TAKIM ME LEXUESIT FIERAKË

0

Nga Entela Binjaku

Përurohet në Fier libri  “Duke ardhur në Shtëpi, në Evropë… nga Lindja – Mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në BE një model për Shqipërinë?” i autorit Mircea Perpelea  Ambasadori i Rumanisë në Tiranë.

Mesdita e së premtes së datës 2 nëntor bashkoi në Fier shumë dashamirës të librit dhe të kulturës. Në Bibliotekën “Dritëro Agolli” të këtij qyteti u përurua botimi me titull “Duke ardhur në Shtëpi, në Evropë… nga Lindja – Mund të jetë përvoja e aderimit të Rumanisë në BE një model për Shqipërinë?”. Autori i këtij punimi Ambasadori i Rumanisë në Tiranë, SH.T.Z.  Mircea Perpelea përzgjodhi për këtë ritakim me lexuesit në Shqipëri, qytetin e Fierit i dalluar edhe për praninë e rëndësishme të komunitetit arumun. Të pranishëm në këtë përurim ishin deputetet e Qarkut Fier, Adelina Rista dhe Antoneta Dhima, nënkryetarja e Bashkisë, Gentiana Cakrani, përfaqësues të institucioneve arsimore, të ftuar të shumtë të komunitetit arumun, ish studentë të Universiteteve rumune, qytetarë e nxënës të shkollave të mesme.

Në këtë vizitë të parë në qytetin e Fierit që prej fillimit të mandatit të Tij në Shqipëri, ambasadori Perpelea foli për miqësinë mes popujve tanë, vlerat e bashkëpunimit dhe emocionet e të përbashkëtave kulturore dhe aspiratat evropiane.

Ai vlerësoi punën e bërë nga komuniteti arumun që jeton në vendin tonë, që ka sjellë një hap para jo vetëm në afrimin e njerëzve, por edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ambasadori i Rumanisë SH.T.Z. Perpelea u shpreh ndër të tjera se: “Shqipëria është pjesë e Evropës dhe mbetet që rruga e saj të vazhdojë. Të dhënat pozitive flasin në të mirë të Shqipërisë dhe Rumania do të jetë një mbështetëse në rrugën e saj në Evropë. Prej 1 janarit të vitit që vjen Rumania do të marrë për herë të parë kryesimin e BE-së. Jam i ngarkuar të shpreh mbështetjen që Rumania do ti japë Shqipërisë në këtë rrugë të integrimit” është shprehur diplomati i lartë rumun i cili shprehu vlerësimin për çdo gjë që ndodh në drejtimin e duhur dhe në përputhje me kërkesat e Këshillit të Evropës.

Prezantimi i qëllimit të takimit dhe fjala e mirësardhjes u mbajt nga Klodiana Gjata në cilësinë e Drejtoreshës së Bibliotekës e cila theksoi së këto aktivitete kontribuojnë në drejtim të integrimit evropian të vendit.  Në fjalën e sajpërfaqësuesja e qarkut të Fierit në Parlamentin e Shqipërisë Adelina Rista duke e falënderuar ambasadorin Perpelea për praninë, foli për vlerat e qytetarisë fierake, mikpritjen dhe bujarinë duke i vlerësuar bashkëqytetarët fierakë si njerëz arsimdashës, artdashës dhe që e duan librin, “Sot kemi në dorë një libër të veçantë  që na sjell një përvojë të një nga vendet mike të Shqipërsië, siç është Rumania. Të shkruash është gjëja më e bukur, tha ajo.- sepse përvojën që ke e transmeton edhe në  brezat që do të vijnë.  Fierakët janë njerëz që kanë marrë dhe që kanë dhënë me njeri-tjetrin, Fieri është një qytet në të cilin komunitetet jetojnë në paqe dhe harmoni. Një epiqendër që i përmbledh të gjitha”, u shpreh deputetja Rista.

Deputetja Antoneta Dhima e pranishme në takim shprehu kënaqësinë dhe privilegjin e të qenit pjesë e përurimit të librit.
Populli shqiptar dhe ai rumun kanë bashkëjetuar prej vitesh mes njëri tjetrit si vëllezër dhe kjo bashkëjetesë dëshmon çdo ditë e më shumë se është një lidhje shpirtërore. Ashtu si shqiptarët e Rumunisë janë integruar në shoqërinë dhe në kulturën rumune dhe kanë bërë histori në Rumani, ashtu edhe arumunët e Shqipërisë kanë qënë dhe janë qytetarë të përkushtuar dhe japin kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë në Shqipëri” theksoi znjDhima duke shtuar se “E vlerësoj maksimalisht autorin i cili në këtë libër ka ditur shumë mirë të pasqyrojë dhe të përmbledhë rrugën e ndjekur nga Rumania për anëtarësimin në BE me bindjen e plotë se të dish më shumë , nënkupton padyshim të gabosh më pak”.

Në fjalën e Tij ambasadori Perpelea falënderoi të pranishmit duke shprehur edhe njëherë mbështetjen e Rumanisë për Shqipërinë, lidhjen e hershme mes popujve tanë, të përbashkëtat në ngjarjet historike dhe aspiratat drejt integrimit. “Për fat të mirë, Shqipëria dhe Rumania janë dy vende mike dhe faza historike që po kalon Shqipëria do ti sjellë, shpresojmë, dhe me pranë vendeve të Evropës së Bashkuar. Përvoja jonë e Rumanisë, dëshirojmë të jetë e vlefshme për Shqipërinë dhe rrugën e saj legjitime për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Libri im përpiqet të sjellë më shumë njohuri në këtë drejtim. Siç e thashë, të mësosh nga një përvojë do të thotë, me siguri, të kesh mundësinë të dish më shumë dhe të shmangësh sa më shumë gabime” theksoi Ambasadori. Në këtë takim ai gjeti rastin të falënderojë kontribuesit arumunë, veçanërisht ata që janë ndarë nga jeta, por që me kontributin e tyre kanë mbajtur ngrohtë marrëdhënien midis popujve.

Në takim foli edhe regjizori Klajdi Marku, duke e trajtuar  librin e Ambasadorit Perpelea si vazhdimësi e kontributit që shteti rumun ka dhënë për zhvillimet e Shqipërisë. Lidhur me sfidat e integrimit dhe përvojës rumune si udhërrëfyese në rrugën e Shqipërisë në BE foli ekonomisti  Andon Çaçi. Në Bashkinë e Fierit dhe të Patosit jeton një komunitet arumunësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok