LUFTA MES VETËVRASJES DHE JETËS ARTISTIKE

(Shkas: Drama DUET për NJË)

NGA KALOSH ÇELIKU

Vite e vite, kohën  e fundit rrallë e më rrallë e vizitoja Teatrin Shqiptar, në Shkup. Qoftë për ndonjë shfaqje teatrore, ose tek Klubi i Teatrit për t’u takuar me miqtë e mi artistë: piktorë, shkrimtarë, aktorë e gazetarë. Arsye, se: E para, Partitë Politike Shqiptare e politizuan deri në palcë. E dyta: shkaktarët e takimeve tona të shpeshta tek Klubi i Teatrit Adem Kastrati dhe Fadil Bekteshi, papritmas ikën nga mesi ynë si iniciatorë të palodhur të aktiviteteve kulturore. Dhe, e treta: Meremetimi i Teatrit Shqiptar, që siç duket me qëllim zgjatet me vite dorë më dorë të partive politike. E shkatrruan edhe vendstrehimin e vetëm të artistëve, Klubin e Teatrit që edhe sot e kësaj dite nuk e ka Shkupi si kryeqytet.

Çerdhe artistësh, arsye që më vonë nuk e kisha aq të ngrohtë gjatë ndryshimeve politike – “demokratike”. Institucionet e pakta të kulturës, kur i pushtuan me partizanët e tyre partitë politike shqiptare. Jo, se: gjatë sistemit komunist, Nëna Parti nuk i kishte futur duart nëpër këto institucione kulturore, por dorën në zemër jo kaq thellë. Teatri i Pakicave, ku dominonte drama origjinale me tekste të autorëve shqiptar, asaj kohe sillte vlera të arrira artistike para publikut. Shkrimtarë shqiptar e botëror: Karnevalet e Korçës të Spiro Çomorës, Nita e Josip Relës, me regji nga Muharrem Qena, Erveheja me motive të poemës nga Muhamet Çami – Kyçyky e përshtatur në zhanrin e dramës nga Ahmet Qirezi me regji të Muharrem Qena,Zeka i Zi udhëton për në Babilon dhe Turbullira në Bukramira të Ymer Shkrelit, Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi,Repriza e lirisë dhe Nesër nisemi për në Parajsë të Teki Dërvishit, Gof -in e Anton Pashkut, Pas Vdekjes të A. Z. Çajupi etj. Krahpërkrahu me ato nga letërsia botërore: Antigona e Sofokliut, Varrezat e automobilave të Fernado Arrabel, I sëmuri për mend nga Molieri, Voceku i George Byhner, Furka e mistershme nga Nikola Shop, Duke pritur Godon të Samuel Beket, Armiku i popullit nga Ibseni, Dashnori i Harold Pinte, Martesa e N. V. Gogol etj.

Ndryshimet “demokratike” (sallmadia kulturore), i sollën edhe vlerat “sakate” në Teatrin Shqiptar të Shkupit: aktorë në rolin e regjisorit dhe shkrimtarë të vetëquajtur, u turrën me “kryeveprat” e tyre dramatike t’i vënë në skenë. Vetë, shkrimtarë, vetë regjisorë, vetë aktorë. Që, për fat të keq, hipnin e zbritnin nga skena “vepra” të arnuara me fragmente nga letërsia botërore.

Rrëshqitja e Dramës Shqipe në Shkup, u thellua edhe me konkursin e emërimit të drejtorit ri, kur gati të gjithë aktorët e këtij teatri konkuruan për drejtor, e askushi nuk donte të mbetet aktor. Partia politike shqiptare në pushtet gjatë bisedave “informative”, si “dënim” partiak të gjithëve ua premtoi postin e drejtorit duke i mbajtur me shpresa nga një javë. Në fund të javës, emëronte një tjetër aktor për drejtor. Kështu që, gati një muaj në Klubin e Teatrit, kërsiste e qerasmja me pije e meze. Përederisa, Nëna Parti  nuk ua dërgoi si drejtor një komandant lufte. Me emërimin e drejtorit të ri që ua përcolli Partia, disa ikën nga dëshprimi duke themeluar secili teatrin e vet shqiptar me licenca partiake: në Tetovë, Kumanovë, Dibër dhe Gostivar me nga dy-tre vende pune. Ndonjëri edhe jashtë vendit me kokën në Teatër e me të dyja këmbët nëpër institucione partiake dhe private që i themelonin partitë politike shqiptare para fushatave zgjedhore. “Veprat” e tyre artistike partiake, klanore, miqësore dhe familjare e vërshuan Teatrin Shqiptar, larg vlerave të arrira artistike tek ne dhe nëpër botë duke e përzënë publikun nga teatri.

Hap, që udhëheqsia e Teatrit në Shkup, u detyrua të marrë vendimin: kthimin e publikut në teatër me hyrje falas. Veprim “artisik”, që nuk ndikoi në publikun artdashës. Shkaku, vënjes në skenë të teksteve të dobët, larg realitetit shqiptar. U dalldisën pas arnimit të veprave dramatike të rilindasëve shqiptar dhe atyre botëror duke menduar se emrat e mëdhenj do t’i nxjerrin nga bataku kulturor. Vepra artisike që u shkonin përshtati edhe partive politike shqiptare e maqedonase me regjisorë maqedonas, serb, boshnjak e romë, që nuk e dinin as edhe një fjalë të vetme në gjuhën shqipe.

Tridhjetë vite Teatri shqiptar u mbytë në bërllokun e vetë partiak, përderisa nga Universitet: Shkup, Prishtinë, Tetovë dhe Tiranë, nuk erdhi një brez i ri artistësh të talentuar aktorë e regjisorë për ta nxjerrë nga hurdha. Ndalin hovin “kryeveprave” të drejtorëve partiak me një strategji të re pune në Dramën Shqipe. Deri, dje: vetë aktorë, vetë shkrimtarë, vetë regjisorë, duke lëvduar njëri – tjetrin dhe shpërblyer me çmime nëpër disa festivale teatrore në çdo qytet me tekste të dramave arnë mbi arnë.

Goditje politike e rëndë “artistike”, që na sulmoi me vite pa e ngritur kokën. Edhe, më e rëndë se, ajo e sistemit komunistë. Vërtetë, tashti nuk kemi cenzurë partiake, kemi “sallmadi” kulturore, por nuk kemi vlera të arrira artistike. Fatkeqsisht, sot arsimi dhe vlerat tona kulturore, janë nën nivelin e sistemit komunist jugosllav.

Padyshim, e them sot, se: Herët, a vonë vlerat e arrira artistike vijnë në skenë. Dëshmi, që më bindi drama DUET për NJË e autorit Tom Kempinski. Historia e një violinsteje shumë të suksesshme e cila është e detyruar përgjithmonë të heq dorë nga pasioni i saj për violinën pas diagnostifikimit me sëmundjen e pashërueshme “Multiple  Sklerozë”, me regji të Kreshnik Bekteshit dhe aktorëve Vehbi Qerimi e Vjollca Bekteshi – Hamiti. Një tekst me vlera të arrira letrare, i luajtur në skenë para publikut nga dy aktorë me një bagazh të roleve poaq të suksesshëm në Teatrin Shqiptar.

Dramë e realizuar me përkushtim dhe e qëlluar në këtë kohë me plot sëmundje psikiatrike. Vitet më kritike politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore në shoqërinë shqiptare, ku shumë artistë shqiptar kanë përfunduar në seanca psikiatrike tek Dr. Feldman edhe me vetëvrasje. Sëmundje e pashërueshme, që sot pas shpine e ka goditur edhe shoqërinë “demokratike” kulturore – artistike shqiptare. Dramë, që arrin përmasa universale të arketipeve njerëzore me të cilën mund të indefikohet secili prej nesh në një çast të jetës, që në dukje kanë qenë dhe janë të mbyllura me çelës në sirtaret e partive politike. “Ferrin” e brendshëm të personazhit Stefania (Vjollca Bekteshit – Hamiti) dhe trajtimit psikiatrik që i bënë Dr. Feldman (Vehbi Qerimi).

Shfaqje, që i gjason një seance psikiatrike kolektive, duke e ballafaquar publikun me vetëveten, me dialogjet më të fshehta të nënvedijes, ku mbizotëron: policia letrare, kaosi i frikës, dhimbjes, humbjeve, traumave, ëndrrave dhe dëshirave. Aqsa, edhe Stefania shpërthyese gjatë shfaqjes: luftës me sëmundjen, çmendurinë dhe rebelimin e saj si paciente, herë pas here bie në konflikt të ashpër me Dr. Feldmanin, shkencën dhe shoqërinë e sëmurë. Artin, që përshkak të rrethanave të ndryshme shoqërore – politike – ekonomike, artistin e shpien për “shërim” tek doktori psikiatër, në spital. Ballafaqimin e saj me pyetjet “intime” të Dr. Feldman, që herë pas here e vënë në situata të palakmueshme, se: Cili është i sëmuri, doktori apo pacientja. Dr. Felmand e shëronte Stefaninë me seancat psikiatrike dhe “ilaçet” e tij shkencore, apo Stefania me sharjet e pakontrolluara banale duke ia pështyrë edhe këpucët e kuqe.

Kulminacioni i dramës arrin, kur Stefania rebelohet me përgjigjet e saja ndaj pyetjeve të Dr. Feldman për moralin. E sulmon me fjalë banale: Hudhë, plot inat në dysheme edhe unazën e martesës. Shkaku, se: burri i  saj Dejvidi e sheh veten tek bythët e sekretaricës. Përinatë, të të cilit ka edhe një lidhje me Mbëledhësin hekurinave. Burrin, që ia plotëson të gjitha dëshirat në shtrat. E shëron nga sëmundja e pashërueshme “Multiple Sklerozë”. Veprim, që e nxjerrë prej taktit edhe Dr. Feldman duke bërtitur si i çmendur nëpër skenë. Pupliku, përballë vetëm dy aktorëve në skenë, i heshtur gati nuk merrte frymë. Papritmas edhe shpërthejnë duartrokitjet frenetike. Dukuri e arrirë kulture teatri, që di edhe kur duhet të duartrokisë, jo siç duartrokiste dje vend e pa vend me fishkëllima edhe në mes të dialogjeve skenike.

Akt drame, që nuk ia arrinte dot me seanca psikiatrike dhe “ilaçe” as Dr. Feldman të shohë një shkëndijë drite në fund të tunelit. Por, përçudi ia kishte arrirë Mbëledhësi i hekurinave muskuloz me pallimet çmendurake shpirtërore seksuale duke e “shëruar” nga sëmundja, çmenduria dhe vetëvrasja që i sillej nateditë nëpër kokë.

Fundi i dramës mes gjithë këtyre dialogjeve luftarake, përfundon ashtu edhe siç nisi në fillim: me ujitjen e luleve, krahasim i qëlluar artistik me daljen e Stefanisë në jetë nga sëmundja e pashëruar dhe luftës psikike, mes vetëvrasjes dhe jetës artistike. Rrëfimi i Stefanies, i cili veprim dha porosinë, se: Jeta është si lulja, mvaret sesi kujdesesh për të, nëse e ujit, ajo do të shpërthejë dhe lulëzojë në verandë. Sakrificë e aktorëve: Vehbi Qerimi dhe Vjollca Bekteshi – Hamiti me regjisorin Kushtrim Bekteshi për të sjellë një dramë kaq të arrirë artistike në skenën e Tatrit Shqiptar. Luftën artistike për jetë, se: Jeta është e bukur, dhe ka shteg për ta vazhduar betejën, edhe pas tragjedive të mëdha.

Padyshim, duhet përshëndetur rolet e aktorëve, që ishin mishëruar aq shumë me personazhet e dramës: Vehbi Qerimi dhe Vjollca Bekteshi – Hamiti. Përkëthyesin e tekstit të dramës Agon Myftari. Dhe, regjisorin Kushtrim Bekteshi.

Dramat e këtij niveli të arrirë artistik, i kanë hije Teatrit Shqiptar, në Shkup. Dhe, me siguri do t’ia kthejnë guximin e dikurshëm artistik plotë suksese dhe publikun e atyre viteve të lëvizjeve mëdha kulturore …

Vjollca Bekteshi – Hamiti në rolin e Stefanies në prag të vetëvrasjes…

Dr. Feldman (Vehbi Qerimi) duke ia hapur dyert e jetës Stefanies (Vjollca Bekteshit – Hamiti)…

Stefania (Vjollca Bekteshi – Hamiti) me simptome çmendurie në karrocë…

Vehbi Qerimi (Dr. Feldman) duke kaluar nëpër “ferrin” e brendshëm të personazhit Stefania dhe trajtimit psikiatrik…

Vjollca Bekteshi – Hamiti (Stefania), pas një seance psikiatrike…

Vehbi Qerimi, Kushtrim Bekteshi (regjisori) dhe Vjollca Bekteshi – Hamiti, në fund të shfaqjes: DUET për NJË, para duartrokitjeve të publikut…

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram