Femi Cakolli: Gani Mehmetaj – Kalorësit e Dardanisë

DARDANIA – PROJEKSIONI KOMBËTAR E SHTETËROR
Fjala për promovimin e librit “Kalorësit e Dardanisë” në Bibliotekën Kombëtare

Nga Pastor Dr. Femi Cakolli
Gani Mehmetaj, nё shkrimtarinё e tij, si autor ёshtё shumë më shumë qёllimor, porositёs, praktik, tematik dhe veprues sesa spekulativ, kreativ, meditativ në artin e tij prozaik. Në tri vitet e fundit publikut ky krijues iu është ekspozuar me katër romane: “Ëndrra e Madhe, “Zhvarrimi”, “Boritë e apokalipsit” dhe tani me “Kalorësit e Dardanisë”.
Duke e përcjellë për së afërmi veprën e Mehmetajt, sidomos prej librit “A di Zoti shqip” e këndej, vërej se në të gjitha tekstet e tij, është prezent projeksioni “ripërtëritje e vetëdijes nacionale e shtetërore” jo vetëm si temё letrare, a si ideologji, a si strategji, a si lajtmotiv i tij por edhe si kasneci, ose zëri i shkretëtirës, që paralajmëron “moçalishtet” antishqiptare në vazhdimësi në një kontekst të letёrsisё shqiptare që ka nisur nga rilindësit sikurse Jeronim De Rada, Naimi Frashëri, Gjerasim Qiriazi e më vonë Gjergj Fishta, Faik Konica, Mitrush Kuteli, Esad Mekuli, Ibrahim Rugova, Zejnullah Rrahmani etj.
Në vazhdën e këtij projeksioni romani me temë historike “Kalorësit e Dardanisë” zbulon një paralele komparative dhe prototipe. Pёrderisa gati tё gjitha artefaktet janë marr nga tё huajt prej tokave dardane e ilire, ata kanë zhveshur identitetin dhe rrënjët tona, por në anën tjetër në kohët postmoderne po synohet mjaftueshëm që të merret e shuhet edhe shpirti e fryma dardane, si Kosovë, andaj autori përçon mesazhin se lufta dhe kjo luftë e shumëfishtë ka kontinuitet, dhe këtë Ganiu po e realizon përmes prozës të tij për qenien dhe qenësinë e substratit jetik të kombit tonë e quajtur Dardani.
Narratori në këtë vepër është ushtari Daors Daidiani i cili është edhe përjetues i ngjarjeve nëpër disa kohë, pasi ai është i vetmi që do të shpëtojë nga 300 kalorësit për ta rrëfyer historinë dhe ngulitur kujtesën njësoj sikur ka ndodhur me luftëtarin spartan të Termopileve, kurse është autori i cili shpalos kronikat dhe ndërton kujtimet e gati të gjitha kohëve dardane sikur kjo histori për lexuesin e sotëm të jenë një andrallë.
Në romanin “Kalorësit e Dardanisë” vetëm përmes evidentimit të emrave i gjejmë sheshazi tri shtresime narracionesh tematike. Shtresimi i parë është antropologjik duke na sjellë 52 emra personazhesh: Dimali, Doriani, Skerdilaid, Monumi, Drilona, Konstantini, Glauku, Ndrenika, Longari, Hanibali, Pirro, Adriani, Jerina, Platori, Bardhyli, Lulëkuqja, Teuta, Leka, Aleksandri, Gentiana, Dhimtri, Desarati, Daors Daidiani, Shen Pali, Kliti, Mojsiu, Neroni, Flori, Lauri, Driloni, Gjon Pagëzori, Boiken, Spartaku, Bato, Mhilli, Tata, Demetri, Batina, Ledia, Gentiana, Shën Mria, Levi, Genci, Niketa Dardani, Samueli, Arkimedini, Hadriani, Pleurati, Kestrini dhe Lorana.
Shtresimi i dytë është gjeografik duke na sjellë 41 emra vendesh: Naisusi, Iliria, Dardania, Konstadinopoja, Roma, Dakia, Trakia, Panonia, Singidiniumi, Lamanshi, Suka, Qafëmali, Dalmacia, Salona, Kapodokia, Iberia, Britania, Skithi, Shkupi, Perserendi, Jerusalemi, Ulpiana, Golgota, Dydesha, Gjyteti, Felix Romuliana, Damastioni, Rudina, Kina, Egjipti, Persia, Mizia, Skodra, Dyrrahu, Greqia, Sirmiumi, Suka, Siparunti, Pirusti, India dhe Muzakja.
Shtresimi i tretë është hyjësia duke na i sjellë 6 emra perëndish të dardanëve parakristianë dhe kristianë: Onesisi (perëndia i ëndrrave), Dasarati (perëndia i kalorësve), Dionisi, Dea, Andini, Enji (rrufesë) dhe emri i Krishtit.
Janë pra në përgjithësi 100 emra që përmenden në romanin “Kalorësit e Dardanisë”, dhe sigurisht se ky numër është i përsosur në kulturën shqiptare apo dardane. Dalloj që autori ka përmendur edhe dy numra tjerë të përsosur, 3 dhe 7.
Pra antropologjia, gjeografia dhe hyjësia si bërthama dhe si tipare në këtë roman shtrohen për primat civilizimi, kulture, mitike e historike të ilirëve dardanë, me fokus 300 kalorësit. Megjithëse në vëmendjen e autorit janë këta ushtarë dardanë mua më bëri përshtypje menjëherë numri i tyre, andaj edhe desha ta shoh edhe tekstin fillimisht përmes numerologjisë si fakt, si ekzistencë, si rezistencë dhe si mit.
Numri i 300 ushtarëve epikë së pari na kujton Gideonin e Biblës në shek. VIII para Krishtit. Përpos tekstit biblik këtë vlerë simbolizmi e gjejmë edhe në Betejën e Termopileve (Portat e Nxehta) në krye me legjendarin Leonida. Edhe Skënderbeu kur u kthye në Arbëri erdhi me 300 veta. Kështu historia (dardanët), miti (spartanët) dhe biblizmi (judenjt) në këtë pikë numerologjie bashkohen dhe na japin mesazhin: pak janë të zgjedhurit, pak janë luftëtarët, pak janë besnikët, pak janë të përgatiturit për misione të mëdha, janë të paktë ata që sakrifikojnë etj. Shikuar nga pikëpamja ndryshe 300 veta kompakt, të trajnuar, të besës e flijesës mund të bëjnë shumë për një vend a mbretëri. Treqind kalorësit dardanë janë tipikët e 300 spartanëve.
Koncepti i Dardanisë si është shtruar në roman përpos idesë gjeografike, antropologjike, hyjësore ajo zgjerohet edhe në dimensione tjera kulturore, mitike, politike, legjendare e civilizuese. Së këndejmi është shumë interesant se sa shpejt lëvizin kalorësit dardanë në një territor kaq të madh prej Dalmacisë e deri te Dardanelet dhe prej Danubit e deri në Selanik. Tri qendra hasen në këtë territor më shpesh: Naisusi, Skupi, Perserendi.
Miti këtu është shtjelluar disa herë dhe dalloj besimin dardan i sjellë nga autori “pa kokë nuk shkon në parajsë”. Sigurisht porosia është se Perëndia çmon kokën e jo barkun, edhe njerëzit sot duhet të njihen nga kryet secilin e jo nga muskujt, mos të tradhtosh, të jesh luftëtar i paepur, mos të dorëzohesh. Postulati tjetër autorial lidhur me këtë mit është “pa kokë s’i bëhet gjama” dhe “pa kokë nuk je kalorës dardan”. Sigurisht kështu krijohet edhe epiteti për luftëtarët dardanë si bijë të shqipes, me dy koka, shqiptarë.
Kjo tregon jo vetëm orientimin por edhe identitetin e dardanëve që duke pasur dy koka janë më shumë sesa njerëzor, pra si gjysmë-hyjnorë. Mirëpo gjysmëhyjnorëve si identitet dhe si tragjedi me rastin e shembjes së rezistencës së tyre nga dyndjet dhe pushtimet sllavët këta e çfronësojnë Hyjneshën dardane dhe e heqin zvarrë dhe e marrin. Interpretimi i kësaj është se armiqtë dardanëve jo vetëm se u kanë marrë territorin, u kanë vrarë njerëzit, e ata që kanë shpëtuar janë strehuar nëpër male por u kanë marrë zotat, u kanë marrë altaret, kishat, manastiret, e pastaj u kanë marrë edhe Krishtin në fund e kur të merret edhe Zoti atëherë dihet se çka na mbetet vetëm qoftëlargu. Kështu autori do të japë mesazhin lexuesve se ne shqiptarët kemi mbet pa kokë e pa koka, dhe për më keq tani për rezistencë aktuale nuk i kemi jo vetëm 300 luftëtarë në këto kushte por ne po i degradojmë ish-luftëtarët.
Një nga përshkrimet më të bukura, sipas meje, janë dialogët mes luftëtarëve dardanë dhe murgjve ilirë në Kapodoki dhe në manastiret tek Dardanelet. Autori këtu e bën rolin e ungjillorit duke i dhënë një dimension universal civilizimit iliro-dardan të cilin e gjen kudo jo vetëm në Ilir por edhe në Daki, Thraki, Azi të Vogël jo vetëm si ushtarë, mjekë, inxhinierë, kronistë por tani edhe si murgj, priftërinj, liderë pa harruar këtu edhe martirët e përmendur Flori e Lauri.
Kështu autori ka zgjedhur mënyrën që civilizimit dardan t’i jap dimension shpirtëror me kontaktin e krishterimit të hershëm. E në anën tjetër përmes kronistit autori regjistron se para pushtimit serb secili fshat kishte nga një kishë që i rrafshojnë. Utilitarizmi i kristianizimit të dardanëve kalorësi kronist e sheh në këtë mënyrë “krishterimi është kundër jetës lapërdhare e luksit” dhe gjëja e dytë “krishterimi solli barabarësinë mes njerëzve përderisa paganizmi dardan bënte dallime klasore” si formë e ruajtjes së asaj që njihet në shkencat sociologjike “paradigma e vazhdimësisë”, dhe për më shumë autori na shfaq bashkëjetesën ndërfetare tek dardanët që disa ishin paganë e të tjerët të krishterë.
Si përfundim, teksti i Mehmetajt është një prozë postmoderne, autoriale, me prologun dhe epilogun, që kap antikën me mesjetën dhe ka një gjuhë arkivale dhe ushtarake me përplot përshkrime, monologë, dialogë, këngë, lutje, romanca, kështjella, udhëtime, qytete, perandorë, kuvende, hyjni, libra, kronika, mite, mbretëri, shtete, tërmete, ëndrra, vizione etj. Dardanët luftuan kundër: avarëve, hunëve, sorbianëve, bullgarëve, visigotëve, vandalëve, gotëve etj. pra armiqtë ishin dhe janë shumë.
Autori na shtron një meditacion, një pyetje, një kthjellim, një qortim “njeriu ka një mision që nga dita kur lind dhe nuk vjen kot në tokë për ta rënduar” dhe pastaj na jep një shëmbëlltyrë përmes kalorësit kronist “paqen e gjeja në libra”. Romani “Kalorësit e Dardanisë” mbetet një roman me temë historike me mesazhe të shumta për njeriun e aktualitetit tonë i cili ka liri por nuk ka paqe, ka para por nuk ka kënaqësi, ka bollëk por s’ka thellësi, ka teknologji por jo vlera, ka shtëpi por jo rend e nder, ka fëmijë por s’ka kujtesë.

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram