interviston njerëz që ishin pranë urës në momentin kur ndodhi shembja. Po intervistojmë edhe ata që janë aktualisht në spitale, nga lëndimet e marra nga aksidenti”, thotë zëdhënësja e policisë së Mineapolisit.

Ura kishte një hark të vetëm me gjatësi 140 metra. Projektuesit kishin preferuar një strukturë të tillë, pasi ndërtimi i më shumë se një harku mund të kishte penguar lundrimin në lum. Në kohën kur ndodhi shembja, ura ishte pjesërisht e bllokuar për trafikun, pasi po bëheshin punime për riparimin e asfaltit.

Ura e ndërtuar në vitin 1967 kishte 8 korsi. Ajo është ndërtuar pranë Universitetit të Minesotës, jo larg qendrës së qytetit. Fakulteti i Inxhinierisë së Universitetit e inspaktoi urën në vitin 2001 dhe nuk zbuloi probleme serioze, megjithëse në raport përmenden shenja vjetërimi të strukturës së çelikut nën urë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se nuk ka shenja që struktura u dëmtua nga ndonjë akt sabotazhi

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram