19/04/2024

Anita Bitri, dy vjet nga shuarja e legjendës së Vlorës

0

Autori i Lajmit: Zenepe Luka

19 tetori. Dita e Shënjtërimit të Nënë Terezës, për Vlorën ishte edhe një dhimbje më shumë. Familjarët, miqtë, artdashësit e këtij qyteti, në ditën e 2- vjetorit të vdekjes, kanë derdhur lule dhe lot tek varri i këngëtares vlonjate, Anita Bitri.

Pranë varrit të mermertë të këngëtares legjendë të Vlorës, në këtë ditë të shenjtë, e cilësuar Nata e Kadrit, është spostuar grumbulli i madh i njerëzve që kanë shkuar për të përkujtuar të dashurit e tyre. Një lule dhe një lot për Anitën, nderim për këngën e saj, shprehen dhjetëra qytetarë që përulen dhe përkëdhelin foton e artistes, të vajzës së saj, Siborës. Mbi tre varret, ku prehen tre breza, nëna, vajza dhe mbesa, rrethuar me kangjella, është vendosur në këtë dyvjetor të vdekjes një mal me lule të freskëta. Kuja vlonjate është përcjellë nga një kor cicërimash zogjsh mbi Shqipëri, që ngjasonin me këngën e parë dhe të fundit të Siborës 8- vjeçare, "E shtrenjta nëna ime".

Njeriu që ngrysi ditën mbi varre
Skënder Bitri, babai i Anitës, e ka ngrysur ditën e sotme mbi varret e të afërmëve të tij. Dhimbja e ka bërë ish- oficerin një grusht dhe sytë e tij që ngjajnë me dy guva, kanë qenë gjatë gjithë ditës të lagur me lot dhimbjeje. I plakur edhe nga vitet, ish- oficeri ka humbur burrërinë dhe me një rënkim të shpirtit, gëlltit lotët, që i rrokullisen në kurrizin e faqeve të rreshkura. Mundëm të bisedojmë me të vetëm në orët e vona të pasditës në shtëpi, teksa familjarët po ndiqnin dokumentarin që i kushtohet jetës dhe këngës së Anita Bitrit.

Jeta dhe kënga e Anitës në një kasetë videoje.
Familjarët kanë dashur të shuajnë mallin me Anitën në këtë ditë të 2- vjetorit të ndarjes me të, por ka ndodhur e kundërta. 45 minutat e këtij dokumentari, të realizuara artistikisht dhe prodhuar nën kujdesin e të vëllait, Arbenit, janë shoqëruar me lot e ofshama dhimbjeje, sikur tragjedia të kish ndodhur sot. Kulmi i kësaj dhimbjeje shkon kur vajza, Sibora 8- vjeçare këndon me Anitën këngën e parë dhe të fundit të kompozuar nga vetë Anita, ku i thonë njëra tjetrës: "Je më e shtrenja në botë".

37 vjet jetë, 32 vjet karrierë artistike
Këngëtarja legjendë Anita Bitri, hyri në rrugën e artit qysh në moshën 5- vjeçare, duke i rënë violinës. Profesori Robert Papavrami, teksa shihte mjeshtërinë e lëvizjes së gishtërinjve të vegjël të Anitës, ishte shprehur se "kjo vajzë do të ketë një të ardhme të madhe prej artisteje". Këngëtarja nisi rrugën e këngës në qytetin e Vlorës dhe shumëkush do ta cilësonte një Vaçe të ardhme.

Pjesëmarrja në evenimentet artistike dhe çmimet
Në festivalin e klasës punëtore në Elbasan, Anita paraqitet me një duet dhe duartrokitet me zjarr nga artdashësit. Më 9 qershor të vitit 1986, fiton çmimin e parë në festivalin e interpretuesve në Vlorë me kompozim të Arben Lezhës. 6 muaj më pas, Anita fiton çmimin e parë në festivalin e këngës që organizohet në Vlorë, ku ish mes të rriturave në moshë, por edhe në mes të rriturve në këngë. Në qershor të vitit 1987, fiton çmimin e dytë me këngën "Hartimi dhe bora", krijur nga shoqja e klasës së saj, Laureta Caku. Në vitin 1988, kur mbushi 18 vjeç, me këngën "E vogla mes shoqesh" me muzikë të David Tukiçit, juria e vlerësoi me çmim të tretë, ndërsa spektatorët me duartrokitjet e tyre e vlerësuan me çmim të parë. Pjekuria e Anitës do të sillte edhe suksesin e këngës së saj. I tillë do të vlerësohej kënga "Shikomë në sy", kënduar me Frederik Ndocin. Në koncertin e pranverës të vitit 1988, me këngën "Mos u gabo, mos u nxito", një bashkëpunim i Alqi Boshnjakut me Aleksandër Vezulin, ku ajo rrëmbeu çmimin e parë, do ta etiketonte kngëtaren vlonjate si një perlë.

Shpërthimi i këngëtares
Në pranverën e vitit 1989, Anita Bitri shpërthen me këngën "Lulet e majit, që çelin në janar", ndërsa tre muaj më pas, ajo fiton çmimin e dytë në koncertin e këngës me këngën " Era përcjell fjalën të dua" të kompozitorit Gjergj Leka. Pas këtyre evenimenteve dhe korrjes së suksesit, Anita do të merrte pjesë në Festivalin Ballkanik të marsit të vitit 1996, me një bashkëpunim të Flamur Shehut dhe Jorgo Papingjit. Në vitin 1990, në festivalin e këngës në RTV, mori çmimin e parë me këngën "Askush nuk do ta besojë". Sfida për këngëtaren e re, është e pafund. Me këngën "S ka formulë në dashuri", vlerësohet me çmimin e dytë, më pas një çmim të tretë me këngën "Dashuri, ti ke emrin tim" me muzikë të Artur Dhamos. Në vitin 1995 në festivalin e RTV, zotëron skenën tashmë si një e ftuar e festivalit, që artdashësit me duartrokitje i dhanë kryeçmimin e këtij festivali.

Koncertet recitale
Pas gjithë kësaj përvoje në skenë, Anita Bitri do të organizonte koncertin e dytë recital, i pari ishte organizuar më 1993, ku për gjatë dy ditëve në Pallatin e Sportit do të duartrokitej e vlerësohej maksimalisht nga bashkëqytetarët e saj, si një zë magjik, këngëtare profesioniste. Ajo i dha mundësinë edhe këngëtares së re, Aurela Gaçes, që të ngjitej në skenë bashkë me të.

Në pritje të emërtimit të rrugës
Këshilli Bashkiak i Vlorës ka vendosur që njëra nga rrugët e qytetit të emërtohet "Anita Bitri", por ende nuk është zhvilluar ceremonia.

Kronologji
Jeta artistike e një këngëtareje
-Në vitin 1996, Anita arriti në tokën e premtuar, duke përcjellë me zërin e saj mallin për vendlindjen, për tokën.
-Në vitin 1999, Anita Bitri nxjerr albumin e parë në SHBA të titulluar "Mall". Këngëtarja vlonjate ngjalli interesin edhe të personaliteteve të Hollivudit dhe kish nënshkruar kontrata të rëndësishme, që kishin bazë zërin dhe talentin e Anitës.
-Në vitin 2000, ajo ishte pjesë e rëndësishme e koncertit të madh që u organizua me pjesëmarrjen e Inva Mulës, Piro Çakos, Fadil Berishës, ku artdashësi thërriste: “Anita, Anita! Bravo Anita!” Gjatë viteve në emigrim këngëtarja vlonjate këndoi në shumë qytete të Amerikës, në pritje zyrtare me personalitete të larta, mjedise diplomatësh dhe pas suksesit do të përgëzohej: “Bravo, këngëtarja vlonjate!".
-Në vitin 2002, Anita Bitri shfaqet si kantautore, tashmë ajo shkruan tekstin dhe kompozon muzikën, ku priste të korrte suksesin. Kënga e vetme që bëri ishte “E shtrenjta vajza ime", që e këndon bashkë me të bijën 8- vjeçare, Siborën.
-Në vitin 2004, erdhi në Vlorë për të shuar mallin, për t u rikthyer pas disa muajsh në një koncert recital. Anita Bitri do t u drejtohej publikisht bashkëqytetarëve se nuk i ka harruar, i kërkoi ndjesë Tokës që është larguar në emigrim, porse ajo me zërin e saj ka ngritur lart emrin e artistit dhe të këngës shqiptare.
Vdekja tragjike preu në mes ëndrrën e këngëtares së shquar vlonjate, duke lënë pas zërin legjendë dhe një karrierë artistike si asnjë artist tjetër. 37 vjet jetë, 32 karrierë artistike.

OPINIONE
Kompozitori Flamur Shehu:

“Shteti shqiptar duhet të vlerësojë me titull të lartë këngëtaren vlonjate, Anita Bitri. Ishte ndër këngëtaret e mëdha të këngës së lehtë shqiptare. Shqipërisë i humbi një nga korifejtë e muzikës së lehtë, që është vlerësuar vazhdimisht me çmime, edhe kur ishte fëmijë. Anita Bitri nuk ishte thjesht këngëtare, por muzikante, kishte studiuar për violinë, njihte çdo parametër të këngës, qoftë në harmoni, qoftë në ekzekutim, ishte e lidhur si askush tjetër me skenën dhe e dashuronte këngën duke vlerësuar edhe talentin që i kish falur natyra”.

Muzikanti Artur Dhamo:
Një festival i përvitshëm me çmimin "Anita Bitri", është fare pak që mund të bëhet për këngëtaren legjendë të Vlorës.

Ballkan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok